Mimoza Hysa
“Rastet” u botua për herë të parë nga Shtëpia Botuese Einaudi në tetor të vitit 1939, një muaj pasi kishte nisur Lufta e Dytë Botërore. Botimi u parapri prej një vëllimthi me titull “Shtëpia e doganierëve dhe vargje të tjera”, i botuar në vitin 1932, që përmbante pesë poezi të përfshira më pas në vepër: Shtëpia e doganierëve, Guvë vjeshte, Vargje të vjetra, Stanca dhe Karnavalet e Gertit.
Titulli i përmbledhjes pasohet prej një treguesi kronologjik, “1928-1939”, që me gjasë përcakton dhe harkun kohor, përgjatë të cilit janë shkruar krijimet e përmbledhura në të, duke vendosur kështu një vijë ndarëse të qartë prej veprës së parë të Montales, “Eshtra sepjesh”, botimi i dytë i së cilës i takon pikërisht vitit 1928. Përmbledhja nis me poezinë Ballkoni dhe është e ndarë në katër cikle: cikli i parë përmban gjashtëmbëdhjetë krijime; i dyti titullohet “Mottetti”[1] (Motete) dhe përmban njëzet krijime të shkurtra; cikli i tretë është një poemth i titulluar “Kohët e Belosguardos”, i ndarë edhe ai në tri pjesë; në mbyllje, cikli i katërt përmbledh pesëmbëdhjetë krijime të tjera. Kështu, në tërësi, vepra përbëhet prej pesëdhjetë e pesë poezish.
“Rastet”, sipas përcaktimit të studiueses Ticiana de Rogalis[2], paraqitet si një korpus këngësh dashurie, vazhdimësia narrative e të cilave sigurohet nëpërmjet përsëritjes së disa tharmeve tematike, si dhe pranisë së tri figurave femërore, mes të cilave veçanërisht njëra, personazhi i gruas-engjëll, siguron edhe pasurimin e kumtit nëpërmjet shndërrimit të saj të vazhdueshëm. Libri është ngjizur si një i tërë edhe prej përkimeve të shumta formale e tematike të poezive në vijueshmëri, prej rolit rrëfimtar parathënës e pasthënës të poezive Ballkoni dhe Lajme nga Amiata (gjegjësisht, poezia fillestare dhe ajo përmbyllëse e vëllimit), si dhe prej prirjes për të ndërtuar katër cikle të përngjashme me ato të vëllimit “Eshtra sepjesh”.
Në parathënien e botimit studiuesja e mësipërme ka dhënë një shpjegim të thelluar mbi thelbin e këtij vëllimi duke e përkufizuar atë si “rrëfim i zaptimit të pamundur, i lëvizjes së ngecur ngërç, i vrapit të ndalur të kohës duke u paraqitur njëkohësisht edhe si ditar udhëtimi, si bllok shënimesh, që i fal lexuesit kumtin e larmishëm e të ndryshueshëm të gjeografisë moderne europiane, edhe pse nuk përçon në të vërtetë aspak entuziazëm aventurash apo horizontesh të gjera, por, përkundrazi, paraqitet si një repertor pritjesh, përgjimesh, meditimesh të brendshme. “Rastet” është kërkimi i një takimi që shndërrohet pabeft në ndarje: gratë e kësaj përmbledhjeje paraqiten si personazhe në arrati, bredharake që nuk zënë vend, gjithnjë me mendjen e ngritur; ose janë figura femërore të pranishme ose jo, që sulmojnë poetin me kujtimet e tyre e me fanitjet e magjishme, që sakaq davariten. Vëllimi “Rastet” është paraqitja stilistike e kundërshtisë së vazhdueshme, e ngërçit të përhershëm mes emocionit dhe arsyes, mes shpirtërores dhe pamjes së qashtër të reales: njëra dorëzanë për tjetrën, sepse rasti – domethënë çasti i përveçëm apo ngjarja magjike – rrëfehet me një koherencë të përpiktë realiste dhe ndërkallet në një sintaksë logjike-racionale.
Titulli i vëllimit të sjell ndërmend fenomenologjinë e veçantë të përvojës në kohërat moderne: rasti është sjellja rastësore në kujtesë e një çasti të përjetuar thellë. Në të shumtën e herëve, është një kujtim që del në sipërfaqe krejt rastësisht – si një çarje apo shqitje – prej rrjedhës së njëtrajtshme të jetës, sipas një dinamike që, sipas kritikut Lonardi, përngjan e përkon dukshëm me “pulsimet e zemrës” së Prustit, “fanitjet” e Xhojsit, “çastet e ekzistencës” së Ulfit, “përndritjet” e Eliotit. Ritmi i kohës te “Rastet” i shkon për shtat si imazhit të prizmit ashtu dhe atij të rrethit e të shtjellës, si rrjedhës ashtu dhe pezullisë së ujërave (të një lumi, të një burimi, të një liqeni, të një deti). Kështu pra, mund të thuhet se bëhet fjalë për një perceptim kontradiktor të kohës, që luhatet në mënyrë të vazhdueshme nga përshpejtimi marramendës te përkëmbimi ciklik i orëve dhe i ditëve (kjo bashkëjetesë e këtyre dy ritmeve të kohës vërehet sidomos te poezia Ekspres). Por ndryshimi dhe përsëritja janë vetëm në dukje në kundërshti, sepse, në të vërtetë, ato priren të shkrihen në të njëjtin proces të pakthyeshëm. “Asgjë nuk kthehet”, domethënë se “gjithçka është po njëlloj” (Rruga e San Xhorxhos, v. 20, 25), sepse, nëse nga njëra anë çastet kuptimplota të jetës nuk mund të përsëriten, nga ana tjetër jeta vazhdon brejtjen me përsëritjen e përhershme të po së njëjtës gjë. E kështu “lëvizja që përsëritet / në qerthull të shkurtër” (Të braktisura mbi sukë…, v. 15-16) i kyç qeniet njerëzore në burgun e ekzistencës.
Janë të rralla e të paparashikueshme “lajthitjet e së mundshmes” (Karnavalet e Gertit, v. 58), ose ndryshe rastet që arrijnë të shkoqisin grethin e botës së ndodhive. Ky funksion çlirues u është besuar kafshëve (për shembull, “çakejve” te Shpresa vetëm për të të parë sërish… ose “iriqëve” te Lajme nga Amiata), sendeve (shih: hajmalinë “një mi i bardhë, / prej fildishi” te Dora Markus, v. 27-28), apo detajeve të imta (shih: ritin magjik të “plumbit të shkrirë” te Karnavalet e Gertit; motivit muzikor te Shpirti që shpërndan… apo këngëzës te Në shi, lules mosmëharro te Lulja që përsërit…, “valës” te batica në poezinë Istburn, e madje edhe emrave te Keepsake apo Bufalo). Në një këndvështrim të gjerë, bëhet fjalë për mbeturina të së shkuarës, ngulmime të një kohe të humbur, shpesh (por jo gjithmonë e jo vetëm) të lidhura me gruan e dashuruar që nuk është më, apo me “avullimin e saj” sipas vetë Montales: janë copëza në realitet krejt të papërfillshme, por që ngarkohen me një vlerë të jashtëzakonshme shpëtimtare, me një mbikuptim alegorik. E vërteta nuk përputhet me format e jashtme të botës dhe mund të dalë në pah vetëm në pak çaste domethënëse (e mund të jetë kësisoj vetëm një “e vërtetë e përpiktë”, kurrë absolute, siç na kujton poeti). Natyra e përkohshme dhe befasuese e këtyre shfaqjeve përmblidhet në përshkënditje të shkurtra dhe rastësore, shpesh të përcjella nëpërmjet një drite pulsuese: një vezullim, një flakërim, një shkreptimë, sinjali i një naftëmbajtëseje, xixëllimi i fundit i praruar i një ikone (Ballkoni, v. 9; Shpresa vetëm për të të parë sërish… v. 7; Përse vonë? Në pishë ketrushi... v. 7; Shtëpia e doganierëve, v. 18; Lajme nga Amiata, v. 17-18). Pritja shndërrohet kësisoj në kushtin bazë të unit lirik.
Thurma rastësore e ngjarjeve, gjithsesi, nuk zhvillohet e gjitha brenda një shpirti të ndrydhur, por “dellëzohet” (Ja shenja, dellëzohet…, v. 1) në një kontekst gjithnjë e më të përcaktuar. Rasti nuk mund të mbijë kurrë prej jetës së përditshme, por, në të kundërt, nënkupton ngjeshjen dhe harxhimin e saj, dhe vetëm nëpërmjet tyre mund të ndërtohet dhe të përthithet. Që në zanafillë i përket botës së jetës − në variantet e veta më të përunjura dhe të çuditshme − katalogu i kafshëve, sendeve dhe detajeve të tjera, në të cilat mpikset fanitja. Vendin e parë të konkretizimit e zë situata tipike e vëllimit, ajo e udhëtimit, ose së paku e zhvendosjes së unit në skenarë të ndryshëm (bëjnë përjashtim këtu vetëm poezitë e ndarjes “Moteti” që janë më statike), të dokumentuar gjithnjë nëpërmjet një toponimie të pasur italiane dhe ndërkombëtare. Pikërisht udhëtimi i fal përmbledhjes një shpërqendrim të pashmangshëm, një çarje të kufijve të zakonshëm të qenshmërisë, duke kërkuar përshtatje të shqisave me arkitekturat e reja urbane, me sheshet, hapësirat natyrore: edhe kjo është një pritje për shpërthimin epifanik. Bash gatishmëria e subjektit për të përshkruar copëzat e realitetit i jep mundësinë atij të kapërcejë “shenjën” (Stanca, v. 35) dhe të gjejë “shtegun” (Shtëpia e doganierëve, v. 19) drejt një dimensioni tjetër. Te Kepi i Meskos, për shembull, tingujt shurdhues dhe tymi i një guroreje (zhurma e pandalshme e trapanit, gjëmimi e më pas reja e pluhurit të shkaktuara prej plasjes së minave) nuk janë thjesht perceptime të rastësishme që përbëjnë kornizën e gjendjes së brendshme. Ato shënjojnë, për më tepër, gjurmën nëpërmjet së cilës uni zgjohet vrullshëm, duke qenë se e sheh veten të rrethuar prej një loje të ndërlikuar përthyerjesh, të ndërtuar nëpërmjet detajeve akustike dhe vizuale të realitetit dhe copëzave të kujtimeve dhe të emocioneve. Vetëm kështu fytyra, gjestet dhe së fundmi kujtimet e largëta të fëmijërisë së gruas arrijnë të zgjohen vërtet prej së shkuarës. Kësisoj nuk vjen një fantazmë e zbërdhulët, por një prani e gjallë: pikërisht vetë personi, me tiparet e veta të papërsëritshme dhe krejt të veçanta. Shfaqja e beftë përjetohet si pasojë: kështu vetëdija lëshohet e tërhequr prej forcës së rëndesës së ngjarjeve, të cilat lidhen me një qark të shkurtër me vetë pjesën e kujtesës së pavetëdijshme. Në këto çaste, kohësia përthyhet në brendësi të qenies dhe shtresëzohet, duke matur lëvizjet e unit dhe shfaqjet e kujtimeve në tri kohë, të shprehura me të tashmen, të shkuarën (çastet me gruan) dhe të kryerën e thjeshtë (fëmijëria e kaluar me të).
Edhe në poezinë Në shi − ku përvoja e jetuar zgjohet rishtazi me tërë fuqinë e vet – narracioni i “Rasteve” jep idenë që mes njeriut dhe botës nuk ka harmoni (shih: Përkime dhe Vera). Çasti i privilegjuar rrezikon gjithnjë të humbasë në magmën e madhe të jetës – “mërzia tjetër” te Vargje të vjetra, v. 54 – ose të bjerë në harresën herë të pjesshme (shih, për shembull, Keepsake, v. 7-8) e herë tërësore (është, ndër të tjera, rasti i poezisë Mos e prit, o gërshërë, atë fytyrë…). Zgjimi i beftë i kujtimit, nuk perceptohet si një dalje në dritë, por, më të shumtën, si një zhytje në një “shtjellë të përzishme” të së shkuarës (Zbatica, v. 11). Ngjarja e pazakontë i fal unit një vetëdije të kthjellët mbi “zbrazëtinë që na pushton” (Varka mbi Marna, v. 18), e mbi “hiçin e ashpër” (Ballkoni, v. 7) dhe kthehet në epifani të negatives. Vetëm një përkim fatlum, një çast i shkurtër dhe rastësor ia kthen individit të shkuarën e tij, si dhe momentet më kuptimplota të ekzistencës. Por rasti gjithsesi nuk shpëton individin nga vetmia dhe nga tëhuajëzimi: ky është dhe kuptimi përfundimtar që jepet te poezia e shkëlqyer përmbyllëse Lajme nga Amiata”.
Rastet në këtë vëllim mishërohen dhe jetësohen nga figurat femërore të cilat zënë dhe vendin qendror. Irma Brandeis, studiuesja amerikane e Dantes me origjinë hebraike, Ana delji Uberti[3] apo Arleta dhe së fundmi figura misterioze e gruas me origjinë peruane, përfaqësojnë gruan-engjëll shpëtimtar, së cilës i vishen dhe cilësitë hyjnore dhe përndritëse.
“Rastet”, gjithashtu mund të quhen dhe “poezia e objekteve” e ndikuar prej konceptit të Eliotit mbi “bashkëlidhësin objektiv”. Njohja e kësaj teorie jep dhe shpjegimin e duhur të kalimit të poezisë montaliane nga “Eshtra sepjesh” te “Rastet”. Edhe pse objektet montaliane “lindën” që në vëllimin e parë, ku paraqitja e tyre buronte prej një faze përgatitore që mëtonte të vijëzonte gjendjen shpirtërore të autorit, në përmbledhjen e dytë kjo fazë gati nuk përmendet më, meqenëse për të mbërritur në gjendjen shpirtërore të poetit, lexuesi duhet të kalojë përmes kuptimit të shenjave. Këto imazhe përbëjnë rastet e papërsëritshme që tejkalojnë tashmë vuajtjet ekzistenciale të “Eshtrave”, duke u konfirmuar si çaste të fanitjes rastësore të mrekullisë shpëtimtare. Sipas kritikut Panela, “Rastet” janë një peizazh sendesh konkrete, që përbëjnë konkretizimin e ndjenjave të poetit.
Ndryshimit të stilit dhe teknikës i përgjigjet dhe ndryshimi i këndvështrimit filozofik: negativitetit të “Eshtrave” i ndërfutet pozitiviteti i “Rasteve”. Montale arrin ta çojë më tej konceptin eliotian duke e trajtuar atë, jo thjesht si një mjeshtëri teknike, por dhe si mjet për t’u ngjitur e për të shkuar drejt përvojës hyjnore, drejt “shtegut shpëtimtar”.
Për sa u përket mesazheve të poezisë montaliane në këtë përmbledhje, do të thosha pa mëdyshje se lexuesit do t’i duhet ta kërkojë vetë “shtegun” shpëtimtar, ta përshkojë njëkohësisht me poetin e ndoshta edhe me përkthyesin e shqipes, pa e parë atë si udhërrëfyes, por si bashkudhëtar, e ta interpretojë këtë “shteg”, si kërkim për ngritjen e përmbushjen e vet shpirtërore, si një “ftesë për të shpresuar”.
[1] Mottetto – formë kompozimi muzikor me dy ose tri zëra, e krijuar prej muzikantëve apo trobadurëve të shekullit XII, e pasuruar dhe e ndryshuar në shekujt e mëvonshëm edhe si krijim poetik.
[2] Shih: Parathënia e “Le oçasioni”, botimi Oscar Mondadori, 2011, Milano.
[3] Anna degli Uberti në origjinal.
NO COMMENT