Akseptimet hyrëse
Shaip Beqiri ka botuar vetëm katër libra me poezi: „Fontana e etjeve“ (1976), „Flatrat e gjymta“ (1983), „Eklipsi i gjakut“ (2000) dhe „Muranat e muzgut“ (2015). Të katër vëllimet poetike janë dëshmi se autori nuk është i preokupuar me kuantitetin, sasinë e poezisë, që do të shprehej përmes numrit të botimeve, porse është i përqendruar në konkretizimin e obsesionit të tij permanent krijues që libri i poezisë të jetë libër që është projektuar një kohë të gjatë në mendjen e autorit, domethënë arkitektonikë e ndërtuar sipas një projekti autorial; ku çdo njësi do të jetë në funksion të përcaktuar nga vetëdija dhe intenca autoriale, ku çdo gjë do të lidhet në një sistem dhe prapë të jetë në funksion artistik. Ai funksion i poezisë së Shaip Beqirit është thelbësisht estetik sa që për poezinë e tij mund të thuhet se është një ekzempël shqiptar i puro-poezisë.
Prandaj poezia e Shaip Beqirit, që nga shfaqja e saj në librin e parë “Fontana e etjeve” e deri te krijimet më të reja të librit “Muranat e muzgut“ (2015), paraqet një dukuri autentike brenda poezisë së sotme shqipe, ngase autori dëshmon një koncept poetik konsistent, qoftë si formulim gjuhësor, po edhe si perceptim poetik, si trajtë të transponimit të motivit poetik, poende edhe si format i refleksionit poetik. Pra, nga është zgjeruar shprehshmëria e poezisë së tij, meqë është fjala për një koncept unik që shtrihet në të gjitha periudhat e krijimtarisë së autorit, veçmas duke marrë parasysh faktin se ai e ka një rrugëtim poetik të identifikueshëm brenda një procesi letrar te ne, pa shmangie radikale, por si një gradacion spontan në zhvillim?
Shaip Beqiri është përqendruar në ndërtimin e brendshëm të strukturës, në përpunimin e detajuar të tekstit, qoftë si mikrostrukturë, që arrin deri te tingulli, duke eksploruar sonoritetin e fjalës, te fjala si provokacion i kuptimit që mëton ta shterojë, pra kuptimisht edhe tingullin, duke ilustruar konceptin e Klint Bruksit mbi metaforën tingullore, për ta shkallëzuar shprehjen në raportet ndërleksikore, si stimulim i marrëdhënieve mes fjalëve dhe zhvendosjen e tyre në favor të shterimit të kuptimit e deri tek eksplorimi ekstrem i leksikut në planin figurativ dhe semantik.
Funksionalizimi i hipertekstit
Shaip Beqiri që nga libri i parë (“Fontana e etjeve”) e deri te më i riu (“Muranat e muzgut“) krijimin e librit e realizon si një projekt intelektual, ku mendja është ajo që e drejton intuitën krijuese. Brenda librit, prandaj, çdo gjë është e funksionalizuar asisoj që të integrohet në një sistem të menduar mirë.
Madje kur të shihet sistemi i përmbledhur brenda projektit me vetë natyrën e poezisë, e cila është rezultat i një intuicioni krijues, sikur krijohet një lloj kontradikcioni se si mund të bashkëjetojë një aftësi sistematizuese, që në esencë është punë e mendjes, e logjikës, me një kreacion që më shumë i falet fantazisë dhe ndërdijes, por që nuk ia zbeh fare forcën shprehëse tekstit poetik?
Poezia kësisoj nxjerr në pah edhe një momentum tjetër: ajo është kreacion artistik që ka rezultuar nga një gjendje permanente krijuese, ku hyjnë në veprim total mendja dhe fantazia. Se vërtet kemi të bëjmë me një investim të mendjes mund të shohim edhe nga mbështetja e autorit në përvojat pararendëse, në veçanti në poetin ultraestetizant shqiptar, Lasgush Poradecin, poezia e të cilit këtu shfaqet si një lloj specifik i hipertekstit, funksioni i të cilit ishte që të qartësojë konceptin krijues autorial, i cili do të gjejë një pikë referenciale në traditë, por jo edhe ta frenojë pushtimin e hapësirave të reja të artit. Ky hipertekst „lasgushian“ kryesisht është referim në poezitë më të njohura të këtij poeti të traditës: “Zogu i i Qiejve”, “Lundra e Flamuri”,” Gjeniu i Anijes”,” Vdekja e Nositit”, poezi këto reprezentative jo vetëm të autorit, por të poezisë shqipe në përgjithësi, që këtu shërbejnë si agjens për ta futur imagjinatën në veprim.
Duke gjetur inspirim nga krijimet lasgushiane autori “rishkruan” mbi margjinat e poezisë lasgushiane vizionin e vet, duke bërë kështu një lloj palimpsesti artistik, një shkrim që mbulon shkrimin pararendës, projeksion poetik që as e fshin deri në plotëni tekstin e parë e as do të shkëpusë lidhjen pararendëse.
Me këtë më shumë do të na bëjë me dije se është në vazhdën, siç do të preferonte të thoshte Lasgushi, të ndritshme të një koncepti poetik që mbështetet më shumë në subjektivitetin se sa në objektivitetin e jetës, që më shumë është ekspresion që vjen nga objektiviteti se sa që është një lloj “pasqyrimi” i realitetit.
Trajtat e tematizimit
Është i njohur përgjithësisht fakti që poetët estetizantë në kuptimin pozitiv të fjalës se nuk janë gjithaq selektivë në tematikë, meqë këtë problem sot e identifikojmë si përqendrim i vëmendjes, shpesh jo i drejtë, në tema të preferuara e të cilat zakonisht janë të karakterit të angazhuar, porse më shumë janë të preokupuar me kompleksin jetësor dhe atë e eksplorojnë me metodologjinë e tyre vetjake, duke e marrë inspirimin fillestar vetëm si nxitje për ta futur në veprim imagjinatën krijuese, e cila pastaj do ta formësojë sipas ligjësive imanente të saj.
Edhe pozia e këtij autori, sa i përket tematikës, dallon për prirjen që të trajtojë pikërisht atë kompleksin ekzistencial të njeriut që ka një shtrirje horizontale në përditshmërinë e jetës, por aq më shumë edhe në aktualitetin historik, duke e nënkuptuar këtë si një empiri të ndërlikuar, ku historia nuk mbetet si faktografi, por e amalgamuar me mitin, që është histori e qenies, me legjendën, me dijen dhe implikimet e saj në jetën njerëzore.
Prandaj për këtë poezi nuk mund të thuhet se është e temës fikse, e një problemi të segmentuar në aspekte të jetës me të gjitha konotacionet e saj: sociale, morale dhe ekzistenciale të njeriut që mund të identifikohet në një mjedis përkatës nacional. Poezia e Shaip Beqirit trajton temën duke e ndriçuar së brendshmi, duke e estetizuar atë, njëkohësisht duke e zhveshur nga shtresimet joestetike, siç janë ato sociale, morale etj.
Në këtë proces tema poetike që trajtohet vjen duke u konturuar në një temë poetike, duke u larguar nga burimi primordial, fillestar dhe duke marrë një trajtë të re dhe status të ri. Ndriçimi i brendshëm që i bëhet problemit vjen duke e rikrijuar atë hapsirën e brendshme, atë hapësirë që ne zakonisht e identifikojmë si subjektivitet.
Poezia e Shaip Beqirit në asnjë rast nuk i ikën trajtimit të temave dhe motiveve klasike, çfarë është, fjala vjen, atdhedashuria. Dëshmi për këtë janë poezitë që edhe si tituj e mbërthejnë këtë problematikë brenda një kornize klasike: Shkupi, Çamëria, Tomori, Drini, Kosova, Shqipëria, Flamuri, Joni, Llapi etj. Ai është klasik në inspirim, ç’gjë shihet edhe nga vetë titujt që në pamje të parë duken repertoreskë, por që në thelb janë një dukuri krejtësisht e kundërt, ngase në ta as ka referencialitet të drejtpërdrejtë, as ka patetikë të identifikueshme patriotike, as ka eksklamativitet, çfarë ndodh me shumicën e poezive me këtë motiv të autorëve të tjerë.
Poezitë e këtij motivi derivojnë në tema të shumta, zakonisht të përmbledhura në bërthama përkatëse kuptimore:
“Unë e prek me dorë një flatër
Që rri pezull
E dehur
Midis majave të tua ku thyejnë qafën rrufetë
Dhe kullohen rrezet e prera
Të ditës që ndryhet e plotë
Veç në kujtesën tënde”
“Tomori”
Siç shihet, imazhi i kësaj poezie nuk është ai tradicionali, imazhi çajupian, si vend që është sinonim i “fronit të Perëndisë”, sepse është skajshmërisht i subjektivuar sa që jo mistikja e njohur e këtij mali mbulohet nga mistikja autoriale, nga shpirtëzimi që ia bën poeti objektit të vet të poetizimit.
Edhe motivet e tjera të poezisë, si ai erotik, deskriptiv etj. shkrihen në të vetmin motiv mbizotërues, në refleksionin autorial sa na bëhet që motivet iniciale janë vetëm një agjens që e vë në veprim imagjinatën dhe subjektin në refleksion.
Kjo vlen edhe për poezitë që kanë referenca të fuqishme sociale apo edhe thekse të dallueshme të protestës si : “Torpila”, “Serbe”, “Oshënari”, “Harta pa shenja”, “Lukunia”, “Ëmbëlgjaku”, “Cenga”, “Ekspozita e parë në mërgim”, “I zoti i qenit” etj. Edhe te këto poezi nuk ka një deskriptivizëm që zakonisht shfaqet përmes narracionit apo ndonjë fabulimi; edhe te këto poezi poeti synon dendësimin e shprehjes, pasurimin e kontekstit kuptimor, jo duke e bërë shprehjen sa më mobile, nuk do ta vërë në lëvizje patetizmin, por më shumë synon që ajo protestë limitin e skajshëm ta ketë ironinë.
Po të njëjtat tipare ndeshim edhe te poezitë me motiv erotik. Edhe në ato më shumë mbizotëron masa e kuptimit, e cila amalgamohet me emocionin dhe ngjyrat në mënyrë që së jashtmi ta japë atë dramën e brendshme, atë që ndodh si një preokupim, qoftë edhe i çastit, me objektin erotik.
Në poezitë e këtij motivi, çfarë janë “Belfontana”, “Hijezurkaja” etj. për ta nxjerrë në plotëni atë esktraktin poetik duhet të bashkëdyzohet tërësia e elementeve; ideja që del nga narracioni poetik, rrezatimi semantik që buron nga dendësia e figurave, perceptimi i një realiteti, që po ashtu bën shpirtëzimin e natyrës, po aq sa edhe me ritmin dhe sonoritetin e të gjitha niveleve të tekstit, që nga fonema e deri te vargu si tërësi që është gdhendur më një përkujdesje fanatike.
Poezia e këtillë del e përpunuar në dy plane: së brendshmi, si stivim i shtresave të kuptimit, i tingujve që krijojnë një ritëm dhe formojnë idenë e dramës, e cila ndodh te njeriu; i figurave që ndërtojnë një kompleks edhe të kuptimeve, por edhe të imazheve. Kurse së jashtmi, duke ndëertuar një tekst të një rigoroziteti të tillë, ku çdo gjë të jetë në funksion dhe pa asnjë tepri, si një ndërtim i një ideje të plotë, ideje-bosht, ndonëse asnjëherë e ndërtuar si një narracion që do të mbështetet në fabulim klasik, autori i jep trajtë të rrumbullakësuar ligjërimit poetik.
Me një fjalë, në këtë poezi ndeshim një subjekt në meditacion dhe përgjithësisht suksesivitetin e gjendjeve meditative që plazmohen në tekst. Meditacioni dhe gjendjet meditative kësisoj japin një ekzempël të një refleksioni të thellë, po aq sa edhe të një drame të emocionalitetit sa që poezisë i japin tiparet e një mase inherente, ku mendja është në pajtim me ndjenjën, të pashkëputshme mes veti dhe gjeneruese të vazhdueshme të gjendjeve poetike. Se me të vërtetë kemi të bëjmë me një poezi që është e përpunuar estetikisht mund të shohim edhe përmes faktit se gjithnjë temat, motivet dhe objektet për të cilat këngëton poeti janë në lëvizje të vazhdueshme sa që kufijtë mes tyre janë shumë relativë.
Këtu nuk kemi motive të pastra, ngase as tema e të kaluarës, miti, legjenda, historia dhe përgjithësisht empiria e të kaluarës, e trashëguar në kujtësë në mënyra të ndryshme, gjithnjë është në një gjendje dinamike, të ndryshimit të vazhdueshëm në raport me korelacionet, qoftë me aktualitetin apo edhe me vetë subjektivitetin e poetit sa që ideja, imazhi, pamja dhe përgjithësisht kromatika ka tiparet që ia jep vetë poeti, domethënë percepcioni autorial, ngjyrimi shqisor dhe emocional, duke ia zbehur atë ngjyrimin primordial dhe kuptimin e hershëm, burimor që e kishte ai konstruksion i bartur si përvojë.
Poezia e Shaip Beqirit është në thelb një refleksion tejet i subjektivuar ku të gjitha idetë, problemet, sendet dhe dukuritë e observuara e kanë atë formë që ia jep mënyra e refleksionit autorial. Pra në pyetje është një proces estetizimi, proces ku gjërat, ndodhitë, historitë, dramat e së kaluarës i nënshtrohen një filtri imagjinativ me ç’rast ndodh transformimi i tyre, ku humbin atë konturimin fillestar dhe në mënyrë latente shndërrohen në fakte estetike.
Duke insistuar në ndërtimin e një prosedimi vetjak, ku çdo gjë, çdo element i tekstit poetik do të jetë i përpunuar nga mekanizmi kreativ dhe imagjinativ i autorit, ai arrin të ndërtojë një sistem jo vetëm të ideve, por sistem që shtrihet në të gjitha nivelet e që në planin e kromatikës poetike identifikohet si percepcion i individualizuar poetik, që çdo gjëje ia jep pamjen unike të jashtme sa kjo poezi është e dallueshme në gjithë konfiguracionin aktual poetik si një poezi me ngjyrën e vet dhe me komponentën e vet subjektive.
Struktura figurative
Poezia e Shaip Beqirit në thelb është poezi e figurës, madje e figurës së dendësuar, sepse në të nuk ka narracion tipik, ndonëse fraza poetike është mbizotëruese, nuk ka fabulim, nuk ka evokim të një historie të dikurshme, e cila do të rikonstruktohet imgjinativisht për t’u transformuar në një faktografi poetike. Poezia as rrëfen, as përshkruan situata, ajo imagjinon, frekuenton brenda sferave të larta të imagjinatës, duke mbledhur së bashku elemente pothuajse tërësisht heterogjene për t’i vënë në një kompleks të ri edhe kuptimi edhe funksioni.
Ligjërimi poetik mbështetet në gjuhën si mekanizëm që arrin të gjenerojë deri në pakufi gjendje lirike, imazhe, ngjyra, ritëm dhe sonoritet, por edhe ide dhe kuptime. Amalgami poetik i poezisë ndërtohet, pra, duke shkrirë elemente të burimësive të ndryshme dhe kur këto shkrihen nga ajo shkrirje del amalgami poetik.
Në fuzionin poetik, të themi figurshëm, marrin pjesë barabar figurat poetike: metafora, krahasimi, metonimia, simboli, në njërën anë dhe nocionet e konceptet në anën tjetër. Amalgami i tillë poetik nxjerr në pah prirjen inteligjibile të poetit, i cili në kreacionin e vet poetik di të ndërtojë sistem, madje sistem ku më së bukuri rri figura karshi nocionit.
Pra, kjo poezi është shembull i një përqendrimi të gjuhës, përqendrimit në kuptim, në emocion, në kolorit e veçmas në asocionim të gjendjeve heterogjene shpirtërore. Autori posaçërisht vëmendje i kushton shtrirjes së mendimit dhe idesë, të cilën herë e realizon me një metaforikë të dendësuar e herë përmes tipit tjetër të figurave, por që nuk do të thotë se në këtë teksturë poetike kufiri i mendimit të jetë edhe kufi i vargut. Tjetër gjë është se brenda vargut mund të shfaqen figura të tilla që mund të trajtohen si bërthama kuptimore rreth të cilave frekuentojnë shprehjet e tjera.
Duke insistuar në dendësinë e figurës ndodh që vargu të errësohet, që figurat të dublifikohen, të vijnë menjëherë njëra pas tjetrës, sidomos kur është fjala te përdorimi i epitetit, ngase autori do që të depërtojë sa më thellë në shtresimet e kuptimit, të pushtojë sa më shumë hapësirë semantike në figurë dhe në togëfjalëshin poetik. Prandaj ajo dendësi e tepruar e figurave, dublifikimi i tyre (shembull: “Perëndon i buzëqeshur/ Me një tufë rrezesh të qethura /Prapa vetullave të tua të kërleshura/”, “Dielli i qethur”), vargu megjithatë del mjaft i profilizuar, i saktësuar dhe pa teprica tekstuale të tipit retorik, me imazh të skicuar qartë, me koncept të fortë ideor dhe me nëntekst të pasur, semantikisht dhe gjuhësisht eskspresiv.
Poezia e Sh. Beqirit duhet vështruar edhe në planin leksikor, ngase poeti njihet si një eksporues i palodshëm i gjuhës (poetike). Poezia e tij në këtë plan e ka një veçanti që rrallë mund të ndeshet te poetët e tjerë, ajo dëshmon një shkallë të lartë të selektivitetit leksikor. Nuk janë, sipas konceptit krijues të këtij autori, të gjitha fjalët e njëjta sa i përket vlerës poetike.
Duke hulumtuar në thesarin gjuhësor të shqipes dhe duke e inkorporuar fondin e fjalëve të përzgjedhura e veçmas duke arritur që ato t‘i kuptimësojë dhe funksionalizojë poetikisht, ai njëherit arrin të ndërtojë një lloj idiomatike poetike. Shumë fjalë që autori i vë në funksion kuptimësimi dhe në kontekste poetike, duke i risemantizuar ato, i përkasin fondit të fjalëve të rralla: gamuj, shperrthiq, shkrëndur, hopangop, skundra, shkëndur, sharpa, galina, lakanisje, çmërs, zhargina, gërrana, guzhma, grrori, lëmaku, llajka, shkulluar e shumë e shumë të tjera, dhe arrijnë që të ndërtojnë kontekstin e ri të thënies dhe të shprehshmërisë.
Vjelja e këtyre fjalëve nga thesari i leksikut popullor dhe vënia e tyre në kontekstin poetik përbrenda frazës poetike autoriale bëjnë që këto të inkorporohen në një sistem që lirisht mund të quhet si një idiomatikë poetike.
Akseptimet përmbyllëse
Poezia e Shaip Beqirit, kur të vështrohet brenda një procesi poetik dhe në kuadër të modeleve poetike referuese, që edhe ashtu janë të rrallë në poezinë shqipe, ajo imponon tipin e vet të identifikueshëm, imponon modelin e poezisë estetizante në kuptimin më pozitiv të fjalës.
Identiteti i kësaj poezie mbështetet në tematikën sinkretike, sepse autori brenda një poezie arrin të shtresëzojë dhe të stivojë elemente heterogjene poetike, që nga miti, legjenda, historia, përvoja orale e kujtesës popullore e deri te përvojat e modernitetit, duke ndërkallur brena thënies së tij poetike edhe elemente të poezisë parnasiste, simboliste, por edhe ekspresioniste.
Nga parnasizmi Beqiri sjell tingullin e pastër, nga simbolizmi kuptimin e thellë të fjalës dhe ndërtimin e bërthamave semantike përmes figurave, nga ekspresionizmi kromatikën gri. Me një fjalë, poezia e tij arrin të shkrijë një lëpezë të gjerë elementesh, por gjithnjë duke ia nënshtruar këto procesit të riestetizimit.
Edhe elementet intertesktuale, siç janë ato që vijnë si reminishenca nga modelet lasgushiane, po edhe të tjerat, që janë vjelje nga burimet e klasikës franceze të periudhës estetizante (simbolizmit, parnasizmit, syrealizmit, që vijnë nga komunkimi i autorit me poezinë e Bodlerit, Malarmesë, Rembosë, Verlenit, Valerisë, Bretonit etj.), të cilat herë shfaqen si pjesë e konceptit poetik, por herë si rudimente figurative, por edhe si reminishenca lirike, gjithnjë janë brenda një sistemi poetik që ky autor ka arritur ta ndërtojë më dekada, duke qenë edhe selektiv, po edhe me botëkuptim të formuar dhe koncept autentik krijues.
Si e tillë kjo poezi është tepër elitare, vetëm për ata që nga poezia kanë kërkesë të qartë: të ndiejnë shijen e sublimes estetike.
NO COMMENT