READING

QIELLI I FRIKËSUAR – Poezi nga Ndue Ukaj

QIELLI I FRIKËSUAR – Poezi nga Ndue Ukaj

Poezi nga Ndue Ukaj

QIELLI I FRIKËSUAR

Në këtë rrugëtim të gjatë kalvari
Poetët ngulin sytë kah sorrat e çartura
Që kanë mbushë qiellin me pasiguri.

Ne kurrë s’ e kuptuam se
Tingujt e lirisë janë çakorduar nga dirigjentë të shumtë
Dhe një rrëfimi me heroizma
E pa histori.

Sikur dje edhe sot,
Ecim dhe nuk dimë kah shtegtojmë.

Në mes të kësaj mjegullnaje mungon diçka që quhet qëllim.

Më parë nga këtu dikush u përpëlit, bërtiti llahtarshëm,
dhe iku si vetëtima.

Në fund të kësaj ecje është një fushëbetejë,
Dhe një vistër shkrimesh që tregojnë si shkohet kah caku;
Caku që kurrë s’e arrijmë.

Oh! Ti e di: askush nuk e meriton këtë udhëtim kaq të gjatë kalvari.
Sidomos tani kur fëshfërinë thellësia e malit
E sorrat e zeza mbushin qiellin me pasiguri.

PASQYRA

Zgjohem dhe s’i pëlqej pasqyrat,
Më duken zgjatim i ëndrrës së padëshiruar.
E megjithatë nganjëherë më duhet të këqyrem në to,
Në mëngjes kur marr rrugën kah ti, e përndritshmja ime.

Nga ti që mban pushtetin
Mbi humanizmin e rrethuar me mure të larta.

Ti po ashtu m’ ke thënë s’e do pasqyrën.
E urren shikimin përbuzës të saj
Apo njollën e fshehur në ballin tënd.

E unë të shoh përherë e më pak të gëzuar
Kur ti merr rrugën kah pasqyra
Dhe e sheh vërtet fytyrën tënde.
Një pritje që ngjan sa një jetë.

ZBULESA

Me kalimin e kohës kuptojmë gjithnjë e më shumë
Për mistere që na rrethojnë
Njohjen e paktë të vetvetes
Njeriun që sillet përreth nesh
Dhe një urë që kurrë s’e kalojmë.

Me kalimin e kohës kuptojmë gjithnjë e më shumë
Dëshpërimin pa krah
Yjet që bien nga qielli dhe shkrihen në duart e njoma të tokës.

Është errësirë.
Por unë refuzoj të shkruaj skica dëshpërimi
Për tradhtinë e miqve
Sepse njoh mrekullinë e dashurisë
Gëzimin pa kufij kur shikon lart kah qielli
Dhe si zogu në fluturim
Spërkat mirësi.

Ti shtegton si re mbi kodrat e mjegullta;
Si varkë e zbraztë në qetësinë e valëve
Dhe askund s’e sheh pikën e kthimit,
As rrëfimin e grisur të shpirtit tënd.

Unë s’di të vizatoj skica dëshpërimi.
I marr nga miqtë e pabesë,
Që rrinë me gurë në duar dhe gjuajnë
Si turma që kryqëzonte Jezusin.

Sot e përgjithmonë,
Me gishtat e mi të lënduar dua të vizatoj skica dashurie.
Prandaj e shtrydh lapsin që u merr ngjyrë luleve.
Dhe të shoh ty me lutjen tënde matanë dallgëve
Melankolinë që prek shpirtin
Si rrezja e diellit trupin tënd të ambël.

Aty pranë padashur zë vend një pëllumb i bardhë.
Të cilit era ia lidh flatrat.
Ai më nuk fluturon.
Ai më nuk rënkon.

MIRËSIA

Mirësia s’ka flatra.
Duart i ka të lagura e shikimin e venitur.
Asaj i mpihen këmbët sa here niset kah qëllimi.
E ngarkojnë me helm,
E qepallat ia mbyllin gishtat e zi.

Në botën që i ngjason një burgu të madh.
I kërkon portat e daljes-
Biletat e shumta, me fatura që ushtojnë mbi kokat tona.
Si ushtima e kambanave që parathonë meshën e pashpallur.

Ti e di: mirësia s’ka flatra.
Prandaj s’mund të fluturojë si zogu që vjen në dritaren tënde:
Të çukatë.
Të kërkon e të hamend.
I lodhur, me sytë që mezi i duken,
Të cytë në dyshime kur ti kërkon rrugën kah përsosmëria.

Mirësia s’ka flatra.
I ka duart e ngarkuara
E krahët e lagur.
S’e lejon të fluturojë rrebeshi i ndjenjave
Që varen si gjethet e lagura pas shiut mbytës.

Natë.
Errësira përleshet me yje dhe një lajm merr jetë papritur.

Kërkimi im përfundon mes shkronjave që s’kërkojnë domethënie të dytë.
Ndërsa një flamurmbajtës përulet para tempullit të mirësisë;
Një tjetër s’e ndal hapin,
Dhe thotë:
Ah! Mirësia s’ka flatra me të gjetë ty që i ke mbyllë dritaret e zemrës
me perde të zeza.

SIPËRFAQJA PA FORMË

Gjëra të pakuptimta ndodhin mes meje dhe teje.
Ushqehemi me mërzi,
Na pi errësira dhe ngremë dolli për yjet që s’janë.

Stolitë i heqim nga muret dhe në to varim gotën e idhtë,
Si pikturat e harruara të fatit tonë.
Pastaj lexojmë një vistër lajmesh për kohët e thyera si shtiza
Në sipërfaqen pa formë të kësaj fushëbetejë absurde
Ku prapa mbetet tymi dhe një arenë pasigurie.

Mes meje dhe teje është një humnerë
Ku veç zogjtë kalojnë të lirë.

Oh! Sa herë e theva pikëllimin
Si këtë shtizë që e mbajta gjatë në duar
Kur notoja pas zjarrit tënd.

Përsëri shikoj matanë humnerës.
Një pemë është e bukur dhe më tërheqin frutat e saj.
Përdëllehem para se të marrë frymë thellë.
Megjithatë nuk dua të besoj në folenë e gjarprit.
Jo!
Ai nuk është aty as helmi i tij.

Pastaj ti e sheh: dielli bëhet pikë e vogël në horizont,
Kurse hëna shfaqet me sytë e mëdhenj.
Në këtë mesnatë kur s’e di a duhemi apo urrehemi.

ORKESTËR

Atë ditë stuhie
Engjëjt hijelehtë u arratisën nga qielli
Dhe gjetën një copë tokë
Para murit të vetmuar.

Ishte e mërkurë-
Nuk ishte e mërkura e përhime
E ftohtë si mermeri me kujtime të trishta
E fotografi të zhubrosura
Ku kërkohet qartësia
Për vete dhe për tjerët.

Megjithatë ti e di: qartësia mungon.

Atëherë me duar në kokë.
E rrëmbyer nga ulërima e pyjeve
Dhe melodia e korit të engjëjve;
Më pyete për fillimin e mbarimin
Apokalipsin dhe një ëndërr të përhershme.

Para dyerve të katedrales
Zonja me të bardha luante me kitarë,
Ndërsa thithte duhmën e temjanit
Prej nga i dëftohej përjetësia.

Mirëpo ti asnjëherë s’ e kuptove
Se historia është rrëfim i pakryer e pa trajtë
Si kjo humnerë që mbushet me thërrmija kujtimesh
Në këtë ditë kur dëshirat pikojnë nga qielli
Si ky shi mërzie.

Atë ditë arka e shpëtimit
U përmbys përnjëmend
Dhe aty të pashë ty
Bashkë me orkestrën tënde
Që i kombinon dhimbjet
Mrekullisht
Dhe i kthen në simfoni.

DASHURIA S’KA RRUGË

Sa herë them udhëtimi im ka fund
Përpara më shfaqet një ngatërresë.
Për shembull:
Nisem nga deti dhe papritur e shoh vetën në një bujtinë
Rrëzë bjeshkëve
Ku ulërima e ujqve bëhet melodi.

Pastaj e kuptoj: dashuria s’ka rrugë
I kundërvihet mjegullës.
Fërfëllinë si stuhia dhe shfaqet në kthesat e kohës
Mes detit e maleve
Atyre ndjenjave të thepisura
Kur papritur shpartallohesh
Dhe rrokullisesh në dallgët e trazuara
Pa arkën e shpëtimit për kaosin tënd.

Unë e ktheva kokën prapa,
Si kthehet zogu në folenë e tij
Dhe pashë piramidën e mërzisë
Me dritare të mbyllura
Dhe një flamur me simbole
Që s’i lexonte syri im.

Atë ditë mendova rishtas
Për orkestrën tënde
Që i kombinon
Dhimbjet
Dhe mrekullisht i kthen në simfoni.

Pastaj shikimi yt rënkoi si shiu i jetës
Dhe në hartën e kaosit lëshoi një tingull melodie shumë të ambël.

NDËRGJEGJE

Ora e fundit me marrëveshje iu kushtua melankolisë.
Të studiohet qartësisht pse yjet shkëlqejnë
Në këtë orë ndjenjash të thyera për diçka të humbur
Një mësim që kurrë s’e morëm.

E mira dhe e keqja jetojnë nën një çati
Dhe kurrë s’e prishin martesën e tyre.

Derisa fjalitë formojnë pushtetin e puplave
E zogjtë këndojnë në ajrin e zemërimit
Një shi i zymtë bie rrufeshëm mbi mua.
Ndërsa dikush përmes tij fluturon në epokën e dritës
Ku pamjaftueshmëria nuk vihet në dyshim
As pushteti i yjeve.

Sot të hutuar janë gurët e gratë,
Pemët e thata që justifikojnë mungesën e ujit, mungesën dashurisë.

Sa shumë beteja ekzistojnë për gjëra që s’i arrijmë.
Për kanosjen që ia shkaktojmë fatit me një vështrim vullkanik,
Dhe frushkuj në ndërgjegjen e lirë.

Po katedralja veshur me të bardha
Si u bë që u fshi nga sytë e mi!

KAM MËSUAR

Kam mësuar se gjitha njohuritë janë të vobekta
Karshi universit të marrëzive
Të atyre që sillen rreth teje si qengja
Dhe përbrenda janë ujq.

Kam mësuar se dashuria është e pamjaftueshme
Përballë universit të tradhtive.

Zgjohesh dhe dëgjon kambanat që të grishin kah dita e re
Ndërkohë ti ndien dhimbje në shtratin e vjetër
Rrethuar me vetmi dhe një pamje pa horizont.

Ty s’të mjafton çasti i krijuar për lulet
Sepse ato kanë kohën e tyre,
I godet furtuna.
Zbehen, shkelen, veç lule mbesin.

Pastaj ti e di: gjithmonë dikush pret pranverën.
Për zhurmën e madhe të shekujve që shkuan
Të atyre që vijnë.
Dhe refrenet për shpresa të reja.

Ti e heshtur shpjegon semantikën e jetës,
Dhe thua vetëm lulet nuk brengosën për fatin e tyre
Sepse gjithmonë lule janë
Dhe nga rrënjët e tyre çel pranvera
Pa lëkurë gjarpri.

PAFAJËSI

Asnjëherë nuk besuam në yje
As në shikimin e tyre magjik
Kur zogjtë fluturonin mbi kokat tona
Dhe e shihnim si lartësoheshin dhimbjet.

Atëherë morëm frymë dhe pushuam
Si pafajësia në pikturën tënde.

Ne s’ i besuam natës,
As afshit të kësaj kohe të pamjaftueshme.

Kjo hapësirë pa formë nuk përmban thirrje hyjnore.

Në këtë ditë kur yjet krijojnë mozaikun e ndjenjave të thyera
Që përplasen me re
Si ti me paqartësinë.

Ti e di: në altarin e dashurisë
Përherë bie një lule e padëshiruar dhe prish harmoninë.

Ah! Si u bë që nuk pushoi ky shi pikëllimi në sytë e tu!

REPUBLIKË DËSHPËRIMI

Të gjithë ata që kanë probleme me frymëmarrje
Janë udhëzuar që të kërkojnë një planet tjetër.
T’i mbushin varkat me shpresa
Dhe të ngrenë dolli me yje.

Ti e di se përbrenda nesh banon pavetëdijshëm
Një cep tokë
Dhe e shkelim si gjethen e kalbur në një mot me shi.

Matanë murmurimës kalohet me lehtësi.
Qielli sot nuk ka formë;
Nuk ka as vija ndarëse.

Në rast përqendrimi mund t’i vëresh
Të gjithë politikanët, poetët, filozofët e historianët
Si i blatohen realitetit që nuk ekziston.

RRUGËT E JETËS

Kjo mesdita e zakonshme s’ka dëshmitarë.
Mes shtigjeve të harrimit,
Dielli noton nëpër qiellin e hutuar
Dhe njësoj nxeh për të mirët e të këqijtë.

Unë rri përballë lumit të njerëzve.
Ata kërkojnë diçka:
Rrugët e jetës
Qartësinë
Kohët që s’janë
Kohët që s’vijnë.
Pastaj shoh silueta grash.
Ato kanë braktisur demonët
Me nurin e tyre që thyhet në hije malli;
Në hije që iu shkojnë pas dhe formësojnë melankoli.

Atëherë të pashë në ëndërr
Bënte vapë e ti nuk ishe askund.
As jehu i flladit tënd
As magjia e syve të tu
As tingujt e afshit tënd.

Ah! Ti më rrëfeve gjatë
Si në një tregim të bukur
Me personazhe magjikë:
“Na ishte njëherë çeta e engjëjve dhe melodia e zogjve.
Tani janë vetëm portat për dalje nga ferri.”

Pastaj mallëngjimi
Ra mbi sytë e tu
Dhe i ngjau shiut;
Atij shiu që përmbyt gjithçka.

TË BUKURA JANË EDHE ATO QË S’SHIHEN

Asnjëherë s’e mësova këngën e luleve,
as melodinë e zogjve të gëzuar
që zbresin nga thellësia e qiellit dhe mbushin tokën e frikësuar me gëzim.

Unë asnjëherë s’ e kuptova natyrën e luleve.
Ato erëmojnë ambël edhe mes plehrave.

Ditën e shtunë ti përdridheshe në kopshtin e kënaqësive
E kërkoje rrënjën e kapur në sytë e stuhisë.

Në mes kësaj historie dikush gjithmonë është dëshmitar:
Dielli, deti apo pafundësia e maleve,
Muzika e dashur për veshët e tu.

Eva kushedi se ç’ndjeu kur mbuloi trupin e saj.
Ndoshta u kthye te shtrati pa mëkate
Veshi pelerinën e hidhërimit dhe i mbuloi gjinjtë e ambël,
Por sytë përgjithmonë i mbetën thellë të hutuar në atë mollë.

Ti e di se prapa perdeve gjithmonë ka roje dhe kalimtarë rasti.

Unë pyes: pse piktura në dhomën time është grisur.
Pyetja shndërrohet si ti para tundimit.

Aty nuk shoh shtegdalje, as melodinë për këngën radhës.
Veç shoh një gjarpër që këqyr drejt në sytë e mi.

EMANCIPIM

Në skajin e mendjes imagjinata rënkon
Për kalciumin e munguar: dashurinë.
Dhe gjen fjalën që bie si dëshpërimi në krahët e erës,
Dhe prish harmoninë e natyrës
E cila dëfton se përnjëmend nuk ekziston
“Republika e ndërgjegjes” siç kërkoi poeti S. Hanny.

Unë u lodha me predikimet për luftën dhe paqen
Betejën mes të mirës dhe të keqes
Të vjetër sa njeriu.
.
Në këtë ditë me shi dhe një qiell të mërzitur ec rrugëve të panjohura
Nuk i lexoj kronikat për kolonat e gjata
Të atyre që vdiqën në dëshpërim.
Të atyre që presin para portave të zotave të rrejshëm.
Ata gjithmonë presin me duart e mbushura me shpresa.
Një ditë për ta. Për dëshirat e tyre.

Atë ditë ti kërkove që të përvetësohej kjo ditë
Dhe harku i gëzimit që rritej mbi mua.

Të kujtohet pastaj si kalëruam nëpër ajër
Dhe e mbushëm qiellin me pezmatim
Vollëm hidhërimin
Derisa një ditë na kapi hareja
Për një triumf madhështor në ditën e festës pa fjalë.

PËR LUMTURINË

Ata që shpikën dashurinë
E braktisën planetin Tokë.
Prapa lanë portat e shpirtit
Një dritare të veshur me pupla e gjarpinj.

Në mes të kësaj nate shoh majat e thepisura
Si argëtohen me yje
Dhe ndezin vullkane në gjoksin tënd.

Pastaj e kthej shikimin kah ti
Dhe si valës nate më duhet të ngjitem e të zbres
Rrugëve të shkurta ku shtrihet harta pa kufi e dashurisë
Një përfytyrim magjik
Që triumfon mbi gjithçka që s’është ngrohtësia jote.

E fustani yt prish harmoninë dhe lëviz nëpër duart mpira
Që rrëshqasin si në maje akullnajash
Dhe më çojnë kah qielli i lumturisë
Si fitimtar betejash pa fund.

U ZGJOVA

Sa herë të kam thënë:
Ngashënjehem pas teje o vjeshta ime
Si lule që pret rrezet e diellit
E lagur nga nata me shi.

Ngashënjehem pas teje o vjeshta ime,
Ti pyll i lumturisë.
Sa herë shtrihem në shtratin e ëndrrave tua
Përfytyroj pranverën
Lulet që të dehin
Dhe barin ku shtrihesha si fëmijë
Kur përkulesha dhe këndoja himnin e jetës
Në ishullin e mrekullisë
Në stinën e kremtes madhështore
Ngashënjehem pas teje o vjeshta ime.

DHE PËRSËRI

Rikthehet e mëdyshur hëna ime nga një udhëtim planetar
Dhe pushon në orën e soditjeve
Si unë në parzmën tënde hirplote.

Ti e di që portat kah lumturia asnjëherë nuk hapën.

Në këtë kohë kur përpëlitem përpara mbishkrimit:
Liria është mashtrim i madh.

Si dje edhe sot mungojnë:
Qartësia
Dashuria
Shkëlqimi
Drejtësia
Mirësia.

Në lajmet e mbrëmjes u tha se planeti tokë
I zgjeron hartat e urrejtjes
Sa herë flitet për dashuri.

SEANCË

Mbaje lart kupën hidhërimit dhe nisu tatëpjetës së kësaj dite
Sokakët e të cilës janë mbushë me të marrë.

Të kujtohet Sokrati me shkopin e tij,
Si rrinte në një kënd të vetmisë
Dhe dëgjonte akuza pafund.
Në podiumin e mbushur me turma
Që asnjëherë nuk dinë çfarë kërkojnë.

Pastaj ai e piu helmin
Para se t’i shqiptohej dënimi.
Në një ditë me diell dhe pamje të bukur në horizont.

Oh! Përnjëmend
Sa herë nisin seanca për të vërtetën
Askush nuk brengoset për lirinë e zogjve në qiell
Dhe peshqve në det.

SHESHI

Sheshi është rrëfim i pakryer
që atëherë kur u dogj Troja
dhe filloi beteja për të.
Natë e ditë kur Helena bënte dashuri
e Odiseu kërkonte rrugën kah Itaka.

Sheshi është rrëfim i pakryer
që atëherë kur Diogjeni
në mes turmës kërkonte njeri.

Sheshi është rrëfim i pakryer
që atëherë kur turma shtroi lule
për Krishtin në Jerusalem
dhe e njëjta të nesërmen e kryqëzoi.

Sheshi është rrëfim i pakryer
që atëherë kur turma rrëzoi shtatore prej bronzi
dhe ndërtoi piramidë fjalësh
për njeriun e ri.

Sheshi
rrëfim i pakryer dje
rrëfim i pakryer sot
Rrëfim i pakryer nesër.

(Nga libri, Gjithmonë diçka mungon, OM, 2017


Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.