Pro apo kundër teorive të letërsisë

Foto ilustruese

 

Teoritë shuajnë pasionet

Alfonso BERARDINELLI

Është e vërtetë që kritika letrare vuan, që nuk ngjall interes, që nuk shitet, që nuk gjen hapësira, që krijon bezdi si për botuesit, ashtu edhe për autorët, dhe, prej vetë natyrës së saj është përherë në krizë. Nuk shoh arsye të mjaftueshme dhe të pranueshme për të rishpallur teorinë e letërsisë.

Mania për të teorizuar, me paramendimin e krijimit të një kritike të padiskutueshme dhe të arsyeshme, u shterr që në vitet shtatëdhjetë të shekullit të shkuar. Ky shterim padyshim që pati arsye të mjaftueshme dhe të vlefshme. Teoricizmi përgjatë njëzet viteve pati krijuar një zhargon pass-partout, të vetin dhe të replikueshëm pafundësisht, që e vendosi kritikën dhe didaktikën në laboratorë sterilizues pseudoshkencorë, në të cilët nuk inkurajohej leximi dhe nuk përmirësohej cilësia. Kështu, krijohej përshtypja që teorizohej shumë për të lexuar pak.

Kritika dhe kritikët më të mirë kanë dëshmuar një aftësi të shquar dyshuese dhe analitike: sepse pa një metodë të veçantë apo pa një mënyrë personale procedimi, pa ide të përgjithshme mbi rolin dhe historinë e zhanreve letrare, bëhet e vështirë të ndërtosh diskurse me interes, qoftë edhe për një libër të vetëm. Por, mes kritikut dhe teorikut, mes kritikut dhe studiuesit të estetikës, ka një diferencë intelektuale dhe ndoshta karakteriale, që i paraprin një konflikti. Aktiviteti kritik nuk mund të jetë veçse empirik, i situatës, i rastit, eseistik, moralist dhe politik, përshkrues dhe vlerësues.

Koncepti i letërsisë dhe i poezisë venitet nëse nuk mbështetet në një gjykim vlere: nuk mjafton përkufizimi i “shkallës së figurshmërisë”, as ai i karakterit “konotativ”. Në këtë kuptim, besoj se teoria më e mirë e letërsisë është ajo e zhvilluar herë-herë nga aktiviteti kritik.

Përkundrazi, estetika dhe teoria nuk vlerësojnë. Kanë si qëllim përkufizime të përgjithshme. Synojnë idenë edhe kur ndalen (kirurgjikisht) mbi fenomene. Pjesa më e madhe e teorive letrare të ‘900, sidomos që prej viteve dhjetë (formalistët rusë) deri në vitet shtatëdhjetë (mbretëria e shenjave dhe e strukturave), kanë zhvilluar koncepte nisur nga një sërë veprash dhe autorësh, duke u bërë kështu të vlefshme për çdo letërsi dhe për çdo epokë.

Edhe pse duket sikur i vështirëson gjërat me shtimin e barrierave të reja terminologjiko-analitike, teoria shmang përgjegjësinë kritike të të gjykuarit dhe e thjeshtëzon studimin duke e bërë në dukje më të përpunuar. Ka arritur të bonifikojë pyjet dhe shkurret e fenomeneve letrare specifike, duke përmbushur kështu nevojat kritike me autostrada për një transport dhe tregtim më të shpejtë të një dijeje letrare më së tepërmi abstrakte, sesa shkencore.

Ç’është e vërteta, universitetet detyrimisht duhej dhe duhet ta rrisin dita-ditës sasinë e punës burokratike. Prandaj, bëhej fjalë për një përshpejtim dhe zhvillim në kohë të prodhimit “kërkimor”. Qëndrimi  për një kohë të gjatë në mëdyshje se “çfarë të bëjmë me letërsinë”, e antikëve klasikë dhe modernëve apo me librat e sapopublikuar, do ta bllokonte kërkimin.

Në vend të zhytjes pa kurrfarë qëllimi në lexime të shpërndara dhe të rrezikshme autorësh të ndryshëm, këshillohej t’i jepej një përgjigje pyetjes që do të mund të shmangte shumë probleme. Pyetja ishte: Çfarë është Letërsia? Në çfarë esence, funksioni psikomendor apo gjuhësor përmblidhet letërsia? Pyetje ndoshta intelektualisht interesante, por mbi të gjitha praktike: Si të kapësh ujkun për bishti.

Mendoja se pas dehjeve të viteve Gjashtëdhjetë dhe Shtatëdhjetë, të flitej sot për teori mund të ishte shumë e vështirë. Por gabohesha. Ka dalë tani prej Carocci-t Shkrimi dhe bota, një volum prej katërqind faqesh, në të cilin flitet vetëm për teori – sikur problemi teorik të ishte aktualitet i veçantë dhe i ngutshëm. Mund të mendohet për një vonesë të çështjeve që janë thënë e stërthënë nga të gjitha anët, që janë terminologjikisht të fetishizuara, të zbuluara, të mësuara dhe pak a shumë të përthithura – deri në atë farë pike sa mund t’u krijojnë neveri edhe teorikëve apo konsumatorëve më të zellshëm dhe më entuziastë të teorive.

Në fakt, të katër autorët e librit (Stefano Brugnolo, Davide Colussi, Sergio Zatti, Emanuele Zinato) duket sikur nuk dyshojnë aspak për influencën negative që Teoria ka ushtruar prej kohësh si në mësimdhënie ashtu edhe në aktivitetin kritik.

Produkti kritik i dy teorikëve më të nderuar dhe autoritarë italianë, Cesare Segre dhe Francesco Orlando, është çuditërisht larg ambicieve dhe premtimeve të tyre teorike. Pavarësisht arsenalit të tij narratologjik, Segre me vështirësi ia dilte recensionit të një romani. Orlando, kur më në fund vendos të shkruajë një libër për Gatopardin, kryevepra rinore e mjeshtrit Tomasi di Lampedusa, zhgënjen madje edhe nxënësit me një performancë interpretuese nga më mediokret.

Kritikët më të mirë të ‘900-ës, të “pakapërcyeshëm” nga asnjë teori e përditësuar, pra, Debenedetti dhe Contini, Praz-i dhe Mittner-i, Montale, Calvino, Fortini, Zanzotto, Pasolini, Garboli, nuk ishin të mangët nga idetë, megjithatë nuk e ndien kurrë nevojën t’i dedikoheshin teorisë letrare. Fortini, kur e bëri, në sythin Letërsia të Enciklopedisë Einaudi, nuk dha më të mirën prej vetes dhe deri diku u vetëtradhëtua. Për të kuptuar, nuk është e nevojshme të teorizohet, dhe as nuk është e domosdoshme të kesh në pëllëmbë të dorës teorizime ready-made. Idetë më bindëse teorike janë formuluar zakonisht për nevoja të domosdoshme, ngushtësisht të lidhura me progresin, siç kanë bërë Sklovskij, Benjamin, Auerbach, Bachtin, Barthes…

Dy kritikët më të njohur ndërkombëtarisht, të fundit të viteve ‘900, të apasionuar, këmbëngulës dhe polemikë – Harold Bloom dhe George Steiner, shfaqen si kritikë-lexues dhe eseistë. Nuk janë vetimponuar si teorikë të letërsisë dhe për më tepër janë treguar haptazi mosbesues. Nuk duhet të jetë krejt e rastësishme që në katërqind faqet e Shkrimi dhe bota emri i Steiner-it, autori i Prania e vërtetë dhe i Asnjë pasion nuk shuhet, nuk shfaqet kurrë. Shfaqen kritikë të mëdhenj si Edmund Wilson (që konsiderohet “gazetar”) dhe Lionel Trilling, apo shkrimtarë-poetë si rasti i poetit Enzensberger dhe i rrëfimtarit Butor. Edhe pse shpesh citohen Proust dhe Woolf, Lukás dhe Adorno, injorohet kontributi eseistik dhe militant. Çdo kritik trajtohet sikur të ishte një metodolog dhe i vishet një etiketë.

Çfarë janë të ashtuquajturat Cultural Studies, nëse nuk janë versioni aktual akademik i kritikës letrare e njohur si Kulturkritik? Dukshëm, teoria zotëron një vokacion totalisht të sajin për ta injoruar (edhe teorikisht) eseistikën si një zhanër kritik, si edhe ata që e praktikojnë. Edhe në planin teorik, ky libër që u dedikohet teorive prezanton boshllëqe teorike.

Ndër të tjera, po përmend mungesën më të pashpjegueshme sipas meje: nënvlerësimin e Franco Brioschi-t, teorikut më guximtar dhe më origjinal të letërsisë italiane të viteve ‘700 dhe ‘900. Nën kujdesin e nxënësve të tij, Laura Neri dhe Stefania Sini, sapo ka dalë një volum që e rikujton dhe i vlerëson meritat: Teksti dhe vepra (Ledizioni). Brioschi dhe Costanzo di Girolamo, njëri filozof dhe tjetri filolog, qenë të parët, rreth gjysmë shekulli më parë, që analizuan radikalisht me mjete teorike teorizimet struktural-semiotike dhe poetikën formaliste, e cila i nxirrte tekstet jashtë kontekstit. Dhe ende, paradoksalisht, në një volum të madh (prej gjashtëqind faqesh dhe tridhjetë kontribuesish) në kujtim të Brioschi-t, për kontributin e tij teorik nuk flitet shumë. Me gjasë sepse aspekti teorik është bërë ose ka qenë përherë i rrallë, megjithëse shumë pak prej nesh e kanë kuptuar.

23 prill 2017

Foto ilustruese

 

Bota & Risposta; Pro apo kundër teorive të letërsisë?

 

Giovanni Bottiroli*

Dua t’i kundërpërgjigjem me urtësi artikullit të Alfonso Berardinelli-t, “Teoritë shuajnë pasionet” i publikuar më 23 prill në Domenica del Sole 24 Ore. Që studimet letrare janë sot të skajëzuara, që vetë letërsia është në rrezik – ky është një gjykim tashmë i ditur dhe mjerisht qarkullues. Qasja  e prezantuar prej Berardinelli-t është totalisht e gabuar. Aktakuza ndaj Teorisë (ose Teorive) së letërsisë, përgjegjëse sipas tij, për shtypjen e pasioneve karshi teksteve dhe propozimin e përgjithësimeve të vakta, duket më së shumti e pabazë  dhe e papranueshme – nëse prej koncepteve kalohet tek shkaqet, me pak fjalë, tek vetë realiteti konkret. Siç është lehtësisht e verifikueshme, në universitetet italiane profesorët e Teorisë së letërsisë kanë përfunduar në skaje: në rastin më të mirë zënë 5% të disiplinave që një student ndjek gjatë rrjedhës së studimeve. Sikur kjo dije tangjenziale të ketë provokuar dhe mund të provokojë katastrofat e përshkruara nga Berardinelli, do të ishte me të vërtetë misterioze.

Duke marrë në konsideratë argumentet e Berardinelli-t, që marrin shkas – dhe me këtë duhet të bie dakord me të – nga një libër tepër modest i publikuar së fundmi nga Carocci, “Shkrimi dhe bota. Teoritë letrare të ‘900”. Nuk do rrekem të mbroj gjithë çka kërkuar të jetë teoria e letërsisë, apo aq më pak t’u mbaj anën disa librave informues që ia kanë shtuar kompleksivitetin. Dua vetëm të bëj disa dallime.

Para së gjithash shtrohet pyetja: Çfarë është teoria e letërsisë? Sipas Beradinelli-t, ajo ndalet në një sërë përgjithësimesh që shuajnë veçantinë dhe shumëllojshmërinë e teksteve. Pjesërisht, por vetëm në një pjesë të vogël ama, mund t’i jepet të drejtë (nëse mendojmë, për shembull, për disa formulime të Jakobson-it). Unë mendoj se objektivi kryesor i teorisë është diçka tjetër – të tregoj, për herë të parë në histori, sesa i vështirë dhe i pleksur është ligjërimi letrar, jo vetëm në rastet kur zgjedh rrugët më hermetike apo funambolike (nga Malarme tek Joyce), por edhe tek autorët që duket sikur ofrojnë një kuptimshmëri të menjëhershme.

Në favor të tezës sime, do doja të citoja Marcel Proust kur thotë (në “Kundër Sainte-Beuve”) që “librat e bukur janë shkruar në gjuhë të huaj”. Të gjithë librat e bukur – edhe ata të shkruar në gjuhën tonë amtare, janë tekste për të cilët gënjehemi se i kemi kuptuar, nëse i lexojmë siç bëjnë historianët e letërsisë apo ndjekësit e studimeve kulturore. Defekti që bashkon këto dy kategori, ku e dyta ka si qëllim një lloj rinovimi, është kontekstualizmi; njëherë e një kohë mendohej se mund të shpjegohej kuptimi dhe vlera e një vepre duke u nisur prej biografisë, raporteve mes klasave sociale, apo nga situata historike; sot, shtohet konteksti seksual dhe racial, përveç atij politik. Por, tekstet vazhdojnë të injorohen. Kjo – besoj se edhe Berardinelli mund ta pranojë –është qasja që dominon në universitetet tona.

Pavarësisht gjithçkaje, teoria nuk na largon prej teksteve. Përkundrazi, na tregon sesa e domosdoshme është – nëse duam vërtet ta kuptojmë – të ndërtosh një “kuti mjetesh”, pa të cilën do të ishim të dënuar me parafrazim përshkrues dhe vlerësim arbitrar. Ky është progresi i madh i teorisë letrare, një disiplinë që ka tanimë një shekull jetë (mendoj se është rasti për ta kujtuar), dhe që ofron mjete të domosdoshme.

Teoria ka vdekur? Po kalon një fazë amullie? Afërmendsh, në dekadat e fundit nuk është diktuar ndonjë bum të rejash, si në fazën e artë të viteve ’60 dhe ’70.  Por kërkimet kanë vazhduar, sepse teoria e letërsisë  është një kantier i hapur – siç e ka vlerësuar Galileo – i krahasueshëm me “Arsenalin e Zotërinjëve Venecianë”, ku braktisen teknikat që nuk funksionojnë dhe shpiken të reja, ku mjetet e analizave perfeksionohen dhe eksperimentohen mbi tekste, e kështu me radhë.

Në këto dekada disa përgjithësime të përcipta kanë rënë, disa janë marrë si slogane metodike: për shembull, “vdekja e autorit” – e dëshiruar prej Barthes-it, nuk është më një ligj i ngurtë, por një fjalëkalim i rëndësishëm kundër varfërisë së kontekstualizmit.

Padyshim, edhe në lëmin e teorisë formulohen propozime sterile, që plaken shpejt dhe dalin nga hapësira e kërkimit. Personalisht (do të marr disa shembuj) nuk kam provuar asnjëherë interesa për Matte Blanco-n të propaganduar nga Orlando, dhe as për semiotikën e thatë të Umberto Eco-s.

Teoria ka një histori. Teoria e letërsisë ka klasikët e vetë: Bachtin, Benjamin, Šklovskij, Barthes e të tjerë. Në kundërshtim me mendimin e Berardinelli-t, dua të pranoj se, këta autorë ofrojnë mundësinë për të modifikuar rrënjësisht perceptimin e letërsisë: Ai që i lexon, do të lexojë ndryshe.

Vetëm në një pikë jam dakord me Berardinelli-n, dhe ndoshta ia vlen ta rikujtoj. “Kritikët më të mirë – thotë bashkëbiseduesi im i këtushëm – gjithmonë kanë dëshmuar një aftësi të shquar dyshuese dhe analitike: sepse pa një metodë të veçantë, pa ide të përgjithshme, bëhet paksa e vështirë të ndërtosh diskurse me interes, qoftë edhe për një libër të vetëm”. Shkëlqyeshëm. Nuk është aftësia teorike në vetvete që duhet të gjykohet. Sipas Berardinelli-t, teoria prodhon ngërçe. Sipas meje, në fakt, konceptet intuitivisht më të frytshme të kritikëve të mëdhenj, për shembull ndarja që bën Auerbach mes “stilit parësor” dhe “stilit dytësor”, nuk arrijnë të zhvillohen më vete sepse nuk risillen në terrenin e teorisë. Me aftësinë e jashtëzakonshme (që nuk ngutem t’ia njoh), stilistika më e mirë nuk ka arritur të na japë një vizion përkatës të letërsisë si ligjërim, në gjithë ndërlikueshmërinë e saj. Teoria është pasion për stilin, në të gjitha aspektet e tij. Pasion dhe dëshirë e vetëdijes.

*Profesor i Teorisë së letërsisë në Universitetin e Bergamo-s; President i Këshillit të sektorit shkencor-disiplinor “Kritikë letrare dhe letërsi e krahasuar”

“Sole 24 ore” e diel, 7 maj 2017

 

Përgjigja e Alfonso Berardinelli

E falënderoj Bottiroli-n për atë që do të ishte një përgjigje “e urtë” ndaj artikullit tim. Për fat të keq, pas disa rreshtash, pushon së qeni e urtë. Sipas tij, analiza ime është as më pak e as më shumë, “totalisht e gabuar”.

“Totalisht” bëhet më pas “në një sasi të madhe”, e mandej “e gjitha e papranueshme”; sepse unë flas për koncepte, ku duhet të flitet për “shkaqe” dhe “realitete konkrete”: edhe për universitetet italiane, në të cilët sot Teoria e letërsisë është kaq e skajëzuar, sa rezulton të jetë e pafajshme. Kështu që, Bottiroli e sheh “misterioze” idenë time për teorinë si shkaku i dëmeve. I përgjigjem: jo tani, dëmi ka zënë fill qëmoti.

Për shembull, një ndër dëmet e Teorisë është se ka zëvendësuar kritikën me një “shkencë” të tekstit e të letërsisë, duke e zhvendosur vëmendjen tek didaktika – nga leximi i lirë dhe i pamatur i teksteve në përdorimin e mjeteve analitike dhe metodike.

Këto dëme Teoria i ka krijuar edhe në praktikë, jo vetëm në teori. Sot nuk i krijon sepse pothuajse nuk ekziston, replikon dhe rimodelon teoritë e gjysmës së parë të ‘900-ës, dhe për disa arsye të mira nuk tërheq më vëmendje. Duke marrë shkas nga libri Shkrimi dhe bota i Brugnolo-s, Colussi-t, Zatti-t dhe Zinato-s, është për t’u habitur sesi autorët e tij, duke mos qenë kritikë të vërtetë, ende nuk e kuptojnë se duke shpallur teori për të disatën herë, jo vetëm përsërisin, por përsërisin pa dobi. Sot problemi qendor në studimet letrare nuk besoj se është nevoja e teorive, por nevoja e kritikës.

Bottiroli na e shpjegon se çfarë është “në të vërtetë” Teoria e letërsisë. Unë mendoj se më urgjente dhe interesante është të pyesësh se ç’është kritika letrare. Madje, një filolog që mendonte se qe teoricien vetëm sepse ishte në modë, si Cesare Segre, në fund të fundit u dorëzua, i ktheu shpatullat strukturalizmit dhe semiotikës dhe foli për “rikthim të kritikës” – një rikthim që më herët e kishte parë me mospërfillje dhe me dyshim.

Kritikët, në fakt, nuk janë dhe nuk kanë dashur kurrë të jenë shkencëtarë të tekstit poetik. Pashmangshëm dhe ndershmërisht japin një pikëvështrim personal dhe subjektiv, herë-herë përdorin autobiografizmin letrar, deklarojnë limitet e veta; madje, nganjëherë praktikojnë me bindje edhe gjykimin e vlerës.

Kritika letrare nuk është e sterilizuar, nuk lind në laborator dhe nuk është një disiplinë akademike me kufij të mirëpërcaktuar. Është një dije empirike, e përzier, herëdokur e angazhuar, herë dembele, pikërisht si letërsia në të cilën aplikohet. Kritika është në fakt edhe një zhanër letrar, që, studimi i letërsisë nuk është.

Për të qenë konkret, pyes veten si mundet Bottiroli të injorojë gjithë rolin që ka patur Teoria në mësimdhënie. Ndodhte pak a shumë kështu: Si fillim mësohej pak teori, memorizoheshin përkufizimet e përgjithshme dhe kategoritë analitike, mandej, teksti letrar më së tepërmi kalohej në një sërë filtrash teorikë sesa lexohej. Në tekst kërkohej zbatimi i teorisë. “Kutia e mjeteve” bëhej kështu më e rëndësishme se leximi, se tekstet dhe se rëndësia e supozuar.

Pyes veten sesa kanë qenë profesorët dhe studiuesit që e kanë ndjerë të nevojshme, jo vetëm të përdorin mjetet e gatshme të kutisë, por të krijojnë të reja për të kuptuar fenomene letrare ende të pakataloguara. Ideja kryesore që Franco Brioschi (të cilit i është dedikuar volumi Teksti dhe vepra) propozon në vitet ’70 dhe ’80, është se mund të vendoset të izolohen sakaq tekstet, por më parë duhet të lexohen; një tekst letrar është i tillë vetëm kur bëhet “vepër”, që do të thotë, nëse konteksti dhe historia kulturore e kanë bërë të jetësohet si i tillë. Një tekst pa kontekst nuk ka domethënie.

Teoria e letërsisë ka një histori thotë Bottiroli, ka klasikët e vet. Dhe citon Benjamin-in, Bachtin-in, Šklovskij-in, Barthes-in. Autorë të cilët i citoja edhe unë, por si klasikë të kritikës. Ai quan teori atë që unë e quaj kritikë. Që kritikët herëdokur teorizojnë (nëse duhet), është më se normale, të paktën për disa. Por një kritik ndryshon nga një teoricien letërsie. Një kritik nuk pretendon ta “shkencorizojë” leximin dhe aktit kritik. Ajo çka kritikët shkruajnë dhe kanë shkruar është një përzierje idesh, mënyrash leximi, problemesh morale apo politike, propozime militantësh, ermeneutikë “situatash” dhe polemikë ideologjike, shije dhe pasione personale.  Të quash gjithë këtë teori, i dashur Bottiroli, është “dukshëm e pa bazë” nëse jo “totalisht e gabuar”.

Mund të shtohet se, nëse në kurrikulën universitare ka pak vend për kritikën, ecuria do të jetë gati e pamundur nëse nuk ka edhe kritikë të kulturës, të institucioneve dhe të shoqërisë. Bash kështu. Teoria në universitet shërben shpeshherë si mënyrë për të mbaruar me efikasitet tekno-burokratik një sërë punësh (provime, teza, kërkime shkencore). Ideja që transmetohet apo sugjerohet është të lexohet letërsi, në vetvete dhe pa qëllime të tjera – por kjo ngjan e kotë dhe joproduktive. Për këtë arsye, të bërit kritikë qëllon të jetë një ves subjektivist dhe anarkik, që nuk hynë në listën e profesioneve të dalluara.

Përgatiti dhe përktheu Anxhela Lepuri

Materiali u botua në numrin 4 të revistës kulturore – letrare Palimpsest

 

 


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.