
Ne foto: Kopertina e librit “Principata Shqipëri – Një studim i kronikës historike”
Interesi për albanologun Milan Shuflai (në origjinal Milan Šufflay) hapi rrugën deri në përgatitjen e këtij libri. Pjesë e projektit personal të kërkimit për shkrime nga ky autor, që mund të gjendeshin të ruajtura në Bibliotekën Kombëtare Austriake në Vjenë, u bë dhe shfletimi i librit “Illyrisch-Albanische Forschungen”, botim i vitit 1916, prodhim i shtëpisë botuese Duncker & Humblot. I nismuar dhe përgatitur për botim nga Dr. Ludwig von Thallóczy, historian hungarez e këshilltar i nivelit më të lartë për çështjet e Ballkanit, për perandorin austro-hungarez dhe ministrat e jashtëm të kohës, ky botim madhor me dy vëllime, përmbledh studime nga më seriozet të realizuara deri atëherë që lidhen direkt me të shkuarën, të tashmen e asokohshme e të ardhmen e mundshme të Shqipërisë. Shumica e shkrimeve kishin njohur botime të mëhershme, në revista ose gazeta. Ndër të paktët përgatitur enkas për këtë qëllim, numërohet studimi i kronikës historike me titullin “Principata Shqipëri” i cili shërben si titull edhe për këtë botim në shqip.
E ardhmja nuk u bë e mundur sipas përfytyrimeve të parashtruara në të, sepse historia e botës mori një tjetër rrjedhë dhe Perandoria Austro-Hungareze pushoi së ekzistuari pas Luftës I Botërore. Por pikërisht ndoshta për këtë, për qëllime të natyrës historike, vlen të kuptohet se në ç’gjendje ndodhej Shqipëria, si njihej, trajtohej e konsiderohej nga Fuqitë e Mëdha në vitin 1913-1914 e posaçërisht nga Austro-Hungaria, e cila, si me pjesën e saj austriake ashtu edhe atë hungareze, ishte e interesuar për ekzistencën e Shqipërisë e prosperitetin e shqiptarëve.
Autori Karl Thopia, nisur nga emri por edhe nga disa prekje kulturore në analizën që i bën shqiptarëve të kohës, me gjasa të mira ka qenë shqiptar në origjinë, i mirintegruar në strukturat austro-hungareze. Përqasja e tij (mendoj) e dyfishtë kulturore-politike, i ka mundësuar studimin e kujdesshëm të ngjarjeve, filtrimin, përpunimin e informacionit dhe dhënien e përfundimeve nga këndvështrimi i perandorisë. Shumë fakte mund të lexohen ndoshta për herë të parë në shqip përmes këtij botimi, si për makinacionet e Esad Pashë Toptanit, i cili mbështetur nga qeveria italiane, por edhe e vendeve të tjera fqinjë, shërbeu si strumbullar e katalizator i trazirave që çuan në rënien e principatës; ashtu edhe për teatrin grek të realizuar deri në detaje me gjithë krimet shfarosëse që e përbënë atë në thelb, për pushtimin e Jugut të Shqipërisë; apo për përfshirjen e mediave franceze në amplifikimin e teatrit grek dhe mbulimin e asaj që po ndodhte realisht si krim kundër një populli; apo për angazhimin e spikatur të misionit hollandez për mbrojtjen e interesave të principatës; apo edhe për disa qëndrime të Ismail Qemalit sipas autorit, për të cilat si përkthyese, në lexim e në përgatitjen e botimit i kam shoqëruar me mospranim, duke pasur sidomos parasysh që Ismail Qemali ishte personaliteti i mbështetur në mënyrë të posaçme edhe nga vetë Perandoria Austro-Hungareze, për të mundësuar shpalljen e pavarësisë dhe ndërtimin e qeverisë së parë shqiptare. Kjo periudhë historike mbetet ende e paqartë në formë të plotë për ne si pasardhës të këtij vendi dhe kjo paraqitje kthjelluese mund të ndihmojë më tepër për njohjen më të mirë të aftësive e vështirësive tona në procesin e shtetformimit… (me shkurtime)
FRAGMENTE
Jugu i Shqipërisë ndodhej në një gjendje të çuditshme. Duke qenë se rrethanat e atyshme dhanë shkas për shembjen e Shqipërisë së Lirë, paraqitja e tyre më e hollësishme është e domosdoshme.
Ideja panhelene ka si qëllimin më të lartë të përpjekjeve të veta çlirimin e të gjithë vëllezërve helenë që ndodhen ende nën zgjedhën turke. Jugu i Shqipërisë – i quajtur prej grekëve Epir – si territor ende i paçliruar, ofronte për Greqinë një fushë të gjallë veprimi për propagandën greke. Themelimi i shkollave greke, agjitacioni i klerit, krijimi i bandave të armatosura, që duhet tëpërhapnin tmerr mbi vendin e rrënuar, ishin mjetet kryesore të kësaj “punë kulturore”.
Por popullsia ortodokse vendase, e cila duhej të ishte preja për ndikimin grek, luan një rol të parëndësishëm. Kësaj popullsie me origjinë shqiptare i duhej injektuar nëmënyrë artificiale ndjenja kombëtare greke.
Pronat ishin në duart e bejlerëve muhamedanë, të cilët këtu ishin mbështetës të idesë kombëtare shqiptare. Fshatarët ortodoksë, me pak përjashtime, ishin skllevër të bejlerëve dhe agallarëve dhe nuk kishin as të drejta politike dhe as të drejta ekonomike. Pjesa tjetër e ortodoksëve ishin pjesërisht vendas dhe pjesërisht tregtarë të emigruar këtu, të cilët përdornin thuajse vetëm greqishten si gjuhë të tregtisë në vend dhe ishin mbështetësit e vërtetë të politikës greke. Veprimtaria e propagandës greke u lehtësua nga politika jo e zgjuar e Turqisë e cila lehtësonte krijimin e shkollave greke dhe ndalonte rreptësisht krijimin e shkollave shqiptare. Turqia i ka rritur vetë irredentistët grekë në Epir, ndërkohë që në interesin e saj parësor duhet të kishte qenë, që t’i eliminonte ata dhe të bënte për vete muhamedanët shqiptarë.
Rasti i Janinës – Mars 1913 – solli në Luftën e Parë Ballkanike çlirimin e shumëpritur të “vëllezërve epirotë” dhe ushtria fitimtare greke nxitoi që të pushtonte territoret që pretendonte Greqia.
Konferenca e Ambasadorëve në Londër, sikurse është përmendur edhe më herët, kishte vendosur vetëm një skemë për kufirin jugor të Shqipërisë, ndërkohë që caktimi i vijës kufitare në një zonë të cilësuar si e diskutueshme, i ishte lënë në dorë një komisioni ndërkombëtar. Greqia filloi të trembej për pushtimet e veta dhe u përgatit në çdo drejtim për një qëndresë të rreptë në zonat e pushtuara nga ushtria e saj.
Shtypi grek në bashkëpunim me shtypin francez filloi që të zgjonte interesin e opinionit publik europian për Epirin, të krijonte ad hoc statistika, t’i shpallte Europës së habitur shumicën dërrmuese greke të këtyre zonave. Kështu çdo ditë publikoheshin telegrame nga Epiri, në të cilët popullsia “pastërtisht greke” kërkonte fuqimisht bashkimin me mëmëdheun. “Aneksion ose Vdekje” ishte thirrja e betejës, e cila duhet të shfaqte “vullnetin e shenjtë”.
Në Konferencën e Londrës Greqia kishte kërkuar që vendimi lidhur me përkatësinë e Epirit t’i lihej një “referendumi” dhe nuk ka dyshim që shkathtësia e prefektëve grekë, mbështetur nga armët e ushtarëve, do të siguronte vendimin uniform në favor të Greqisë. Muhamedanët kundërshtues u lidhën në hekura ose u përzunë, raporti i popullsisë u falsifikua në mënyrë artificiale duke nxitur në mënyrë të zellshme emigrim të familjeve greke nga Kreta. Shkurt, mbeteshe pa mend gjithmonë si për herë të parë me aftësitë shpikëse dhe aktivitetet e pushtetarëve grekë.
Të gjitha shpresat që vendimi tëmerrej përmes një referendumi të popullsisë epirote, dështuan për shkak të mandatit të Komisionit Ndërkombëtar të Kufijve, i cili kishte për synim të përcaktonte përkatësitë e hapësirave në zonën e diskutueshme në bazë të gjuhës amtare të shumicës së banorëve. Por edhe këtu zyrtarët grekë e gjetën shpejt një rrugëdalje: konstatimet në vendbanimet e ndryshme u penguan me dhunë nga banorë të nxitur prej tyre. Demonstratat e zhurmshme të popullsisë gjoja autoktone duhet të bindnin Komisionin që vullneti i epirotëve, për të realizuar bashkimin me Greqinë përmes armëve, ishte i palëkundur dhe që gjithë vendi e ndiente veten grek. Por, binte në sy që në të gjithë vendbanimet ku po zhvilloheshin hetimet e Komisionit, shfaqeshin gjithmonë të njëjtët njerëz si banorë të zonës dhe, falë një sistemi spiunazhi të shtrirë e degëzuar gjerësisht, u bë e mundur të zbatohej edhe kjo masë që po përdorej për të mashtruar Komisionin.
Sapo Komisioni dilte për të kryer detyrën e tij, përmes rojeve të vendosur nga pushteti grek, në gjithë fshatrat atypari bëhej me dije afrimi, në mënyrë që njerëzit të bëheshin gati. Kambanat e kishave fillonin të binin e nga të gjitha shtëpitë dilnin njerëzit e armatosur, për të prodhuar “vullnetin e shenjtë” në manifestime të stuhishme. Turma bërtiste dhe bënte bujë, sepse ishte paguar për ta bërë këtë, por askush nga Komisioni nuk bindej për të vërtetën e këtyre ndjenjave të shprehura në këtë formë. Deri edhe gra të mjera dhe të dërrmuara u pajisën me pushkë, për të theksuar edhe më fort vullnetin e vendosur të popullsisë, me burra dhe me gra.
Për ta bërë sa më të fortë këtë përshtypje, edhe popullsia në fshatra pastërtisht muhamedane, u detyrua të merrte pjesë në demonstrata për bashkimin me Greqinë. Kushdo që nuk pranonte, përfundonte në burg dhe burgjet ishin të mbushur vetëm me muhamedanë. Kështu ndodhi qëedhe në vendbanimet krejtësisht muhamedane nuk kishte mbetur më asnjë mysliman dhe në shtëpitë e tyre ishin vendosur dhe paraqiteshin si banorë vendas familje ortodokse.
Qeveria greke dhe zyrtarët grekë të zonës të diskutuar, të cilët kishin vënë zjarrin në këtë rajon që nuk ishte shquar për qetësi dhe rregull, ngulmonin tek sqarimi se ishte e pamundur për ta që të luftonin kundër vullnetit të popullsisë, e cila ishte shfaqur në mënyrë kaq “spontane” dhe se ata vetë nuk kishin mjaftueshëm autoritet sa te pengonin një qëndresë të armatosur. Në të vërtetë ata vetë kishin bërë të mundur që kjo qëndresë të përgatitej me kujdes.
Nga epirotët u krijuan të ashtuquajturat “trupa të shenjta” të cilat duhet të mbronin tokën e atdheut deri në pikën e fundit të gjakut. Këto trupa u krijuan nga oficerët dhe nënoficerët e rregullt grekë. Numri i tyre u përforcua përmes “dezertimit” të lejuar zyrtarisht të ushtarëve grekë dhe u plotësua me bandat e andartëve të cilët e kishin treguar veten që në kohën e luftës së fundit greko-turke.
Loja e përgatitur me kaq shumë kujdes – të paktën atëherë – nuk mundi të përfundonte me sukses. Në Protokollin e Firences të 17 dhjetorit 1913 nga Komisioni u pranua një vijë kufitare e cila pjesën më të madhe të territorit të diskutuar ia caktonte Shqipërisë: Korça, Kolonja, Leskoviku, Gjirokastra dhe Delvina u fituan për Shqipërinë dhe vendit në këtë mënyrë iu dha zgjerimi i nevojshëm për të mundësuar ekzistencën e tij ekonomike.
Por vështirësia më e madhe qëndronte në dy tema: zbatimi i vendimit të marrë me mbështetjen e gjithë fuqive të mëdha dhe kthimi i zonave të pushtuara nga Greqia tek pronari legjitim Shqipëria.
Tensioni i përgjithshëm në Durrës kishte arritur një kulm më 18 maj. Kishte mbërritur informacioni mbi afrimin e kryengritësve nga veriu dhe lindja, dhe ishte për t’u pasur frikë që Esadi ndoshta gjatë natës mund të bëhej zot i situatës. Një fjalë e urtë shqiptare kuptimisht thotë që gjërat e rëndësishme nuk shkruhen dhe e gjithë sjellja e Esadit ishte e tillë që mund ta dënoje edhe pse mungonin provat e shkruara për këtë. Mes komandantit të qytetit, majorit hollandez Sluys dhe Esadit, kishte shpërthyer një konflikt.
Esadi kërkonte te Princi pushimin e oficerit të lartpërmendur nga komando, përndryshe ai do të jepte dorëheqjen. Në mënyrë të paqartë u përhap thashethemi që Princi në këtë dyzim ka vendosur në favor të ministrit të luftës dhe Sluys ka marrë urdhrin strikt nga ministri i drejtësisë Mufid Bej, ta lërë komandon e qytetit, ndërkohë që shpejt do të rezultonte që në fakt ishte pranuar dorëheqja e Esadit.
Këto ngjarje ndodhën afër mesnatës. Të gjithë shenjat tregonin për një ngjarje të jashtëzakonshme. U ndërmorën të gjitha përgatitjet për të përballur një goditje të befasishme. Shtëpia e Esadit u vu nën vëzhgim dhe dy topa u vendosën në breg të detit. Mes anëtarëve të partisë së nacionalistëve që ishte në varësi të princit, u shpërndanë armë dhe u dha detyra e patrullimit.
Rreth orës 4 të mëngjesit Durrësi u zgjua nga zjarri i armëve. Xhandarmëria besnike ndaj Princit pas një lufte të shkurtër mundi njerëzit e armatosur të Esadit, të cilët ai bashkë me furnizime ushqimore dhe armatime i kishte fshehur në shtëpi. Më pas xhandarmëria hyri tek paladini i pabesë. Topat kishin qëlluar njëkohësisht mbi shtëpinë dhe shpejt Pasha, i cili ishte fshehur në bodrum, ngriti flamurin e bardhë si shenjë nënshtrimi. Një detashment marinarësh austro-hungarezë dhe italianë zbarkoi për të mbrojtur pallatin e Princit, Esad Pasha u arrestua dhe bashkë me gruan e tij u dërgua në bordin e anijes austro-hungareze “Szigetvár”.
Një demonstratë entuziaste përpara kështjellës i tregoi çiftit princëror, të vënë para një prove të rëndë, sesa mirënjohës ishte populli për largimin e shtypësit të urryer. Ngjarjet e natës nga 19 për në 20 maj kishin precipituar aq shumë saqë, vetëm kur Pasha ishte larguar shumë në det, u nis të diskutohej mbi masat e mëtejshme. E pasqaruar mbetet, se kush e dha urdhrin për arrestimin e Esadit, sepse Princi deklaroi gjithmonë që urdhri nuk ishte dhënë nga ai vetë.
Sapo Princi ishte ngjitur në“Misurata”, flamuri i prijësit që ishte hequr nga një dorë e panjohur nga pallati princëror, u ngrit në anijen italiane. Princi nuk ishte më zot në tokën e tij, dinastia ishte nën “mbrojtjen” italiane. Regjizorët nuk e kishin lënë t’u shpëtonte as edhe ky efekt goditës.
Embarkimi i Princit shërbeu si sinjal për arratisjen e përgjithshme: qindra refugjatë kërkuan shpëtim në anije, dhe në kalatë kishte shtytje me rrezik për jetën. Aliotti u kthye i kënaqur në atdhe – puçi i madh kishte ndodhur me sukses, Italia kishte marrë hak për Esadin dhe i kishte treguar Princit se cilët ishin pushtetmbajtësit e vërtetë të Durrësit. Një epsh i ulët për hakmarrje e kishte nxitur këtë plan, që varrosi njëherë e mirë imazhin e Princit, se rebelët në atë kohë nuk ishin ende aq të organizuar dhe të përpunuar nga Italia sa t’u kishte lindur vetë në mendje ideja që të shkonin vërtet në Durrës.
Ishte ndërkohë errësirë, kur Aliotti e njoftoi Princin që komandanti i burgosur Saar kishte ardhur si ndërmjetës i rebelëve, por që si përfaqësues i Italisë ai nuk mund ta lejonte që negociatat për çështje të brendshme të Shqipërisë të zhvilloheshin në një anije italiane! Kështu Princi u kthye në tokë dhe më pas në pallat, ku ndërkohë ishin mbledhur komisarët e kontrollit, të gjithë të dërguarit dhe ministrat, për të diskutuar mbi kërkesat e vendosura nga rebelët. Ata kërkonin siguri për mosndëshkim dhe një shkresë të nënshkruar nga Princi që ai do të priste një delegacion të tyre, për të dëgjuar dëshirat që do të paraqisnin.
Në të kundërt ata do të vrisnin të gjithë robërit që i mbanin të burgosur, mes tyre edhe austriakë dhe rumunë të cilët kishin marrëpjesë si vullnetarë në ekspeditë. Për të shpëtuar jetën e europianëve, Princit nuk i mbetej gjë tjetër veçse të firmoste shkresën që ishte përgatitur nga ministrat e tij. Kështu u mbyll dita më e trishtë dhe e palumtur në kohën e vuajtjeve të Princit. Prej ultësirave me këneta të rrafshinës së Durrësit u ngritën re të lagështa e të helmatisura që rrëshqitën drejt labirintit të kasolleve dhe rrugicëzave të rezidencës. Kështu fryma e helmatisur e politikës europiane kishte përulur në mënyrë të turpshme vendin dhe Princin e tij.
Konflikti greko-turk për çështjen e ishullit ishte bërë më i mprehtë. Qeveria greke e cila nuk dëshironte të angazhohej shumë në Epir, kishte thirrur në Athinë zotin Zografos dhe e kishte këshilluar që tëdorëzohej. Parashikohej qartë rënia e Shqipërisë së mëvetësishme dhe që Epiri gjithsesi do t’i shkonte Greqisë.
Luftimet mes epirotëve dhe xhandarmërisë shqiptare ishin rralluar shumë që nga muaji maj dhe më së pari tani ishin ringjallur për shkak të provokimeve të epirotëve. Qeveria epirote nisi një manovër të re, me lojën e telegrameve të protestës në adresë të Komisionit të Kontrollit dhe u ankua për qëndrim agresiv të trupave shqiptare. Dukej sikur ishte planifikuar një grusht i ri shteti dhe sikur pushtetarët në Gjirokastër nuk donin gjë tjetër veçse që përballë botës të tregonin që fajin për ngjarjet që priteshin të ndodhnin, e kishin shqiptarët, të cilët nga ana e tyre përgjëroheshin vetëm për fundin e përndjekjeve që po u bëheshin nga grekët.
Zografosi e kurorëzoi lojën e komedisë me një telegram në të cilin përmendi gjendjen me gjoja të rrezikuar të të krishterëve në Korçë dhe nevojën e lindur përmes kësaj që ata të merrnin vetë masa për t’u mbrojtur. Komisioni u mblodh për të bërë protestë, e cila i bëri të qartë Zografosit që loja e tij ishte kuptuar. Komisioni i tha atij hapur që popullsia ortodokse greke po ecën dorë më dorë me kryengritësit dhe nuk ka pse të trembet prej tyre. Por efekti i protestës ishte vetëm platonik. Disa ditë më pas ushtria e rregullt greke marshoi drejt Korçës dhe pas luftimesh të gjata pushtoi qytetin.
Me këtë u dha sinjali për luftën e përgjithshme dhe bandat epirote u dyndën duke lënë shenjë e duke vrarë. Pas poshtërsish turpëruese, popullsia muhamedane pjesërisht u vra pas torturash të tmerrshme të ushtruara mbi ta dhe pjesërisht u përzu nga vendlindja dhe fshatrat u rrafshuan. Në mjerimin më të madh muhamedanët kishin ikur, pjesërisht në Vlorë, qytetin e vetëm mbetur ende shqiptar në jug, pjesërisht në territorin grek, në Janinë dhe Korfuz, prej nga ku “humanizmi” grek i përzuri sërish.
Rreth 30 000 refugjatë nga provincat e jugut, në mjerim të plotë, u mblodhën në luginën e Vjosës, si viktima të mospërfilljes europiane. Fati i tyre për t’u mëshiruar dhe sjellja çnjerëzore e epirotëve karakterizohet nga fakti që refugjatët vrisnin fëmijët e tyre për të mos i lënë të binin në duart e vrasësve zjarrvënës, për të cilët gjithë Europa ishte e bindur që “nën shenjën e kryqit” luftonin për përparimin e kulturës!
Edhe myslimanët e Delvinës dhe Gjirokastrës ishin lajmëruar për djegjen e qyteteve tëtyre, për t’i nxitur të largoheshin menjëherë prej aty. Një telegram i ri që epirotët i dërguan Komisionit të Kontrollit, përmes të cilit mohonin mizoritë e ushtruara prej tyre, tregonte edhe më qartë mizorinë cinike të pushtetarëve epirotas.
Komisioni dha një përgjigje të denjë, duke nxjerrë në pah që numri i refugjatëve muhamedanë nga Epiri dhe gjendja e tyre për të ardhur keq, ishin dëshmia më e mirë për krimet e ushtruara mbi ta. Masat e tjera do t’i mbeteshin në dorë Europës. Ishte planifikuar dërgimi i nje komisioni ndërkombëtar hetimi, për të përcaktuar krimet e kryera aty dhe njëkohësisht për të përgatitur kthimin e refugjatëve, për të shpëtuar të paktën pjesën ende të padjegur të të korrave të tyre.
Shpërthimi i luftës mes popujve (sh.p. Lufta I Botërore) shpejtoi rënien përfundimtare të Shqipërisë që nuk mund të ndalohej më dhe i dha një fund të papritur ëndrrës së Princit. Në vështrim të parë u duk sikur veprimi i fuqishëm i Monarkisë përballë Serbisë do të mund të kishte pasoja qetësuese edhe mbi revolucionin e Shqipërisë së Mesme, që u prek kështu në një nga rrënjët e tij që e kishte burimin në Serbi.
Mobilizimet e përgjithshme për luftë në Austro-Hungari dhe Gjermani kishin tërhequr mbrojtësit e fundit të mbetur dhe i kishin marrë Princit mbështetësit e tij më të mirë. Edhe Prenk Pasha dhe mirditorët e tij u tërhoqën në Shkodër. Shkrirja e aparatit qeverisës ndërkombëtar u zhvillua me shpejtësi marramendëse. Më 1 gusht detashmenti anglez në Shkodër u nis drejt Maltës. Më 4 gusht detashmenti gjerman dhe detashmenti austro-hungarez marshuan drejt Shëngjinit për t’u nisur me anije prej aty.
Më 5 gusht ndodhi nisja e gjithë oficerëve hollandezë dhe në fund më 21 gusht ndodhi nisja e gjithë oficerëve italianë, ndërkohë që detashmenti francez u tërhoq në Malin e Zi. Anijet luftarake kishin marrë rrugën drejt porteve në atdhetë e tyre dhe udhëtimi aventuresk i anijes gjermane “Breslau” do të mbetet i paharruar. Kjo anije ia doli t’i shpëtojë ndjekjes nga anija angleze “Defence” dhe arriti në Kostandinopojë. Vetëm anijet italiane dhe detashmenti i marinarëve italianë mbetën edhe më tej në Durrës. Shkrirja e Komisionit tëKontrollit tashmë ishte vetëm çështje ditësh ose javësh.
Por ndryshe nga pritshmëritë fillestare, kryengritja u zgjerua edhe më tej. Rebelët i dhanë një ultimatum Vlorës, në të cilin ata kërkuan dorëzimin e menjëhershëm të qytetit.
Më 31 gusht Vlora shpalli bashkimin me rebelët, të cilët shpejt hynë në qytet, ngritën flamurin turk dhe organizuan administratën përmes një komisioni të fisnikëve lokalë.
Gjendja e princit u bë e padurueshme, kur Italia përpjekjen e saj deri atëherë të fshehur, për të larguar Princin, e bëri haptaz të ditur duke shpallur ndërprerjen në mënyrë kategorike të mbështetjes financiare. Monarkia, si forca që drejtonte luftën, nuk ishte në gjendje që ta bënte vetë këtë sakrificë dhe duhet t’i nënshtrohej vullnetit të Italisë. Nga kjo gjendje Princi nxorri përfundimin e pashmangshëm dhe mori vendimin që t’i kalonte qeverinë Komisionit të Kontrollit e të largohej nga Shqipëria. Kjo gjë ndodhi më 3 shtator. Princesha, Turhan Pasha, Mufid Bej dhe Aqif Pashë Elbasani e shoqëruan. Princi e kishte konsideruar si detyrë të vetën, që në pozicionin që i kishte caktuar Europa të qëndronte deri në fund, dhe tëtërhiqej vetëm atëherë kur do të ishte e nevojshme.
Qeveria nuk kishte zgjatur as 200 ditë. Në manifestin që i kishte drejtuar popullit të tij para nisjes, Princi theksonte faktin që mungesa e tij do të ishte e përkohshme. “Il n’y a que la provisoire qui dure” (sh.p. Zgjidhjet e përkohshme në fakt mbeten gjatë), thotë një shprehje popullore franceze.
Komisioni i Kontrollit e mori tanimë në dorë sqarimin e gjendjes. Ai filloi menjëherë me largimin nga Durrësi të kosovarëve dhe toskëve që kishin mbetur aty sikurse edhe me përgatitjen e paqes me rebelët. Këta premtuan një “besë” të përgjithshme, por nuk njohën Komisionin si pushteti qeverisës, duke qenë se ata donin të organizonin administratën e tyre.
Rreth 2000 burra, gati të gjithë të armatosur, hynë në Durrës nën udhëheqjen e myftiut dhe mitropolitit greko-ortodoks dhe nën thirrjet brohoritëse për sulltanin ngritën flamurin turk. Gëzim i madh pushtoi fytyrat e italianëve, të cilët përgëzuan pushtetarët e rinj. Vepra e tyre ishte realizuar me sukses!
Fatet e tjera të Shqipërisë në kuadër të Luftës Botërore nuk kanë ndonjë rëndësi për të ardhmen e vendit. Greqia e ka pushtuar sërish Epirin, dhe Esadi është kthyer nga Italia në Durrës. Italia, e cila me fillimin e luftës kishte deklaruar solemnisht që vendimet e konferencës së Londrës lidhur me Shqipërinë do t’i njihte në formë të plotë edhe më tej, kishte pushtuar ishullin e Sazanit në gjirin e Vlorës, pas tërheqjes prej aty të trupave greke. Shpejt Italia dërgoi një “ekspeditë sanitare” për të ndihmuar refugjatët muhamedanë të Shqipërisë së Jugut në Vlorë dhe pak kohë më vonë u soll aty edhe një regjiment bersaljerësh.
Në Vlorë u ngrit flamuri italian. Këtë hap Italia u përpoq ta arsyetonte me argumentin që vetëm në këtë mënyrë ajo mund ta mbronte Shqipërinë në mënyrë të sigurtë nga sulmet e huaja.
Në Shkodër hyri sërish mbreti malazez Nikita. Në Durrës, qëpër një kohë të gjatë ka qenë nën pushtimin serb, sundon sërish Esad Pasha si vasal i Italisë.
Përgatiti dhe përktheu: Lindita Komani
NO COMMENT