PRIAM ARIMATHEA
Kujtim Abdi
Perëndia i dërgon engjëllin Gabriel Maries t’i lajmërojë lindjen e Krishtit. Engjëlli sapo hyn tek ajo, i thotë: “Gëzohu, o e mbushur me hire, Zoti është bashkë me ty.” Kur ai shikon se ajo u turbullua nga fjala e tij, për ta qetësuar i thotë: “Mos u trëmb, Mariamë, sepse gjete hir përpara Perëndisë.”.
Në këngën përmbyllëse të Iliadës Zeusi dërgon Irisin tek Priami. Kur ajo arrin në shtëpinë e tij gjen vetëm qarje e ngashërime. Dikush qante birin, dikush vëllanë, dikush burrin, dikush mikun. Të gjithë rreth plakut mbret i kanë veshjet të qullura nga lotët. Lajmëtarja e Zeusit i afrohet, e kur i drejton zërin, vë re, se gjithë trupi i tij drithërohet nga frika, ndaj ajo e qetëson me lajmin e mirë: “Ki kurajë në zemër, Priam Dardanidi, mos u trëmb! Nuk vij të t’kumtoj ndoj fatkeqsi, por me t’pru lajme t’mira. Me plot dashni, t’lajmëroj nga ana e Zeusit, që ndonëse larg teje, ka kujdes e dhimbsuri për ty.”.
Ajo i jep zemër të shkojë tek Akili e t’i kërkojë trupin e Hektorit.
Jozef Arimathea, një i pasur, shkon te Pilati dhe i kërkon trupin e Jezusit. Ai jep urdhër t’ia dorëzojnë trupin. Mbasi Jozefi e merr, e mbështjell atë në pëlhurë liri të pastër. Është vetëm Johani, në ndryshim me tre evangjelistët e tjerë, që thotë, se bashkë me Jozefin ishte dhe Nikodemi. Në këtë lexim ky akt duket si një gjë shumë e thjeshtë për t’u bërë. Në fakt, është njësoj, sikurse një njeri i zakonshëm sot, të shkojë e t’i kalojë pa vështirësi të gjitha kontrollet, e të hyjë në Shtëpinë e Bardhë, e të takojë Presidentin, apo të kalojë pa u penguar nga rojet, e të hyjë në Vatikan deri në apartamentin e Papës. Njëkohësisht përsa i takon figurës së këtij personi, duhet nënvizuar, se ai mban po të njëjtin emër si i jati i Jezusit. Pra figurativisht është dashuria e atit Jozef që ndërmerr këtë mision.
Po këtë mision ka dhe Priami, në figurën e Jozefit, duke kaluar përmes gjithë kampit grek, pa u ndaluar nga asnjëri, deri sa arrin në çadrën e Akilit.
Vendimi i tij për këtë mision has në kundërshtimin e të shoqes, Hekubës, e cila i thotë: “Si ke guximin të dalësh i vetëm para syve të një burri të tillë, që pa dhimbsurinë më të vogël bijtë e tu si zana i ka vrarë, ai burrë shpirtlig edhe i pabesë po bani e t’pa pranë vetes dhe ndër thonj të shtini, pikë nderi e mshire për ty nuk do ketë.”. Por Priami është i patundur në vetvete, me guximin dhe idhnimin të gërshetuar, nga besimi i ngjallur prej fjalëve të Irisit për Akilin: “Ai s’ka me t’vra, por ka me t’mprojtë nga tjerët, se s’asht i çmendur, as i verbër, as mizor, por me zemërbutësi do t’përkujdeset me t’përmbushë lutjen.”.
Në këto pak vargje ky është dopjokonfrontimi i figurës së Akilit.
Priami, i bindur në fjalët e Irisit, si ai i Jozefit kur në ëndërr i shfaqet engjëlli për t’u kujdesur për fëminë që do të lindë, jep urdhër t’ngarkojnë kerrin plot me dhurata t’çmueshme për Akilin, e njëkohësisht ai ka kujdes që n’at barrë të vendosen dhe pëlhura të bardha lini. Në këtë mision, ku “zemra i digjet me shpërblye të birin”, e shoqëron vetëm Ideu.
Guximi i Priamit është si i Arimathesë, kur të gjithë dishepujt ishin zhdukur nga frika e ndjekjes. Kështu dhe bijtë e tjerë që i kishin mbetur Priamit. Ai i zë në gojë me emra, një nga një, e me të shame i thek: “Bij të panderë, ju nxiftë turpi!”. Që të dy këta kanë vetëm një të dytë që i shoqëron, Priamin Ideu, dhe Arimethenë Nikodemi.
Gjatë gjithë rrugës atë s’e lëshon aspak brenga për këtë bir të humbur, që ai vlerësonte “porsi hy mes njerëzve, e që nuk dukej lindë nga prind të vdekshëm, por pjellë hyjnore.”. në këtë dashuri e vlerësim Hektori na vjen si Jezusi. Të dy të lindur nga prindër të vdekshëm me frymë hyjnore, i pari vdes heroikisht për të mbrojtur qytetin e vet të shenjtë, i dyti për qytetin universal të besimit. Në këto dy figura mikro dhe makro shkrihet në dimension të njëjtë misioni. Sikurse dhe hapat e këtij mbreti plak, me mjekër e flokë të bardha, deri në çadrën e Akilit. Hyn brenda, e në gjunjëzim i përrethon gjunjët, duke i puthur atij duart vrastare, e me lot në sy i kujton Akilit të jatin, dhe me fjalë shumë prekëse i lutet t’i japë trupin e të birit, Hektorit. Kushdo që lexon vargjet e kësaj kënge të Iliadës, është e pamundur që të mos preket nga fjalët e mbretit plak dhe nga fisnikëria e Akilit, që deri në këtë moment ai na është paraqitur si më i egri inatçi i eposit.
Është magjepsëse në këtë këngë të dëgjosh zërin predikues të Homerit në lidhje me vlerën e jetës. Shumë nga këto rreshta të kujtojnë Lëçitësin me mësimdhënien ekleziastike të tij. Si në një doktrinë të krishterë shpalos ky bashkëbisedim fatkeqësinë njerëzore, të mbërthyer nën prangat e luftës. Ndër disa fjalë të Priamit ia vlen të ndalohet në citim. Ai i shpjegon Akilit gjendjen e tij të mjeruar shpirtërore, duke u ndjerë si njeriu më i papërfillur i kësaj bote, si ai që ka vuajtur më shumë se kushdo tjetër i vdekshëm, shpirtërisht si Jobi. Nuk është vetëm vdekja e të birit që e ka vrarë aq shumë, por dhe përulja ekstreme që ai bën, duke ardhur t’i kërkojë mëshirë vrasësit së të birit. Nga këto fjalë Akilit i plasin lotët. Njeriu më i egër i Iliadës shfaqet përpara nesh në këtë moment si një qingj. Ai përqafon Priamin dhe e ngushëllon të mos qajë më, tamam si dy miq të përjetshëm heqin vuajtjen e njëri-tjetrit me shpirt ngushëllues. Në atë moment që të dy janë të prekur nga vërtetësia mizore e jetës. Akilit hyjtë i kanë rezervuar mosarritjen e pleqërisë. Vërtet është i lavdishëm, por në fund dhe ai vdes si Hektori. Priamit hyjtë i kanë dhënë çdo gjë, pallate, të mira pa fund, plot fëmijë, por ama edhe një luftë komplet shkatërruese ku të tërë do të humbin nën një varg të pashkëputur gulçimesh. Mbas këtij refleksioni shohim se është Akili njeriu më shpirtbutë i të gjithë veprës homeriane. Ai i betohet Priamit duke ja marë dorën e djathtë dhe e vë atë mbi zemrën e vet. Menjëherë ai jep porosi të pastrohet trupi i Hektorit, të mbulohet me të linjtat, të vetmen gjë që ai nuk mori nga dhuratat e plakut mbret që kishte prurë me vete, njësoj sikur gjinded kjo pëlhurë në duart e Arimathesë. Me to mbështillet trupi i Hektorit dhe Akili me duart e veta ia vendos mbi shtratin e qerres. Ndërkohë me përulje i kërkon falje Patroklit për këtë veprim që po bën. Mbas kësaj rihyn në çadër, e i thotë Priamit, se çdo gjë është gati duke e ftuar të hanë bashkarisht darkë. Më pas i pregatit vendin e fjetjes, atij dhe Ideut. Dashuria e tij ndjehet në përkujdesje, në zgjedhjen e shtratit e të mbulesave. Kështu do të gdhijë kjo natë në një agim kaq të largët të qytetërimit tonë, ku si në çdo libër të shenjtë na mësohet mëshira përmbi kryelartësinë fodulle, që krijon vetëm luftë shkatërruese. Ky shpirt homerik arrin në vargjet e kësaj kënge dritën e tij më të shenjtë, duke hyrë në skutat më të fshehura të së keqes, për t’i ndritur ato përjetësisht. Kjo dritë kaq e fortë homerike depërton deri në bark të Ferrit ku dergjen me mijëra të rinj që humbin jetën nën ca mure të hueja. Lufta e Trojës të kujton atë të Jeruzalemit, e sa e sa vendeve të tjera. Homeri risjell misionarisht fatalitetin e luftës, nëpërmjet një dialogu fitimtarësh e të humburish, akilash e priamësh, që rri në pragun e kulturës europiane si një mirëseardhës filozofik për të ndalur absurditetin e lotëve të luftës, ku idea shprehëse është aq e fortë sa kurrë nuk duhet shkaktuar asnjë holokaust tjetër. Dialogu i paqes që gjejmë në vargjet e kësaj kënge përmbyllëse arrin në vlerë çdo katekizëm paqësor, e shprehur me vërtetësi njerëzore për të mos e kthyer kokën më kurrë nga vllavrasja e shkatërrimi, që mbjellin vetëm vuajtje, vdekje, e vaj sa mbulon të tërë botën njerëzore. Mirëkuptimi vëllazëror i kësaj skene është një imazh solidar, që duhet të mbetet i përhershëm në sytë e kujtesës së njerëzimit, për të mos ndarë mënxyra më kurrë me njëri-tjetrin. Destinata e këtyre herojve, me lotët që përmbytin vendbanimin e tyre duhet të vuloset në ndërgjegjen njerëzore, si dëshmi mospërsëritëse. Pendesa e Akilit në këtë moment superon të gjitha aktet e tija barbare e çnjerëzore me trupin e Hektorit, duke e tërhequr atë zvarrë tre herë në ditë përreth varrit të Patroklit. Falë kësaj, në aktin final, Homeri i ribashkon në paqe këta dy heroj të papërsëritshëm dhe i rimban në vlerë në secilën faqe të medaljes. Iliada hapet në vargun e parë me emrin e Akilit, e mbyllet në vargun e fundit me atë të Hektorit. Ky është një reflektim barazie, që duhet të jetë shembull për këdo në jetë.
Në mbyllje, mbas prurjes së këtyre dy shembujve, nga dy libra fare të ndryshëm, kuptojmë, se destinata e njeriut është e vendosur të ripërsëritet në forma simbolike. Reflektimi i skenës përlotëse të Priamit, bën të imagjinosh, se do të ketë qenë e njëjtë me atë të Jozefit para Pilatit. Njëri i pasur, tjetri dhe më i pasur, madje mbret. Të dy luten prindërisht për një kufomë të keqtrajtuar, në formën më mizore, që njeriu mund të arrijë të bëjë. Të dy janë thuajse vetëm në këtë ndërmarrje, të shoqëruar nga dikushi vetëm si hije. Mbështjellin simbolikisht të njëjtin trup në një pëlhurë të linjtë, të pastër, për të simbolizuar kështu të paqtë të ardhmen.
NO COMMENT