PRAKTIKA E PËRKTHIMIT LETRAR
ANTONIO GIL DE CARRASCO
Zhvillimi i procesit të përkthimit letrar nuk është, në parim, i ndryshëm nga klasat e tjera të përkthimit, siç janë përkthimi tekniko-shkencor, gjyqësor, biblik, skriptet religjioze etj. Problemi qëndron në vendosjen e kritereve cilësore, kritere që të na lejojnë klasifikimin e produktit të suksesshëm.
Nuk mund të gjykohet një përkthim si i mirë apo si i keq, duke qenë se janë dhe gjykime subjektive dhe të përgjithshme që bllokojnë mundësinë e një analize të detajuar. Mbi të gjitha, ‘e mirë’ ose ‘e keqe’ janë dy pozicione ekstreme që iu bashkangjiten kritereve morale dhe nuk janë të nevojshme në gjykimin e një produkti të inteligjencës dhe shpirtit njerëzor. E suksesshme apo e duhur siç thonë disa, janë vlera relative, ashtu siç duhet të jenë vlerësimet mbi produktet njerëzore, që krijon një përkthyes (me anë të një kontrate pune) që t’i shërbejë një lexuesi që e preferon, e ble dhe e përdor këtë produkt. Siç thotë Pol Valeri, të përkthesh është të prodhosh me mjete të ndryshme efekte të ngjashme.
Megjithatë, për të vlerësuar objektivisht çdolloj përkthimi letrar, është e nevojshme të sillen një sërë parimesh të përgjithshme ose një teknikë që mund të përdoret si drejtuese e këtij studimi, siç përdoren pikat e referimit për çdolloj vlerësimi.
Këto parime të përgjithshme, që do t’i analizoj në vazhdim, ia kam aplikuar studimit të një romani konkret Zilja, e Iris Murdok (Londres: Chatto and Windus, 1958) dhe përkthimit të këtij romani nga Flora Casas (Madrid. Alianza Editorial, 1983). Shpërfaqja ime teorike do të jetë e limituar, pasi nuk pretendoj të spekuloj me teoritë e ndryshme mbi përkthimin.
Për të analizuar këtë roman kam përdorur një formulë të thjeshtë, e cila më lejon të lë mënjanë shumë teori dhe të miratoj një propozim praktik, i cili është: çdo proces përkthimi i një teksti burimor (TB) iu është nënshtruar tre llojeve të ndryshimeve të shprehjes:
Ndryshimet e detyrueshme pa të cilat nuk mund të flitet për përkthim. Ato janë produkt i përkthimit, konsiderohen si letrare dhe përfshijnë ndryshimet në elementet gjuhësore të një sistemi dhe zëvendësimin me homologët e tyre në sistemin tjetër. Ato janë bazuar në rezultatet e studimeve kontrastive në dy gjuhët (të bëra me anë të fjalorëve dygjuhësh kontrastorë dhe gramatikorë).
Ndryshimet e pavullnetshme dhe të pavetëdijshme që bën përkthyesi nga harresa, padija, mungesa e përvojës apo mungesa e respektit për detyrat e tij. Këto ndryshime përfshijnë ato që quhen zakonisht gabime të përkthimit që dalin nga njohuritë e pamjaftueshme të TB, në gjuhën e caktuar, ose mungesa e të kuptuarit të TB, dhe nuk meritojnë më shumë hulumtime, përveç mësimin e gjuhës dhe procesit të përkthimit. Natyrisht, këto ndryshime të pavullnetshme, mund të themi se janë të rastësishme, ato i ndodhin dhe përkthyesit profesionist, por zakonisht i zbulon korrektori apo redaktori i shtëpisë botuese para publikimit të punës.
Ndryshimet e qëllimshme që bën përkthyesi i motivuar nga një numër arsyesh të ndryshme që ndryshojnë në varësi të llojit të përkthyesit dhe të përkthimit. Për shembull, dokumentet e përkthyera që legalizohen kërkojnë ndryshime të qëllimshme, të imponuara nga traditat ligjore të çdo vendi, ose të llojit të dokumentit.
Këtu kemi hyrë tek fusha e kritikës serioze të përkthimit që do trajtojmë, dhe pastërtisht gjuhësore, e cila dominon në llojet e mësipërme të ndryshimeve, duke shqyrtuar dhe tekste që kombinojnë elementet gjuhësore dhe pragmastilistike. Në këtë nivel, përkthimi letrar ndryshon nga format e tjera të përkthimit, për shkak se në këtë lloj të përkthimit ndryshimet e qëllimshme drejtohen nga kufizimet dhe konsideratat e një rregulli tjetër.
Përkthimi letrar kërkon gjithashtu ndryshime në bazë të dallimeve në mes të traditave letrare të kulturave të nisjes dhe të mbërritjes, dhe në përputhje me konformitetin e stilit të autorit dhe normave letrare dhe gjuhësore të zhanrit përkatës letrar. Ky është lloji i ndryshimit që ndikon në cilësinë dhe ia vlen të shqyrtohet.
Ky klasifikim i thjeshtë i ndryshimeve nuk përmbledh shumë saktë rastet e njohura të mosveprimit të elementeve të TB ose shtimit të fjalëve, frazave, etj., të TL, por mund të shpjegohet si vijon: Dështimi thjesht mund të jetë rezultat i neglizhencës dhe shtimi mund të jetë rezultat i pasaktësisë së shprehjes në LL. Kjo është pjesërisht për rezultatet e ndryshimeve të qëllimshme dhe në këtë rast meritojnë vëmendjen tonë, sepse ato janë shenjat më të dukshme të vendimeve të qëllimshme të përkthyesit.
Me ndryshime të qëllimshme ne gjithmonë mund të pyesim veten se pse përkthyesi ka bërë një ndryshim, dhe pastaj të zbresë në një metodologji të dyfishtë për të shqyrtuar tekstin e zgjedhur. Ne mund të përgjithësojmë pyetjen dhe të pyesim se pse “Bell” është përkthyer në Kastilianisht, që na çon në kërkimin e arsyeve koherente për ndryshimet e qëllimshme të bëra dhe devijimet nga ky motivim.
Nga ana tjetër, mund të adaptohet metoda induktive, e cila është ajo që unë do të përdor në studimin tim, duke shqyrtuar shembuj të TL me shmangie nga TB për të arritur një interpretim të qëllimit të zgjedhur nga përkthyesi dhe për të përmbyllur me një gjykim mbi cilësinë e përkthimit. Në kushtet e analizave konvencionale të përkthimeve, unë do t’iu referohem kryesisht dy fenomeneve, saktësisë dhe ndërhyrjes.
Para se të shkojmë në detaje, megjithatë, duhet të pyesim: Pse lexohen dhe përkthehen romane angleze në spanjisht dhe konkretisht çfarë pret lexuesi spanjoll nga romanet e përkthyera?
Këtu ne duhet të bëjmë dallimin midis dy llojeve të romaneve, të konsumit të përgjithshëm, të tilla si Agatha Christie, Joan Collins ose Georgette Heyer, të cilët tërheqin më tepër prej aksionit, komplotit të ngjarjeve dhe aventurave të personazheve. Këto romane mund të marrin formën e filmave apo historive të ilustruara, pasi forma nuk është e rëndësishme. Ky produkt supermarketi nuk meriton një analizë të thellë kritike. Për këtë studim na intereson romani letrar dhe jo pulp-fiction.
Në rastin e romaneve të Iris Murdoch, supozoj se qëllimi i çdo përkthimi është i njëjtë me tekstin burimor, dhe nuk është tjetër veçse të argëtojë dhe edukojë, duke stimuluar kuriozitetin dhe intelektin e lexuesit. Por për të arritur këto rezultate, përkthyesi duhet të përdorë teknika që e drejtojnë vëmendjen drejt trajtimit të referencave social-kulturore.
Ky roman, The Bell, karakterizohet nga analiza e psikologjisë së një grupi njerëzish të cilët janë në një komunitet pseudo-fetar. Romani është i ngjashëm në strukturë me shumë romane policeske që mbledhin një grup heterogjen në një shtëpi fshati, vetëm se atje nuk ka detektiv për të hetuar mbi autorin e krimit. Është narratori që mbledh një periudhë të shkurtër nga jeta e personazheve të vet dhe tregon njëfarë zhvillimi të disa personazheve kryesore përmes ndërveprimeve të tyre.
Teknika që aplikon autori është përzgjedhja e incidenteve të dendura ose situatave konfliktuale që zbulojnë natyrshmërinë e personazheve, si zhvillimi psikologjik i 3-4 personazheve mbi të cilat përqendrohet.
Rekurset stilistike që identifikojnë këtë roman të Iris Murdoch janë toni ironik i autorit me të cilin vëzhgon personazhet dhe incidentet, dhe strukturimi i pothuajse çdo dialogu të rëndësishëm në stilin indirekt, që i lejon autorit të përzgjedhë dhe komentojë dialogët në të njëjtën kohë.
Pikërisht këtu, në përmbledhjet e dialogëve, duhet të kërkojmë efektet e kësaj vepre.
Studimi im do i referohet saktësisë në lidhje me mesazhin e gjuhës burimore (GjB), dhe në veçanti mënyra më të cilin teksti në gjuhën e caktuar (GjC) përpiqet të riprodhojë formën letrare të tekstit burimor (TB).
Përmbajtja e çdo teksti të shkruar është realizuar nga stili i zgjedhur i autorit të tekstit. Nëse përkthyesi i jep rëndësi vetëm përmbajtjes, mund të prodhojë një ndryshim thelbësor në formë. Dhe çdo devijim nga teksti origjinal duhet të arsyetohet në tekstin e gjuhës së synuar.
Duke përmbyllur këtë hyrje të shkurtër, do të shpjegoj vazhdimin e hapave të ndjekur në analizën time krahasuese dhe që i kam konsideruar esenciale.
Studimi i detajuar i tekstit origjinal: identifikimi i shprehjeve të cilat në pamje të parë mund të shkaktojë probleme në përkthim; përkapja e shumë hollësive gjuhësore, ironive, referencave kulturore, metaforave, përzgjedhja e disa shprehjeve të TL ekuivalente me ato të identifikuara më sipër nën 1.
Krahasimi i fragmenteve të zgjedhura: Analiza e tipit të ndryshimit të dalluar dhe shpjegimi i motivimit të mundshëm.
Përfundimi: A është përkthimi i fragmentit të shqyrtuar i lidhur me tonin e përgjithshëm të përdorur nga autori? A është i saktë përkthimi i fragmentit të shqyrtuar në kuptimin që; a e përmbledh kuptimin e tekstit burimor si stili ironik i autorit?
PËRSHTYPJE PARAPRAKE TË PËRGJITHSHME
Përkthimi duket se është bërë me adaptimin e tepruar të formave dhe strukturave të tekstit burimor. A është ky një rezultat i ndërhyrjes së paqëllimshme? Një përkthim me nxitim apo një ndërhyrje e qëllimshme për të ngatërruar lexuesin dhe për të krijuar një mjedis të ndryshëm përmes mjeteve gjuhësore? Nga këto dy mundësi, e para duket më e mundshme dhe unë do përpiqem ta vërtetoj me shembuj konkretë.
Gjatë studimit tim krahasues, kam parë problemet e shkaktuara nga kopjimi i ngurtë dhe përqasjes formale të gjuhës burimore, domethënë ka ndryshime të qëllimshme në favor të literalizmit apo keqinterpretimit, apo gabime që rezultojnë nga një punë sipërfaqësore. Këto përkthime shumë të ngurta të ekuivalentimit formal të gjuhës burim, domethënë, ndryshime të qëllimshme në favor të literalizmit ose keqinterpretimit, ose që rezultojnë nga një punë sipërfaqësore. Këto anglicizma leksikore dhe strukturore mund të jenë shumë irrituese për një lexues spanjoll, siç ishin dhe për mua.
ANALIZA KRAHASUESE
Kam hartuar një përzgjedhje të shembujve përfaqësues, disa prej të cilëve janë të vështirë për t’u përkthyer, në përpjekje për të ilustruar se si një përkthyes mund të dështojë dhe humbasë interesin e lexuesit mbi përkthimin që u drejtohet në gjuhën e caktuar. Shembujt konsistojnë në një frazë apo njësi të TB, e përkthyer nga përkthyesi. Secili prej tyre do të komentohet, dhe në fund unë do të jap përkthimin tim alternativ.
I kam përzgjedhur shembujt dhe i kam grupuar nën tre epigrafet e trajtuara më poshtë, pasi më lejojnë të hetoj motivimin e këtyre devijimeve.
- GABIMET NË NDËRHYRJET E DETYRUESHME.
- NDRYSHIMET E PAVULLNETSHME.
- NDRYSHIMET E QËLLIMSHME:
3.1. LITERALIZMI I TEPRUAR.
3.2. KEQINTERPRETIMET/ NDRYSHIMET E QËLLIMSHME ME DEVIJIM SEMANTIK.
3.3. NDRYSHIME TË QËLLIMSHME.
3.4. NDRYSHIMET E QËLLIMSHME NË DIALOG.
3.5. REFERENCAT KULTURORE.
(pjesa e parë…)
Përktheu nga spanjishtja: Antonio Çikollari
NO COMMENT