
Poeti Konstandin Kavafy
Revista kulturore-letrare “Palimpsest” boton për herë të parë në gjuhën shqipe disa poezi të poetit të njohur grek
SHI
Një kopsht i vogël,
me dy pemë të brishta,
e ujin që formon atje
një parodi të natyrës,
duke hyrë në degëza,
që s’kanë sekrete,
duke ujitur rrënjët anemike,
duke përshkuar gjethnajën e
rëndomtë e melankolike
që lidhur me fije
varet mbi dritaret,
e duke larë lulet e venitura
brenda vazove të radhitura
prej një amvise të urtë.
Shi, që fëmijët e vegjël
me gaz vështrojnë,
brenda nga dhoma e ngrohtë,
e ndërsa shtohet shiu
e zmadhohen pikat,
më fort kërcejnë e përplasin duart.
Shi, që e dëgjojnë edhe pleqtë,
me durim e zymtësi,
përtesë e trishtim,
frikë instiktive,
se duan për dreq
dheun e lagur e hijet.
Shi, shi – vazhdon të bjerë me rrëmbim.
Por tani s’shquaj më asgjë.
U vesh xhami i dritares nga ujërat e shumtë.
Mbi sipërfaqen e tij,
rendin, rrëshkasin, shpërhapen
ngjiten e zbresin,
rrëkeza të hapërdara,
e çdonjëra prej tyre e njollos
e çdonjëra prej tyre e vesh.
Dhe tani gjithçka shquhet turbull,
e turbullt rruga,
e brenda një bryme të ujshme,
tê turbullta shtëpitë e makinat.
PËRJETËSI
Indiani Arsuna, mbret filantrop e paqësor,
urrente theroritë. Kurrë nuk pati bërë luftëra në jetën e tij.
Ndaj dhe i tmerrshmi Zot, i pakënaqur prej tij
(lavdia filloi t’i terrej, tempujt t’i boshatisen)
në pallatin e mbretit hyri me mëri.
I trembur, Mbreti i thotë: “Zot i madh, falmë, nëse jetë njeriu s’mund të marr!”
Me përçmim, Zoti iu përgjigj: “Mendon se je më i drejtë se unë?
Mos u gënje me fjalë. Asnjë jetë nuk merret.
Dije që askush s’lindi e askush s’vdes”.
NË SHTËPINË E SHPIRTIT
Brenda Shtëpisë së Shpirtit enden Pasionet –
Gra bukuroshe në të mëndafshta veshur e me zafirë në kokë.
Nga hyrja e shtëpisë e deri në brendësi, livadhisin në të gjitha dhomat.
Tek më e madhja – kur gjaku netëve fillon e ngrohet –
Pinë e kërcejnë me flokët e lëshuara.
Jashtë dhomave, të zbehta e të veshura keq,
me veshje të vjetruara,
vërtiten Virtytet, e me dhimbje dëgjojnë
festën që bëjnë kurtizanet e dehura.
Në xhamat e dritareve ngjisin fytyrat,
e në heshtje shikojnë të menduara,
dritat, diamantet dhe lulet e vallëzimit.
ARMIQTË
Për të përshëndetur Konsullin erdhën tre sofistē,
e Konsulli i uli afër tij.
Ishte shumë i sjellshëm, por më pas, duke i thumbuar, u thotë:
“Fama pjell nepsqarë – rivalët shkruajnë. Ata janë armiqtë tuaj!”
Njëri prej të treve, me fjalë serioze, tha:
E keqja s’do na gjejë prej armiqve të tanishëm,
por prej atyre që do pasojnë, sofistëve të mëvonshëm;
atëherë kur ne do të jemi shumë pleq e do dergjemi në shtrat,
e ca prej nesh do kenë zbritur në Had.
Fjalët dhe veprat tona të sotme, do u ngjajnë të çuditshme (ndoshta edhe komike),
sepse do ndryshojnë sofizmat, stili e prirjet tona, prej armiqve.
Porsi unë, edhe ata, të transformojnë të shkuarën do duan.
Ato që ne predikuam si të mira e të drejta,
do i dëshmojnë armiqtë tanë si të kota e të tepërta,
të njëjtat dërdëllime, të thëna ndryshe (pa ndonjë mundim).
Sepse dhe ne atë bëmë, të vjetrat i lëçitëm ndryshe.
KTHIM NGA GREQIA
Pra, po mbërrijmë Hermipos.
Pasnesër, besoj; kështu tha kapiteni.
Të paktën lundrojmë në detin tonë;
ujëra të Qipros, Sirisë dhe Egjiptit,
ujëra të atdheve tanë të dashur.
Përse je kaq i heshtur? Pyet zemrën,
ndërsa largoheshim nga brigjet e Greqisë,
a nuk gëzoheshe edhe ti? Ia vlen të gënjejmë vetveten? –
nuk do i shkonte për shtat një greku të vërtetë.
Le ta pranojmë të vërtetën tashmë;
Edhe ne grekë jemi – ç’tjetër jemi ne?
me dashuri ama dhe emocione prej Azie,
me dashuri dhe emocione
qe helenizmi shpesh i tëhuan.
Ne filozofëve, Hermipos, nuk na ka hije
t’u ngjajmë ca mbretërucëve tanë
(me siguri e mban mend si qeshnim
kur vizitorë na vinin në klasë)
teksa pas pamjes së jashtme,
dukshëm të greqizuar dhe (çfarë fjale!) maqedonase,
diçka nga Arabia nxirrte herë pas here krye,
ndonjë Medea, pa mundur dot ta fshehin.
Dhe sa komikë bëheshin të gjorët
kur rropateshin të mos i kuptonte kush.
Jo, jo nuk na përshtaten neve këto gjëra.
Nuk u shkojnë grekëve si ne të tilla vogëlsira.
Për gjakun e Sirisë dhe të Egjiptit,
që rrjedh damarëve tanë, të mos ndjejmë turp,
por të krenohemi me të e ta nderojmë.
RINIA E BARDHË
Rinia jonë e bardhë, rinia mike,
ah e bardha rini, e bardha borë rini,
e pafundmja dhe e kaq e pakta rini
që krahë kryengjëlli na jep të fluturojmë,
që gjithë kohës shteron e gjithë kohës dashuron
që shkrihet e vilanoset në horizontet e bardhë,
që ikën e humbet në horizontet e bardhë,
që ikën e shkon përgjithmonë.
Jo përgjithnjë. Do rikthehet,
do rivijë, do rikthehet.
Me pjesët e saj të bardha, me hirin e saj të bardhë,
do vijë rinia jonë e bardhë të na marrë.
Me të bardhat duar do na kap’,
me qefinin e hollë prej bardhësisë së saj thurur,
me qefinin e bardhë borë prej bardhësisë së saj thurur,
do na mbulojë.
LULE ARTIFICIALE
Nuk i dua narcisët e njomë – as zambakët e trëndafilat e gjallë.
Stoli për kopshte të zakonshëm e të rëndomtë.
Hidhërim, lodhje e dhimbje më shkaktojnë,
me bukurinë e bjerrë, që ngjall mërzi.
Më jepni lule artificiale,
lavdi prej porcelani e metali,
që as vyshken, as kalben, me forma që kurrë s’plaken.
Lule nga kopshte magjepsëse të një vendi tjetër, ku rrinë bashkë Teoritë, Ritmet e Dijet.
Dashuroj lulet e qelqta ose prej ari,
kopje besnike të një Arti besnik,
me ngjyra më të bukura se natyralet,
punuar me fildish e sedef,
gjethe e kërcej idealë.
Kanë sharmin e Hijeshisë së mençur e të qashtër,
nuk mbijnë të pista, nëpër baltra e dhera,
nëse nuk mbajnë erë, do i aromatisim,
e do djegim para tyre, pak mirrë sentimentale.
FUQIZIM
Secili që kërkon shpirtin e tij të forcojë,
të çlirohet duhet nga nderimi e nënshtrimi.
Do mbajë ca ligje,
por shumë ligje e zakone do t’i shkelë,
dhe rrugën e drejtë, por të paplotë nuk do e ndjekë.
Nga pasionet mishtore shumë gjëra do mësojë,
dhe akti shkatërrues s’ka pse e frikëson.
Gjysma e shtëpisë duhet të gremiset,
që brenda në virtyt dija të zhvillohet.
TMERR
Netëve, Imzot Krisht
ruaje mendjen dhe shpirtin tim
teksa rrotull meje fillojnë të ecin
Krijesa dhe Sende të paemërta,
e me këmbët jomishtore rendin nëpër dhomë,
rrotullohen rreth shtratit të më shohin,
e më vështrojnë thua se më njohin,
si të krekosen pa zë që tani mund të më trembin.
E di, presin,
si në ato kohë të neveritshme,
të shohin nëse me to në errësirë
do eglendisesha,
e në me ato sende e krijesa do përzihesha.
E turfullojnë që të rikthehet koha e parë
por kurrë më s’do vijë;
se Krishti është shpëtimtari e pagëzonjësi im.
Tmerrohem se mos netëve
ndiej në terrin e thellë
ca sy të gozhduar sipër meje
Imzot Krisht, prej vështrimit të tyre më fshih.
E siç flasin e skërmiten,
mos lër asnjë nga fjalët e tyre të çkishëruara,
në veshët e mi të mbërrijë,
mos dhëntë zoti të më zgjojnë në shpirt,
ndonjë kujtim lemerisës nga të fshehtat e mia që dinë
Përktheu nga origjinali: Eleana Ziakou
NO COMMENT