
Foto ilustruese
Victor Hugo (1802-1885)

Victor Hugo
FARËHEDHËSI
Në këtë ҫast pas perëndimit
Nga pamja e syve po m’rrëshqet
Edhe kjo lehe e lavrimit,
Gjithë prej ditës ҫ’pati mbetë.
Kështu po erret dheu mbarë
Ndërsa vërej nga ky prag
Si ende dorën mbush një plak
Dhe hedh n’për arë të s’ardhmes farë.
Kjo hije e shtatit t’lartë, e zezë
I zotnon lavrat e reja,
Në ikje ditësh, shko e eja
Yllin e fatit e sheh ndezë.
Kësaj rrafshine të gjanë, krenar
Vete e vjen, me fijet në gishta
Lëshon pëlhura farash të ndritshme,
Unë them: jam dëshmitar!
Ndërsa e shpërndan me krah të tij
Shushurin fara flatrore,
Thue se ngjiten deri në yje
T’farëhedhësit gjestet madhështore.
Charles Baudelaire (1821-1867)

Charles Baudelaire
MACJA
Eja mace e dashur mbi zemër time t’zbutur
Mbaj thonjt e putrave tua,
Dhe lermë mua të zhytem në sytë tu të bukur
Përzjerë metal dhe gurë të çmuar.
Ndërsa këta gishta përkëdhelin me dashuri
Kryet dhe shpinën tënde elastike
Dhe dora prehet në dehje dhe ndjesi
Tek t’i prek trupit indet elektrike,
Gruan time shoh në shpirt. Shikimi prerës
Si i yti, kafshë gjithë lezet,
I thellë dhe i ftohtë të thumbon si grerëz
Dhe, nga këmbët deri te kryet
Një ajër i hollë, një, sa i rrezikshëm! parfum
Noton rretheqark trupit të saj brun.
MUZIKA
Shpesh si det muzika peshë më merr
Drejt yllit tim të artë
Diku nëpër mjegull, diku nëpër eter
Unë velat hap.
Me gjoksin pa frikë dhe mushkritë e fryra
Si një pëlhurë
Kaloj shpina dallgësh të pakapërcyera
Që nata ngre si mur.
Ndiej si vibrojnë te unë pasione t’thella
Të një barke që kërcëllin
Era e mbarë, shtrëngatat e të sajat shtjella
Mbi t’zezën greminë
Më tundin. Shtruar, herë tjetër, pasqyrim
I dëshpërimit tim.
HARMONI E MBRËMJES
Ja si vjen koha kur tek vibron mbi kërceje
Çdo lule avullohet ashtu si një temjan;
Tinguj dhe aroma këtë mbrëmje në ajër,
Vals melankolik dhe marrje mendsh si dehje!
Çdo lule avullohet ashtu si një temjan;
Violina fërgëllon si një zemër në dhembje;
Vals melankolik dhe marrje mendsh si dehje!
I bukur dhe i trishtë qielli si një altar i madh.
Violina fërgëllon si një zemër në dhembje;
Zemra e butë, që urren hiçin e zi të paánë!
I bukur dhe i trishtë qielli si një altar i madh;
Dielli mbytet në gjakun e vet që derdhet.
Zemra e butë, që urren hiçin e zi të paánë,
Nga e shkuara e ndritshme çdo relike e mbledh!
Dielli mbytet në gjakun e vet që derdhet…
Kujtimi yt në mua përndrit kolonë kristali!
Paul Verlaine (1844-1896)

Paul Verlaine
TINGULLI I BRIRIT
Tingulli i bririt drurëve vjen i mjerë
Me zërin e jetimit që ndjen dhembje
Dhe vjen të vdesë kodrinave në rrëza
Mes duhmës që si lehje shfryn ndër degë.
Te ky zë qan ujku shpresë-prerë
Që rritet ndërsa dielli është në rënie,
Me një agoni besueshmërisht të ëmbël
Që na ngazëllen e na molis herë-herë.
Ja, këtë ankim disi për ta fashitur
Ra kjo borë e dendur e papritur,
Mbuloi një perëndim të paharrueshëm.
Ajri me aromë psherëtimash vjeshte,
Kaq ëmbël ra kjo mbrëmje n’heshtje,
Ky peizazh në mëdyshje i ndërrueshëm.
TINGULLI I BRIRIT
Tingulli i bririt si qarje vjen, i mjerë
Si zë i një jetimi që ndjen dhembje
Dhe vjen të vdesë kodrinave në mbrëmje
Në erën që si lehje drurëve bredh.
Shpirti i ujkut te tingulli vjen i ndjerë
Që rritet ndërsa dielli është në rënie,
Me një agoni besueshmërisht të ëmbël
Që na kënaq e na pikëllon herë-herë.
Ja, këtë rënkim disi për ta fashitur
Ra kjo borë e dendur e papritur,
Mbuloi një perëndim të flakërueshëm.
Ajri plot ajër psherëtimash vjeshte,
Kaq ëmbël ra kjo mbrëmje n’heshtje,
Ky peizazh mes nazesh i ndërrueshëm.
ORA E BARIUT
E kuqe është hëna nëpër renë e hollë
Një mjegull vallëzon. Lëndinat
Flenë nën tym, bretkocat japin britmat
Ndër kallamat e blertë një fërgëllimë shkon.
Zambakët e ujit i rimbyllin kunorat
Shihen plepat në profilet e largët,
Të drejtë e të dendur, vegullitë e tyre të paqarta,
Nëpër kaçube bredhin xixëllonjat.
Bufët zgjohen, me pak zhurmë në flatra
Vozisin në ajrin që nxin.
Zeniti mbushet nga drita pa shkëlqim
E bardhë Venera lind. Dhe kjo është Nata.
PAS TRE VJETËSH
E shtyva portaren që kërciti në reze
Dhe kopshtin e vogël e shëtita,
Larë nga dielli kur sapo pat nisur dita
Që stolis çdo lule me perla vese.
Asgjë s’ka ndërruar. Çdo gjë siç e prita,
Pjergulla harlisur ndër ulëse roteni
Dhe uji përherë me çuçurimë argjendi,
Dhe plepi plak n’ankime t’pambarimta.
Trëndafilat fërgëllojnë si përherë
Zambakët e çelur krenar hidhen n’erë,
I njohur m’është çdo harabel lazdrues
Si më parë e pashë statujën e Veledës
Me cifla allçie shpërndarë udhës
– Breshër mes ere të merme rezede.
* * *
Bie ambël shiu mbi qytet
(Arthur Rimbaud)
Loton në zemër time
Si shiu mbi qytet
Ç’të jenë këto lëngime
Që shkojnë zemrës sime!
O zhurmë e butë e shiut
Shkon mbi çati e n’për dhe,
Për një mërzi të njeriut,
O kangë e ambël e shiut!
Loton kështu pa arsye
Në zemër angështi
Çfarë? A prej tradhëtie?
Kjo dhembje s’ka arsye.
Më dhemb dhe çka s’më dhemb
Me e ditë pse, s’e di,
Pa dashtni, pa brengë,
Një helm që s’ka melhem.
* * *
Qielli shihet përmbi çati
I qetë, blu.
Një pemë përmbi çati
Kunorën tund.
Kambana ndihet n’për ajri
Si bie ambël.
Një zog mes gjethesh mbi çati
Ankon me kangën.
O Zot, jetën si e ndiej s’e di,
Si prej jehone,
Qyteti m’sjell me qetësi
Zhurmë monotone.
Ku e çove vallë, o atje ti
Që re në vaj,
Ku e çove, m’thuej, nj’atë rini,
T’bukrit e saj?
Arthur Rimbaud (1854-1891)

Arthur Rimbaud
NDIJIM
Netëve blu të verës shtigjesh kam me dalë
Nga bari i joshun, nga grujnat i thumbuem
Kam me e ndje vesën si kambët m’i lag
Dhe erës kam me ia lanë kryet e zbuluem.
As fjalë s’kam me folë as me mendue asgja
Veç e pafund dashnia ka me m’ra në shpirt
Dhe larg kam me shkue si një bohemian
Me Natyrën përkrah si me gruen ma të mirë.
Mars 1870
BOHEMA IME
Shkoja me grushtat nё xhepat e shkyer
Me bluzën e vjetёr si napë e ronitur
Nën qiell skoja, Muzë, unë besniku yt
Oh, gjithë ç’pashё qe një ёndёrr e shkëlqyer.
Të shkurtra kilotat i pata, dhe me vrima,
Për shënja udhe zhgoglova poezinë
Dhe mora Arushën e Madhe për bujtinë
Më grishnin yjet shetitës me vizllima.
I ulur buzë udhe i ndieja shtatorit
Në netët e vakëta kur pika vese më vesonin
Flakruese në shpirt si kupat e verës
Rima ndёrsa bëja mes hijesh fantastike
Si telat e lirёs i tёrhoqa lidhёset
E këpucëve të ҫara: njёra pranё zemrës.
Guillaume Apollinaire (1880-1918)

Guillaume Apollinaire
LAMTUMIRA
E këputa këtë fije shqope
Ti e di se vjeshta vdes
Ne nuk do shihemi ma këso bote
Aromë kohe fije shqope
Dhe ta dish se unë të pres
VJESHTA
Shkon nëpër mjegull një lavërtar sakat
Me kaun përlaku mjegullës së plotë
Që fsheh katundet e varfër e të ngratë
Dhe tek zbret teposhtës pendari ia thotë
Një kënge jaranie të pabesë
Që flet për një unazë e një zemër në zi.
Oh, vjeshta, vjeshta e la verën të vdesë
Nëpër mjegull shkojnë dy silueta gri.
* * *
O rinia ime e braktisur
Si gjerdani i venitur
Ja si vjen një stinë
Gjithë përbuzje dhe dyshim
Ky peizazhi gjithë prej çadrash
Nën yjet që lulëzojnë
Mbi një lumë të fshehtë gjaku
Dhe i vetmi kalimtar një klloun
Është thyer xhami në suazë
Një pamje që ç’t’i thuash
Hepon mes tingullit dhe mendimit
Mes t’ardhmes dhe kujtimit
Një rreze e ftohtë sfondit shndrit
Dhe te faqja jote bie
Një revole kris një britmë
Një portret qesh në hije
O rinia ime e braktisur
Si gjerdani i venitur
Kështu kjo stinë na ra mbi krye
Gjithë keqardhje dhe arsye
Përktheu: Sokol Zekaj
NO COMMENT