W.B. Yeats
UJDHESA MBI LIQEN
Do ngrihem të shkoj, ora po vjen
Të ngre koliben prej thuprash të njoma:
Një zgjua me bletë, perime të kem,
I vetëm t’ia mbledh lëndinës aromat.
Të gjej pak paqe që vjen ngadalë
Pikuar prej agu, ku bulkthi sa çmendet;
Çdo natë – lëbyrje, pasditja – përflakje,
E mbushur flatrime prej turtujsh çdo mbrëmje.
Do ngrihem të shkoj, të shkoj n’Inisfri
Të shoh si bregun lëpin liqeni:
I ngulur dikur kalldrëmesh të hirta
Të ndjej si rrahka thellë në zemër.
Ezra Pound
NË NJË STACION TË METROSË
Shfaqja e këtyre fytyrave në turmë:
Petale në degën e lagët, të murrmë.
Theodore Roethke
ZGJIMI
I zgjuar për tjetër fjetje, e marr shtruar.
Ku mungon çdo frikë e ndjej tash fatin.
Mësoj në ecje ku duhet shkuar.
Mendojmë me ndjenja. E ç’duhet mësuar?
Dëgjoj vallen e qenies anembanë.
I zgjuar për tjetër fjetje, e marr shtruar.
Cili jeni, nga ç’më kanë rrethuar?
Zoti bekon Tokën! Do ec ngadalë,
Mësoj në ecje ku duhet shkuar.
Drita me pemë si janë përqafuar?
Një krimb i mefshtë në dredhën e shkallës.
I zgjuar për tjetër fjetje, e marr shtruar.
Natyra diçka na ka dhuruar:
Prandaj përqafe ajrin e gjallë.
Mëso në ecje ku duhet shkuar.
Kjo shtytje më pjek: duhet mësuar.
Ç’këputet nuk zhduket. E kemi pranë.
I zgjuar për tjetër fjetje, e marr shtruar.
Mësoj në ecje ku duhet shkuar.
T.S. Eliot
KËNGË DASHURIE E A. PRUFROCK-UT
Hajt, të dalim, pra, së bashku,
Kur faqe qielli shtrihet nata
Si pacient në tryezë kirurgu.
Të bredhim mes rrugësh të shkreta
Dhe lokalesh të paqeta,
Ndër hotele ku një natë rrihet
Me dyshemenë plot guacka stridhesh:
Rrugë që ndjekin si argument vulgar
Synimi tinzar
Që të çon në pyetje shtypëse.
Mos pyet “Ç’pyetje”?
Të nisemi vizitën ta kryejmë.
Në dhomë vejevinë gratë
Që flasin për Mikelanxhelon.
Mjegull e verdhë që shpinën rjep ndër qelqe,
Tymi i verdhë që kruan fytyrën ndër qelqe
Frushkulloi gjuhën ndër qoshet e natës
Këmbëmarrë mbi prroskat në tharje,
Priti kurrizit bloza oxhakësh
Tek varej terracës, ka bërë një hedhje,
Kur pa një natë të butë vjeshte,
Mbeti kruspull mbi strehët e fjeti.
Në të vërtet kohë do ketë
Për tymin e verdhë që shket tatëpjetë
Duke kruar shpinën ndër qelqe,
Kohë do ketë, kohë do ketë
Ta bësh gati fytyrën për takime
Do ketë kohë për vrasje e krijime
Kohë për vepra e ditë duarsh
Që ngrenë e hedhin pyetje për ty
Kohë për ty e kohë për mua
Dhe kohë për njëqind mëdyshje
Për njëqind shqyrtime e rishqyrtime
Para se të marrim çaj e panine.
Në dhomë vejevinë gratë
Që flasin për Mikelanxhelon.
Në të vërtet kohë do ketë
Për pyetjen – A kam guxim? A kam guxim?
Kohë për zbritje e kohë për kthim
Me shogë tullace majë kokës
(Do thonë – të rrallë iu bënë flokët!).
Kostum mëngjesi e jaka e ngritur përpjetë
Kravata moderne, karfica e lehtë.
A do guxoj të shqetësoj gjithësinë?
Në një çast ka kohë për vendime dhe korigjime.
Sepse tashti e njoh gjithçkanë
Kam njohur mbrëmjet, mëngjeset, pasdreket
E mata me lugë kafeje dhe jetën
I njoh zërat që shuhen me ritmin e mekur
Përposh muzikës së dhomës matanë.
Si mund të gënjej më veten?
Tashmë i kam njohur të gjithë shikimet,
Shikimet që të ngulin në frazën e gatshme,
Te frazë e gatshme, tek shtrihem prej kapjes
Kut t’jem gozhduar, tek bëj dredha në mur,
T’ia nis, a mundem,
Të pështyj si fundçe cigaresh ditët dhe rrugët e mia?
Si mund të gënjej më veten?
Tashmë i kam njohur të gjithë krahët,
Krahë me relike të bardhë e cullakë
(Nën dritën e llampës pushi duket i murrmë).
Parfumi që vjen nga gratë
Më bën të humb toruan?
Krahë të shtrirë mbuluar me shall.
Si mund të gënjej më veten?
Si mund të nis tashti?
Do them përshkova në muzgje sa udhë
E ndoqa tymërat që ngrihen nga llulla
Burrash të vetmuar në dritare?
Më mirë të isha një palë kthetra vrastare
Që ngasin te fundi i detit në gjumë.
Pasditja, në mbrëmje, kotet e paqtë
Përkëdhelë nga pak nga gishta të gjatë,
Përgjumur… e lodhur… a lëngimtare,
E shtrirë përdhe, pranë meje, a teje.
Pas çajit, akullores dhe kekut,
A e çoj çastin në krizën e vet?
Edhe pse qava, kreshmova, u luta,
Edhe pse pashë kokën (të bërë tullace)
T’ma sjellin te pjata,
Nuk jam profet – e kjo vlerë nuk ka.
Kam parë të dridhet çastin e ndritur
Kam parë Lakeun e Përjetshëm t’më mbajë
Pallton, ckërmitur,
E, shkurt, frikë pata.
Në fund të fundit, ia vlente dot
Pas çajit, filxhaneve, reçelit,
Mes bisedash mes meje teje
Do vlente mundimi të presësh
Çdo gjë me darën e qeshjes,
Gjithësinë ta kthesh në top
Që shtyhet drejt pyetjes dërmuese,
Me thanë:”Jam Llazari, kthehem nga vdekja,
Kthehem t’ju them gjithçka, gjithçka – sot” –
Nëse dikush vë nënkrejsë vetes përposh
Do thoshte: “Ç’pata parasysh, s’është kjo,
S’është kjo.”
Në fund të fundit, ia vlente vallë,
Do vlente mundimi
Pas muzgjesh, pas kopshtesh e rrugësh të lagura,
Romanesh e kupash të çajit, fustanesh
Që fërfërijnë mbi dyshemenë,
Pas kaq e shumë herë më tepër se kaq? –
E pamundur të them se ç’më bren përbrenda,
Sikur fanar magjik tregon nervat e shfaqura në ekran
A do vlente mundimi
Nëse dikush vë nënkrejsën a heq një shall,
Duke kthyer nga dritarja të thoshte:
“Ç’pata parasysh s’është kjo,
S’është kjo.”
Nuk jam princi Hamlet, as dua të jem:
Jam një oborrtar shpure, me dobi
Me ngritë një sukses, skena dy a tri,
Këshilla për princin; padyshim, instrument i ri,
Sajdisës, gjithë qejf për të bërë ndere,
Diplomat, për kujdese i prerë,
Dendur me fraza solemne, por ndodh që vesh t’mos merren,
Ç’është e vërteta, gati gaz për të tjerët,
Gati i marrë, disa herë.
U plaka… u plaka…
Pantolla me mangjet do mbaj tash e prapa.
Do ndaj flokët në mes? Të ha një pjeshkë, do guxoj?
Do vesh dona të gjata, në breg të detit të shkoj,
Dëgjova sirenat, shoqja shoqes t’i këndojë.
S’besoj ta kenë me mua.
I pashë kalëruar drejt detit të hapur
Duke krehur floknajën e dallgëve
Kur uji nga era kthehet në zi e bardh
Në kthinat e detit jemi vonuar
Pranë sirenash me kurora algash të murrme
Derisa zërat njerëzorë na zgjuan, e shkuam drejt fundesh.
Përktheu: Gazmend Krasniqi
NO COMMENT