POETIKA E RENE SHARIT
Nga Prof. Ilia Lëngu
Kremtimet e shumta në kuadrin e 100-vjetorit të lindjes së Rëné Sharit, të cilin poeti i mirënjohur Filip Zhakoté e vlerëson si « një nga figurat më vezulluese të poezisë bashkëkohore », si dhe interesimi i madh i shfaqur përmes botimeve e veprimtarive të ndryshme gjatë gjithë vitit 2007, dëshmojnë në mënyrë të padiskutueshme përmasat e tij madhore dhe se tashmë ai përfaqëson një zë fort « të dallueshëm », si dhe një individualitet poetik të spikatur në kuadrin e poezisë moderne franceze dhe botërore.
Krijimtaria e tij, e shtrirë në një periudhë kohore prej më shumë se pesëdhjetë vjetësh, duhet rrokur në tërësinë e saj dhe jo përmes një qasjeje kronologjike. Vetëm kështu mund të vërehet koherenca e saj organike ose e brendshme, pavarësisht se në vështrim të parë ajo të krijon përshtypjen se është e shpërndarë në shumë drejtime apo ka karakter fragmentar, gjë të cilën poeti nuk ka ngurruar ta vërë vetë në dukje përmes titullit të një prej vëllimeve më të njohura të tij . Nga ana tjetër, shqetësimi i poetit për të bashkuar në një të tërë gjithë krijimtarinë e tij të të gjitha periudhave krijuese shihet qart në antologjinë e përpiluar prej vetë atij në vitin 1964, me titullin kuptimplotë « E përbashkëta prani », ku poezitë janë grupuar jo sipas një rendi kronologjik por asociativ, duke krijuar korrelacione të shumëfishta mes tyre. Edhe pse « në arkipelagun e veprës, secila prej poezive përbën një ishull autonom » , çdo pjesë është e ngjashme me të tërën dhe përtej evoluimit të pamohueshëm të formave, të procedimeve poetike të përdorura, të temave apo motiveve të parapëlqyera, duhet rrokur përhershmëria dhe koherenca e saj e brendshme.
Përsa u takon pikëpamjeve dhe vizionit të tij për botën, Shari është shprehur vetë se ndihej pranë tre filozofëve të mëdhenj të cilët i vlerësonte në një farë mënyre si mjeshtërit, « aleatët » e tij, Heraklitin, Niçen dhe Heideggerin (ky i fundit ishte madje miku i tij). Me Heraklitin ai ndan pikëpamjet e tij kryesore si për shembull parimin themelor të « aleancës ekzaltuese të të kundërtave », apo idetë se « mospërputhja krijon harmoninë më të bukur » dhe se «krejt procesi i bërjes së gjërave është luftë » e pandërprerë. Ndërsa për Niçen, ai ka pohuar hapur ndikimin e tij mbi të dhe, në mjaft aspekte, ai mund të duket si niçean. « Origjina e tragjedisë, për mua, është libri themelor », është shprehur ai. Tek të dy vërehet e njëjta kryelartësi dhe sfidë ndaj moralit publik, si dhe rëndësia që u japin koncepteve të pesimizmit dhe të errësirës.
Sidoqoftë, tek Shari spikat përherë vendosmëria për të veçuar poezinë nga filozofia. « Poezia e tij është njëherazi e bukur dhe misterioze, verbuese dhe e errët », thotë Jean Voellmy në monografinë e tij kushtuar poetit . Ndërsa prestigjiozja Encyclopaedia Universalis, përmes penës së Jean-Claude Mathieu, e sintetizon si më poshtë individualitetin e tij poetik : « Tashmë klasike – (e botuar në të gjallë të tij nga Shtëpia botuese Pléiade) – vepra dinjitoze dhe vëllazërore e Rëné Sharit vezullonte prej kohësh përmes një errësire të përndritur (…). Ngashnjimi që ajo përcjell duket se e ka burimin sa tek një hapje aq dhe tek një tkurrje, tek shkrirja paradoksale e një gjuhe të zjarrtë me një mënyrë të shkruari eliptike ».
Shari është një poet i lidhur fort shpirtërisht dhe fizikisht pas vendlindjes së vet, Jugut të Francës, « vendit të magjepsur », siç shprehet ai. Veçse vihet re një lloj paradoksi : ndryshe nga banorët gazmorë e fjalëshumë të kësaj zone gjeografike, ai është më tepër një njeri i heshtur, i mbyllur brenda vetes, por që e ka « vetëtimën të shkruar mbi ballë », siç e përmend dhe titulli i një libri të fundit mbi jetën e tij . Sidoqoftë, « sa herë që fliste, fjalët e tij përpiheshin » .
***
Pa pasur pretendimin për të paraqitur fund e krye poetikën e Rëné Sharit, çka do të kërkonte doemos një monografi më vete, nisur nga dëshira për t’i bërë të njohur lexuesit shqiptar një zë madhor të poezisë moderne dhe botërore, m’u duk e udhës dhe e nevojshme të ndalem në disa prej aspekteve që mendoj se janë më domethënës lidhur me këtë çështje.
Poezia dhe poeti
Thuajse të gjitha tekstet e Sharit ku flitet për poezinë dhe poetin paraqesin interes të madh teorik dhe mundësojnë një njohje më nga afër të thelbit të poetikës së tij. Si poet me kërkesa shumë të rrepta, ai ka një ide tepër të lartë për poezinë dhe ecën pak a shumë në rrugën e përvijuar nga Malarmeja. Siç dihet, Malarmeja, Mjeshtri i pakundërshtueshëm i poezisë moderne, e çoi deri në kufijtë e skajshëm aventurën e ligjërimit poetik dhe përcaktoi si të vetmin synim për poezinë zbulesën e « kuptimit të fshehtë të ekzistencës », si dhe « shpjegimin orfik » dhe jo më « homerik » të reales apo të botës reale në tërësinë e saj. Reale që ai nuk e pranonte, madje e flakte tej si « të keqe », të pamjaftueshme sidoqoftë. Për pasojë, të mos përshkruhet, të mos emërtohet, por të sugjerohet; të mos pikturohet, riprodhohet sendi, objekti, por të jepet efekti i tij.
Përsa i takon Sharit, ai bën një dallim mes reales dhe realitetit. Ky i fundit na shfaqet në formën e një shumëllojshmërie marramendëse, kaotike, të shpërbërë, fragmentare, i papërfunduar në një farë mënyre. Kurse në rastin e reales, jemi ne ata që duhet ta zbulojmë dhe ta ndërtojmë. Dhe ç’gjë tjetër mund ta bëjë më mirë se poezia ? Nga kjo pikëpamje, Shari të kujton pararendësin gjenial të poezisë moderne, Bodlerin dhe teorinë e tij të afrive të quajtura horizontale dhe vertikale, si dhe rolin madhor të imagjinatës krijuese, « mbretëreshën e aftësive », sipas tij.
Falë « fuqive magjike dhe subversive të dëshirës »(Shar) dhe imagjinatës krijuese, në shkallë të dytë, që sipas Bodlerit bën të mundur deshifrimin e «harmonisë së padukshme dhe të thellë », si dhe « marrëdhëniet e fshehta dhe intime të gjërave », poeti i kundërvihet fragmentaritetit dhe gjendjes së papërfunduar të realitetit, zbulon koherencën e tij të brendshme dhe kësisoj, siç shprehet J-M. Maulpoix, « realja do të ishte pra diçka e ngjashme me ndjesinë e mrekullishme të realitetit, befasisht i zbuluar, i njësuar, mikpritës dhe i qëndrueshëm » . Detyra e poetit është pikërisht t’u zbulojë njerëzve të tjerë që nuk janë në gjendje ta bëjnë vetë koherencën dhe anën e mrekullishme të reales.
Në të vërtetë, Shari nuk shkëputet plotësisht nga një lloj ndjeshmërie surrealiste përballë botës së jashtme, përballë reales me të cilën ndihet ngushtësisht i lidhur. Poezia e konceptuar si ekzaltim i dëshirës e përforcon këtë ide. « Poezia është dashuria e sendërtuar e dëshirës së mbetur dëshirë », mendon ai, çka përkon me një shprehje të njohur të Pol Elyarit, « dëshirën e pamposhtur për të mos u shuar ». Madje, krejt si Elyari dhe në frymën surrealiste, Shari vendos thuajse shenjën e barazimit mes poezisë, dashurisë dhe së vërtetës, duke i parë ato si « sinonime ». Krijimi poetik ngjason me përqafimin dashuror dhe të sjell në mendje « aleancën ekzaltuese të të kundërtave ». E njëjta gjë mund të thuhet dhe për gruan dhe rolin e saj themelor si « medium i paskajshëm ». Ajo pjalmon zërin e poetit, ajo është « krijuar për takimin me të tashmen ». Rigjejmë kështu te Shari apologjinë e takimit që surrealistët e kishin aq fort për zemër. Në optikën e Sharit ka një ngjashmëri mes takimit dhe vetëtimës, të cilën shprehja goditje rrufeje, në kuptimin dashuri me shikim të parë, e përndjell përmes simbolikës së saj sugjestive, çka lidhet dhe me konceptimin e tij për poezinë dhe « energjinë e saj dislokuese ».
Figura e poetit, për nga mënyra si paraqitet në veprën e Sharit, ndriçon aspekte të tjera të poetikës së tij. Poeti është dhe mbetet një krijesë e shqetësuar, e pakënaqur, pyetjebërëse. Ai jeton në një « arratisje » të përhershme. Pa zbatuar në jetën e tij « çrregullimin e të gjitha shqisave » të poetit-vuajan, Shari ndan tërësisht frymën rebele rembaldiane dhe poezia e tij « Sa mirë që u largove, Artur Rembo ! » e konfirmon hapur. Poeti është « përherë i etur për të vërtetën dhe drejtësinë » (P.P., p.196.). « Etja » e tij është dhe mbetet përgjithmonë e pashuar. (shih « Kaq shumë i uritur » e cila hap dhe mbyll poezinë Të jetosh me njerëz të tillë, PL., p.144)
Falë dhuntisë së « prekjes së veçantë » që zotëron poeti, ai përfton një fuqi transfiguruese, transformuese të reales dhe shndërrohet kështu në « Krijuesin e parë të Madh », në « një majë diamanti aktuale », përmes së cilës, siç thotë J-M. Maulpoix « drita kalon dhe përthyhet » .
Për Sharin, gjendja njerëzore është në vetë thelbin e saj një shqetësim i përhershëm, çka bën që në botën ku ne jetojmë të mos ketë « vendbanim të përkryer » për njeriun dhe aq më pak për poetin, por vetëm « kënaqësi përshtatjeje ». « Njeriu me shputa prej ere », si dhe « anija » e tij « e dehur », janë me siguri pika referimi të njohura për të kur e përkufizon poetin si një ecës përherë në lëvizje dhe që kërkon vazhdimisht të çajë rrethin e ngushtë që i zë frymën, « të djegë vathën » ku duan ta mbajnë të mbyllur. Njësoj si Remboja, të cilin ai e quan një nga « aleatët substancialë » të tij, Shari i përbuz ata që rrinë të mbërthyer, « ulur », dhe është i pushtuar si ai nga « ethja për të shkuar larg e më larg », çka përkon dhe me frymën e vërtetë të krijimtarisë poetike.
Poeti jeton i vetmuar. Brenga është tipar i vetë natyrës së tij. « Kjo brengë është sëmundja “ yjore ” , ajo që Malarmeja e quante “ instinkti qiellor ”, uri për pafundësi, për bukuri, për ideal dhe për kuptim, një uri thuajse çnjerëzore për njerëzi » . Në çdo rrethanë poeti është dhe mbetet një krijesë posaçërisht e ndërlikuar, thellësisht e ndarë më dysh (shih Partage formel PL., f.155). Vetëm imazhet metaforike, shpesh të karakterit antinomik dhe me një shprehimësi të shumëfishtë, mund të jenë në gjendje të përcjellin veçanësinë e figurës së poetit « lindur » dhe « rritur », siç thotë Shari « mes kundërshtive të prekshme në çdo çast » (PL., f.482). Kështu ai e sheh veten njëherazi si « të përjashtuarin dhe të përkëdhelurin » (S.D., f.46), « magjistar të pasigurisë », « hi asnjëherë i sosur » (PL., f. 156), « udhërrëfyes pusesh të shterura », « zot i së pamundurës ». Herë të tjera, ai e krahason veten me një minator të thellësive, me një ngritës peshash apo me një lundërtar që çon të tjerët nga njëri breg në tjetrin. Dhe janë pikërisht këto aftësi e cilësi të pazakonta që i mundësojnë poetit të pozicionohet « në skaj të njohjes » (PL., f.751), e vetmja që mund të jetë « mallëngjyese », sipas Sharit. Imazhi enigmatik i një « maje » ku bashkohen tri « të pjerrta » që janë : « luzmimi, vetëtima dhe anatema » (PL, f.333), lejon t’i afrohesh më pranë konceptimit të Sharit për rolin, zotësinë dhe rrethanat në të cilat ndodhet poeti. Simbolika e pasur e këtyre fjalëve nënkupton mes të tjerash vullnetin për të shumëzuar dhe ndarë me njerëzit e tjerë dijet e tij, të përftuara në zemër të errësirës së ndriçuar nga ai që gjithsesi do të mbesë në mos « i mallkuar », doemos i pakuptuar dhe i vetmuar.
Poeti është kryengritës për nga natyra dhe sfidues i ligjit. Fryma e revoltës dhe e kundërshtimit është e gjithëpranishme në krijimtarinë e Rëné Sharit. « Ti revoltë aq e shtrenjtë, ti që dite, më mirë se çdo dhembshuri, të më vije në ndihmë dhe të më formoje », pohon ai (Rémanence PL., p.457). Secila prej poezive të tij, thotë Jean Roudaut, është « akt dhune ». Rëné Shari « është para së gjithash poet me temperament. Për të frymëzimi është kryengritje. (…) Shkrimtaria e tij mban nga kreu në fund shenjën e « dufit » dhe të « misterit ».
Në një nga poezitë e përmbledhjes « Çekiçi pa zot », poeti e përkufizon veten :
« Re kundërshtimi
Re e shpellave të moçme
Stërvitës hipnoze »
Sfida dhe zemërimi janë shpesh të pranishëm në veprën e Sharit. « Ai është nga të paktët njerëz që dinë të thonë JO, dhe të protestojnë kundër skllavërimit, apo marrëzisë së nocionit pushtet ».
Takimi me Surrealizmin ishte i pashmangshëm, madje i natyrshëm për vetë frymën që e karakterizonte si njeri dhe si krijues. « Përdorimi sistematik i imazhit, vënia në pikëpyetje e ideve të trashëguara, dëshira për të lidhur sa më ngushtësisht poezinë me jetën, kërkimi i një realiteti të ri, apologjia e së mrekullishmes, vullneti për të çuar “ më tej ”, eksplorimi i “ qiellit të brendshëm të njeriut ”, janë gjithaq synime apo pozicionime që e lidhin Sharin me surrealizmin ». Veçse ai nuk ndan me ta as praktikën e të shkruarit automatik , as përparësinë e irracionales. « Do të më duhet të ndërroj rregullat e mia të ekzistencës », shprehet mjaft herët ai në Çekiçi pa zot.
Në këtë rast ndryshimi është, sigurisht, sa në planin ekzistencial aq dhe artistik. Përsa i takon këtij të fundit, ai është tashmë më i vendosur të shprehë përmes poezisë së vet « të përbashkëtën prani », « jetën e pashprehur » dhe « jetën e vërtetë ». Ndërsa në planin ekzstencial, angazhimi konkret i njeriut të lirë, i cili nuk e ka të nevojshme të jetë anëtar i ndonjë partie as pjesëmarrës i ndonjë grupimi dhe as të besojë në njërën apo tjetrën ideologji për të mbrojtur vlera njerëzore themelore si liria apo dinjiteti, shihet veçanërisht gjatë viteve të vështira të Rezistencës. Në një kohë kur të tjerë janë të mendimit se poetët nuk duhet të komprometohen duke u angazhuar në jetën politike dhe shoqërore të kohës së tyre dhe flasin për përdhosje a humbje nderi, Shari zgjedh, pa ngurrimin më të vogël, kundërveprimin e armatosur përballë barbarisë fashiste .
Ligjërimi poetik
Parimi bazë është flakja e gjithçkaje që është përshkruese apo rrëfimtare. Tipari mbizotërues është bashkimi apo shkrirja e elipsit të papritur me imazhin sugjestiv shumëkuptimor. Kemi të bëjmë me një ligjërim të një rreptësie sipërore, të përpunuar gjatë me saktësinë apo përpikmërinë më të madhe (shih poezinë E përpikta). « Poezia, misteri kurorëzues » shndërrohet në një të folur të veçantë që fiton zotësinë e lartësimit të statusit, të gjendjes së asaje për të cilën merr përsipër të flasë. Ky ligjërim poetik është në gjendje të sfidojë dhe të pajtojë të kundërtat (shih « kundërshtarët luajalë », si dhe çiftet kundërshtuese por pjellorë : errësirë/dritë ; prani/mungesë, etj.).
Eshtë e qartë se ky lloj ligjërimi poetik paraqet vështirësi për t’u zbërthyer e kuptuar dhe shpesh është cilësuar si i errët, veçse mund të shtohet gjithashtu se bëhet fjalë për « një errësirë vezulluese, për një hermetizëm gjallërues ». Ai ngrihet mbi një « rrjet jashtëzakonisht të ngjeshur » kuptimesh dhe imazhesh shqisorë a ndijimorë që hyjnë në korrelacione të shumëfishta. Ky lloj ligjërimi me shkallë të lartë qarkullimi kuptimor krijon vetiu hapësirë për një shumësi interpretimesh. Mjafon të përmendim poezinë Poetët ku Shari i paraqet lexuesit një portret fort të habitshëm dhe enigmatik të figurës së poetit :
« Në vatrën e kudhrës
Jeton i vetmuar poeti
Karrocë dore e moçalishteve »
Poeti shihet kryesisht si një farkëtar ligjërimi. Imazhi i « poetit të vetmuar që transporton poezitë e tij përmes moçalishteve » është tepër mbresëlënës e suggjestiv. Koncizioni, ngjeshja maksimale, përsosmëria lapidare janë veçori fare të dukshme të ligjërimit poetik të Sharit. « Poezi e poezisë » apo « poemë e thelbit të poemës », e ka quajtur kritiku i mirënjohur Maurice Blanchot. Poetika e Sharit përkon plotësisht me atë çka përbën themelin e lindjes dhe të zhvillimit të artit modern në përgjithësi dhe të poezisë moderne në veçanti, estetikën minimaliste të mbështetur mbi përqëndrimin maksimal të mjeteve shprehëse. Këndej buron dhe parapëlqimi absolut për poemën, tekstin poetik « sintetik », të tkurrurr në thelbin e vet. Në këtë këndvështrim, Shari ka praktikuar përherë « një mënyre të shkruari të shkurtër, të ngjeshur, eliptike dhe fragmentare, hermetizmi i së cilës dekurajon shpesh përpjekjen për ta interpretuar ». I takon lexuesit të zbulojë të fshehtat e saj, hermetizmin apo errësirën qëllimisht të kërkuar nga poeti. Dhe s’prish punë nëse ai nuk është në gjendje ta bëjë apo çoroditet ! Shari është shprehur hapur mbi këtë çështje. « Eshtë e nevojshme të mësojmë sërish si të gdhendim sileksin në agim dhe t’i kundërvihemi lumit të fjalëve » ose « Poeti dallohet nga sasia e faqeve të papërfillshme që nuk shkruan », ka pohuar ai.
Ligjërimi poetik i Sharit është i shenjuar nga një tension i brendshëm. I mbajtur brenda vetes aq gjatë sa është e mundur deri sa të përftojë forcën e shpërthimit të papritur të një rrufeje. « Na duhet një frymëmarrje e aftë për të thyer qelqin e dritareve. E gjithsesi na duhet një frymëmarrje të cilën mund ta mbajmë për një kohë të gjatë » (A une sérénité crispée PL., p.747). Ai e rimerr dhe e shtjellon idenë e nevojës absolute për një ligjërim fortësisht të ngjeshur brenda vetes, të cilën ai e vlerëson si një kusht sine qua non për t’u matur « me botën rebele dhe të vetmuar të kontradiktave » në Poemë e thërrmuar (PL., f.247).
Një konceptim i tillë vërehet përmes prirjes së përgjithsuar për një thjeshtim të gjuhës, duke shprehur vetëm atë çka është thelbësore. Përvoja intime e kapur sa më pranë perceptimit. Kritiku Gaétan Picon thotë se « Shari flet më tepër për t’u përjetuar sesa për t’u kuptuar, për të na emocionuar, për të ndikuar mbi ne : për të poezia është veprim » dhe se poeti « ka ditur të kapë (…) energjinë atomike të gjuhës ».
Qasja shqisore dhe analogjike mbizotëron në raport me qasjen racionale e logjike. Kërkimi në sferat më abstrakte shprehet përmes një thjeshtësie elementare, qashtërsive të natyrshme, përvojave dhe ndijimeve fillestare dhe të thella të nxjerra nga jeta e përditshme. Kështu për shembull lauresha, « ngashnjyesja », e transfiguruar në « prushi skajor i qiellit dhe vrulli i parë i ditës », të cilën « e vrasin duke e mrekulluar » apo zogu që me këngën e tij njofton kohën e zisë nën pushtimin gjerman. Mbresëlënëse mbetet edhe hardhuca në kontakt me të fshehtat më të thella :
« Kush më mirë se hardhuca e dashuruar
Mund t’i rrëfejë të fshehtat tokësore ? »
Zogj të tjerë (qukapiku, gushë-kuqi, dallëndyshja), insekte (bleta, bulkthi) ose kafshë (qengji, qeni) apo bimësia karakteristike e vendlindjes (ulliri, bajamja, shega, bozhurja e egër), elementet primordialë (uji, toka, ajri, zjarri, era), si dhe disa emra të dashur të toponimisë vendore (lumi Sorga, posaçërisht, që shndërrohet në « metonimi të dhuntisë së tij poetike » ) përftojnë një simbolikë tepër sugjestive. Gjithçka kthehet në shenja të çastit të atypëratyshëm, në dëshmi të një qashtërsie të pashprehshme të cilën vetëm poeti ka aftësinë ta dallojë, duke u dhënë atyre një status të ri — përcjellës mesazhesh për çka gjallëron dhe sendërton realen. Këtu mund të shtohen dhe një kategori e veçantë qeniesh njerëzore të lidhur thellësisht me pejzazhin provansal, të cilët Shari i quan « njerëz të së vërtetës » dhe i përmend nën emërtime të ndryshme mjaft kuptimplote si : « të thjeshtët », « të tejdukshmit », « mëngjesorët » apo « endacakë hëno-diellorë ». Dhe nuk është e rastit që ata ushtrojnë të gjithë zeje të rrënjosura prej shekujsh në tokën stërgjyshore (farkëtar, bukëpjekës, shportar, peshkatar, madje dhe mbledhëse mimozash).
Rezultati përfundimtar i një konceptimi të tillë të ligjërimit poetik është poezia sfiduese, e cila i kundërvihet hapur « poezisë oborrtare » dhe konformizmit të saj me frymën dhe forcën e saj rebele, kryengritëse. « Poema është një ngjitje e furishme ; ndërsa vetë poezia lojë e brigjeve të thata »(F.H., p.101). Për Sharin poezia është « furrë ku digjet realja » dhe poeti « Fillues i madh », « një mëngjesor » i cili lëshon « breshëri ardhmërie » (shih imazhi emblematik i lumit La Sorg apo ai i Rembosë).
Poezitë kanë thuajse përherë strukturën e mëposhtme : Titullin. / trungun e tekstit ngritur mbi një perceptim apo ndijim. / Sekuencën mbyllëse e cila të detyron t’i rikthehesh titullit dhe kuptimit të tij. (Shih p. sh. « Arratisur nga arkipelagu » ose « Çdo jetë »)
Në brendësi, « çdo fjalë ose pothuajse duhet të përdoret në kuptimin e saj fillestar. Disa, duke u veçuar, kthehen në të shumëvlerëshme. Ka dhe syresh që janë amnezike. Yjësia e Vetmitarit është e tendosur », është shprehur vetë poeti. Dhe, sigurisht, e gjitha e mbështjellë nga një dritë-hije e domosdoshme për poezinë, e cila njësoj si preja e përndjekur lipset të gulçojë e të dridhet gjithë kohës, sipas një imazhi sugjestiv të Sharit. Është pikërisht në suazën e këtij konceptimi të ligjërimit poetik që ai ka formuluar një prej parimeve themelorë të poetikës së tij : « Një poet duhet të lërë gjurmë të kalimit të tij, jo prova. Vetëm gjurmët të bëjnë të ëndërrosh ». Gjithmonë brenda kësaj bindjeje, « e panjohura », « e pathënshmja » dhe « e paarritshmja » nuk mund dhe nuk duhet të ndriçohen nga shumë afër. Vepra e poetit duhet të mbetet « e pavulgarizueshme ». Sidoqoftë, krijimtaria e Sharit arrin të përftojë në këtë rrugë zotësinë e mistershme për të bërë të prekshme atë që Maurice Blanchot e quan « prania e një mungese », çka është një tjetër tregues i modernitetit të ligjërimit poetik të Rëné Sharit.
Imazhet poetike
Përqasja analogjike pak a shumë e largët mes një krahasuesi dhe një të krahasuari, e cila është në origjinën e çdo imazhi poetik, konceptohet në mënyrë tepër të lirshme prej Sharit, që shpesh sfidon logjikën njerëzore të zakonshme. Falë imazhit, poeti vendos marrëdhënie të reja mes elementeve të ndryshëm që përbëjnë universin tonë material dhe shpirtëror dhe e fton lexuesin të ndajë me të këtë vizion të ri të gjërave i cili i drejtohet më tepër imagjinatës sesa arsyes sonë. Kështu për shembull në rastin e poetit të vetmuar që jeton në « vatrën e kudhrës », i përfytyruar si « karrocë dore e moçalishteve » apo « kimera e njomështisë së natës » mbi buzët e mbledhses së mimozave, « sileksi që rrëqethet nën bisqet e hapësirës » ose Orioni i shndërruar në « pëshpërimë mes yjesh ».
Imazhi ka aftësinë e transfigurimit dhe mundëson zbulimin e anës së mrekullishme të reales. « Imazhi vezullon », thotë Shari dhe harku i shkurtër i beftë që ai shkakton, ndriçon « të nëpërshfaqurën », e vetmja mënyrë jetese e mundshme për njeriun, sipas poetit (« ne s’mund të jetojmë veçse tek e nëpërshfaqura », PL., f.411). Imazhi nxit shprehjen e një mënyre « të menduari mëngjesor » që është i aftë për të konceptuar me një këndvështrim të ri universin ku jetojmë.
Imazhi i vërtetë poetik nuk është asnjëherë qëllim në vetvete. Falë tij ligjërimi poetik përfton mundësi të reja shprehëse. Imazhi është i gjithëpranishëm në poezinë e Sharit, i cili « mendonte përmes imazheve », thotë Paul Veyne. Ai e përdor atë në mënyrë sistematike dhe e konsideron si një mjet të domosdoshëm për të sendërtuar atë që ai e quan « verimi i verbit ». Siç e ka vënë në dukje J-M Maulpoix, për Sharin, imazhi është « përbërësi kryesor i një poetike të fillimit dhe të kurorëzimit» , duke zbuluar dhe krijuar lidhje të reja mes gjërave. Kësisoj, ai « nuk funksionon si një gjetje e kulluar : as arbitrare, as rastësore, as e kushtëzuar nga rrethanat, ai dallohet qartas prej automatizmave të përftimit të imazhit surrealist » . Bimësia dhe fauna e vendlindjes, përjetimet vetjake, ndjeshmëria e hollë dhe leximet e shumta janë një burim i pashtershëm imazhesh, ku abstraktja dhe konkretja, sinestezitë më të pazakonta dhe mbresëlënëse (p.sh. « kafazi i madh i egër, deti naiv si një dredhkëz » ose « dashuria ime me fustan fari të kaltër ») sendërtojnë synimin e shprehur hapur të « zotit të së pamundurës » për të treguar vetëm « gjurmë » dhe për ta bërë lexuesin « të ëndërrojë ». I tillë është për shembull Orioni, gjahtari mitologjik, « shenjuar pafundësie dhe etjeje tokësore », që « arratiset » nga « arkipelagu » i vet qiellor për t’u rikthyer mes njerëzve, duke u bërë simboli sugjestiv i një mënyre të re të jetuari dhe të menduari.
Format poetike
Shari alternon format poetike në varg apo në prozë me të njëjtën mjeshtëri, por ajo që mbizotëron është fragmenti i cili, sipas J-M. Maulpoix, « imponohet përfundimisht, përmes shpejtësisë dhe ngjeshjes së tij, si modeli stilistik i tërësisë së shkrimtarisë së tij » . Disa prej titujve të librave të tij (Poema e thërrmuar ; E folura në arkipelag ; Në tridhjetë e tre copa) përputhen dukshëm me këtë parapëlqim të Sharit. Ideja e thërrmimit apo e copëzimit bie në sy dhe tek aforizmat gjithashtu. Madje dhe vetë poeti shihet si një « gjigant i shpërbërë » (P.P., p.178).
Sidoqoftë, në vargje apo në prozë, siç u përmend më lart, poezitë e Sharit karakterizohen nga koncizioni dhe shkurtësia. Poeti i tkurr maksimalisht mjetet gjuhësore të përdorura dhe zbaton atë që ai e quan « shkurtësia magjepsëse », të shkruarit eliptik. « Unë nuk i djeg ndërresat, por i shmang ato. Poezia e shkurtër ka lindur nga kjo shmangie », ka pohuar ai (PL., p.823). Siç e ka vënë re Maurice Blanchot, « frazat e Rëné Sharit, ishuj kuptimesh, janë të vendosura pranë njëra-tjetrës, më shumë sesa të bashkërenditura ».
Shpejtësia është një tjetër tipar mbizotërues i poetikës së tij në përgjithësi dhe i artit të tij të të shkruarit në veçanti, gjë që poeti e sinjalizon vetë madje në poezinë e tij të njohur « E përbashkëta prani » :
« Ti nxiton të shkruash,
Si të ishe më vonë se jeta.
(…)
Shpejto.
Shpejto të përcjellësh
Pjesën tënde të mrekullueshmes të rebelimit të bamirësisë. »
J-M. Maulpoix për të përkufizuar vargun e Sharit përdor termin « impulsiv » dhe shton se në përfytyrimin e poetit vjershërimi ngjason me ecjen. Ky lloj vargu i tkurrur në thelbin e vet u jep poezive të tij tiparet e haikut japonez. Ndërsa poemat në prozë karakterizohen nga kompaktësia e tyre dhe kanë një strukturë prozodike, rrjete kuptimore dhe rimarrje e përsëritje të përpunuara me mjeshtëri.
Sidoqoftë, në të gjitha rastet poeti i shmanget rrëfimit ose të paktën e shkurton atë në maksimum. Shembulli më domethënës është poezia « Gargulli », ku i vetmi element rrëfimor, dhe ky jashtë tekstit, është data « 3 shtator 1939 », dita e shpalljes se Luftës së Dytë Botërore :
« Gargulli hyri në kryeqytetin e agimit.
Me shpatën e këngës mbylli shtratin e trishtë.
Gjthçka mori fund përgjithmonë. »
Edhe tek aforizmat, kjo formë të shkruari e hershme së cilës Shari i dha një frymë të re dhe e lartësoi, spikasin të njëjtat veçori të poetikës së këtij poeti. Parapëlqimi në periudhën e fundit të krijimtarisë i kësaj forme poetike është në logjikën e gjërave dhe krejt i natyrshëm për të. Aforizmi përputhet me pikëpamjet e poetit, sepse megjithëse është një çelës që mundëson « një njohje produktive të Reales » (PL., p.61), ai nuk pohon asnjëherë në mënyrë kategorike të vërteta me vlera universale. Njësoj si e folura e orakujve, ai mbetet enigmatik, i hapur për një shumësi kuptimesh dhe interpretimesh, duke qenë përherë « vetëm fillesë të vërtetash » (F.H., p.135), « një formë të menduari mëngjesore », si të thuash. Nga ana tjetër, aforizmi përputhet me poetikën e fragmentit dhe bindjen e poetit se « ne nuk mund të jetojmë veçse tek e nëpërshfaqura » (PL., p.411)
Fjalë-kyçe, referenciale
Disa fjalë fjalë-kyçe apo referenciale, që kanë një përdorim më të shpeshtë në leksikun e poetit, janë tregues të vlefshëm për të zbërthyer kodin e poetikës së tij. Kështu për shembull, në krye të listës mund të veçohen vetëtima dhe burimi, të cilat kanë lidhje të fshehta mes tyre. Vetëtima ndriçon në mënyrë të beftë natën, errësirën, duke hapur shtigje të reja në thellësi të së panjohurës. Ajo i ngjan një shenje përjetësie të shpallur. « Një e ardhme që mbetet e ardhme ». Ndërsa burimi, është ajo çka lipset rigjetur, ajo drejt së cilës duhet ringjitur. Duke ecur kundër rrjedhës. Dhe jo në kohë të shkuar por drejt së ardhmes. Vetëtima dhe burimi simbolizojnë hapjen për kah e ardhmja dhe përjetësia.
Mirëpo kur gjendesh brenda « kohës së thërrmuar », si në rastin e Rezistencës për shembull, Shari e di se duhet të përdorë pritjen dhe ngadalësinë për të mundësuar ngjitjen drejt burimit : « I robëruar, m’u desh të pranoja ngadalësinë e dredhkës teksa i sulet gurit të përjetësisë ». Poeti luftëtar, që hidhet në veprim konkret kundër « qenëve të skëterrës », hesht vullnetarisht dhe praktikon atë që ai e quan « letargji flakëruese ».
Bukuria ka qenë një referencë, një vlerë, madje dhe një devizë themelore për poetin. « Gjithçka për Bukurinë », shkruan Shari. Në poezinë « Nyja e zezë » ai pohon hapur :
« Ti je e dashura ime,
Dhe unë i dëshiruar për ty ».
Bukuria është një hyjni « e pambrojtur » dhe kur ajo është e kërcënuar duhet mbrojtur e shpëtuar, si p.sh. përballë « leprës së sigurt të përbindshave », kur luftëtari antifashist i zë vendin poetit. Në këtë aspekt ai ka një koncept më « tokësor » dhe ndjeshëm të ndryshëm nga ai i Dostojevskit, i cili e shihte Bukurinë më tepër si një aspiratë për të shpëtuar njerëzimin, por që mbetet një ideal mjaft i vagullt.
Shari vendos një lidhje intime mes Bukurisë dhe Dritës. Kështu p.sh. kur drita e një llambe apo qiriri gris errësirën, duke « mbajtur të gjallë thellë nesh kurajon dhe heshtjen ». Tabloja e piktorit Georges de la Tour « I burgosuri » përcillte për të një simbolikë tejet sugjestive. Si dhe në rastin e Edgar Poes dhe Bodlerit, mes poetit dhe piktorit nuk kemi të bëjmë as me rastësi, as me ndikim, por me lidhje të brendshme, afinitet të thellë. Edhe në kohërat më të vështira të Rezistencës antifashiste, Shari ruante gjithmonë pranë një riprodhim të kësaj pikture. Siç shprehet Jean Roudaut në komentin e vet për këtë çështje, « Engjëlli bën që, sa zgjat një vetëtimë, përjetësia të ngulitet në kohë » dhe se bëhet fjalë për një « dritë engjëllore dhe shpëtimtare ».
Ndër fjalët e tjera-kyçe të Sharit janë gjithashtu hyjnorja, nata, e panjohura, vdekja.
Hyjnorja, në përfytyrimin e poetit, i kapërcen caqet e referencës me këtë apo atë fe të veçantë. Përmbajtja e fjalës nuk ka të bëjë me « zotat shpërblyes apo ndëshkues » të njohur deri më sot, të cilët nuk janë ata të poetit. Zotat e tij « nuk mbretërojnë », shprehet ai. Paul Veyne është i mendimit se më tepër bëhet fjalë për disa « të vërteta filozofike » të cilat mund të nderohen ngase janë « të larta dhe të domosdoshme », por që nuk kërkojnë t’u bindesh në mënyrë absolute. Edhe pse fetë rrethohen shpesh nga misteri, e Vërteta apo të vërtetat e tyre kërkojnë të jenë përfundimtare, të qarta dhe të padiskutueshme. Mirëpo për Sharin është më tepër në zemër të errësirës dhe të panjohurës që qëndron hyjnorja, në prani dhe e përzier me të mrekullishmen e reales, të cilën vetëm poezia është në gjendje të na i bëjë të prekshme. Sipas Paul Veyne, poeti ëndërron « të ndërtojë një qytetërim ku bukuria pa zota, as Zot, do të zinte po aq vend sa fetë dhe magjia ndër popujt primitivë. (…) Pas homo faber dhe homo religiosus, Shari ëndërron për një homo poeticus. »
Fjala natë bie në sy si për nga denduria e lartë e përdorimit dhe për gamën e pasur të konotacioneve. Duke filluar nga vetë poezia, e cila qysh në tekstet e para të Sharit konceptohet si një « pemë nokturne ». Dhe jo rrallë fjala natë gjendet në vetë titujt e mjaft poezive (Jashtë natën dikush e qeveris, Nata talismanike, etj.) Nata është « strehë e gjithë të papriturave », fsheh në gjirin e saj të panjohurën dhe është më « pjellore » në sytë e poetit. Dhe është pikërisht në zemër të natës që « e nëpërshfaqura », aq e shtrenjtë për Sharin, mund të ndriçohet dhe zbulohet, për aq kohë sa zgjat një vetëtimë kur përshkon errësirën.
« E moçme ishte nata
Teksa e nëpërçau zjarri. »
Déshérence, PL., p.437
Jean Voellmy ka mendimin se imazhi i natës është çelësi i mendimit të Rëné Sharit. (« Kanë për të lëshuar bisqe ata, qëndresa e të cilëve di ta përdorë natën gungaçe që i paraprin dhe pason vetëtimën. Fjala e tyre merr jetë nga fryti i herëpashershëm që e përhap duke u thërrmuar » (PL, p.431).
Qëkurse Bodleri e shpalli me zë të lartë të panjohurën si të vetmin synim të denjë për të qenë në qendër të kërkimit dhe të eksplorimit poetik, kjo fjalë u bë referenca themelore e tërë poezisë moderne. Në letrën e tij të famshme Rembo-le voyant mbronte idenë se poeti « mbërrin tek e panjohura ». Apolineri e rimori stafetën në fillim të shekullit duke e përfytyruar poetin në « kërkim të pandërprerë të aventurës » apo « në përleshje të përhershme në skaj të pafundësisë dhe ardhmërisë ». Mirëpo, siç e ka vënë re dhe shtjelluar Hugo Friedrich , kjo « e panjohur » më tepër sinjalizohet sesa ekplorohet, vetëm sa përmendet si të thuash dhe në të vërtetë « transhendenca mbetet bosh ». Ndërsa Shari duket më modest ose më saktë më syçelët dhe pranon se dija njerëzore nuk është në gjendje të rrokë gjithçka e aq më pak në mënyrë përfundimtare. Pastaj, « si mund të jetosh pa të panjohur para vetes ? », pyet veten poeti. Në Aromatët gjahtarë ai thotë se « ne jemi një shkëndijë me origjinë të panjohur që digjemi duke shkuar përherë përpara ». Poezia Çdo jetë, së cilës ai i ka dhënë formën ekspresive të një kaligrame që vizaton klepsidrën e kohës, na kujton se, në fund të fundit, çdo qenie njerëzore është ose shndërrohet pashmangërisht në një « enigmë» « në trillin e trishtë të rërës » .
Poezia e Sharit është poezi e pranisë në gjirin e kësaj bote dhe jo e mungesës. I vetmi mister që e shqetëson atë është « misteri i të jetuarit ». Ndërsa përsa i përket vdekjes, poeti është i ndërgjegjësuar për përkohshmërinë, fundin e pashmangshëm të ekzistencës njerëzore dhe e pranon atë pa kurrfarë ankthi. « Ti Vdekje që na shtrin pa na zvogëluar (…) ja ku më ke para teje më pak i shqetësuar se fija e kashtës » (Le Marteau sans maître, PL., p. 79). Gjithsesi, dhe kurdoherë, « lindim mes njerëzish dhe vdesim të pangushëlluar mes zotave », thotë poeti.
Në vizionin e tij për botën dhe njeriun nuk ka as transhendencë as inerpretime mistike dhe atij i intereson vetëm imanenca. « Sado agnostik dhe i etur për imanencë që të jetë poeti, që e tërhiqte më shumë politeizmi i lashtësisë sesa monoteizmi i krishterë, ai e shndërron shkrimtarinë poetike në vendin e një aktbesimi në jetën e atypëratyshme. » Nëse referencat fetare janë të pranishme në poezinë e tij, kjo ndodh ngase Shari është i bindur se hyjnorja ose e shenjta konsistojnë më tepër në lidhjen apo marrëdhëniet që njeriu ka me botën ku jeton dhe se ky raport mban shenjën e angushtisë ekzistenciale. « Përherë robër të angushtisë mbetemi » (PL., p.115). Një zot i vetëm dhe një besim i vetëm janë të pamjaftueshëm në sytë e poetit, i cili pohon se tek ai banojnë « zota të fuqishëm dhe të çuditshëm ». Për të « hyjnorja është e shumfishtë » (J-M. M.).
Dhe kur të ndodhë e pashmangshmja, « poezia do të më grabisë vdekjen », shkruan poeti. Njeriu do të zhduket pas veprës së vet, e cila ka për t’i zënë vendin, emrin dhe qenien. Ndërsa përsa i përket transhendencës, ajo ka për të mbetur sërish bosh edhe në rastin e tij gjithashtu…
***
Poetika e Sharit përkon dhe me idenë e filozofit Heidegger, i cili në veprën e tij Origjina e veprës së artit thotë se « Bukuria është një mënyrë qëndrimi e së vërtetës në lindje e sipër ». Kemi të bëjmë me një konceptim modern, të hapur dhe të pangulitur një herë e përgjithmonë, por të mbështetur mbi kërkimin e pandërprerë dhe asnjëherë të përfunduar. Nga kjo pikëpamje, « magjistari i pasigurisë » e sheh veten në të njëjtën linjë të menduari si dhe miku i tij Albert Kamyja, i cili nuk ngurroi të pohonte para jurisë prestigjioze të Çmimit Nobel se e vetmja pasuri që kishte ishin « dyshimet e tij » dhe se është më e dobishme ta konceptosh të vërtetën « më tepër si kërkim sesa si zotërim ».
Rëné Shari jetoi dhe mishëroi në shkallën më të lartë një kërkesë themelore, « banimin poetik » mbi Tokën e Njerëzve dhe na fton të gjithëve në këtë rrugë, duke « ndryshuar rregullat e ekzistencës ». Thellë-thellë, është fjala për të bërë të vetin vështrimin apo vizionin poetik për të cilin flet Prusti, ose, për të dalë jashtë « kohës së thërrmuar », « kohës së akrepave të orëve » dhe t’i referohemi mitologjisë, lipset të përftojmë « vështrimin e Orfeut » i cili bën të mundur kapërcimin e kufijve apo të caqeve të zakonshme të së mundshmes, duke e transfiguruar realen e pamjaftueshme. Vetëm atëherë do të mund të njohim më mirë « zotin e së pamundurës », « të banojmë brenda vetëtimës », të ringjitemi tek « burimi » i përjetësisë, të dëgjojmë « pëshpërimën (e Orionit) mes yjeve » dhe, kushedi, të deshifrojmë, ndoshta, « kujtesën » e tyre…
NO COMMENT