READING

Poetika e fatalitetit

Poetika e fatalitetit

Foto ilustruese

Jose Manuel CAVALLERO*

Kur u njoha me Huan Rulfon, ai nuk shkruante më, ose më mirë, nuk e bënte këtë si shkrimtar, po të përjashtojmë ndonjë rast sporadik të aktivitetit të tij si autor tekstesh për filma. Një ditë, aty nga viti 1978, shkova dhe e takova në Institutin Kombëtar Indigjenist atë njeri të mbyllur dhe si të painteres, konservator të vështirë dhe qejfli për të pirë, pak apatik dhe, herë-herë, pak thumbues, vlerat e mëdha letrare të të cilit qëndronin tek një vepër aq e pakët.

Siç dihet mirë, Rulfoja gjatë tërë jetës së tij ka botuar vetëm romanin “Pedro Páramo”, 17 tregimet e “Rrafshinës në flakë” dhe ndonjë fragment të rrallë narrativ. Po ashtu, që kur ishte gjallë, u fol për disa shkrime të fshehta, si, për shembull, një roman fantazmë, të cilit iu bë i njohur vetëm emri: “Vargmali”.

Rulfoja kishte përzemërsinë lakonike të vetëmohimit dhe përsëriste me këmbëngulje të madhe se e kishte lënë të shkruarin ngaqë nuk kishte kohë, meqenëse i qe kushtuar me një regjim intensiv antropologjisë kulturore dhe, sidomos, fotografisë, art të cilin e kultivoi me aftësi të dukshme. Në një rast kishte deklaruar se, pasi vdiq xhaxhai, njeriu që i tregonte historira, kishte mbetur i zbrazur. Nuk përjashtohet as mundësia që të vuante nga një përtesë e pashërueshme apo se i kishte thënë ato që kishte për të thënë, kështu që nuk kishte ç’të shkruante më, gjë që në çdo rast ishte më e arsyeshmja.

Gjithnjë kam menduar se shembulli i tij sintetizonte plotësisht një traktat didaktik në lidhje me suksesin publik të letërsisë. Vetëm një roman i shkurtër dhe disa tregime të pakta do të mjaftonin për ta bërë Rulfon një shembull, një referim të jashtëzakonshëm.

Qysh në vitin 1955, kur doli në dritë romani “Pedro Páramo”, heshtja e autorit vjen e bëhet një legjendë. Si mundet që një romancier si ai, i njohur universalisht, të heq dorë nga të shkruarit? Aq i fuqishëm dhe përthithës paska qenë përqendrimi shprehës – poetik – i “Pedro Páramos”, sa mandej nuk paskej çfarë të na tregonte më?! Nuk ka dyshim se këtu do të mund të hulumtohej një rast dorëheqjeje përshtatshmërisht enigmatike. Është më se e mundur që çështja e Rulfos në romanin e tij të vetëm dhe jo të madh ka të bëjë me ndonjë lodhje të ndjeshme. Ky lloj të shkruari, ose ky zhbirim në intimitet të thellë nëpërmjet shkrimit, depërton deri në disa humnera psikologjike.

Ndoshta bëhet fjalë për një gjasë të tërthortë romantike, por që nuk ka pse t’i shmangem. Mjafton t’i qasem sistemit poetik të “Pedro Páramos” që të përvijohet ajo që dua të them.

Ç’shtysa të habitshme imagjinate dërgon ky model romani, ndoshta i rastësishëm? Ndërkohë, nuk ka argument, ose më mirë, argumenti qëndron në atë që nuk ka argument: Vetëm disa fragmente realiteti shfaqen vagëllimthi midis mjegullnajës së joreales. E vetmja pistë është ai lloj itinerari përrallor i Huan Preciados, biri i pronarit Pedro Páramo, i cili udhëton për në Komala në kërkim të babait të tij dhe të cilin e ndjekin gjithandej fantazmat e njëpasnjëshme të dashurisë dhe të vdekjes.

Jeta matet me një orë të ndalur. Ka vetëm një të tashme të vagëlluar pa të ardhme, një histori pa vazhdim logjik, një vend funebër ku ëndrrat ndërthuren poetikisht me realitetin. Të gjithë personazhet janë të vdekur qysh në fillim, deri edhe Komala është një fshat i humbur, matanë mureve të kujtesës, si i përpishur nëpër monopatet meksikane të fatalitetit.

Pikëllimi i peizazhit përpuqet me pikëllimin e personazheve, ai “páramo (shkretim) i Pedros” të cilit i referohet Oktavio Paz. Aty qëndron madhështia poetike e ngjarjeve të rrëfyera, midis të cilave shfaqin pa ndalim fantazmat e kllapisë dhe të jetimërisë.

Te romani i Rulfos planet narrative mbivendosen, ndërthuren derisa formojnë një lëmsh të ngjeshur me tregues tematikë. Kufiri midis së mbinatyrshmes dhe së natyrshmes, midis së trilluarës dhe së besueshmes, bëhet gati i pakapshëm. Dhe ka një mosmarrëveshje midis një farë shprehjeje të gjallë realiste dhe konceptimit fantastik të historisë apo të rikonstrukturimit mitik të historisë. Nuk duket mosbesuese që në sfond të romanit e tregon si një mbetje të përhapur nga dhuna revolucionare, jo e manifestuar në terma të mirëfillta, por përmes vetë gjendjes së nderë të mjedisit.

Por Rulfoja e kapërcen me shumë mjeshtëri trajtimin natyralist të tematikës rurale; ai nuk i përket absolutisht asaj tradite dhe, me gjithë lidhjet e tij me kulturën dhe besëtytninë popullore, mbetet jashtë gjithë kësaj. E njëjta dykuptimësi e romanit dhe pështjellimet konstruktive, në të vërtetë, e kthejnë atë në një arketip të izoluar të një poeme narrative.

“Pedro Páramo” është padyshim një libër magjepsës, i hapur në një larmi të bollshme interpretuese. Çdo lexim ka shpërblimin e vet të veçantë analizues, por të gjithë përfundojnë duke plotësuar njëri-tjetrin. Romani të habit pikërisht për këtë mbresë ashpërsie që të jep, në dukje, brishtësia e saj e brendshme. E ngritur vërtetë mbi mjegullimin dhe mbi pështjellimin kompozues, rreptësia e formës së tij përfundon duke e neutralizuar gjithë atë rrëmujë në dukje. Prej këtej vjen origjinaliteti i qartë i romanit dhe ekuilibri teknik i rrallë, i cili bën që natyra e ndërlikuar strukturore e tij të përfundojë si bosht magjie i tij.

Dhe ja, më në fund aty është proza; një prozë e krijuar me mjetet e poezisë, bashkëngjitur procedurat e zakonshme bisedore; një prozë e pajisur dhe e stisur, në çdo moment, me një mjeshtëri të hollë imagjinate. Procedimi është bërthama që bën të rrezatojë forca estetike. Pikërisht këtu qëndron madhështia e një vepre si “Pedro Páramo”, ku me aq mjeshtëri turbulluese kondensohet epika meksikane e jetës dhe e vdekjes.

*Hose Manuel Kavajero (1926) – poet dhe shkrimtar i shquar spanjoll, i cili, për krijimtarinë e vet letrare, është nderuar me mbi 20 çmime, midis të cilëve edhe Çmimin Cervantes (2012).

Përktheu Bajram Karabolli. Artikulli është marrë nga profili i Facebook-ut të përkthyesit Karabolli


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.