POETI I DITËS – Sokol ZEKAJ

Sokol Zekaj (1948)

 

 

TREMBËDHJETË VARIACIONE MBI NJË NDJESHMËRI

1

Fshehur në kaçubën e vjetër

Me gjelbërimin e ri

Te një pikë e pashënuar në hartat e gjuetarëve

Lepuri bën gjumin e lepurit.

 

2

Rrezja e diellit është thupër e artë

Që e kruan në vesh

Me do tinguj të ëmbël.

 

Por lepuri e di

Në majën tjetër ka një kokërr rrufeje!

 

3

Dita është e kaltër.

 

Lavërat avullojnë.

 

Lepuri mbështillet në pëlhurën e prehjes

Endur me shushurima bari dhe drurësh,

Dhe me regëtimat e shpirtit.

 

4.

O njeri!

Mos e vështro lepurin në folenë e vet!

Ai është i ndjeshëm

Si drita e syrit,

Si thelbi i zemrës,

Ai është i gjithi sy dhe zemër!

 

5.

Lepur,

Imazh i elegancës,

Shprehje lakonike e përbuzjes,

Shpirt i panënshtrueshëm i mëngjeseve,

Atlet i guximit,

Pranon sfidën

E njëzet zagarëve

Të cilët të ndjekin si një stuhi e keqe djajsh.

 

6

Në një rrahje qerpiku

Lepuri shpështillet

Si një lëmsh i pakapshëm

Në sytë e imagjinatës.

 

7

Ish ora tetë e mëngjesit.

Lepuri hyri në vallen mortore

Në spektaklin më tragjik,

Më zbavitës

Dhe më të përfolur

Në rrafshinën buzë përroit.

 

8

Gratë korrnin grurë,

Dhe i këndonin dashurisë.

Zogë, e ndolla vidi-vidi!

Zogë, a vjen mishi a vjen shpirti!

 

O gra gazmore,

Mos e zbuloni lepurin

Nëse ju thonë gjuetarët,

Nëse ju pyesin: a na e patë një lepur

Fshehur mes dy veshëve?!

 

 

9

Korije,

Nënë e psherëtimave

Në udhëkryqin e erërave,

Jepmë një gjethe

Ta mbuloj lepurin që dridhet,

 

Në mos do të këpus dorën time!

 

10

Më rreh zemra

Si lepurit pas një dredhie të hollë

Tek ndjek të lehurat që largohen përtej korijes.

 

 

11

Lepuri nuk është mik me gurët

E pandjeshëm

Ndaj saçmave të gjuetarëve

Ai është i kthyeshëm si luledielli ndaj diellit

Është antinomi i gjësë së pashpirt!

 

12

Kush kullot në kopshtet e natës

Dhe kërcen në rrezen e hënës

Si kukullat e Krishtlindjeve

Në gishtat e mjeshtrit çudibërës?

 

13

Lepuri prehet mëngjesit vegimtar

Kur dielli e ngroh dhe vera e freskon

 

Prehja është përherë një qelq i krisur

Se lepuri e di ku i fle lepuri gjuetarit.


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.