KANGA SKANDALOZE
Një murgeshë e zbetë, që bashkë me mkatet e botës
bar dhe mkatet e mia mbi supet e vet të molisun,
mbi supat e verdhë si dylli që i ka puth hyjnia
– kaloi rrugës së qytetit si ejll i arratisun…
Një murgeshë e zbetë, e ftohtë si rrasa e vorrit,
me sy boj hini si hini i epsheve të djegna të gjallesës,
me buzë të holla të kuqe, dy gajtana pshertimet që mbysin
ma la der’ vonë kujtimin, kujtimin e ftohtë të kalesës.
Prej lutjesh (jo tallse!) duel dhe në lutje prap po shkon…
Lutjet i flejnë gjithkund: ndër sy, ndër buzë, ndër gishta.
Pa lutjet e saj bota, kushedi, ç’fat do kishte?
Por dhe nga lutjet e saj ende s’i zbardhi drita.
O murgeshë e zbetë, që çon dashni me shënjt,
që n’ekstazë para tyne digjesh si qiriu pranë lterit
dhe ua zbulon veten… Smirë ua kam shejtënvet:
Mos u lut për mue, se due pash më pash t’i bij ferrit.
Unë dhe ti, murgeshë dy skaje po të një litari;
të cilin dy tabore ia ngrehin njeni-tjetrit –
lufta asht e ashpër dhe kushedi ku do t’dali,
prandaj ngrehet litari edhe përplasen njerzit.
MALLI RINUER
Valët muzikore fluturojnë nga përndimi
shkrepen e përtrihen
për muret e dhomës seme,
edhe mandej dridhen
mbrenda në zemrën teme
dhe zgjojnë ndijesina që mblue ka hini.
Ndijesitë e mia me valët muzikore
shkëmbejnë puthje të nxehta
posi dy dashnorë
e pa mshirë shëgjeta
më ther në krahnor
edhe më merr malli përjetë ma gazmore.
Malli rinuer përjetë ma shkumbuese
flen pa fat në mue,
një tingull pëmdimi
asht ngushllim për mue
kur më mshtjell mashtrimi
me melankolinë e vet aq trishtuese.
Tingujt miqëdashës, që në dhomën teme
më falin rytmin
e një dansit të largët,
më kujtojnë përqafimin
e çiftave të shkathët
që sjellen hirshëm nëpër drrasa të gëdhenme.
SHPIRTËNT SHTEGTARË
Mbramë një erë e ftohte acar fryni nga ana e maleve,
i shkundi shpirtënt tonë – bashkë me gjethë të kësaj vjeshte
i muer andej kah dielli hijen si të përgjakët ua lëshon zalleve
– në Përndim, ku shtret e shkimet dita në pamundsinë e vet
Enden shpirtënt tonë nëpër vise të Përndimit të mrekullueshëm,
bajnë të fala dhe me thane vendeve të shuguruem
e të përtrimë ndër fluide të hekurit e të zjarmit – adhurueshëm
e me një credo gëzojnë qiellën me çagjë e të tymuem…
në cilën, diku në skaj merimanga fatin trillon,
vetes dhe njerzis poshtë, që damarët i rrahin
(si të rrahunt trompete në vorresë) – ndërsa tue qa, kumbon
e thrret kumbon’ e fabrikës, i njëmijti fishkëllim si një fsham
shkyn ajrin.
Shpirtënt tonë me një dashni tragjike ato vise i duejnë.
n’eter të kulluet u bajnë fli ndjenjat e vet ma të holla
E në nesërmen fatale kundrojmë një horizont me njolla…
…shtegtarë të mërguem, shpirtënt tone n’origjine po kthejnë.
Vuejtja
Ka do dit
që po shof fare mirë
se si nga vuejtja syt po më madhohen,
nepër ball dhe ftyrë rrudhat po më shtohen
e si buzqeshja m’asht e hidhun…
… dhe po ndij
se si mëngjeset e mia
nuk janë ma mëngjese hovi e pune,
as ndërtimi, por të shtymt dita më ditë
e një jete që s’durohet.
Dalngadalë po shof
si jeta një nga një
secilin ndjesi
me tradhti
po ma vulos
dhe s’po më mbetë asgja
që me u nda
si shej gëzimi,
përpara
nuk e dishe, o jetë,
se kaq i tmerrtë
asht grushti i yt
që mbyt
pa mëshirë.
Por kot
në pasqyrë po shof
se si nga vuejtja syt po më madhohen
nëpër ballë dhe në ftyrë rrudhat po më shtohen,
dhe shpejt do të bahem
flamur i vjetruem
i rreckuem
ndër luftat e jetës.
VETMIJA
Më pak mërzitja
që vetmia më sjell,
përbuzja, urrejtja
të gjith’ sendet m’i mbështjell
dhe kam shumë anmiqë
të ligë
në këto sende pa shpirt.
Nuk flasin.
As sy s’kanë.
Po mue më bahet
se aty janë
vetem që të më plasin
zemrën.
Së paku të më shajnë:
– I mallkuem!
Së paku të më tallin:
– I uruem!
Së paku të më këndojnë:
– I yni Zot!
Ose të më thonë:
– Jeton kot!
Të flasin, të flasin se fjalë due
në ket vetmi me ndigjue.
Ose të më tregojnë historinë
të tyne, autobiografinë;
ndosht’ aty do gjej gjasim
me jeten teme pa tingllim
që në vetmi po e kaloj –
dhe s’po di a rroj a s’rroj.
Sendet heshtin. – Sa të pamëshirë!
Më bajnë dhe mue të hesht me pahirë,
pse gojë s’kanë
dhe nuk flasin,
aty janë
vetëm të më plasin
zemren teme që po vuen
dhe në mërzi vetveten truen.
RIMA E TRETUN
Jeta i kaloj si një gotë shampanje.
Nett i çoj ndër shtreten mbi gji të grave
të cilat e deshten fort e ma fort për pare
se sa për kafshimin e tij të dhambve.
Dhe syparja ra…
Protagonisti vdiq…
Por nuk vdes shampanja!
U linden miljonet
me miljarde dëshira.
Kuj t’i lëshohet rradha
kur nuk ka batalla?
Por do të kenë Karrnera
dhe do të kenë poeten
gjithashtu dhe priften.
Prifti ka për të thanë:
ku do të shkojë
ai që e çoj jetën si një gotë shampanjë
e ku ai me të thyeme dhambë?
VETVRASJA E TRUMCAKUT
Trumcaku vuente nga melankolia. U lind në një vend me të vërtetë të shkretë. Në vend të barit bijshin qimet e derrit e në vend të pemve – brinat e një shtazës parahistorike. Dhe në kët natyrë – e cila nuk mund të quhet natyrë – kush mos të bahet melankolik? Dihet se një trumcaku s’i duhet shumë për jetë, por natyra, e cila nuk ishte natyrë, s’i epte as aq.
Mos pyetni si e tek u gjet trumcaku n’at vend, dhe si e tek u gjet njeriu në kët pikë kozmike; nuk dijmë shumë. Hipoteza dhe andrra. Miliona vjetësh dhe një fjalë goje, si për shembull: “…të bahet dritë! Dhe drita u ba!” – A shifni? Një fjalë magjike! Hokus-pokus! Sa bukur!
Dhe unë thash: të bindet trumcaku në një vend ku në vend të barit bijnë qimet e derrit e në vend të pemve – brinat e një shtazës parahistorike.
Njëherë trumcaku qëndroi mbi një brenë. U mërzit të shikojë qimet e derrit, u mërzit të fluturojë prej brenës mbi brenë. Nga mërzia dhe idhnimi mbylli syt. Ra në pikllim melankolik. Njeriu me temperament melankolik asht inteligjent. E inteligjenca në kuptim ma të hapët të fjalës, pakkuj i solli qetsi dhe të mire.
Dhe trumcaku, në majë të brenës e në kulm të melankolis, vendosi të vritet. Plot ironi filozofike shikonte rreth përqark vetes e vendimi i patundun mirfilli pasqyrohej ndër syt e tij të dëshpruem. Cicrroi një herë, cicrroi dy herë; cicrroi tri herë. Mandej një crrrr e gjatë e plot mallëngjim ishte porosia e tij e fundit. Testamenti i dhimave të tij. Dhe, pa u dhanë krahve, këcej prej brenës… ra mbi një qime të derrit, të gjatë e të mprehtë si thika, dhe u ngul mbi të.
Trumcaku i ngulun mbi një qime të derrit. Me krahët dhe puplat e tij lonte era dhe e sjellte rreth qimes, si sillet dhe gjeli metalik në majë t’oxhaqeve tona. Atbotë frynte veri.
Ç’ka janë këto kapërcime logjike! Ka me bërtitë ndokush.
Po, lexues i dashtun e jo i cekët. Po! A pak po kemi kapërcime logjike, morale dhe dogmatike në botën tone reale? Pse po zemrohe dhe po don me më gjykue për disa kapërcime logjike askuj damsjellse?
NO COMMENT