sidoqoftë
Nata është beteja jote
Që ti nuk arrite dot ta mbledhësh ende.
Pas teje nuk ka mbetur asgjë tjetër.
Sidoqoftë, unë mund të shkruaj lirika moderne,
Por, për mua është tepër vonë të shpik
Gjëra që nuk ekzistojnë,
Si për shembull lumturia.
pa ty
Luanët e mermertë të pusi egërsohen në mbrëmje
Dhe lulekëmbanat si për mort tringëllojnë.
Në pragjet e hijeve
Dalin perënditë e harruara ilire.
Kështu çdo natë një i vdekur vjen vërdallë
nëpër kopshte,
Me një qiri prej hëne.
Si ike kështu
Dhe më le me kufomat e ditëve të harruara?
Pastaj kyçen portat e hijeve dhe ikin Perënditë
Pastaj vjen një ditë që ka për të demonstruar
vdekjen e vet.
E kështu çdo herë, çdo herë pa ty
Me lot më mbushen këto sy…
pema
Çudi me pemën që pikon netëve
Sikur vajton rrënjët e saj.
Në kujtesën e gjetheve dhe në kujtesën e drurit
Rron ende ora kur më the lamtumirë.
Edhe dimrit, kur ranë gjethet, pema frushullinte
Mbi përrenjtë prej hëne.
Çudi me këtë pemë që frushullin me duart lakuriq.
Çudi me mua që s’të thashë lamtumirë!
mike e vjetër
Jo, ti nuk je zbardhur mikja ime e vjetër
Por amalgami i çmendur i pasqyrave
të ka mbuluar në dimër
Ik nga pasqyrat,
Pellgjet janë më të ndershëm
sepse të bëjnë narçiz.
Si ike kaq befas?
Kështu tërë ikje ke qenë edhe në rini…
Të kërkova nëpër hollet e hoteleve,
Vetëm diku në një bar të vjetër,
Si një krah i thyer pulëbardhe,
Kishte mbetur pak dimër nga ti.
dimër
Bie dëborë. Rënkojnë
Qerret e lodhura si një kor tragjedish antike
Në udhën e fshatit
Dhe mua m’u kujtua pabesia jote.
Sigurisht, dëborën e ka shpikur një hyjni e pabesë
Më pastaj Zoti i tradhëtuar vështronte
Fushën e mbuluar me qefin.
Si për një të vdekur madhështor.
Ah, si të shkoi ndërmend pabesia!
Si të shkoi ndërmend dëbora!
Më deshe shumë.
Por erdhi një ditë që edhe ti shpike dëborën…
Dhe unë rri e vërej fushën ku vdes madhërisht dashuria.
druri i portës
Lulëzoi druri i portës së vjetër.
Ah, druri i vdekur çeli lule!
Ti këputi dhe me to bëj kurorë
Për mua që të prita deri në vdekje.
Pashë ngjyrën e gjakut te kameliet
Që çelën në tëra gjërat prej druri
Dhe e kuptova që thika e pritjes më preu
Në brinjë, kur çela gjethe si palmat.
Të prita, të prita…
Derisa çelën kameliet e mortjes te porta.
Ti mblidhi dhe më bëj një kurorë
Mua që deri në vdekje të prita.
aerodrom
Dal e të pres në breg të një qielli,
Dal e të pres buzë një reje.
Vështroj si rrëzohen shirat, ylberët, yjet.
Zbrit!
E di që je diku pas një mjegulle.
Venë e vijnë avionët e botës.
Po ti në ç’shira je fshehur vallë?
A e ke parë dhembjen time
Si ngjitej me ulurimë nëpër qiej?
O! Si demon i vetmuar
Tërë shirat e botës i kërkova për ty…
natë
Flenë fluturimet mbi drurë
Flenë rrufetë në thellësi të reve;
Fusha ul supin te era.
Gjithkush e ka një dhembje ku të mbështesi kryet
Gjithkush e ka një mall që vizatohet si vinjetë
Mbi gjumin e botës.
Por vjen ti dhe më zgjon te supi
Çdo natë me rrëmbim.
Ah, s’e dinja që gishtat e kujtimit
Mund të shndërroheshin kështu në thikë…
vetëm rëra
Vetëm dy re, si dy zogj, zvarriten në qiell.
Për ku vrapojnë të bëhen shi, këto zogj?
Zëri im fytprerë ra në duart e tua,
Zëri im tërë jetën i vrarë.
Eh, ti dhembja ime, që ngrite harkun
Zogjtë shtegtarë ç’i qëllove!
Si shpirt i shkretirës u ula
Mbi trishtimin e kësaj nate vere.
Tani e tutje, pa ty,
Tëra netët kanë për të qenë prej rëre.
të pres
Bilbil që rri zgjuar në pyllin me pisha
Pres e pres te dritarja e zërit tënd
Që çelet në muzg
Tutje shtrihet hëna
Mbi një botë të mbushur me mungesën tënde.
Pres dhe zemra më dhemb
Te dritarja e zërit tënd
Në këtë muzg xhamëthyer.
O shteg i gjelbër! Po përse vallë
Tërë kjo pritje nxori thikën kundër meje!
perëndim
Jam i trishtuar. Trëndafilat e tu
Në duar më mbetën si plagë
Dhe perëndimi rend pas mollëve me pishtar në dorë
T’i vërë flakën kësaj nate.
Ndoshta kur të kthehesh një ditë
Pas mollëve dhe viteve
Perëndimi do të ketë djegur çdo gjë.
Ah! Në këtë botë të madhe, vetëm unë e ti
Nuk do të jemi të lumtur më…
NO COMMENT