POETI I 100 LIRIKAVE

Dr. Gazmend Krasniqi

POETI I 100 LIRIKAVE

Edhe pse ka vite që nuk jeton më, përsëri ka vend për pyetjen: kush është Rreshpja?

Kur pashë se njëri ndër poetët më të njohur arbëreshë të sotëm, me dashamirësinë për të promovuar  letërsinë e vendit të origjinës, paraqiste në rrjetet sociale një poezi të Rreshpjes, të përkthyer në italisht dhe të vendosur në faqet kulturore të atij vendi, por poezia nuk qe e poetit në fjalë, arrita të komunikoja me përkthyesin, që më tha se jo vetëm që e kishte parë si të tijën, por edhe të lavdëruar nga një poet i njohur, mik i hershëm i poetit të vdekur. E dija se kishte një ngatërresë në rrjetet sociale, po nuk e prisja që puna të shkonte deri këtu, edhe pse Rreshpja është poeti shqiptar më i lakuar sot për sot dhe se prirja për ta përkthyer ka marrë përmasa të mëdha. Thuhet se romani “Pedro Paramo” i Juan Rulfos, “një kryevepër e vërtetë” sipas buzëhollit Borges, nuk e mori famën që meritonte, sepse qe përkthyer dobët, por nëse një autor e paraqesim për një tjetër çfarë do të ndodhte? Ishte e habitshme rezistenca e personave të portaleve për të mos e korrigjuar ngatërresën.  Ma konfirmuan edhe persona të tjerë që e  kishin hasur këtë problem.  Kulmi qe kur një person të cilit ia paraqita të gjitha faktet se si qëndronte e vërteta, më tha (mua që jam redaktori i librit me të cilin ndodhi ngatërresa) se poezia X qe e Rreshpjes, pasi një miku i tij e kishte marrë prej vetë dorës së autorit!!!

Ka ardhur koha që prej poetit të vdekur të merret pak lavdi, por kjo prirja për ta marrë si e duan dhe jo si është, mbetet mënyra më e mirë për ta vrarë. Sidomos kur atij nuk i është dhënë ende vendi që meriton dhe poezitë e ngatërruara rezultojnë më të brohoriturat nga ky rreth njerëzish, edhe pse autori i vërtetë as që është në dijeni të këtij “suksesi”.  Është e vërtetë që Rreshpja gjithmonë ka dashur të jetë ndryshe nga çfarë mbizotëronte në realitetin shqiptar, por jo të ekskomunikohej. Shkëputja prej 15 vjetësh nga poezia dhe ngritja e saj e përnjëhershme në stad të lartë, flasin për një fenomen përtej shqiptares, për njeri një të vetëdijshëm për atë që mund të bënte. (Arshi Pipa ka një tezë, që thotë se letërsia shqipe vuan nga cilësia, sepse shkrimtarët e saj nuk prodhojnë në moshën e pjekurisë.) Rreshpja e shfrytëzon pjekurinë artistike si një Kavafis, Yeats apo Montale. Ndryshe nga ç’kishte qenë moda e shekullit XX, ai i përket klasës së poetëve që kërkojnë ta mbyllin jetën e vet në një libër. Në vitin 1992, thotë për një gazetë të Kosovës: Dua ta përsos poezinë dhe ta bëj atë shqiptare. Sot ka nga ata që janë të bindur për këtë, por atëherë mungonte çdo vëmendje ndaj asaj që ai shprehte.

Poezitë e kësaj periudhe i botoi më 1994 te libri “Erdhi ora të vdes përsëri”. Mania që kishte për përsosmërinë, e bëri që të reflektonte dhe dy vjet më vonë të botonte vëllimin “Lirika të zgjedhura”. Në këtë periudhë kohe që vazhdonte të jetonte në Shkodër dhe kam pasur rastin të shoqërohem gjatë me të, kur po kërkonte për titullin e librit, më tha nëse mund t’i jepja ndonjë ide. I çova një letër format të mbushur plot me lojëra nga metaforat e tij. I pëlqeu ato, por qe e qartë se kërkonte diçka tjetër. Diçka më të zhveshur. Ishte për titullin “Diku, kudo”, sepse nuk mund të përdorte titullin “100 lirika”. Çfarë donte të thoshte kjo? Kjo donte të thoshte që, edhe pse në kulmin e krijimtarisë, nuk mund të realizonte aq lirika. (Poradeci thotë se një poet mund të ketë vetë 6-7 poezi të realizuara, megjithëse disa ia dalin të bëjnë ndryshe, prandaj “dhe kështu mund të kenë nga katër palë pantallona”)

Te libri ‘Lirika të zgjedhura”, Rreshpja la jashtë rreth 15 poezi nga libri i mëparshëm dhe shtoi diçka më pak. As kthimi te poezia e hershme nuk e ndihmoi për të arritur numrin 100. Mori 4-5 poezi. Siç ndodh shpesh, ndoshta kjo prirje për përsosmërinë qe një nga gjërat që e la jashtë vëmendjes. Ai bënte kompromis vetëm me vokacionin e tij. I zhgënjyer, nuk botoi më dhe nuk e organizoi më veprën e vet ashtu siç do të donte ai, me 100 lirika. Padyshim, në një kohë kur reklamoheshin me çmime kombëtare e përkthime gjëra të papërfillshme, ky mbetet një nga trishtimet më të mëdha të një letërsie.

Vetëm një vit para vdekjes dalin librat “Vetmi” dhe “Në vetmi”, secili i konceptuar krejt ndryshe nga tjetri, që do të thotë se, para entuziazmit të adhuruesve ndaj veprës së tij poetike, dora e tij, prej të sëmuri dhe plaku, ndihej pak. Botuesit aktivizuan shumë poezi që ai i kishte lënë jashtë në përzgjedhjen e tij, të cilat u shtohen të rejave, duke e zgjeruar kështu prodhimin e tij poetik, që tashti shfaqet në libra pak më të trashë se më parë. Meqë ishte gjallë, mund t’i marrim si të aprovuar prej tij, gjë orientuese për botimet e reja. Përveç të tjerash, ata paraqesin interes për punën e tij me variantet.

Se çfarë ka botuar në gazeta e revista, të asaj periudhe, nuk është e lehtë të orientohesh. Pyetjes se pse botonte në disa organe jashtë letërsisë së vërtetë, njeriu që jetonte vetëm për poezinë, m’i qe përgjigjur që në “Drita”, e cila vazhdonte të ishte e vetmja gazetë letrare në Shqipëri, nuk mund të botonte kur të donte. Drejtuesit e saj, natyrisht mbetje të kohës së realizmit socialist, te të cilët vazhdonte të mbizotëronte ideja se çdo fshat i Shqipërisë e kishte krijuar shkollën e vet poetike, i qenë përgjigjur se “duhet pak gjeografi”. Megjithëse çdo gjë e kishte kundër, do të botojë herë pas here nga ato gjëra që do të shfaqen në librat e vitit 2014. Por edhe ndonjë gjë që nuk hyn atje. Në një intervistë (Drita, 18 qershor 2000), ndër të rrallat që duhet parë me kujdes, sepse te të tjerat vetëm argëtohej, lexoj se përgjigjet që ka në dorë dy romane. Dhe shton: Kam edhe librin “100 lirika”. Apo: Kam vënë re se tani poezinë e shkruaj më me pasion se kur kam qenë 20 vjeç. Apo: Më pëlqen të vazhdoj rrugën e Poradecit (është më i larti).

Sigurisht, flamuri i lasgushizmit e shpëtoi nga realiteti i ashpër letrar dhe social. Poezia shqipe qe në një moment të veçantë. Ky artist, që çdo gjë e kishte kundër, e pa veten si heroi i asaj që priste historia letrare e prodhimit poetik shqip. Realisht, pas vdekjes së tij fizike, nuk do ta kemi ndonjëherë në dorë librin “100 lirika”, por, duke pasur në dorë një grusht vjershash të hapërdara,  mund të shohim se ku fshihej ajo ide.

 

 

RËNIA E FUNKSIONALES

 

Po t’u hedhësh një sy librave të rinisë, kuptohet se sa e rëndësishme ka qenë për këtë poet ajo që ndodhte në Shqipërinë e asaj kohe: me anën e realizmit socialist, poezia shqipe po njihte ndikimet futuriste dhe postfuturiste, sidomos nga ndikimi majakovskian, të futur nga poemat e Kadaresë, por edhe vetë përkthimet e poetit ruso – sovjetik. Në mendimin zyrtar të viteve ’60-të, kohë kur u shfaq së pari poeti Rreshpja, suksesi shihej te tematika, diçka që ilustrohet me emrat e Llazar Siliqit, Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, Fatos Arapit etj., prandaj, poeti i ri, për t’ia arritur qëllimit që i kishte vënë vetes, bëhet pjesë e këtij modeli. Në përmbledhjen e parë (1968), këtë “haraç” do ta gjejmë te poezitë e poemat për partizanin, heronjtë e punës socialiste, aksionistët, lapidarët, ushtarët e revolucionit, ndërsa në përmbledhjen e dytë (1973) do ta gjejmë te poezitë e poemat për komisarin, hidrocentralet, 8 Nëntorin, 1 Majin etj. Ato poezi  përfaqësojnë tematikën tipike të poezisë së kohës, por, gjithashtu, edhe formën shkrimore, në varësi të shkallës së talentit cetjak.

Megjithatë, edhe kjo periudhë e krijimtarisë, përshkohet nga kontradikta midis talentit të mirëfilltë poetik dhe sloganizmit të diktuar ideologjik, sepse kur shmangim shtresat soc-realiste të këtyre dy vëllimeve të para poetike, ndodhemi përpara zbulimit të Rreshpjes si poet që u qëndron kohëve. Në disa fragmente poemash e poezish, ku u ikën temave të imponuara, duke ndërtuar zërin unik të poetit, pamjet e thjeshta të sendeve ngrihen deri në simbole, prej nga bëjnë të dukshme e të prekshme forma të tjera më të fshehura e më të përkryera: një ndjesi që bëhet mbizotëruese në periudhën e dytë të krijimtarisë, ku do të duhej të flisnim me një gjuhë tjetër, sepse tashmë jemi çliruar nga kompleksi tematik. Ia vlen të kujtohet se, në një shkrim redaksional të revistës “Nëntori”, të vitit 1973, me titull “Probleme të poezisë sonë” dhe nëntitull “Kundër ndikimeve të huaja në poezi”, ku flitet për një diskutim krijues të marsit të atij viti në Lidhjen e Shkrimtarëve të Shqipërisë, gjejmë edhe këto rreshta – “Rendja pas figurave e ka çuar ndonjë poet gjer atje sa të spostojë mendimin dhe të nxjerrë figurën në plan të parë. Kjo e bën poezinë të tingëllojë krejt formaliste. Ja një shembull i tillë: Mane të varrosën në muzg/ Kali yt që u bë vjeshtë/ Hëngri gjelbërimin e pyllit/ Dhe befas u bë dimër”. Poezia në fjalë mbyll periudhën e parë të kësaj krijimtarie, por, meqë poeti e përdor në botimet e mëvonshme, shërben si hallkë lidhëse për atë që do të ringjallet pas 17 vjetësh, periudhë kohore që poetit do t’i privohet liria dhe e drejta e botimit nga regjimi i kohës. Ajo na shërben për të parë se, paradoksalisht, këto dy periudha krijimtarie do të kenë si dallime, ashtu edhe të përbashkëta po aq të mëdha, se vetëm vitet ‘90-të dhanë atë liri që i shërbeu gjetjes së zërit të mirëfilltë të poetit, krijimtarisë që ngjizet në bazë të ligjësive të brendshme, pa ndikim nga jashtë.

Këto vargje, që përcaktojnë gjithë kuturisjen e ardhshme poetike, na ndihmojnë të kuptojmë se bërthama e tematikës dhe e teknikës së ardhme i ka rrënjët te periudha e parë, që u ndërpre në mënyrë të dhunshme nga mosnjohja dhe mosdashja e poezisë së vërtetë, duke na dhënë disa ide të qarta për krijimin në liri dhe jo-liri. Në këtë liri shohim se, ndryshe nga krijuesit e tjerë të brezit të vet, Frederik Rreshpjen e karakterizon pakënaqësia nga efektet e lehta e zgjidhjet gjysmake, për hir të një vepre serioze dhe të mundit e të djersës që kërkon ajo. Shohim se, për këtë poet, si për çdo poet të mirë, i vetmi realitet mbtet ligjërimi, ku, ashtu siç do të thoshte Elioti, nuk duhet të kërkojmë personalitetin e poetit-njeri, pasi ligjërimi është vetëdija e tij, por pa të. Në këtë ligjërim që poetit i kushton jetën, fjala gjithnjë e më shumë vjen e vepron si një fuqi e fshehtë, i bën sendet të pranishme jashtë ekzistencës së tyre reale, të njohur. Ligjërimi formëson lojën e vet pa njeriun që e ngriti atë, duke na kujtuar vazhdimisht zbatimin e teorive letrare moderne, sepse një letërsi e tillë, qysh nga përcaktimi i saj, krejt ndryshe nga mendimi kritik zyrtar që ka mbizotëruar shumë dekada në Shqipëri, kërkonte një lexues të ri.

 

 

POEZIA QË NDJENTE E ËNDËRRONTE

 

Poezia e Rreshpjes është ilustruese e idesë se ligjërimi poetik është strukturë e një kompleksiteti të madh – është gjuhë më e ndërlikuar se ajo natyrale, pasi, nëse mundësia e transmetimit të një informacioni në gjuhën e zakonshme njeh kufij, kjo s’mund të thuhet për ligjërimin artistik rreshpian: aty i njëjti informacion mund të njohë shumë mënyra transmetimi. Fjala e përdorur aty ndryshon shumë nga kuptimi që ka në një fjalor. Gjatë ritregimit të një poezie me gjuhën e zakonshme – siç ka ndodhur përgjithësisht në studimet tona apo në librat që kanë formuar breza të tërë – ne do të kryenim shkatërrimin e strukturës së saj, duke çuar kështu te lexuesi një volum informacioni tërësisht të ndryshëm nga çfarë parakupton vetë kjo poezi, sepse metoda që merret me interpretimin e ide – përmbajtjes së veprës dhe ajo që merret me tiparet artistike të tekstit, këtu ndahen. Kjo poezi nuk është zbukurim apo përshkrim i thjeshtë i realitetit, por krijim i një qenieje poetike që shkon deri në simulakër, ikje nga çdo mimesis aristotelian. Duke iu bindur disiplinës së thelbit të saj verbal, ajo zotëron një pushtet emërtues, por shenjat e saj mbështjellin me një ndjeshmëri të mistershme. Poezia e Frederikut shpjegohet si vetëdije e shpirtit të fëminisë dhe pasioneve të saj, sepse përcaktimi thelbësor që i bëhet kësaj poezie është: ligjërimi i imazheve të kësaj fëminie. Poezia vjen nga bashkëshoqërimi i ideve dhe ngjyrimeve që nxisin fjalët përmes kujtimeve, emocioneve dhe dëshirave. Për t’u shprehur, poeti përdor sendet që e rrethojnë, imazhet e ëndrrave dhe objektet e ëndrrave të veta. Faktorë të organizimit ritmik janë zgjedhja e fjalëve, rendi i veçantë i tyre, vargjet e mirëkontrolluara.

Hapi i parë i kuptimit të kësaj poezie është leximi i disahershëm i saj, për të kapur çdo fjalë e referencë. Kërkohet vetëdija e kapjes së kuptimit të dytë të fjalës, ashtu siç duhet për të kuptuar kodin e përdorimit të saj: duhet të përcaktohet qartë ngjyresa e hollë e kuptimit. Është e nevojshme të dihet ngjyresa e zakonshme e fjalës dhe ngjyresa e veçantë në kontekstin e poezisë.

Poezitë, kryesisht, lidhen me emocionin dhe jo me idetë, prandaj këto emocione përçohen përmes ngjyresave të fjalëve dhe asociacioneve midis tyre, duke formuar kështu botën poetike të tekstit. Pa emocione nuk mund të shkruaj. Poezinë e shkruaj në një gjendje të lartë emocionale, thotë në një intervistë. Meqë pjesa më e madhe e intensitetit emocional është krijuar nga  tingujt dhe ritmet e kombinimit të fjalëve, kjo poezi duhet lexuar me zë. Ajo duhet lexuar me kujdes, por në mënyrë të natyrshme, duke shqiptuar çdo fjalë, duke ndaluar në çdo shenjë pikësimi dhe duke vëzhguar fundet e vargjeve me ndërprerjen e duhur. Disa vargje duhet të kenë ndalesa të theksuara, ndërsa disa të tjerë duhet të hidhen menjëherë te vargu tjetër, pas një ndalese të lehtë, duke përjashtuar çdo ton monoton, artificial e mekanik, të cilët, shpesh, shihen si poetikë.

Poezia ka një model të veçantë tingujsh, thyerjesh dhe rrjedhe ritmike, dhe lexuesi i mirë përcakton nuancat dhe zhvillimet emocionale, duke i paraqitur ato sa më saktë në leximin e tij. Çdo lexim i një poezie të shkruar mirë duhet të rikrijojë emocionet fillestare që ka pasur poeti në intensitetin e tyre të parë.

 

 

 

DISA KARAKTERISTIKA

 

Rreshpja mbetet poeti që nuk ka tentuar për të ribotuar në vitet ‘90-të pjesën e parë të krijimtarisë së tij. Sidoqoftë, nga krahasimi i teknikave të realizimit të vargut – në këtë pikë, të kujton Malarmenë, si poet që nuk i lejon vetes asgjë të rastësishme, sado e bukur qoftë ajo, sepse çdo gjë duhet të mbizotërohet deri në fund – shihet se ajo periudhë e krijimtarisë i ka shërbyer si “fletore ushtrimesh”, duke çuar përpara cilësitë e veta më të mira në këtë drejtim. Ato vargje na kujtojnë se sa e rëndësishme qe për këtë poet krijimtaria popullore, duke dhënë disa prej veçorive që ka përdorur ky poet në raport me atë krijimtari.

Këto veçori mund t’i rendisim në:

apostrofimet e shpeshta: Mane të varrosën në muzg/ Kali yt që u bë vjeshtë

rimat s’kanë rëndësi (ato mund të jenë të rastit):

në rastin konkret, duke pasur parasysh një strofë klasike katërshe, nuk rimojnë as muzg me pyllit, as vjeshtë me dimër, megjithatë ne as që ndiejmë ndonjë mungesë

metrika s’ka shtrëngesë:

vargu i parë ka 9 rrokje, vargu i dytë ka 8 rrokje, vargu i tretë ka 9 rrokje, ndërsa vargu i katërt ka 7 rrokje

nënlloji i baladës:

poezia ka tipologjinë e këtij nënlloji poetik

karakteri i gjamës:

poezia përcjell jehonat e largëta, por të përpunuara të kësaj pjese të krijimtarisë popullore, një shembull të së cilës po e citojmë: I mjeri u, mik e ma i miri mik, i mjeri!/ Kur t’nisesh me dalë prej ksaj shpi,/ Lamtumirë thuej, mal e vrri,/ Lamtumirë, shokë e miqsi

mbështetja në krijimtarinë popullore dhe përpunimi mjeshtëror:

poezia na kujton një krijim popullor, por që tejkalohet në sajë të mjeshtërisë së një poeti modern, i cili e ka vetëm si bazë motivin e caktuar popullor

shfrytëzimi i elementeve piktorike përpara atyre tingëllore:

duke përdorur gjuhën kritike të Kutelit, do të thoshim se poezia e Rreshpjes është më tepër një poezi e syrit sesa e veshit, një premisë më tepër për të përforcuar idenë e raporteve të saj me folklorin shqiptar.

Mirëpo, nga ana tjetër, poezia e Rreshpjes dominohet nga metafora, e cila, siç thotë Pipa, kur flet për Migjenin, nuk është karakteristikë e poezisë shqipe, sepse në “poezinë shqipe zakonisht është shpjeguese dhe ilustrative, e afërt me krahasimin. Shqiptarët që priren të jenë realistë dhe praktikë, anojnë kah një stil diskursiv, pa kalime të dhunshme apo kontraste të thella…”

Me ndikim nga baroku apo neobaroku, që i ka ka shkuar gjithmonë për krah poezisë apoloniane, Rreshpja pëlqen metaforën paralogjike. Shikon tek ajo fuqinë e njeriut, duke na kujtuar fjalët e Ortega Y Gasset se ajo “afrohet me magjinë dhe, si instrument i krijimit, është harruar prej Zotit në brendësinë e krijesave të veta…”

Pas metaforave që përdor Rreshpja kemi humbjen e botës objektive, por bota e “krijuar” prej tyre tregon fuqinë e fituar, duke marrë kujtimin e një pasqyre vërtet të veçantë të saj. Na vjen ndërmend koncepti bodlerian se e çrregullta, domethënë e papritura, e befta, habia, përbën një element thelbësor të së bukurës.

Duke shkuar përtej poetëve barokë, ku bashkohen më anë të arsyes dy elemente të pavarura, shumë shpesh ai u heq pavarësinë edhe elementeve që bashkon, duke krijuar një element të tretë, diçka që është vetë simulakra bodrilariane. Me anë të një procesi të thjeshtë gjuhësor, metafora ngrihet në nivelin më të lartë të ndërlikueshmërisë poetike. Te Rreshpja ajo na shfaqet si:

brenda një shoqërimi fjalësh njëra humbet kuptimin e zakonshëm dhe përdorimi i ri fiton një informacion më të madh kulturor, si në format – folklori i zogjve; itakat e legjendave; shtëpia e gjetheve

animizim i natyrës (metaforë folje), si në format – fshihet era në legjendë; hëna vizaton; shqetësohet zogu i pritjes; flenë stinët;

vallëzon mermeri i legjendave

krahasim që bëhet në mendjen tonë, përtej krahasimit të zakonshëm, si në format – reja gri si mall i harruar; dëbora si një perëndi ilire

ç) metaforë epitet (epitet metaforik), si në format – druri i trishtuar; dëbora e thinjur; hëna e pikëlluar

nga kuptimi i ngjashmërisë, si në format – unë kam qenë trishtimi i botës; një mjegull quhet akuarel i lëvizshëm

Kemi edhe disa cilësi të tjera të poetikës manieriste dhe baroke te ky poet, ku rreshtojmë:

katakrezë – mermeri i thyer i Perëndisë së Humbjes; kënga e artë e lamtumirës

Epitetet i thyer, e artë rigjallërojnë disa forma që po shkojnë drejt gjuhës së folur.

oksimoron – o e verbra madhështore; o fat budalla; një kalë i vdekur vrapon nëpër shpat; rri sonte te unë/ sa të bëhen trëndafilat e drurëve të vdekur;

Është e qartë për të gjithë se bashkimi i veçantë i fjalëve ka shmangur kuptimin e njohur të dy elementeve që përplasen, pasi logjika nuk e pranon të vrapojë një kalë i vdekur.

Sinestezia – Megjithatë e di: erdhi një trëndafil me shall/ Dhe ishte një vajzë që çeli gjethe tek porta… Shohim të priten dy rrafshe ndjesore, të cilat e nxjerrin lexuesin nga një ndjeshmëri e zakonshme. Ngatërrimi i sferave të ndijimit bëhet qëllim estetik i poezisë.

Duhet të theksojmë se, edhe pse të kujton poetikat manieriste e baroke, kjo poezi ruan vlerën e modernitetit që në letërsinë perëndimore ka filluar me pohimin e fuqisë interpretuese të gjuhës në poezi (Poe, Hopkins, Mallarmé), kur ajo fiton domethënie e përmasa të reja në shtratin e poezisë moderne.

Pyetja se kush është Reshpja do të bëhet shpesh, që do të thotë se ai do të lexohet dhe rilexohet me kujdes, për t’ia kërkuar vendin që i takon në dinamikën e prodhimit poetik të shqipes.


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.