READING

Përkthime të Aristidh RISTANIT

Përkthime të Aristidh RISTANIT

 

 

 

ELIAS KANETI
Laureat i Çmimit Nobel

“Loja e syve – Histori e një jete”

“Loja e syve – Histori e një jete” është vëllimi i fundit i trilogjisë autobiografike të shkrimtarit austriak me famë botërore Elias Kaneti, Laureat i Çmimit Nobel për letërsinë. Ngjarjet e shumta, të larmshme dhe interesante që përshkruan autori te ky vëllim zhvillohen kryesisht në Vjenë, në këtë qytet kozmopolit të viteve 1931-1937, në prag të katastrofës së madhe evropiane.

“… Ka sy që të ngjallin frikë, sepse kërkojnë vetëm të shqyejnë, ata shërbejnë për të gjurmuar prenë, e cila, pasi është diktuar, s’mund të quhet ndryshe veçse pre; edhe në arriftë të shpëtojë, prapë do të mbetet e damkosur si e tillë. Është diçka e tmerrshme ngultësia e një vështrimi të pamëshirshëm. Kush hyn në fushën e saj pamore, shndërrohet në viktimë dhe mund të shpëtojë vetëm nëpërmjet një metamorfoze të plotë. Por, meqë në realitet është e pamundur kjo metamorfozë, për hir të saj krijohen mite e personazhe. Mitik është edhe syri që s’kërkon të shqyejë viktima, megjithëse nuk i ndahet kurrë asaj që ka parë. Ky mit është bërë realitet, dhe kushdo që e ka përjetuar rikujton me emocion e tmerr syrin që e detyroi të mbytej në thellësinë e tij të pamasë. Thellësia e syve të tillë është e pakufi. Asgjë që zhytet në të s’ia prek dot fundin, dhe asgjë nuk kthehet dot më në sipërfaqe. Deti i këtij syri s’ka kujtesë, është një det që vetëm kërkon e merr. Ia jep çdo gjë që ke, gjithçka që përbën natyrën tënde më intime. Ky veprim s’është i dhunshëm, këtu s’kemi të bëjmë me diçka që ta rrëmbejnë. Atë që jep, e jep me kënaqësi, thua se ky është synimi yt i natyrshëm, thua se s’mund të kesh asnjë synim tjetër.”

(Elias Canetti: “Loja e syve – Histori e nje jete”.
Titulli i origjinalit: “Das Augenspiel –
Lebensgeschichte”, 380 faqe.)

 

GËTE

“Afritë përzgjedhëse”

Roman

“Kjo vepër është jo më e madhja, por më e madhërishmja e letërsisë gjermane. Është një vepër me një njohje kaq të thellë e të hollë të shpirtit njerëzor, kaq e ekuilibruar në mirësi e rreptësi, në qartësi e fshehtësi, në mençuri e mallëngjim, në formë e ndjenjë, saqë vetëm duke u mahnitur mund ta quajmë tonën.” (Tomas Man)

 

“Romani ‘Afritë përzgjedhëse’, një nga xhevahiret e letërsisë gjermane, është një vepër komplekse, ku Gëtja na shfaqet me tërë pasurinë e vet si njeri, dijetar, dramaturg, moralist e stilist, një vepër klasike, si të thuash, e lëmuar, krijim vezullues i një mendjeje të ndritur, një vepër që fërgëllon nga jeta e nga pasioni.” (Zh. F. Anzhelos)

 

“Një vepër artstike e pashtershme, një vepër e pamasë dhe e pafund.” (Karl Zogler)

 

“Në këtë roman admirojmë prozën tregimtare më të pastër e më të përsosur që ka shkruar Gëtja.” (Fridrih Gundolf)

 

“Roman me një forcë tërheqëse thuajse magjike.” (Jeremi Adler)

 

“Një zonje aristokrate, e cila i thotë se këtë libër s’do t’ia rekomandonte asnjë gruaje për ta lexuar, Gëtja, pasi rri për një çast i heshtur e hijerëndë, i përgjigjet me bindje: Më vjen keq, por ky është libri im më i mirë.” (Hajnrih Laube)

 

(Johann Wolfgang von Goethe:

“Afritë perzgjedhëse”, Titulli i origjinalit:

“Die Wahlverwandtschaften”, Roman, 310 faqe.)

 

 

ERIH MARIA REMARK

 

“Një natë në Lisbonë”

Roman

 

Romani “Një natë në Lisbonë”, i cili, qysh nga botimi i tij i parë në vitin 1963, është përkthyer në shumë gjuhë dhe ka qenë pareshtur nje bestselër, të rrëmben që nga faqja e parë e gjer në faqen e fundit me përshkrimin tejet prekës të mundimeve të pasosura e të fatit tragjik të atyre njerëzve që morën rrugët e mërgimit për të shpëtuar nga mizoritë e nazizmit.

“Ia kisha ngulur sytë anijes tërë drita që ishte ankoruar në Taho*, afër Molit. Po bëhej një javë që isha në Lisbonë dhe prapë s’po mësohesha dot me ndriçimin e shkujdesur të këtij qyteti. Në vendet nga vija unë, natën qytetet dukeshin si miniera qymyri, dhe një fener në atë errësirë ishte më i rrezikshëm se kolera në mesjetë. Unë vija nga Evropa e shekullit të njëzetë! Atë anije, që ishte vapor pasagjerësh, po e ngarkonin. E dija që do të nisej të nesërmen në mbrëmje. Në dritën e vrazhdë të llambave elektrike të zhveshura po stivonin në të katër anët arka me mish, peshk, konserva, bukë e zarzavate; hamejtë shpinin në bord bagazhet, ndërsa një vinç ngrinte arka e dengje pa u ndier, thua se nuk peshonin fare. Anija po përgatitej për lundrim si Arkë e Noes. Dhe një arkë e tillë ishte vërtet. Të gjitha anijet që largoheshin nga Evropa në ata muaj të vitit 1942, arka të tilla ishin. Mali Ararat qe Amerika, dhe ujërat ngriheshin nga dita në ditë. Qysh prej kohësh patën përmbytur Gjermaninë e Austrinë dhe kishin hyrë thellë në Poloni e në Pragë; Amsterdami, Brukseli, Kopenhaga, Osloja e Parisi qenë fundosur tashmë; qytetet e Italisë po binin erë ujërash të qelbura; as Spanja s’po e ndiente veten të sigurt. Bregu i Portugalisë ishte streha e fundit për ata që i kishin drejtësinë, lirinë e tolerancën më të shtrenjta se atdheun e jetën. Kush nuk nisej dot që këtej për të dalë në “dheun e premtuar” të Amerikës, ishte i humbur. Do të robtohej për një vizë hyrjeje e daljeje gjithnjë të mohuar, për leje pune e qëndrimi të paarritshme, do të dergjej nëpër kampe internimi, do të dërrmohej nga burokracia, nga vetmia, nga vendi i huaj dhe nga indiferentizmi i tmerrshëm e i përgjithshëm ndaj fatit të individit, çka ëshë përherë rrjedhojë e luftës, e frikës dhe e mjerimit. Asokohe njeriu s’ishte asgjë, pasaporta e vlefshme ishte gjithçka.”

—————————-
* Lumi më i gjatë i Gadishullit Iberik. Buron nga Spanja, lag Toledon, kalon nëpër Portugali dhe derdhet në oqeanin Atlantik. Në grykën e këtij lumi është vendosur Lisbona. (Shënim i përkthyesit)

 

(Erich Maria Emark: “Një natë në Lisbonë”, titulli i origjinalit:

“Die Nacht von Lisabon”, roman, 260 faqe.)

 

 

STEFAN CVAJG

 

“Bota e djeshme – Kujtime të një evropiani”

Vepër autobiografike

“Bota e djeshme” janë Vjena dhe Evropa, ku Stefan Cvajgu u rrit dhe pati sukseset e para si shkrimtar, ku lexoi me pasion, shkroi dhe udhëtoi, lidhi miqësi me Frojdin, me Rilken e me Valerinë… Një botë e stabilizuar, ku, me gjithë tensionet nacionaliste, liria e mendimit gëzonte tërë të drejtat. Kjo e kaluar shihet me mall, sepse shkrimtari i mërguar që shkruan “Kujtimet e një evropiani”, ka parë rrënimin e tmerrshëm të 1914-s, shembjen e froneve, përmbysjen e ideve, pastaj shpartallimin e mbarë një qytetërimi nën dyndjen e pandalshme të nazizmit. Kjo tablo e një gjysmë shekulli historie të Evropës, plot me anekdota, me ngjyra e me fakte interesante, por edhe plot me ngjarje dramatike, përmbledh kuptimin e një jete, të angazhimit të shkrimtarit, të një ideali. Ajo ështe gjithashtu një libër-dëshmi nga më tronditësit, më të thellët, më instruktivët e më aktualët, i cili na ndihmon të kuptojmë shekullin që shkoi.

“… Përmes jetës sime janë turrur tërë kuajt e murrëtyer të apokalipsit: revolucion dhe zi buke, zhvlerësim paraje dhe terror, epidemi dhe emigracion; kam parë të rriten e të përhapen mu para syve të mi ideologjitë e mëdha masive, fashizmin në Itali, nacionalsocializmin në Gjermani, bolshevizmin në Rusi dhe, mbi të gjitha, atë kolerën e kolerave, nacionalizmin, që ka helmuar lulen e kulturës sonë evropiane… Por, deri edhe nga thellësitë e humnerës së terrorit ku po endemi sot gjysmë të verbër, me shpirt të trazuar e të këputur, ngre sytë e vështroj pareshtur ato yjësi të lashta që më patën ndriçuar rrugën e fëmijërisë, dhe ngushëllohem me besimin që kam trashëguar nga të parët e mi se një ditë ky kthim prapa do të ngjajë vetëm si një interval në ritmin e përjetshëm të ecjes së pandalshme përpara.”

(STEFAN ZWEIG: “Bota e djeshme – Kujtime të një evropiani”,

Titulli i origjinalit: “Die Welt von Gestern – Erinnerungen

eines Europäers”, 440 faqe.)

 

 

MOPASAN
“E fortë si vdekja”
Roman


“Është një temë shumë e bukur melankolike, një përshkrim i mrekullueshëm e mjaft i saktë i hoveve shpirtërore shterpë e torturuese të një lloj rinie të dytë e të papritur te një njeri që dremitet në një qetësi mashtruese.” (Pol Zhinisti, 1889)

“Talenti i Mopasanit në këtë roman është i fuqishëm, i plotë e i ndritur. Kjo është faza e tretë e krijimtarisë së tij, faza kur ai ka dhënë librat e vet më të thellë, më me ndjenjë, më tronditës, siç janë romanet ‘E fortë si vdekja’ dhe ‘Zemra jonë’.” (Gazeta “Lë korespondan”, 1892)

“Origjinaliteti kompleks i romanit ‘E fortë si vdekja’ ka mbushur me admirim jo vetëm zemrat e ndjeshme, të cilat në leximin e një libri kërkojnë rastin për t’u mallëngjyer e për të medituar, por edhe shkrimtarët e rinj, të cilët e kuptonin se Mopasani, që të arrinte e të përshkruante botën e brendshme të një personazhi aq misterioz e aq të heshtur si Berteni, kishte gjetur një mjet, në fillim simpatinë shumë të madhe e më pas identifikimin e vetvetes me të. Ata e shpallën shkrimtarin si mësues të tyre.” (Alber-Mari Shmit, 1959)

“Një roman dashurie dhe ankthi therës që shoqëron lindjen dhe rritjen e dhimbjes së pamasë nga pleqëria… Një roman sintezë me frymëmarrje të gjerë.” (Zherar Delezman, 1991)

“Një roman shoqëror që analizon mekanizmat dhe ritet e asaj bote të hipokrizisë, të mërzisë e të shterpësisë shpirtërore që quhet shoqëria e lartë mondane. Një roman që na sjell ndër mend Burzhenë, por kthjelltësia e tij na kujton Prustin.” (Edision Galimar, 1991)

 

 

(Guy de Maupassant: “E fortë si vdekja”,

Titulli i origjinalit: “Fort comme la mort”,

Roman, 240 faqe.)

 

 

 

ELIAS KANETI

Laureat i Çmimit Nobel

 

“Masa dhe pushteti”

Vepër sociologjiko-filozofike

(Në dy vëllime)

 

 

Me veprën e vëllimshme sociologjiko-filozofike “Masa dhe pushteti”, shkrimtari me famë botërore Elias Kaneti (1905-1994), Laureat i Çmimit Nobel për letërsinë, ka pasur si qëllim të japë ndihmesën e vet për shpjegimin e kthesave rrënjësore politike, sociale e kulturore në Evropën e shekullit të njëzetë. Lidhur me këtë, kritikët vënë në dukje se gjer më sot nuk ka libër tjetër që të merret me problemet e shoqërisë bashkëkohore në mënyrë kaq të përqendruar sa “Masa dhe pushteti”, dhe shtojnë se “masa” dhe “pushteti” janë koncepte themelore për të kuptuar epokën tonë. Kjo vepër përfshin në të njëjtën shkallë edhe aspekte nga fushat e antropologjisë, të etnologjisë e të psikologjisë, dhe lexuesi e ndien se aty trajtohen çështje që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me të, se aty mendohet për fatin e tij. Kjo vepër cilësohet si një arritje e shkëlqyer, si një rrugë krejt origjinale në ritrajtimin e historisë dhe të psikologjisë së masës.

“Masa dhe pushteti” është “opus vitae”, është vepër e një jete. Jo e jetës së një universitari ose e jetës së një studiuesi, por e jetës së një shkrimtari, i cili, me stilin e vet të ndritur, me forcën dhe me shkëlqimin e mënyrës së të shprehurit, arrin ta bindë lexuesin për shpjegimet shkencore që jep. Në këtë vepër, së cilës i ka kushtuar 35 vjet të veprimtarisë së vet krijuese, Kaneti përpunon një teori të tërë ndërlidhurish midis dukurive të masës dhe të gjitha aspekteve të pushtetit. E veçanta e kësaj vepre është se autori i saj shkruan në një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme për të gjithë, duke patur kujdes që të mos e mbushë me terma të ndërlikuar shkencorë. Ai i lë çështjet të hapura për t’u interpretuar nga kushdo që ka interes në fushën përkatëse. “Masa dhe pushteti” është një vepër gjithnjë aktuale, dhe autori i saj një stilist i madh, sikurse e ka njohur tashme lexuesi ynë nëpërmjet trilogjisë së tij autobiografike (“Gjuha e shpëtuar”, “Pishtari në veshin tim” dhe “Loja e syve”).

 

 

(Elias Canetti: “Masa dhe pushteti”,

Titulli i origjinalit: “Masse und Macht”,

vepër sociologjiko-filozofike,

në dy vëllime, 720 faqe.)

 

GOTFRID KELER
“Romeo dhe Zhuljeta ne fshat”

 

Romani “Romeo dhe Zhuljeta në fshat” i shkrimtarit të madh zviceran Gotfrid Keler (1819-1890) është vepra më e njohur nga cikli i tij “Njerëzit e Seldvilës” dhe njëherazi e para vepër që është përkthyer në gjuhën shqipe nga krijimtaria e pasur letrare e këtij autori me famë botërore. Ky roman është botuar për herë të parë në vitin 1856, kurse përkthimi në gjuhën shqipe është bërë në bazë të versionit të fundit të përpunuar nga autori në vitin 1874.

Titulli i këtij romani, i cili, sipas mendimit të kritikës letrare, bën pjesë ndër veprat më të lexuara të letërsisë botërore në përgjithësi dhe të letërsisë gjermane në veçanti, i referohet tragjedisë së Shekspirit “Romeo dhe Zhuljeta” dhe është një përshtatje e përmbajtjes së saj, por ndërkaq autori e zhvendos vendin e ngjarjes të kësaj historie tragjike dashurore në epokën e vet dhe në një fshat të Zvicrës, në bazë të një ndodhie tragjike në një fshat të vogël pranë Lajpcigut, botuar më 3 shtator 1847 në gazetën zvicerane “Cyrher frajtagscajtung”. Ky roman është, në radhë të parë, një vepër që, ndryshe nga tragjedia e Shekspirit, përshkohet tejetej prej fymës kritike ndaj shoqërisë bashkëkohore. Keleri përshkruan në të fatin tragjik të dy të rinjve të dashuruar fort me njëri-tjetrin, por që pengohen nga një shoqëri mikroborgjeze gjatë rrugës për të gjetur lumturinë në jetën e tyre të përbashkët.

Shumë shkrimtarë bashkëkohës të Kelerit shihnin te “Romeo dhe Zhuljeta në fshat” një vepër letrare të nivelit të lartë. Shkrimtari gjerman Bertold Auerbah e quante këtë roman si një “këngë popullore të përpunuar”, çka asokohe ishte një lëvdatë shumë e madhe për një autor; një shkrimtar tjetër gjerman, Teodor Fontane, e cilësonte si “një roman të mrekullueshëm” dhe si “një nga prozat më të bukura në gjuhën gjermane”, duke shtuar lidhur me këtë: “Edhe nëse nuk është përrallë, është diçka tërësisht përrallore”; Oto Ludvigu, edhe ky shkrimtar gjerman, e vlerësonte ritmin tragjik në rritje te kjo vepër si plotësisht në frymën e Shekspirit; shkrimtari gjerman Valter Benjamin e quante romanin në fjalë si “vepër të pavdekshme”, që e vinte autorin e saj “krahas tre a katër prozatorëve më të mëdhenj të gjuhës gjermane”. Edhe në ditët tona, recensentët e kritikët flasin për këtë vepër të Gotfrid Kelerit si për “një prej historive më të bukura dashurore të të gjitha kohërave”.

(Gottfried Keller: “Romeo dhe Zhuljeta në fshat”,
Titulli i origjinalit: “Romeo und Julia auf dem Dorfe”, Roman,
140 faqe.)

 

 

ELIAS KANETI

Laureat i Çmimit Nobel

 

“Gjuha e shpëtuar – Histori e një rinie”

 

Ky libër hap trilogjinë autobiografike të shkrimtarit austriak me famë botërore Elias Kaneti, Laureat i Çmimit Nobel për letërsinë. Qysh kur doli së pari në vitin 1977, kjo “histori e një rinie” u prit si një “vepër klasike bashkëkohore”, si një nga ato vepra letrare që e kanë të sigurt jetën e tyre të gjatë e që emocionojnë thellë çdolloj lexuesi. Me një stil të kthjellët, interesant e prekës gjer në hollësitë më të vogla, Kaneti trajton këtu kujtimet e veta më të hershme, duke na dhënë kështu atë histori unike që për secilin prej nesh është më e fshehta e më enigmatikja: historia e jetës vetjake.

 

Në hartimin e kësaj autobiografie, që, sikurse thekson shtypi i huaj, përbën një mozaik episodesh të fuqishme dhe shumë interesante, të përshkruara me një gjuhë poetike plot ngrohtësi e dritë, Kaneti ka patur si kredo: “Frikacak, me të vërtetë frikacak, ai që trembet nga kujtimet e veta!” Autorit nuk i duket pa rëndësi asnjë personazh, ai skicon për secilin një portret letrar plot dashuri, pa e bërë të mërzitshëm tregimin as edhe në një faqe të vetme.

 

Çdo baba e çdo nënë, çdo gjysh e çdo gjyshe duhet të lexojë se çfarë thotë vogëlushi Kaneti për babanë e për nënën, për gjyshin e për gjyshen e vet, çdo mësues duhet të lexojë me vëmendje se çfarë panorame jep për mësuesit vogëlushi Kaneti gjatë orëve të mësimit, dhe të shikojë se ç’vend zë ai vetë në këtë univers. Në librin “Gjuha e shpëtuar – Histori e një rinie”, i cili është përkthyer në dhjetëra gjuhë të ndryshme të botës, nuk ka faqe që të mos e shtyjë lexuesin t’i bëjë vetes pyetje të tilla.

 

 

(Elias Canetti: “Gjuha e shpëtuar – Histori e një rinie”,

Titulli i origjinalit: “Die gerettete Zunge – Geschichte

einer Jugend”, 424 faqe.)

 

 

 

JOSEPH ROTH

 

“Historia e natës së 1002-të”

Roman

 

 

Romani “Historia e natës së 1002-të”, e para vepër e shkrimtarit të shquar austriak Jozef Rot e përkthyer në gjuhën shqipe, ngjan si një testament shpirtëror, njëherazi edhe si një profeci apokaliptike rreth fatit të Austrisë  tashmë ish-perandori habsburgase, e cila më 1939, vit i botimit të këtij libri, duket se ka nisur të gllabërohet prej një humnere akoma më të thellë se humnera e mëparshme, si pasojë e çmendurisë naziste të aneksimit dhe të Luftës së Dytë Botërore.

 

Vjena e fundit të shekullit të 19-të, me tablotë e saj plot kontraste, përbën sfondin e këtij romani, që autori e botoi në mërgim, pak para vdekjes së vet tragjike më 1939, në moshën 45-vjeçare. Ky tregim i shkëlqyer dhe alegorik për ngashënjimin dhe rrënimin personal e shoqëror, të dhëna këto nëpërmjet përshkrimesh të holla e të këndshme, përbën një mjet thelbësor për të kuptuar aftësitë e jashtëzakonshme krijuese të autorit, aftësi që janë mishërim i një njohjeje të thellë të shpirtit njerëzor, i një gjuhe të përkryer dhe i një dëshpërimi të etur për dashuri.

 

Romani në fjalë, ngjarjet e të cilit zhvillohen në Austri aty nga viti 1880, pjesërisht edhe në Persi e në Karpatet e atëhershme austriake, është kryevepra e Jozef Rotit, suksesi kulmor i dëshpërimit të tij të papërlotur e i dashurisë së tij të zjarrtë për jetën, dhe ka si zanafillë një aventurë erotike të monarkut të Persisë në Vjenën e dinastisë së Habsburgëve. Këtu autori është zëri autentik e anonim i fabulës së romanit dhe i lëviz personazhet e veta në një lojë të pamëshirshme shahu, ku asnjëri syresh nuk është i vetëdijshëm, në një lojë që do të sjellë rrënimin për të gjithë. Dhe secili prej personazheve mendon se po bën për veten e vet gjënë më të mirë, por në të vërtetë bën gjënë më të keqe, ose bën pikërisht atë gjë që e shpie drejt rrënimit. I paprekur mbetet vetëm një gjerdan margaritarësh, rreth të cilit është vërtitur në fshehtësi e tërë historia.

 

(Joseph Roth: “Historia e natës së 1002-të”,

Titulli i origjinalit: “Die Geschichte von der 1002. Nacht”,

Roman, 300 faqe.)

 

 

 

 

HERMAN HESE

Laureat i Çmimit Nobel

 

“Loja e rruazave prej qelqi”

Roman, në dy vëllime

I shkruar në vitet e errëta të nazizmit, i botuar për të parën herë në Zvicër më 1943 dhe i ndaluar asokohe të shihte dritën e botimit e të shpërndahej në Gjermani, romani “Loja e rruazave prej qelqi” është vepra më e vëllimshme e më e rëndësishme e shkrimtarit të shquar gjerman Herman Hese, Laureat i Çmimit Nobel për letërsinë.

 

Ky roman, që është përkthyer në më se 40 gjuhë të botës dhe në 12 dialekte indiane, përmban një utopi shumë konkrete dhe jo më kot u është kushtuar “Pelegrinëve të Orientit”, emërtim i përdorur nga autori për artistët, për shkrimtarët dhe për të gjithë njerëzit e së shkuarës, të së tashmes e të së ardhmes që kanë si tipar të përbashkët faktin se, pavarësisht nga parullat e nga pretendimet e shumicave, sendërtojnë me ngulm prirjet e tyre, jo si qëllim në vetvete, por si domosdoshmëri, duke ndihmuar kësisoj në konkretizimin e intelektit, të shkencës e të humanizmit, çka qëndron mbi të gjitha kufizimet e kombeve, të racave, të feve e të ideologjive.

 

Romani “Loja e rruazave prej qelqi”, i cili në krijimtarinë letrare të shkrimtarit Herman Hese cilësohet si përmendorja më e përkryer, është një vepër komplekse, e pasur dhe e ngjeshur, magjepsëse nga origjinaliteti i strukturës e i bukurisë së saj gjuhësore, një vepër e jashtëzakonshme, e mbushulluar me simbole, e përshkuar tejendanë nga një ironi e matur e nga një ton parodizues, një vepër e cila përbën mbarimin e harkut të madh që lidh romanin edukativ të Gëtes me misterin e Orientit, ajo është njëherazi profeci dhe kritikë e epokës.

 

 

“… Pra, Loja e rruazave prej qelqi është një mënyrë të luajturi me çdo vlerë e me çdo përmbajtje të kulturës sonë, ajo luan me to, ashtu sikurse ndodh, për shembull, në periudhat e lulëzimit të arteve, me një piktor, i cili mund të ketë luajtur me ngjyrat e paletës së vet. Me njohuritë, me idetë e mëdha e me veprat artistike që ka nxjerrë njerëzimi në epokat e veta krijuese, me atë që epokat e mëvonshme të studimeve erudite e kanë shndërruar në koncepte e në pronë intelektuale, me tërë këtë trashëgimi të pamasë vlerash shpirtërore, lojtari i Lojës së rruazave prej qelqi luan njësoj siç luan në organo një organist, por kjo organo ka një përsosuri gati të papërfytyrueshme: tastiera dhe pedali i saj fshikin tërë kozmosin shpirtëror, regjistrat e saj janë pothuaj të panumërt, dhe teorikisht me anë të këtij instrumenti mund të riprodhohet në tinguj e gjithë përmbajtja shpirtërore e universit.”

 

(Hermann Hesse, Laureat i Çmimit Nobel:

“Loja e rruazave prej qelqi”,

Titulli i origjinalit: “Das Glasperlenspiel”,

Roman, në dy vëllime, 700 faqe.)

 

 

GOTFRID KELER

 

“Mashtrim me letra dashurie”

Tri novela

 

“…Dhe ja ku po rrinte tani aty, ashtu sikurse djaloshi Herkul, te një kthesë e jetës së vet, te një udhëkryq i mirëfilltë. Nga kurora e blirëve që rrethonte qytetin ngriheshin përpjetë kolona të lezetshme tymi, çatitë e praruara të kullave rrëzëllenin në diell ashtu joshëse midis majave të pemëve: në këtë anë shikonte lumturi, kënaqësi, kredhje në borxhe dhe një fat plot mistere, kurse në anën tjetër, në anën e fushës, ishte rruga e largët dhe e lirë, ku e prisnin puna, vështirësitë, skamja dhe terri, por në të njëjtën kohë edhe një ndërgjegje e pastër dhe një jetë e qetë.” (“Veshja të bën njeri”)

 

“…Drejt gjërash të tilla më të madhërishme po lundronte tani me vela të fryra, i shtyrë edhe nga fryrja e stërmadhe e së shoqes. Dhe lundroi aq mirë, saqë me ndihmën e saj mbërriti, pas njëfarë kohe, atje ku është përcaktuar të mbërrijë pjesa më e madhe e bashkëqytetarëve të tij. Në vend që të kujdesej për punët e tregtisë, u bashkua me një grusht kokëkrisurish si puna e tij, të cilët i pati peshkuar aty rrotull, dhe u dha pas prodhimit të një letërsie shkollariste e çapraze, që qarkullonte si e tillë edhe mes njerëzish me mend në kokë dhe që, me ato përsëritjet e përjetshme, propagandohej si diçka krejt e re dhe e padëgjuar kurrë, sadoqë s’bënte gjë tjetër veçse ripërtypte mbeturina të hedhura nga të tjerë dhe nxirrte marrëzira me brirë. Ndaj kujtdo që s’e pranonte atë famën e saj të përpallur, ajo hakmerrej duke e cilësuar si përfaqësues të një klike tinëzake e armiqësore. Por fshehurazi edhe ata vetë e përçmonin shoqi-shoqin.  “Mashtrim me letra dashurie”

 

“…Këto atribute kishin të bënin me një palë syze me skelet të praruar, me tri kopsa këmishe të emaluara e të lidhura bashkë në një qostek të gjatë floriri, që përshkonte nga njëri cep në tjetrin një jelek plot lajle e lule, me gjithfarëlloj stringlash, me një karficë vigane mbërthyer në kravatë, ku një miniaturë paraqiste betejën e Vaterlosë, pastaj me tri a katër unaza të mëdha, me një bastun të gjatë, doreza e të cilit formonte një palë dylbi teatri në trajtën e një kupe të sedeftë. E tërë kjo armatosje i ngjante si pajimi ideal i një njeriu të lumtur. Këtë e pati bërë si suazë të hartuar me guxim për jetën e vet, qysh më përpara, qysh atëherë kur vazhdonte akoma të përlante, por kurrë pa ide largpamëse, atë pasuri të vogël që kishte trashëguar. Tani ky pirg sendesh s’ishte dhe aq fort stolisja pa shije e një burri sqimatar, ai qe, para së gjithash, një shkollë përvoje, durimi e ngushëllimi në kohë fatkeqësie, si edhe një gatishmëri e denjë për të pritur më në fund kthimin e lumturisë, e cila mund të vinte ashtu befas, si ndonjë hajdut nate.” (“Farkëtari i fatit të vet”)

 

(Gottfried Keller: “Mashtrim me letra dashurie”,

Titulli i origjinalit: “Die missbrauchten Liebesbriefe”,

Tri novela, 280 faqe.)

 

 

 

HERMAN HESE

Laureat i Çmimit Nobel

 

“Narcisi dhe Gojarti – Histori e një miqësie”

Roman

 

 

Romani “Narcisi dhe Gojarti”, me nëntitull “Histori e një miqësie”, është një prej veprave me të suksesshme të shkrimtarit të shquar Herman Hese, Laureat i Çmimit Nobel për letërsinë. Qysh kur u botua për herë të parë, në vitin 1930, kritika e vlerësoi si një vepër në vazhdën e traditës së romanit edukativ gjerman. Historinë e miqësisë midis Narcisit të talentuar, erudit e asket, dhe Gojartit, një artist endacak e gjenial, autori e vendos në mesjetën legjendare të katolicizmit manastiror, e cila është një prej epokave historike më të parapëlqyera në krijimtarinë e tij letrare.

 

Narcisi e ndien se prirja e mikut të tij s’është jeta prej murgu, dhe e ndihmon që ai të zgjedhë rrugën e vet. Dhe kështu nis për Gojartin jeta endacake, nisin aventurat e tij dashurore. Tomas Mani, duke vlerësuar lart këtë vepër të Herman Heses, thotë: “…një libër i mrekullueshëm, me një mprehtësi të rrallë poetike, me një përzierje elementesh të romantizmit gjerman e të psikologjisë moderne, madje edhe të psikanalizës frojdiste, një roman krejt i veçantë për sa i takon çiltërsisë dhe përmbajtjes interesante.”

 

Nisur nga ngjarjet mjaft tërheqëse dhe nga bukuria mahnitëse gjuhësore, kritika letrare e cilëson këtë roman si një vepër të madhërishme, plot dashuri e vuajtje, plot lumturi e fatkeqësi, si një libër që mbetet gjithmonë aktual dhe që të shoqëron përherë në rrugën e gjatë e të vështirë të jetës.

 

 

(Hermann Hesse: “Narcisi dhe Gojarti – Histori

e një miqësie”, Titulli i origjinalit: “Narziss und

Goldmund – Geschichte einer Freundschaft”, Roman,

346 faqe.)

 

 

 

 

ELIAS KANETI

Laureat i Çmimit Nobel

 

“Pishtari në veshin tim – Histori e një jete”

 

 

“Pishtari në veshin tim – Histori e një jete” është vëllimi i dytë i trilogjisë autobiografike të shkrimtarit të shquar austriak Elias Kaneti, Laureat i Çmimit Nobel për letërsinë. Këtë vëllim autori ua kushton kujtimeve të veta nga dhjetëvjeçari i tretë i shekullit të kaluar, periudhë që karakterizohet prej një veprimtarie të vrullshme e të ethshme në rrugën e formimit të tij intelektual. Sfondin e vëllimit në fjalë e përbëjnë temat e mëdha të veprës së këtij klasiku modern, siç janë masa, pushteti, vdekja, dinjiteti i individit, që autori i shtjellon me një ndjenjë përgjegjësie të lartë morale. Kësisoj, ky libër është njëherazi edhe një vepër letrare me vlerë të madhe instruktive për jetën.

 

 

“… Ndryshe nga shumë njerëz të tjerë, që i nënshtrohen sidomos tundimit të një psikologjie fjalëtërkuzë, unë jam i bindur se kujtimin s’duhet ta torturojmë, s’duhet ta sfilitim e ta shtrydhim dhe as të përpiqemi e ta bëjmë tërheqës duke përdorur karrema joshës; unë përkulem para kujtimit, përkulem para kujtimit të çdo njeriu, dua që këtë kujtim ta lë të paprekur, ashtu siç i takon njeriut që lufton për të jetuar i lirë, dhe nuk e fsheh neverinë ndaj atyre që kanë guxim t’ia nënshtrojnë kujtimin e një njeriu një sëre ndërhyrjesh kirurgjike, gjersa më në fund e bëjnë t’u ngjajë kujtimeve të gjithë njerëzve të tjerë. Le të operojnë hundë, buzë, veshë, lëkurë e flokë sa t’u dojë qejfi, …le të prekin, të shkurtojnë, të lëmojnë e të rrafshojnë ç’të duan, por vetëm te kujtimi të mos vënë dorë.”

 

 

(Elias Canetti: “Pishtari në veshin tim – Histori

e një jete”, Titulli i origjinalit: “Die Fackel im

Ohr – Lebensgeschichte”, 450 faqe.)

 

 

 

KRISTA VOLF

 

“Qyteti i engjëjve”

Roman

Romani i ri madhor dhe njëherazi vepra e fundit e shkrimtares së njohur gjermane Krista Volf me titull “Qyteti i engjëjve ose The Overcoat of Dr. Freud”, libër që autorja i ka kushtuar dhjetë vjet të veprimtarisë së vet letrare, pasqyron jetën e saj lidhur me çaste vendimtare të historisë gjermane. Në këtë roman përshkruhet qëndrimi nëntëmujor i Krista Volfit në Los Anxhelos me ftesë të Fondacionit Getty (Getty Center), në fillim të viteve nëntëdhjetë. Qëndrimi disamujor i autores në këtë qytet amerikan përkon me një krizë të thellë në jetën e saj, atëherë kur, si pasojë e hapjes së dosjeve të sigurimit të shtetit (Shtazi) të ish-Gjermanisë Lindore, u zbulua se shkrimtarja, përveç faktit që ishte survejuar e spiunuar prej tij gjatë më se tridhjetë vjetëve, sepse quhej si zë kritik e shqetësues, më përpara, nga viti 1959 gjer në vitin 1962, pati bashkëpunuar me të në mënyrë jozyrtare. Gjatë qëndrimit në Los Anxhelos, autores i mbërrijnë njoftime rreth fushatës së bujshme që kishte shpërthyer kundër saj në shtypin gjerman, fushatë që pak nga pak ajo s’është në gjendje më ta shpërfillë. Kësisoj, sikurse vë në dukje kritika, libri shndërrohet në një sprovë për të rindërtuar etapat e ngjizjes së një ideje të drejtësisë sociale që vë në qendër të vet qenien njerëzore, dhe në të njëjtën kohë në një përsiatje të kthjellët lidhur me kujtesën e me harresën: “Si munda ta harroja?” është pyetja rreth së cilës vërtitet autoanaliza e tregimtares në vetën e parë, një autoanalizë që shquhet nga një çiltërsi mbresëlënëse, e cila nuk shndërrohet asnjëherë në shfryrje ose në dhënie llogarie. Romani “Qyteti i engjëjve ose The Overcoat of Dr. Freud” i shkrimtares Krista Volf, qysh nga viti 2010, kur u botua për herë të parë në origjinalin gjermanisht, është përkthyer tashmë në 22 gjuhë të ndryshme të botës.

 

 

(Christa Wolf: “Qyteti i engjëjve”, Titulli i origjinalit:

“Stadt der Engel oder The Overcoat of Dr. Freud”, Roman,

450 faqe.)

 

 

STEFAN CVAJG

 

“Dehje nga metamorfoza”

Roman

 

 

Romani “Dehje nga metamorfoza”, që u botua për herë të parë shumë vjet pas vdekjes së autorit, cilësohet nga shtypi i huaj si “një kryevepër, këngë mjellme s Stefan Cvajgut romancier”. Sipas këtij romani është realizuar në Francë filmi i madh i Molinaros.

 

“… Jo, nuk është e mundur, mendon ajo, s’mund të ndryshojë kaq shumë njeriu, sepse, po të ishte kështu, atëherë unë… Dhe ndalet, s’ia nxë goja atë fjalë. Por pasqyra, duke ia blerë mendimin, nis të buzëqeshë, një buzëqeshje në fillim e lehtë dhe pastaj gjithnjë e më vezulluese. Tani, në këtë pasqyrë të vagët kundruall saj, ata sy qeshin me çiltërsi, tërë dritë e krenari, dhe buzët e kuqe gjysmë të çelura ngjajnë sikur pranojnë të gëzuara: “Po, jam e bukur!”… Shend e verë, del në korridor dhe shkon me vrap gjer te dhoma e tezes; nga lëvizjet e shpejta, fustani i freskët prej mëndafshi e bën të ndiejë një lloj kënaqësie. I duket vetja si në krahët e një dallge, si mbi flatrat e një ere hyjnore. Qysh nga koha e fëmijërisë, ecja e saj nuk ka qenë kurrë kaq e lehtë, kaq fluturake: një qenie njerëzore ka nisur tashmë të dehet nga metamorfoza.”

 

(Stefan Zweig: “Dehje nga metamorfoza”,

Titulli i origjinalit: “Rausch der Verwandlung”, Roman, 270 faqe.)

 


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.