Alejandro DOLINA
(Argjentinë, 1944)
Lashtësia klasike nuk i njohu pasqyrat. Sirianët e shpikën qelqin njëqind vite para lindjes së Krishtit. Por bëhej fjalë për një qelq të patejdukshëm. Vetëm në shekullin XIII, në Venedik, u arrit të kihet një qelq krejtësisht i pangjyrë dhe i tejdukshëm.
Teknikat e përdorura ishin tërësisht sekrete. Artizanët punonin në një ishull tepër të vigjiluar, ku ndëshkimet ndaj besimshkelësve ishin të një ashpërsie të skajshme.
Në 1291-shin, venedikasit zbuluan se, po ta vishnin qelqin me një fletë metali, atëherë dilte një sipërfaqe, pasqyrimi i të cilës ishte i qartë dhe shkëlqyes.
Përgjatë shumë shekujve, njerëzit mund ta shihnin veten e tyre në pasqyrimin e ujërave të qeta ose në sipërfaqet e metalit të lëmuar.
Por, duke qenë se qetësia e ujërave nuk ishte e shpeshtë dhe metali i lëmuar ishte mjaft i kushtueshëm, thuajse askush nuk e njihte pamjen e vet. Lajmet që mund të kishte dikush, për shëmtinë apo bukurinë e vet, i vinin nga dëshmitë e të tjerëve, dëshmi përherë të stolisura me subjektivitet, në qoftë se jo me dashakeqësi.
Në shekullin XVIII, ati Salinger siguroi se bota e pasqyrave dhe bota e njerëzve jo gjithmonë kanë qenë të ndara nga njëra-tjetra. Para shumë shekujsh, të dyja mbretëritë jetonin në paqe dhe ishin të ndryshme, domethënë, trajtat dhe ngjyrat e tyre nuk përputheshin si tani. Pasqyrat nuk ishin tjetër, veçse porta që komunikonin mbretëritë me njëra-tjetrën.
Por një ditë, njerëzit e pasqyrave pushtuan tokën. Pati një luftë të gjatë dhe në fund Perandori i Verdhë i mposhti pushtuesit. Ndëshkimi që u vendosi qe i tmerrshëm: i burgosi brenda pasqyrave dhe i detyroi të përsërisnin çdo veprim të njerëzve.
E kështu janë gjërat sot. Por një ditë, njerëzit e pasqyrave do të rebelohen sërish.
Në fillim do të vëmë re ca mospërputhje te pasqyrimet. Pastaj do të dëgjojmë tinguj të pazakontë, derisa një ngjyrë e pangjashme me asnjë tjetër do të shënojë fillimin e një pushtimi të ri. Barrikadat e qelqta do të thyhen dhe kësaj here njerëzit e pasqyrave do të ngadhënjejnë.
Ka gjasa që pasardhësit e Perandorit të Verdhë të kryejnë vigjilencë të përhershme ndaj botës së pasqyrës. Kush e di se ç’lloj gardianësh do të jenë syhapur, në pritje të herezisë më të vogël të imazheve, për të dhënë kushtrimin. Ndoshta kryengritja është pranë, e bashkë me të edhe hakmarrja. Thua, së shpejti, ne do të njohim atë ndëshkimin e tmerrshëm e të përsëriturit me servilizëm lëvizjet e dikujt tjetër?
Por, mu në këtë çast të fundit, shfaqet një mendim i llahtarshëm. Kush na siguron se cila është saktësisht ana jonë e pasqyrës? Kush mund të bëj be se vendos vetë për lëvizjet që bën?
Është e pranueshme mundësia e ankthshme se dikush tjetër i merr vendimet tona, pa pasur ne as dyshimin më të vogël. E ndoshta, edhe britma jonë më sovrane për liri nuk është veçse përmbushja e ca rregullave që zotër të panjohur na i imponojnë.
Në rast të tillë, ajo ngjyra e mistershme, për ne nuk duhet të jetë një rast alarmi, por një shpresë. Sa i tmerrshëm Perandori i Verdhë! Kambana e hakmarrjes tingëllon vetëm për të mposhturit.
Përktheu nga origjinali Erion Karabolli
NO COMMENT