Ndue UKAJ
Në qytetin verior Sh., rrëzë maleve të larta që preknin qiellin blu, e përtej brigjeve të lumit, shtrihej fshati Lekë. Dhe aty, në një lartësi të dukshme për çdo sy kalimtari, si objekt i ngujuar, rrinte një shtëpi e vjetër, – e vjetër sa nuk mbahej mend. Askush s’e dinte saktësisht vjetërsinë e saj, ngaqë të dhënat e shkruara për të mungonin. Po ashtu, s’dihej kush e kishte ndërtuar, e ma pak, pronë e kujt ishte. Por, një gjë dihej sigurt: Në të nuk jetonte askush, jo pse ishte shtëpi pa pronar, por pse kishte diçka misterioze brenda saj. Banorët flisnin me frikë për të, duke thënë se, prej kur mbahej mend, ajo ruante të pandryshuar, verë e dimër, ngjyrën e frikshme të mykut, të cilën, po e preke të ngjitet në trup. Këto tipare ishin të mjaftueshme, që ajo shtëpi të dukej e pazakontë dhe misterioze.
Por kjo s’ishte e tëra. Atë shtëpi e bënte të veçantë diçka që ishte brenda saj. Një pasqyrë prej së cilës dukej e gjithë shtëpia; madje, edhe skutat më të fshehta të saj. E sipas disa gojëdhënave, kishte vite, ndoshta edhe dekada e shekuj, që përtej asaj pasqyre, nuk kishte kaluar këmbë njeriu. Dhe kështu siç përshkruhej, pasqyra dukej çatia e identitetit të shtëpisë.
Atëbotë, në atë zonë, u emërua një gjeneral zëmadh, për bëmat e të cilit ishte folë dhe shkruar shumë. Me pamje të rëndë dhe trup të shëndoshë, ai vërtet kishte dukjen e një gjenerali zëmadh. Thuhej se dikur, kur ishte i ri dhe bëhej luftë, ai ishte i shpejtë si vetëtima. Kishte fuqi të përshkonte fushat e malet, të kalonte lumenjtë e rreziqet, pa menduar fare për plumbat e armikut.
Ndërkaq, atëkohë, kur mori detyrën e re në qytetin verior Sh., lajmi për shtëpinë dhe pasqyrën ishte rikthyer temë e bisedave të përditshme.
Ishte verë e nxehtë.
Detyrën e mori në pjesën e parë të gushtit. Dhe, pa menduar gjë për sfidat që e prisnin, befas u zu në kurth nga shushuritjet që bëheshin rreth shtëpisë misterioze dhe pasqyrës së saj.
Unë do ta zhbëj atë, – thoshte me vete, por një ndjenjë e çuditshme e fajit ia përshkoi trupin duke i krijuar boshllëk të papërshkruar në zemrën e tij.
Në të vërtetë, bisedat rreth shtëpisë, ia kishin ndërlikuar detyrën e re. Kështu që, ditët e para, në vend se të merrej me punët e organizmit të pushtit, krejtësisht iu përkushtua rrëfimeve për shtëpinë dhe pasqyrën.
Në fund të atij gushtit të nxehtë, e thirri një takim në sheshin e lirisë. Vetë u veshë me kujdes, si për ditë të shënuara, dhe me flamurin e lirisë në dorë, u shfaq në podiumin e rregulluar enkas për të. Aty mbajti një fjalim të shkurtër para banorëve që e shikonin me ndjenja të përziera. Pa i lëvizur fare sytë, në fjalën e shkurtë përpara banorëve, u zotua se, në atë zonë, njerëzit më s’do të kishin shumë tempuj ku të kërkonin të vërtetën, sepse e vërteta ishte një dhe e qartë si dielli: ajo e luftës për liri. Pa e përmendë fare punën e shtëpisë, për të cilën u pëshpërit se ishte thirrë takimi, ai më zë të kujdesshëm dhe kumbues, banorëve u premtoi drejtësi. Dhe, përmes duartrokitjeve të lehta, zbriti nëpër shkallët e vogla dhe u drejtua ka vetura, ndërkaq, turma në anën tjetër, u shpërnda e qetë.
Gjenerali, teksa kthehej në pallatin e tij, s’dukej as i qeshur e as i mërzitur. Dukej i trullosur dhe gjatë gjithë rrugës, s’foli gjë. Të nesërmen, në zyrë priti disa banorë të zonës, të cilët i dëgjoi krejt çka thonin rreth shtëpisë dhe pasqyrës, ndonëse qetësinë e kishte humbur.
Më shumë e tundonte ajo që thuhej rreth pasqyrës dhe reflektimit të fuqishëm të saj, sesa shtëpia në vetvete. Dhe, për këtë u bind pas takimit me një burrë afër të shtatëdhjetave, me një pamje të qetë dhe i kujdesshëm, që i kishte thënë se, pasqyra, dukej si log mallkimi, që dikujt ia kishte marrë sytë, dikë e kishte rrëzuar përtokë, e ndonjë, e kishte hedhë jashtë portës së shtëpisë, si një letër të lehtë.
Ndërkaq, në anën tjetër, gjithashtu, një grua i kishte thënë se pasqyra, në një kohë, sipas një gojëdhëne, kishte qenë fatkobe, për secilin që e kishte shikuar me hidhërim. Ajo ishte pasqyra vetëm për ata që e shikonin vetveten në të, pa dëshira të fshehura e të tepruara, si për shembull, t’i mbulonin njollat në ballë ose gratë t’i fshehin rrudha në fytyrë.
Gjatë karrierës së gjatë, i kishte pëlqyer të quhej gjenerali i pamposhtur, por në këtë detyrën e re, diçka e sëmbonte dhe e gërryente përbrenda dhe s’e linte rehat. Iu deshën dy javë që të mblidhte informata të mjaftueshme dhe tregime të shumta rreth shtëpisë dhe pasqyrës, që pastaj të vendoste të shkonte vetë te ajo.
Dhe në fillim të shatorit e bëri një veprim të tillë. Ishte ditë me diell, kur ai u zgjua më i gëzuar se çdo ditë. Piu një kafe dhe një gotë raki, shfletoi një grumbull letrash në tavolinën e punës dhe pastaj doli në dritare. Vendosi duart në parzmakun e saj dhe një kohë të gjatë, vështroi gjithçka që mund të shihte përpara. Natyra ishte e qetë dhe qielli i pafund. Ngadalë, por sigurt, riktheu në vëmendje, gjithçka kishte dëgjuar rreth pasqyrës dhe shtëpisë. Dhe, rreth orës pesëmbëdhjetë të asaj pasdite me diell, e thirri një ushtar besnik dhe i tregoi gjithçka, njëkohësisht, duke e urdhëruar që ta mbante në fshehtësi të plotë atë udhëtim.
Me një makinë të fortë ushtarake, u nisë drejt vendit ku ishte shtëpia. Gjatë gjithë rrugës, e shoqëronin ndjenja të turbullta, të cilat ia errësonin qiellin.
Makina gumëzhinte nëpër rrugët e shkatërruara, ndërkaq ai ndjente si një forcë e padukshme zbriste në trupin e fortë dhe ia rrëmbente pushtetin. Ai gjithmonë kishte bërë strategji për ta mbrojtur pushtetin nga fuqitë e jashtme, por asnjëherë s’ kishte menduar për ndjenjat e frikës, ato që vijnë nga brenda, nga boshësia e njeriut.
Pas gjysmë orë udhëtimi, me fytyrë dhe pamje të trishtuar, u gjind para shtëpisë, e cila, në dukje të parë, s’kishte asgjë të jashtëzakonshme.
Ushtari që ishte me të, i qetë, nuk bëri zë. As gjenerali nuk foli. Por, kur e pa shtëpinë, e kaploi një ndjenjë plogështie dhe mezi rrinte në këmbë. Nxori armën, të cilën e shtrëngoi fort, si gjen ma të çmueshme, e duart e trasha i dridheshin si kurrë më parë. Ushtari i brengosur e shikoi me kujdes shefin, por kurrë s’e kuptoi revoltën e tij.
Kur u afrua pranë derës së shtëpisë, u ndal, lëshoi një ofshamë mbytëse që i vinte nga një shtresë e panjohur e qenies së tij.
Ushtarin e urdhëroi të mos lëvizte nga vendi, të vështronte përreth dhe ta thërriste vetëm nëse shihte dikë që vinte drejt tyre, ndërkaq ai, këtë urdhër, e miratoi me përulje ushtarake.
Pa humbë kohë, gjenerali e drejtoi trupin, sikur të parakalonte në një paradë ushtarake dhe u nisë përpara. Me dorën e djathtë e ndreqi kapelën ushtarake dhe me hapa të ngadalshëm, iu afrua portës së shtëpisë. Ajo ishte e vjetër dhe mezi mbahej dhe ngjyra ishte ajo që ia kishin përshkruar, dukej si e lëngshme.
Gjenerali e shkelmoi derën si të ishte prej hekuri, ndërkaq ajo, u hap, pa krijuar zhurmë të çuditshme, siç priti ai. Pastaj, u ndal për një çast dhe kundroi një pamje të shkretë përpara. Humbëtirë! Nga vendi ku ishte, asgjë nuk i dukej e qartë, prandaj, me hapa të menduar, që të mos prekte askund muret, e kaloi portën, ndërkaq, gjoksi donte t’i pëlciste nga të rrahurat e forta. E kur hyri brenda, u ndal, drejtoi trupin dhe shikoi me vëmendje, por nuk vërejti asgjë të çuditshme. U lehtësua për një çast dhe mendoi me vete, – të kthehem,- por kjo ndjenjë dorëzimi iu duk ligësi e madhe që s’i përkiste një ushtaraku. Prandaj vendosi të shkonte përpara.
Ç’të bëj me këtë dreq shtëpie, – tha me zë të mekur dhe nxori revolen të cilën e shtrëngoi fort.
Errësira, gjithmonë krijon ndjenja të frikshme, ndërkaq, kur njeriu ka përballë diçka të panjohur, ajo e turbullon edhe më shumë. Me këto ndjenja, ai lëvizi në errësirë dhe pas disa çastesh, iu duk se shihte diçka më shumë nga shtëpia.
Ndonëse asgjë s’i dukej e çuditshme, frikën nuk munde ta largonte, ngaqë, ajo i ishte ngjitur në trup, si uniforma që e shtrëngonte dhe i jepte pushtet.
Gjatë jetës së bujshme ushtarake, kishte kryer shumë aksione, me rreziqe të mëdha, por asnjë s’e kishte trazuar si ky.
Duke lëvizur nëpër shtëpi, kujtoi shkollimin që kishte bërë për mina dhe hapat i bënte me kujdes të shtuar. Këmbët i shkëpuste nga toka, me ngadalësi të habitshme, sikur të kalonte nëpër një tokë të minuar.
Jashtë një re e zezë kaloi nëpër qiell dhe u ndal para diellit. Gjenerali ktheu kokën dhe pa derën. Pastaj e lëvizi trupin përpara dhe u gjend në korridorin e gjatë të shtëpisë. Mori frymë thellë dhe me një shikim përbuzës, e drejtoi trupin sikur kur jepte urdhra të rëndësishëm. Në një pikë as të largët e as të afërt, u duk pasqyra, e cila të krijonte përshtypjen se rrinte e pa kapur askund.
Një pasqyrë në ajër-qeshi me vete.
Dhe armën shpejt e shpejt e futi në brez, e para pasqyrës buzëqeshi me një cinizmin e njohur prej ushtaraku urdhërdhënës. Pasqyra shkaktoi një zhurmë të frikshme dhe përnjëherë lëvizi, duke bërë një rreth rrotullim. Gjenerali u rrëzua përtokë.
Pas pak kohe – minutash apo sekondash – pasqyra u kthye në vendin e vet. Edhe gjenerali bëri përpjekje të merrte vetën ngadalë dhe të çohej në këmbë. Vetullat e trasha që i pa pas sa e sa vitesh aq dukshëm në pasqyrë, ia errësuan sytë. Atje i dukej se po shihte një fytyrë tjetër, të egër, të zymtë dhe jo fytyrën e vet.
Të jetë fytyra ime kjo, psherëtiu i dëshpëruar.
Pas pak, u mundua ta qetësonte veten, të zbutej dhe të flakte zemërimin. Provoi sërish të këqyrej në pasqyrë, duke provuar të qeshte, mirëpo pasqyra sërish lëshoi zhurmë të njëjtë dhe u rrotullua, ndërkaq ai, serish u përplasë përtokë si lis i madh dhe pa rrënjë. Të njëjtin veprim, e përsëriti disa herë radhazi. U zhgënjye pa masë me pafuqinë që e kishte kapluar, dhe i zemëruar, e kuptoi se pasqyra s’ishte lodër, me të cilin mund të qesëndisej. I hutuar, pa ndonjë strategji si të dilte nga kjo gjendje, heshte dhe shikonte veten në të, prej ku shihte trupin e vet të shtrirë përtokë. Provoi të ngrihej përsëri në këmbë. Sa herë çohej, pasqyra kthehej në vendin e vet. Kjo lëvizje e frikësoi edhe më shumë. Në atë gjendje, duke bërë lëvizje të pakuptimta, i ra kapela dhe e këqyri pasqyrën me një ndjenjë pendimi, sikur t’i përgjërohej një figurë të shenjtë. Por u habitë kur pa një njollë të madhe në ballë, një njollë që e mbante të mbuluar prej kohës kur ishte bërë gjeneral dhe kapelën s’e hiqte nga kryet, sepse ajo ishte pushteti i tij. U step! E shikoi njollën, e cila iu duk se ishte rritë. Me dorë e majtë u mundua ta prekte, por s’guxoi. Iu duk sikur të prekte një plagë të rëndë.
Gjenerali atë njollë e kishte fshehë nën kapelën ushtarake, dhe s’ia kishte treguar askujt.
Deshi të bërtiste dhe t’i ndjente qielli uturimat e tij, por s’ mundi.
Po, atë shenjë, qysh moti, ai e kishte mbulua me pëlhurën e shndërruar në kapelë ushtarake. Dhe ajo kapelë, me një shenjë në ballë, ishte simbol i fuqisë së tij. Ndër vitet, i zënë me punë, ai e kishte harruar shenjën që i kujtonte shumëçka.
Duke u shikuar në pasqyrë, ajo shenjë, sa çel e mbyll sytë, ia hapi një kapitull të ri që deri atë ditë kishte menduar se kishte mbuluar pëlhura e harresës. Përnjëherë, si në një ekran të madh, iu kujtua e kaluara, e cila ushtonte në veshë si jehona e një muzike të padëshiruar dhe pikëlluese.
Mendime ta palidhura e tërhiqnin zvarrë, ndërkohë që, pasqyra ndriçohej edhe më shumë dhe rrinte përballë trupit të rrëzuar përtokë. I dukej se diçka po shembej brenda qenies së tij. Gjenerali, asnjëherë s’kishte besuar se, dikush mund ta nënshtronte- më së paku- një pasqyrë, në një shtëpi të braktisur.
Në fillim, kur kishte dëgjoi për të, ishte tallur me të dhe me gjitha ata që thuheshin për të. Por i gjendur i vetëm përballë saj, për herë të parë e shihte se, ai s’kishte strategji si të triumfonte, veçse duhej t’i dorëzohej asaj dhe t’ia mbathte nga kishte ardhë.
E ndiente vetën të dërmuar në trup dhe në shpirt. E kuptoi se gjurmët e jetës nuk fshiheshin përgjithmonë, sepse, dashur apo jo, vinte një ditë, kur frynë erë e fortë dhe ta lëkundë kapelën nga koka ku ti ke fshehur një njollë!
Dielli nuk mund të mbulohet me shoshë- mendoi dhe u përpoq të ngrihej në këmbë. E largoi shikimin nga pasqyra, sikur me këtë gjest të kërkonte që të shqitej prej saj, dhe e ktheu kokën prapa, ka dera. Por ajo i dukej tepër e vogël dhe tepër larg. Si hyra aty,- mendoi dhe nxitimthi bëri një lëvizje drejt saj. E dinte që duhej të ikte nga ajo pasqyrë, por diçka ia kishte lidhë këmbët. Dikush ia kishte rrëmbyer fuqinë!
U pendua fort që erdhi, por gjithçka ishte vonë.
Donte të bërtiste, që së paku ta dëgjonte shoqëruesi që rrinte jashtë derës në diell, por zëri s’i dilte. Diçka i ishte lidhë në fyt. Ai s’ishte i zoti t’i lëvizte qepallat e tij dhe as buzët e shkrumbuara për një pikë ujë.
Nuk kishte kohë për asgjë. As të ikte, e më pak kishte dëshirë të ballafaqohej me pasqyrën. I zymtë në fytyrë dhe i tronditur në shpirt, mendoi me vete: Unë jam një hiç, një gjeneral që kam nënshtrua shumëkënd, e s’mbërrij ta nënshtrojë një pasqyrë të thjeshtë, që rri në ajër. Ah, ç’jemi ne, racë e ndyrë, të varur nga punët dhe sukseset, e këqyrim vetën shumë rrallë në pasqyrë. Jemi zero, të etur për fitore dhe beteja, për dekorata e pushtet, dhe harrojmë gjitha ato gjurmë që lamë pas nesh, ato gjurmë që na përplasën në fytyrë kur detyrohemi të përballemi me pasqyrën.
Ndonëse atë s’e shihte askush, atij i dukej sikur të ndodhej para një ekrani të madh, ku kishin ngulur sytë shumë njerëz të vendit të tij dhe po ia shihnin njollën në ballë, dhe prisnin me padurim një tregim prej tij…Në të vërtetë, kishte kohë prej kur njerëzi e vendit të tij, prisnin një rrëfim për gjithçka kishte ndodhur viteve të fundit.
Atij kurrë s’i kishte shkuar mendja të pendohej për zullumin që kishte bërë ushtria nën urdhrat e tij. Lëshoi një ofshamë të tillë, çfarë lëshojnë vetëm njerëzit që humbin gjëra të çmueshme në jetë, e jo një gjeneral që sapo ishte emëruar në një detyrë të re.
Për herë të parë ndjeu një nevojë të çuditshme; një dëshirë që i vinte nga brenda, një nevojë që s’ishte gjë tjetër, veç dëshira për pendim. Ai donte tani përpara ta kishte një prift me zhgun, ku ta përkulte gjurin dhe të rrëfente gjithë jetën e tij të gjatë, gjurmët e fshehura. Të tregonte gjithçka. Por, ai s’e kishte përballë priftin, as një tryeze gjyqi, me letra të shumta dhe dëshmitarë që rrinin në radhë, por një pasqyrë te një shtëpie të vjetër, të cilën ishte betuar se do ta thyente dhe do ta zhbënte. Por, arma e tij qe sterile përballë saj dhe kështu, pavullnetshëm, ai u dorëzua nën pushtetit të saj.
Kishte kaluar një kohë prej kur ishte brenda, i dërmuar dhe i rrëzuar përtokë. I urrente vetullat e tij që ia kishin errësuar sytë, atë sy që dikur kishin forcë e egërsi, por atë ditë, ato vetulla i dukeshin si kreshta malesh të djegura që kundërmonin aromë të keqe.
…
U çua në këmbë dhe e ktheu kokën prapa. Dera i bëhej sikur po zvogëlohej dhe ai po mbeste pa frymë.
Donte të qante, por sytë e tij nuk e kishin provuar lotin qëmoti dhe tani dukeshin përrenj të thamë.
Ai s’dinte si dilej prej asaj skëterrë ku hyri me dëshirë. Në të vërtetë, skëterra ma e madhe, ajo që nuk mund ta kalonte, ishte në kujtesën e tij, aty ku filluan të çoheshin peshë kujtimet e shumta – ato që s’ia kishte treguar askujt.
Kështjella e kujtimeve i ishte shpartalluar, ashtu siç shpartallohej një ushtri, ndërkaq, trupi i tij i dërmuar po ndiente dhembje. Në ato çaste, vetja i dukej si një flamur i braktisur, pas një beteje të ashpër, në të cilën vinin korbat dhe krrokatnin me zërin e tyre të frikshëm.
Nuk mund të mendonte asgjë për të ardhmen. Sepse, lumi i së kaluarës e kishte vërshuar, dhe i dukeshin të afërta kohët kur ngarende pas pushtetit, përmendoreve, gradave, dhe shkrimeve të shumta nëpër gazeta.
Me ato pak fuqi që i kishte mbetur, bëri disa hapa drejt derës, prej ku e pa qiellin e kthjelltë dhe vargmalet e bukura.
Jashtë çdo gjë ishte mirë, mendoi me vete, teksa shihte përreth tij muret e shtëpisë me ngjyrë myku, të një shtëpi të vjetër, ku nuk ndihej aromë njeriu dhe ku një pasqyrë e rrëzoi përtokë.
Dua të iki, dua të iki…thoshte më zë dridhur.
E dikush i dukej se po e kapte për fyti dhe po i thoshte:
Ku do të ikësh tani?
Në atë gjendje të turbullt e çau dëshpërimin dhe doli matanë derës së vogël, pas së cilës u përplas dhe ra në mendime të thella. Ishte në gjendje të amullt, mes gjumit dhe vdekjes.
U ndie çliruar për një moment, kur mendoi se ishte nën qiell dhe larg pasqyrës, por zemra dhe mendja i kishin mbetur peng, brenda, te pasqyra, te muret e shtëpisë, te njolla… Atë çast e kuptoi se detyra e re nuk ishte ajo e vjetra, të ushtronte pushtet, por ishte diçka që lidhej me vetveten e tij, me pasqyrën, njollën, kohën, kujtesën, me lumin e kujtimeve që e kishte vërshuar.
Asgjë s’e ngushëllonte!
Pas shumë vitesh i dukej sikur nuk zotëronte asgjë, ndonëse nën thundrën e tij ishte ajo zonë e madhe që priste ç’do të ndodhë me fatin e tij.
Vajzat kur e këqyrin në pasqyrë, gjithmonë e mendojnë vetën ma të bukura sesa që janë, ndërkaq gjeneralët, në fund të jetës së tyre, shpeshherë e shohin pasqyrën si të vetmin vend ku mund të rrinë pa u pështyrë.
Shoqëruesi e shikonte tkurrjen e shefit me përbuzje dhe ndjente një gëzim të papërshkruar.
Muzgu ra!
Në qiell dukeshin një mori e pafund yjesh.
Ndërkaq, poshtë, kishin filluar të ndizeshin dritat e qytetit që shtrihej poshtë këmbeve të tij, por gjenerali më nuk kishte fuqi…
NO COMMENT