
Foto ilustruese
Bajram Karabolli
Realizmi magjik është një rrymë artistike që paraqet elemente magjikë apo situata alogjike, krahasuar me vepra të tjera letrare të konsideruara më realiste apo më normale.
Është një strategji letrare, ku shqetësimi dhe interesi stilistik është që ta paraqitë të zakonshmen dhe të përditshmen si diçka areale dhe të habitshme. Është një lloj fiksioni i kultivuar kryesisht nga shkrimtarët iberoamerikanë.
Pra, është një rrymë arti që u zhvillua në gjysmën e dytë të shek. XX dhe u shpreh kryesisht përmes letërsisë, por, herë-herë, edhe përmes pikturës apo kinematografisë..
Termi “realizëm magjik”, për herë të parë qe përdorur në vitin 1925 nga kritiku gjerman Franz Roh, i cili, me këtë term i referohej një stili të veçantë në pikturë, ose më saktë rrymës ekspresioniste të këtij arti ku, sipas tij, sfondi realist i një pikture përmbante edhe elementë fantastikë dhe irealistë.
Më vonë, ky term u përdor për të karakterizuar stilin e disa piktorëve amerikanoveriorë si Paul Cadmus, Ivan Albright dhe Georg Tooker, midis artistëve të tjerë të dekadave 1940 dhe 1950.
Veç, nëse në artet vizuale ky term i referohet një vepre me elementë realistë ekstremë, në letërsi, përkundrazi, i referohet një vepre me elementë magjikë dhe alogjikë.
I pari që e përdori termin “realizëm magjik” në kritikën letrare, duke emëruar kësisoj një stil të pasur letrar latinoamerikan, qe studiuesi dhe kritiku portorikan Anhel Flores (Angel Flores). Më vonë pati edhe ndonjë studiues që, veç shkrimtarëve iberoamerikanë, përfshiu në këtë rrymë letrare edhe ndonjë shkrimtar nga kontinente të tjerë si Günter Grass, Milan Kundera, Salman Rushdie. Sidoqoftë, realizmi magjik është një rrymë letrare që ka precedencë, duke nisur qysh nga shek. XVI me stilin letrar barrok, më pas me romanin gotik të shek. XVIII, por edhe më vonë në shek. XX, me lëvizjen surrealiste.
Gjithsesi, dalëngadalë, realizmi magjik zuri vend në vetëdijen letrare botërore si një rrymë avangarde e viteve ’60 – ’70 të shek. XX, me atdhé Amerikën Latine. Shkaku pse u zhvillua dhe lulëzoi pikërisht në këtë kontinent dhe në këtë periudhë, sipas shumë studiuesve, ishte mospajtimi midis kulturës së teknologjisë dhe kulturës së supersticionit, po ashtu edhe periudha e lulëzimit të diktaturave politike në këto vende që, me ushtrimin e censurës, e ktheu fjalën në një mjet tejet të çmuar dhe të manipulueshëm.
Kritikët letrarë kanë përdorur fjalën “magjik” për të emërtuar një prirje të caktuar në novelistikën e shek. XX, e cila karakterizohet nga nderimi për mitet dhe përdorimin e tyre brenda një konteksti realist. Jo pak studiues përfshijnë aty edhe të mbinatyrshmet, mitiket dhe besimet popullore. Nuk bëhet fjalë për ta “paraqitur magjinë sikur të ishte reale”, por për të paraqitur “realitetin sikur të ishte magjik”. Kemi të bëjmë me një fokusim të së mbinatyrshmes. Pra, është një lloj fiksioni i kultivuar kryesisht nga romancierët iberoamerikanë gjatë gjysmës së dytë të shek. XX.
Realizmi magjik, ashtu si edhe pjesa e madhe e letërsisë së kësaj periudhe, pa dyshim që, thelbësisht, është e moderuar. Në veprat e këtyre shkrimtarëve magjikorealistë krijohet një botë ku fantastikja dhe magjikja bashkekzistojnë me realen, sikur të kishin lindur nga e njëjta brendi e gjërave. Veç kjo rrymë letrare e paraqet realitetin narrativ të përzier me elementë fantastikë dhe përrallorë, jo aq për ta stolisur atë sesa për të zmadhuar kontradiktën e tij të brendshme.
Për sa i përket karakteristikave të realizmit magjik, studiues të ndryshëm i kanë përcaktuar ato në numër dhe forma të ndryshme. Por, edhe pse mund të jenë hartuar në forma të ndryshme, përmbajtjet e këtyre karakteristikave përkojnë, duke vënë në dukje të njëjtat gjëra.
Disa tekste të historisë së letërsisë apo disa lektorë universitetesh, ngaqë kanë të bëjnë me një masë të madhe lexuesish, i kanë formuluar ato më saktë dhe më qartë. Sipas tyre karakteristikat kryesore të realizmit magjik janë këto:
- Shkrirja e reales me fantastiken: Mund të jetë një kontekst fantazie me personazhe realë, ose një kontekst real me personazhe fantastikë.
- Ëndërrimi: Protagonistët e intrigës zakonisht shpesh shtjellohen dhe veprojnë në terren ëndërrimi. Rrëfimet shumë herë nisin në ëndrra që shohin personazhet apo edhe vetë historitë zhvillohen në terrenin e ëndrrave, si skenar që tregimi të bëhet më tërheqës.
- Realizmi: Karakteristikë e realizmi magjik është edhe marrja nga realizmi një shprehje transparente dhe konkrete të gjuhës, me qëllim që të bëjë përshkrime të holla ku, midis të tjerash, ka elemente të zakonshme dhe të njohura, ndjenja familjare, apo të dhëna historike.
- Fantazia e vlerësuar si diçka reale: Elementet magjikë në një vepër të realizmit magjik vlerësohen si normalë prej personazheve. Personazhet për një çast e pranojnë fantastiken si reale.
- Përdorimi i të tri vetave: Në tregimet e realizmit magjik latinoamerikan mund të rrëfehet njëkohësisht në vetën e parë, në të dytën dhe në të tretën.
- Prania e rrëfimtarëve të shumtë: Ndodh që kjo gjë alternohet gjatë rrëfimit.
- Zakonisht skenarët janë latinoamerikanë: Kjo ndodh sepse autorët e realizmit magjik frymëzohen nga ky realitet.
- Mitologjia dhe faktori i çuditshëm: Rrëfimet përdorin shpesh mitet, të cilët ushqejnë këtë gjini me një ngjyresë ekzotike.
- Ambiente varfërie dhe mjerimi të skajshëm: Ngjarjet në veprat e realizmit magjik zakonisht zhvillohen në ambiente tejet të varfra ku personazhet vuajnë nga një mjerim i skajshëm. Kjo është mënyra për të njohur realitete të ndryshme, gati të panjohura për disa, dhe qëndrimi i autorit për to.
- Perceptim shqisor i realitetit: Autorët e realizmit magjik zakonisht i japin shumë rëndësi anës shqisore gjatë njohjes së realitetit.
- Koha e rrëfimit: Koha është e ngatërruar dhe ngjarjet zakonisht nuk ndodhin në mënyrë të vijueshme. Ndoshta kjo është karakteristika më dalluese e realizmit magjik, gjë që e bën rrëfimin më tërheqës për lexuesin.
Disa nga autorët më në zë të realizmit magjik janë: Aleho Karpentier (Alejo Carpentier – Kubë), Migel Anhel Asturias (Miguel Ángel Asturias – Guatemal), Huan Rulfo (Juan Rulfo – Meksikë), Karlos Fuentes (Carlos Fuentes – Meksikë), Hulio Kortasar (Julio Cortázar – Argjentinë), Gabriel Garsia Márkes (Gabriel García Márquez – Kolumbi), Mario Vargas Josa (Mario Vargas Llosa – Peru), Hose Donoso (José Donoso – Kili), etj.
Janë pikërisht këta shkrimtarë latinoamerikanë, magjikorealistë, që do të shkaktojnë edhe të famshmin “boom” letrar në gjysmën e dytë të shek. XX.
Materiali është marrë nga profili i facebook i Bajram Karabollit
NO COMMENT