Gazmend Krasniqi
NJË VËZHGIM PËR KURRIKULAT E LËNDËS SË LETËRSISË (12)
Letërsia është një nga lëndët kryesore në arsimin e mesëm të lartë.
Kështu shkruhet në kurrikulën e klasën 12 të gjimnazit.
Dhe vazhdohet:
Ajo ndikon në formimin estetik dhe letrar, në rritjen e aftësive krijuese dhe në pasurimin e aftësive shprehëse të nxënësve. Kjo lëndë, gjithashtu, mundëson krijimin e një raporti pozitiv dhe të qëndrueshëm mes nxënësve dhe artit të letërsisë. Në arsimin e mesëm të lartë, letërsia studiohet si veprimtari krijuese, subjektive dhe e vetëmjaftueshme. Ajo shihet e lidhur me zhvillimin historik e shoqëror, me filozofinë e kohës, por jo si mjet i thjeshtë që ilustron historinë. Letërsia shqipe do të studiohet paralelisht me letërsinë botërore duke u kushtuar vëmendje të përbashkëtave dhe dallimeve mes tyre. Në këtë mënyrë, nxënësit do të kuptojnë që letërsia shqipe nuk është një njësi e veçuar dhe e ndarë, por pjesë e pasurisë letrare botërore.
Po cila është rruga në të cilën i arrin gjimnazisti këto objektiva?
– Analizon risitë që sollën shkrimtarët që ndoqën rrugën e letërsisë realiste të shekullit XIX.
Si mund të gjejmë risi te shkrimtarët që ndjekin prirjen e një rruge të mbyllur?
– Përcakton gjinitë dhe llojet letrare që lëvruan më shumë shkrimtarët që ndoqën prirjen realiste (Drajzer, Remark, Cvajg, Heminguej etj.)
Përse duhet të përcaktojmë gjinitë dhe llojet letrare të një grupi shkrimtarësh jashtë kohe, kur Ernest Koliqi mu në dekadën e Modernizmit të Lartë (1929) përdor mjetet kryesore të modernizmit, monologun e brendshëm dhe përroin e ndërgjegjes? Kur, mu në vitet që shkëlqen Franc Kafka me Metamorfozën, Koliqi përdor në mënyrë mjeshtërore zhvendosjen moderniste të realiteteve, duke u rreshtuar me bashkëkohësit evropianë?
– Përcakton veçoritë kryesore të letërsisë moderniste;
– Dallon dhe analizon drejtimet (rrymat) kryesore letrare të letërsisë moderne të shekullit XX.
A mund të vijë modernja pas modernizmit?
– Veçon dhe analizon risitë që sjell Agolli në letërsi pas viteve ’90.
Kush mund ta gjejë se cilat janë ato!!!?
– Interpreton, analizon, gjykon dhe vlerëson romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”.
Çfarë do të ndodhë në konceptin e gjimnazistit për letërsinë, kur pas modernizmit të “Metamorfozës” së Kafkës, duhet të lexojë një roman për luftën kundër burokratizmit?
– Interpreton, analizon, gjykon dhe vlerëson romanin “Pallati i ëndrrave”.
E pse të mos ia kursejmë narrativat socio-politike, pa lidhje me letërsinë, kur mund të mësonte të lexonte e shijonte letërsinë e mirë të romanit “Kronikë në gur”?
Nuk e di se si bëhen tekstet e bazuara mbi këto kurrikula, por jam dëshmitarë për studentë pa lexime dhe pa njohje bazike të letërsisë. Për më tepër, shtrembërimi është aq i madh saqë u janë mbyllur mundësitë për të marrë diçka që do ta bënte mësues i së ardhmes. Kështu, dëmi dyfishohet e trefishohet.
NO COMMENT