
(Foto ilustruese)
Gazmend KRASNIQI
Vjollca OSJA
1.
Nga pikëpamja e një historie letrare, poezinë shqipe mund ta shohim në tri ndarje të mëdha:
– Poezia parakombëtare
(poezia krijohet dhe qarkullon në qarqe të mbyllura kulturore, duke u shtrirë drejt formatit të kombëtares)
– Poezia kombëtare
(duke filluar me De Radën dhe duke u mbyllur me Poradecin, poezia qarkullon dhe njeh komunikimin e mundshëm, duke u pasuruar vazhdimisht me poetika dhe forma. Nisur nga koncepti bartian, përcaktohet nga ligjërimi klasik si semantikë)
– Poezia moderniste dhe bashkëkohore
(duke filluar nga Migjeni, poezia shkon drejt hapjes së formës, duke treguar se ka shumë mënyra për ta krijuar atë. Nisur nga koncepti bartian, përcaktohet nga ligjërimi modern si semantikë. Gjithashtu, përcaktohet nga ritme dhe metra të përdorur lirshëm. Lënda poetike kërkon mjete dhe struktura të reja. Rima ose fillon të mungojë, ose është e brendshme. Ajo që solli ky modernizëm është ende në përdorim)
Nga pikëpamja e poetikave më me ndikim, poezisë shqipe, të shfaqur në dy – tri dekadat e para të shekullit XX, kur Shqipëria e pavarur përpiqej të bëhej një shtet modern), mund t’i veçohen dy pole që tërheqin shumë nga vetja:
– ajo e kultit të formës (arti i kënaqësisë estetike);
– ajo e kultit të moralit të ri shoqëror dhe veprimit në emër të tij (arti i revoltës).
Poetika e parë (që mbyll qarkun e poezisë kombëtare) – arti është etern dhe nuk i shërben askujt – lidhet me krijimtarinë e Lasgush Poradecit (1899-1987), student dhe doktorant i Graz-it (Austri). Në këtë art, ku në plan të parë dalin mjetet, ndërsa burimi i poetikës duhet kërkuar te parnasistët francezë, shembulli shqiptar i formës mbetet jezuiti i kulturuar Ndre Mjeda (1866-1937). Ky “parnasisëm” shqiptar, përgjithësisht, ngrihej kundër patriotizmit të tejkaluar dhe folklorizmit, duke u karakterizuar nga stili aticist – i përmbledhur, lapidar, thelbësor.
Stili tjetër, azianizmi – tepri, paqartësi, tensionim – një botë që lejon të shndërrosh gjithçka në gjithçka, ku një ngjarje artistike nuk buron prej botës së natyrës, por prej botës së përfytyrimeve, do të shfaqet më vonë. Ai e gjen modelin tipik, për shembull, te poeti nga Kosova, Fahredin Gunga (1936-1997):
nën mjegullën e nëmët, nga kohë e ime e thinjur
nga brymat e mërive të gëlltitura, nga etjet
e moteve i tharë, i shkalë nga gjaku i lëndtë,
po ec, i karmët, në rrëzë të bjeshkës së nëmave,
Mirëpo, në periudhën kur lulëzonte socrealizmi, për të shkruar me këtë poetikë duhej të jetoje jashtë Shqipërisë, si Martin Camaj (1920-1993) në Gjermani, apo si Azem Shkreli (1938-1997) në Kosovë, pjesë e ish-Jugosllavisë, ku frynte ndonjë fllad i lehtë lirie.
Poetika e dytë (që hap poezinë bashkëkohore, shpërbërjen e formës) – mbrojtja e njeriut nga ideologjia dhe institucionet e shtetit – lidhet me emrin e Migjenit, ish-seminarist ortodoks i Manastirit. Kjo poetikë, ku mjetet nuk janë në plan të parë, por mbeten të rëndësishme, e si ekspresionizmi mund të akuzohet që më fort se një metodë mund të jetë një ndjenjë shpirtërore, nganjëherë bie në “Formylë logjike”, siç do të shkruante për Migjenin një bashkëkohës i tij (Qemal Draçini, 1922-1947). Aty rrinë më të spikaturit gjatë periudhës së quajtur të Realizmit Socialist, të cilët për të qëndruar brenda veçantisë së poetikës, thirrën në ndihmë alegorinë, duke bërë një lojë të dyfishtë, të varur nga leximi që mund t’i bëhej asaj.
Të dyja poetikat mund të adhurojnë të njëjtin poet: Bodlerin, pranuar si shfaqja më e shquar e modernitetit perëndimor (Poezia e Migjenit “Kanga skandaloze” të kujton në procede poezinë e Baudelaire “Asaj që shkoi”), por bëhet fjalë për Bodlerë të ndryshëm:
– Bodlerë të prirë nga forma (veçse duhet thënë se Poradeci nuk e qas errësirën simboliste);
– Bodlerë të prirë nga problematika (veçse Migjenin e tërheq pjesa ku i këndohet skamjes njerëzore).
Poetika e parë, nuk mund të funksiononte në kohën e quajtur të Realizmit Socialist, prandaj doli jashtë loje një poet si Lasgush Poradeci. Kjo periudhë impononte, me urdhër nga lart, elemente të poetikës së dytë, atë pjesë që mund të vihej në shërbim, prandaj në këtë kohë Migjeni ishte poeti më i dashur.
Pas Luftës së Ftohtë (vitet ’90), tashti që Shqipëria qe pjesë e një historie më globale, apo e një kohe të profetizuar “pa histori”, iluzioni se poezia mund të shndërronte shoqërinë njerëzore nuk mund të kthehej më në pozicionin e dikurshëm. Ngaqë, me anë të përkthimeve të shumta, kërkohej të plotësohej sistemi letrar shqiptar, për arsye kanonesh dominante, bie më shumë në sy poetika e parë: kërkimi i poezisë në gjendjen e vet, për shembull Eliot apo Pound aty ku kishte Majakovsk. Poetika e dytë nuk arrin të imponohet vetë, edhe pse herë pas here ngre lart flamurin e migjenizmit (që ka lënë një emër të dashur për lexuesin), por më tepër duke i bërë jehonë pa argumente profesionale një nostalgjie, sepse është huazuar nga socrealizmi krijimi i listave me emra që vjen pa studime reale.
Prandaj mund të flitet më shumë e më mirë për poetika, sesa për emra. Cilido qoftë produkti, ata kanë prekur hapjen maksimale. Mirëpo eklektizmi stilistik i këtyre poetikave mbetet një çështje për zgjidhje.
2.
Jashtë dogmës së socrealizmit, apo ideologjisë në përgjithësi, poetika e dytë u prir nga hapja e formës.
Migjeni, gati përdhunshëm, bazuar sidomos te poetikat e simbolizmit francez dhe ekspresionizmit gjerman, e çliron poezinë nga format tradicionale. Një ndjeshmëri e veçantë ndaj realitetit, kërkon poetikën e vet, me një model ambicioz në poezinë e re europiane. Migjeni shquhet për një sensibilitet muzikor të fjalës, të bisedës së artikuluar, dhe fut në poezinë shqipe konsonancën, në emër të hapjes së formës. Sipas Arshi Pipës, ai futi edhe metaforën, e cila, sidoqoftë, edhe kur është shumë e fortë, si “Kafshatë që s’kapërdihet asht, o vlla, mjerimi”, në fakt është në zonën e katakrezës, pasi i përket një areali gjuhësor ku kjo figurë lulëzon lehtësisht.
Ndryshe nga Migjeni që më shumë e “çliron”, G. Pali bëhet kultivues i vargut të lirë, duke kodifikuar kuota të larta, si në rastin e vënë re herët:
Në dhomë nga çdo anë,
hije burojnë e qasen me hap t’ploshtë.
Dielli ka mshehë ballin e gjanë.
E poshtë
i njellë, zogu zogut, gjumë.
Pas Luftës II Botërore rritet bashkëjetesa e përzierjes së shumë stileve, sepse format e papara poetike te arbëreshët apo në Kosovë, apo të një poezie sirtarësh, do të sjellin edhe jehonat e poezisë esencialiste (Martin Camaj), apo esencialisto – hermetike (Zef Zorba). Në një prodhim që nuk e vlerëson kumtin poetik si pararendësit, por edhe bashkëkohësit e realizmit socialist, ndryshojnë edhe ritmi e diksioni. Në Kosovë, modelet më të afërta mund të jenë nga më të ndryshmet, duke filluar nga Camaj i fillimeve (Azem Shkreli), Vasko Popa (Ali Podrimja e Rrahman Dedaj) apo Lasgush Poradeci (Sabri Hamiti). Me kohë, modelet janë gjithnjë e më të larmishme.
Disa poetë që ruajnë vargjet dhe format tradicionale, njëkohësisht shkojnë drejt hapjes së këtyre formave, duke kombinuar vargun tradicional me përvojën moderne (M. Camaj, A. Shkreli, F. Rreshpja). Te Camaj kemi edhe kombinimin e vargut muzikor të madrigalit klasik me vargun eliptik popullor (Dranja). Kjo vepër e Camajt meriton edhe një trajtim bartian për vendin që zë në konceptin scriptible – lisible (pra, e shkrueshme – e lexueshme), që idioma e bën gati të papërkthyeshme.
Ndryshe nga ajo që u tha për Migjenin, elementi i sinestezisë e lidh poezinë e Frederik Rreshpjes me poetikën e barokut apo atë të neobarokut evropian. Ndihet menjëherë përpjekja për t’ia kthyer lirikës misionin zanafillor. Në penën e Azem Shkrelit arrin shprehësi të shkallës së lartë idioma shqipe. Në këtë poezi shohim shfrytëzimin maksimal të ligjërimit gojor që përbën strukturën më të pasur të ligjërimit shqiptar. Gjithashtu, duke aplikuar këtë idiomatikë popullore, poeti nuk e mbyll atë, por e përgjithëson në plan komunikimi, vërtet e funksionalizon me mjete të reja poetike përmes konotimit të fuqishëm poetik… por në mënyrë kreative pushon kufiri midis idiomës kolektive dhe asaj individuale të poezisë.
Të tjerë poetë kanë karakteristike lirizmin konfesional (rrëfyes), në të cilin poeti bëhet gërmues i thellësive të veta, për t’i bërë vend më vonë diçkaje më të qëndrueshme. Te disa të tjerë nuk është metafora ajo që flet, që përfaqëson të folurit poetik, por kuptimi i zgjerimit brenda organizimit sintaksor: kemi të bëjmë me kërkime në hapësirat metonimike të fjalës, ose me lojëra edhe më të organizuara formale. Siç pamë më lart, Fahredin Gunga inkuadron një idiomatikë të pasur të traditës sonë më të mirë poetike… Ekspresionin e mëparshëm e pasuron edhe me një shtresë të re funksionale të riaktivizimit dhe të aktualizimit të pasurisë poetike shqiptare… Inkuadrimi i kësaj idiomatike nuk është vetëm identifikim me cilësinë e trashëguar, po shfrytëzimi i rezultateve ekzistuese poetike në marrëdhënie të pandarë me kërkimin për rezultate të reja individuale.
Në Shqipëri, Agolli bën çmos që të krijojë tonin e një bisede të zakonshme, pa ritme tepër të kadencuara, por ligjërimi modern, me gjetjen e fjalëve të veçanta, nuk është kërkesë e tij. Arapi shprehet me një ton të rrëmbyer, ku lirikja vazhdimisht fiton terren ndaj epikes. Kadarenë e shqetëson ritmi i kohës ku jeton, të cilin kërkon ta fusë në vargje, siç kishte bërë Majakovski, por (me fjalët e Kadaresë) jo ai që bëhej në shkollë:
Në ardhsha prapë në këtë qytet gjigant të pasosur,
Ndonjë mbrëmje dashurish e reklamash nervoze,
Dhe në i gjetsha shokë,
Dhe të dashur në s’gjetsha,
Do të bredh rrugëve, që aq fort i desha;
Udhëkryqeve, trotuareve, ndanë orëve
Do t’u them “mirëmbrëma” semaforëve.
Si te Migjeni, poezia funksionale ose jo e Ismail Kadaresë (1936) Fatos Arapit (1930) dhe Dritëro Agollit (1933-2017), si dhe poezia hermetiste e Zef Zorbës (1920-199?), do të zgjeronin kufijtë e fjalorit poetik, duke futur fjalët fabrikë, shampanjë, semafor, telefon, trolejbus, konjak, protoplazëm “in vitro“, diafraksion rrezesh iks etj., të cilat nuk ishin parë në poezinë e mëparshme.
Ndërkohë, në emër të pasurimit të gjuhës poetike si ligjërim dhe e folur poetike, ka ndodhur çlirimi nga komplekset tematike: çdo element përbërës – fjalë, apo rend fjalish, tingull apo heshtje, imazh apo imitim – është domethënës në atë që çdo element bën përpara ose qëndron në vend për marrëdhënie të mëtejshme, çdo përbërës mund të hapet drejt kuptimesh, nivelesh, përmasash, lidhjesh apo rezonancash të reja, me modelimet e kujdesshme dhe të ndërlikuara të fjalëve, me gjuhën më të ndërlikuar që mund të gjendet, ku asnjë fjalë nuk është kot ose rastësore.
gurron guri në gurë gurësh
guro guroje gurin në gurinë
ç’gur pranë gurit gur guri
vrimë e parë e fyellit tim.
(Ali Podrimja)
Në mënyrën e vet, poezia shqipe i ka krijuar raportet e veta me pjekurinë: forma është hapur në të gjitha mundësitë për të pranuar çdo trajtim tematik e formal.
Meqë dukej se në këto anë kishte shkelur poetika e postmodernizmit, ku autoriteti shpërfillej, çfarë e priste poetin shqiptar në këtë eklektizëm, që përcaktohej nga kjo traditë, nga diçka që vinte prej dominantes apo përtej dominantes së saj, por gëzonte lirinë të binte në kontakt me poetika të tjera, sepse sistemit dinamik letrar po i servireshin përkthime apo mundësi leximesh pa fund?
– Kërkesa nga ana intelektuale përcaktonte një stil letrar përfshirës (duke thithur edhe lexuesin e prozës, siç pat teorizuar E. Pound-i), siç pat kthyer Elioti historinë e nxjerrë jashtë nga simbolistët;
Në fshatin midis maleve, lajmi vjen një muaj me vonesë.
Gjate rrugës pafajësohet: ai që vdiq shkoi doemos në parajsë,
e një grusht shteti “është vullneti i zotit”.
(L. Lleshanaku)
– Dekanunizimi i standardeve kulturore, veprave dhe autoriteteve të mëparshme përcaktonte mohimin e autoritetit të autorit, zhvlerësimit të qëllimeve dhe synimeve të tij;
- Ti je një krimb
- Ti një mollë kalbur
- Ti je një purri
ç. Ti një bukë e valë
(S. Hamiti)
– Kundërshtimi i së pritshmes, duke e tëhuajtur me qëllim lexuesin, përcaktonte shkatërrimin e burimet e veta me parodi, ironi, pastiche, si dhe fragmentimin e teksteve, duke i kthyer në kolazhe e montazhe;
Asgjë nuk lëviz
me përjashtim të vetmisë
e cila vazhdon të rritet
dhe lisit që do të shërbejë për arkivol
(Xh. Bajraj)
– Shmangia e seriozitetit dhe përgjegjësinë, duke nxitur arbitraritetin dhe lojën, argumentonte që kuptimi është i papërcaktuar, duke mohuar një interpretim përfundimtar apo të parapëlqyer, përziente zhanret, zhvishte kontekstin, duke e zvogëluar përmbajtjen te një minimum i rreptë;
Ish ora tetë e mëngjesit.
Lepuri hyri në vallen mortore
Në spektaklin më tragjik,
Më zbavitës
Dhe më të përfolur
Në rrafshinën buzë përroit.
(S. Zekaj)
– Meqë poezia është një art intertekstual, ndërtimi i një teksti të ri mbi shtresat e teksteve të vjetra, përcaktonte funksionimin si një realitet i ri artistik, pra si një tekst i ri poetik, që të kujtonte parimin e përmendur të poetikës së “kaleidoskopit”.
Shefi i protokollit pyeti me se merremi
Jemi të lodhur
I thamë
– dakord por me se merreni
– me vetveten
Thamë
Jemi të pushtuar
(E. Basha)
Për arsye të lirisë relative, në Kosovë kjo kishte ndodhur më herët, ndërsa në Shqipëri, pas shembjes së dogmave të socrealizimit, ka ritmin intensiv të kohës së humbur, por me referenca të tjera.
Megjithëse krijimtaria letrare e arbëreshëve, pas Zef Skiroit (1865-1927), edhe pse me vonesë, u botua në Tiranë dhe në Prishtinë, nuk qe parë se kishte po atë rëndësi si në poezinë parakombëtare, kur futi poezinë e kultivuar, apo atë kombëtare, kur arriti nivelet e De Radës, poet i përshëndetur nga emra të mëdhenj të letërsisë evropiane. Mirëpo, megjithëse qe botuar e cunguar, ndonjëherë gati në qasje ekzotike, mund të shihet rëndësia e saj si pioniere e formës dhe lirikës së pastër, si rezultat i raporteve me një poezi të begatë, të një rëndësie ndërkombëtare, siç qe ajo italiane.
Veçoria e krijimtarisë së arbëreshëve qe se me ta kishim një poezi, në thelb, ahistorike, pra që tërhiqte nga vetja si e tillë, duke plotësuar, përmes larmisë, portretin e letërsisë shqipe. Meqë për ta nuk ekzistonte një “letërsi zyrtare”, si në Tiranë e në Prishtinë, poetët arbëreshë u karakterizuan nga përpjekja për ta zotëruar sa më mirë gjuhën poetike eterne, edhe pse sipas një idiome e koloriti lokal.
Qielli
zgjesh ngjyrat
çë s’i kan hije
liturgjis së martesës
me trishtimin.
(Xhuzepe Skiro di Maxhio)
Afrimi i gjuhës së tyre me shqiptarët modernë qe nevojë komunikimi, duke e bërë qarkun e plotë kombëtar gjithnjë e më ndërveprues. Edhe me ndonjë shmangie të lehtë prej drejtshkrimit të sotëm, ata mund të lexohen e shijohen natyrshëm:
Mos hiq tërkuzën
për t’shuash etin:
uji ësht’ i turbullt
nga ëndrra im’ e kalbur.
(Vorea Ujko)
Në fakt, poezia e formës së mbyllur vazhdon të kultivohet, shpeshherë jo pa sukses, por nga pikëpamja e vlerës nuk arrin të kërcejë mbi poezinë e formës së hapur, duke ia lënë, hë për hë, asaj vendin e dominantes, si kanon dhe si sasi, në dinamikën e sistemit letrar shqip, ndoshta edhe nga frika, përveç tjerash, e postulatit se poezia është ajo që humbet në përkthim, pasi shumë nga poezia më e mirë shqipe mbetet e pranguar në format e saj, pasi do të donte gjithnjë të vendoste ura komunikimi me kultura të tjera gjuhësore.
3.
Meqë moderniteti estetik “bashkëkohor”/“modern” ka nxjerrjen në plan të parë të mjetin, siç thonë formalistët, Poradeci e plotëson më së miri këtë kusht, edhe pse me një formë thellësisht të mbyllur. Nëse ndodh e kundërta, pra i mëshon subjektit përballë formës, atëherë kemi poezitë e tij më të dobëta. (Më lini të flas unë, të cilën e tall edhe dishepulli i tij më i madh, Kuteli, etj.) Sabri Hamiti etj. në Kosovë, nuk e deshën për formën e tij, por pikërisht për këtë mision – shpërfaqjen në formë dhe idiomë më fort sesa në subjekt. Nga pikëpamja e formës, ai shërben si mbyllës i një epoke – formës së mbyllur – duke treguar pjekurinë e plotë të letërsisë kombëtare.
Pas tij, askush nuk do të bënte atë që kishte bërë ai: me Migjenin fillonte një epokë tjetër, që mund të emërtohet si epoka e formës së hapur. E veçanta është se te Migjeni shumë shpesh subjekti është më i fortë sesa forma, çka, për paradoks, në këto raste, e bën më fort “bashkëkohor” sesa “modern”, përmes një “egoje të vetëdijshme” (Stephen Spender, Struggle of Mondern, Calinesku, fq. 21).
– Migjeni është “bashkëkohor” (uni volterian – te Migjeni shfaqet si “ne”) që vepron te ngjarjet. Ajo që shkruan, është racionalizëm, politikë, sociologji e përgjithshme. Këtë na e tregojnë poezitë programatike, afishuese të ideve të caktuara (Parathanja e parathanieve, Birt e shekullit të ri etj.) Temat janë të reja, të forta, por rrinë mbi formën, mjetin, edhe pas përmbytjes me diksion (idiolekt) që nuk ishte parë më parë.
– Migjeni është “modern” (uni modern) që ndikohet nga ngjarjet (si Baudelaire e Rimbaud), e transformon botën, ndaj së cilës është i ekspozuar, përmes prirjes për të pranuar vuajtjen dhe plogështinë (Poezitë “Rezignata, Rima e tretun, cikli Kangët e fundit etj). Ai është i vetëdijshëm për këtë. Kujtojmë se Koliqi qe shprehur se me këto do të mbetej në poezinë shqipe. Po të mos harrojmë se Anton Pashku, autori i manifestit letrar “Mbi komunikimin poetik”, fliste për një antologji ku do ta largonte plotësisht.
Lexuesi mesatar, që e ka të vështirë përballjen me modernizmin, vazhdon të dojë Migjenin e parë – ku mbizotëron uni volterian. Arsye tjetër është se socrealizmi që e mohonte interesin për formën, parimet apo poetikat e “luhatshmërisë” dhe “papërcaktueshmërisë”, i vuri në shërbim të vetes, duke pjellë libra të trashë interpretimesh, krejt jashtë asaj që përmbanin tekstet e poetit.
(Për shembull: E ndjej nga dielli alegorik valën.)
Problem më vete, në krijimtarinë e këtij poeti, janë ato që A. Pipa do t’i quajë proza poetike, por në njërin prej botimeve qenë quajtur gabimisht, meqë nuk përmbushnin kriteret klasike të tregimit, skica. Në fakt, Migjeni as që e kishte çuar ndërmend tregimin, pasi ato nuk gjenden në fletoren ku bëhet lista e prozave të shkruara apo që mendonte të shkruante. Në gjuhën e pikturës, skica është studimi që mendohet në shërbim të veprës së ardhshme. Te Migjeni, ato tekste nuk kanë atë qëllim. Si te Baudelaire (Spleen i Parisit), ato janë domethënëse për krijimtarinë e tij.
(Bukuria që vret: Hana e zbetë, si fytyra e nji të vdekuri, kundron nga kupa e qiellës. Kundron botën e maleve të kristalizueme nga bora. Kundron kasollat e kristalizueme të katundit, të cilat as frymë nuk marrin.Të gjitha janë mbështjellë në bardhsin e borës. Vret shpirtin e malsorit siç vret shpirtin e artistit shtatorja e bardhë e nji grues së lakuriqët.)
Migjeni është poeti i parë i larguar thellësisht nga tradicionalja.
Me të fillonte aftësia ripërtëritëse e modernizmit, për të mohuar veten, “traditat” e tij të larmishme, por pa humbur identitetin. Edhe në rastin e poezisë, siç thuhet shpesh, ka modernizma sa ka modernistë.
Sidoqoftë, duhet thënë se hapi i parë në modernitet ishte hedhur me kohë: subjekti dhe forma shkonin paralel, herë-herë duke anuar nga forma (cikli Bukuria i Naimit, pjesa më e madhe e krijimtarisë së Mjedjes etj.). Për të mos u kthyer edhe më tepër në kohë, Variboba, që do të thotë se sistemi shtyhet deri te ajo që quhet letërsia parakombëtare.
MIGJENI (Millosh Gjergj Nikolla) (1911 – 1938)
Kanga skandaloze
Një murgeshë e zbetë, që bashkë me mkatet e botës
bar dhe mkatet e mia mbi supet e vet të molisun,
mbi supat e verdhë si dylli që i ka puth hyjnia
– kaloi rrugës së qytetit si ejll i arratisun…
Një murgeshë e zbetë, e ftohtë si rrasa e vorrit,
me sy boj hini si hini i epsheve të djegna të gjallesës,
me buzë të holla të kuqe, dy gajtana pshertimet që mbysin
ma la der’ vonë kujtimin, kujtimin e ftohtë të kalesës.
Prej lutjesh (jo tallse!) duel dhe në lutje prap po shkon…
Lutjet i flejnë gjithkund: ndër sy, ndër buzë, ndër gishta.
Pa lutjet e saj bota, kushedi, ç’fat do kishte?
Por dhe nga lutjet e saj ende s’i zbardhi drita.
O murgeshë e zbetë, që çon dashni me shënjt,
që n’ekstazë para tyne digjesh si qiriu pranë lterit
dhe ua zbulon veten… Smirë ua kam shejtënvet:
Mos u lut për mue, se due pash më pash t’i bij ferrit.
Unë dhe ti, murgeshë dy skaje po të një litari;
të cilin dy tabore ia ngrehin njeni-tjetrit –
lufta asht e ashpër dhe kushedi ku do t’dali,
prandaj ngrehet litari edhe përplasen njerzit.
Malli rinuer
Valët muzikore fluturojnë nga përndimi
shkrepen e përtrihen
për muret e dhomës seme,
edhe mandej dridhen
mbrenda në zemrën teme
dhe zgjojnë ndijesina që mblue ka hini.
Ndijesitë e mia me valët muzikore
shkëmbejnë puthje të nxehta
posi dy dashnorë
e pa mshirë shëgjeta
më ther në krahnor
edhe më merr malli përjetë ma gazmore.
Malli rinuer përjetë ma shkumbuese
flen pa fat në mue,
një tingull pëmdimi
asht ngushllim për mue
kur më mshtjell mashtrimi
me melankolinë e vet aq trishtuese.
Tingujt miqëdashës, që në dhomën teme
më falin rytmin
e një dansit të largët,
më kujtojnë përqafimin
e çiftave të shkathët
që sjellen hirshëm nëpër drrasa të gëdhenme.
Shpirtënt shtegtarë
Mbramë një erë e ftohte acar fryni nga ana e maleve,
i shkundi shpirtënt tonë – bashkë me gjethë të kësaj vjeshte
i muer andej kah dielli hijen si të përgjakët ua lëshon zalleve
– në Përndim, ku shtret e shkimet dita në pamundsinë e vet
Enden shpirtënt tonë nëpër vise të Përndimit të mrekullueshëm,
bajnë të fala dhe me thane vendeve të shuguruem
e të përtrimë ndër fluide të hekurit e të zjarmit – adhurueshëm
e me një credo gëzojnë qiellën me çagjë e të tymuem…
në cilën, diku në skaj merimanga fatin trillon,
vetes dhe njerzis poshtë, që damarët i rrahin
(si të rrahunt trompete në vorresë) – ndërsa tue qa, kumbon
e thrret kumbon’ e fabrikës, i njëmijti fishkëllim si një fsham
shkyn ajrin.
Shpirtënt tonë me një dashni tragjike ato vise i duejnë.
n’eter të kulluet u bajnë fli ndjenjat e vet ma të holla
E në nesërmen fatale kundrojmë një horizont me njolla…
…shtegtarë të mërguem, shpirtënt tone n’origjine po kthejnë.
Vuejtja
Ka do dit
që po shof fare mirë
se si nga vuejtja syt po më madhohen,
nepër ball dhe ftyrë rrudhat po më shtohen
e si buzqeshja m’asht e hidhun…
… dhe po ndij
se si mëngjeset e mia
nuk janë ma mëngjese hovi e pune,
as ndërtimi, por të shtymt dita më ditë
e një jete që s’durohet.
Dalngadalë po shof
si jeta një nga një
secilin ndjesi
me tradhti
po ma vulos
dhe s’po më mbetë asgja
që me u nda
si shej gëzimi,
përpara
nuk e dishe, o jetë,
se kaq i tmerrtë
asht grushti i yt
që mbyt
pa mëshirë.
Por kot
në pasqyrë po shof
se si nga vuejtja syt po më madhohen
nëpër ballë dhe në ftyrë rrudhat po më shtohen,
dhe shpejt do të bahem
flamur i vjetruem
i rreckuem
ndër luftat e jetës.
Vetmija
Më pak mërzitja
që vetmia më sjell,
përbuzja, urrejtja
të gjith’ sendet m’i mbështjell
dhe kam shumë anmiqë
të ligë
në këto sende pa shpirt.
Nuk flasin.
As sy s’kanë.
Po mue më bahet
se aty janë
vetem që të më plasin
zemrën.
Së paku të më shajnë:
– I mallkuem!
Së paku të më tallin:
– I uruem!
Së paku të më këndojnë:
– I yni Zot!
Ose të më thonë:
– Jeton kot!
Të flasin, të flasin se fjalë due
në ket vetmi me ndigjue.
Ose të më tregojnë historinë
të tyne, autobiografinë;
ndosht’ aty do gjej gjasim
me jeten teme pa tingllim
që në vetmi po e kaloj –
dhe s’po di a rroj a s’rroj.
Sendet heshtin. – Sa të pamëshirë!
Më bajnë dhe mue të hesht me pahirë,
pse gojë s’kanë
dhe nuk flasin,
aty janë
vetëm të më plasin
zemren teme që po vuen
dhe në mërzi vetveten truen.
Rima e tretun
Jeta i kaloj si një gotë shampanje.
Nett i çoj ndër shtreten mbi gji të grave
të cilat e deshten fort e ma fort për pare
se sa për kafshimin e tij të dhambve.
Dhe syparja ra…
Protagonisti vdiq…
Por nuk vdes shampanja!
U linden miljonet
me miljarde dëshira.
Kuj t’i lëshohet rradha
kur nuk ka batalla?
Por do të kenë Karrnera
dhe do të kenë poeten
gjithashtu dhe priften.
Prifti ka për të thanë:
ku do të shkojë
ai që e çoj jetën si një gotë shampanjë
e ku ai me të thyeme dhambë?
Vetvrasja e trumcakut
Trumcaku vuente nga melankolia. U lind në një vend me të vërtetë të shkretë. Në vend të barit bijshin qimet e derrit e në vend të pemve – brinat e një shtazës parahistorike. Dhe në kët natyrë – e cila nuk mund të quhet natyrë – kush mos të bahet melankolik? Dihet se një trumcaku s’i duhet shumë për jetë, por natyra, e cila nuk ishte natyrë, s’i epte as aq.
Mos pyetni si e tek u gjet trumcaku n’at vend, dhe si e tek u gjet njeriu në kët pikë kozmike; nuk dijmë shumë. Hipoteza dhe andrra. Miliona vjetësh dhe një fjalë goje, si për shembull: “…të bahet dritë! Dhe drita u ba!” – A shifni? Një fjalë magjike! Hokus-pokus! Sa bukur!
Dhe unë thash: të bindet trumcaku në një vend ku në vend të barit bijnë qimet e derrit e në vend të pemve – brinat e një shtazës parahistorike.
Njëherë trumcaku qëndroi mbi një brenë. U mërzit të shikojë qimet e derrit, u mërzit të fluturojë prej brenës mbi brenë. Nga mërzia dhe idhnimi mbylli syt. Ra në pikllim melankolik. Njeriu me temperament melankolik asht inteligjent. E inteligjenca në kuptim ma të hapët të fjalës, pakkuj i solli qetsi dhe të mire.
Dhe trumcaku, në majë të brenës e në kulm të melankolis, vendosi të vritet. Plot ironi filozofike shikonte rreth përqark vetes e vendimi i patundun mirfilli pasqyrohej ndër syt e tij të dëshpruem. Cicrroi një herë, cicrroi dy herë; cicrroi tri herë. Mandej një crrrr e gjatë e plot mallëngjim ishte porosia e tij e fundit. Testamenti i dhimave të tij. Dhe, pa u dhanë krahve, këcej prej brenës… ra mbi një qime të derrit, të gjatë e të mprehtë si thika, dhe u ngul mbi të.
Trumcaku i ngulun mbi një qime të derrit. Me krahët dhe puplat e tij lonte era dhe e sjellte rreth qimes, si sillet dhe gjeli metalik në majë t’oxhaqeve tona. Atbotë frynte veri.
Ç’ka janë këto kapërcime logjike! Ka me bërtitë ndokush.
Po, lexues i dashtun e jo i cekët. Po! A pak po kemi kapërcime logjike, morale dhe dogmatike në botën tone reale? Pse po zemrohe dhe po don me më gjykue për disa kapërcime logjike askuj damsjellse?
GASPER PALI (1916 – 1942)
Kangë gungallash
Heshtë zhurma e karros n’udhën vetmitare,
Heshtin zajet djaloshare,
Fmit s’zhkrryhen mb’dhe t’zharitun.
Heshtë krizma
që nep kova n’pus tue zbritun.
Cijimi heshtë.
E ndalet udhëtari n’hije t’shpeshtë.
E çdo qytetar
asht lshue n’krahët e gjumit andërrtar.
Por gungalla nuk pushon,
por gungalla kndon.
Nga kumbulla n’kumbull dridhin
ajrin e djegun nga rreze djellore
e janë të vetmet jone,
që përkujtojnë jetën n’shegjet verore.
Dhe mua qepallat m’rrahin
e mbi sye
donë t’m’ndehen terrina.
Por unë ty t’dëgjoj o gungallë.
E kanga jote m’ngjallë
njimij’ andrrime.
E fjala e jote m’përkundë në kujtime
e m’ban me mendue.
Si kanga e jote asht edhe kanga ime.
Prandaj largoj shpejt gjumin nga qepallat
e t’qasem me dëgjue.
Muzg mergimi
Mbi syt t’lodhun, dalngadalë,
nji tymtajë ndehet.
Në dhomë nga çdo anë,
hije burojnë e qasen me hap t’ploshtë.
Dielli ka mshehë ballin e gjanë.
E poshtë
i njellë, zogu zogut, gjumë.
Hije t’hjellta si selvi
më murmurojnë:
– shkëputi syt’ e librat treti,
N’ara dil, si dikur fmi, –
E si n’dhomë hijet u ngjallën,
fantazmat murmuritse
njimij kujtime nga fminia m’falen:
– Muzgjet plot kumbonë
kur ngitshim arash të mblueme nga tymtaja,
n’sa n’qiellë, si syni i jonë,
lshojshim balona. –
Andrrimet tona
kaloshin përtej malit.
E kur dilte hana,
na fmi prej zallit,
balonën, der’hanë, dojshim me e çue.
Sonte, n’sa hijet m’flasin
kërkoj han’n m’e ndesh përsri.
Por hana, ma nuk m’qeshë
si dikur fmi.
O, e kërkoj hanën,
n’sa me ‘i gjysë zanit
me i folun hijeve, që më rrethojnë,
por mbi sy m’asht ndé tymtaja.
Ndjeva se më murmurojnë:
“Eja n’Shkodër, si dikur fmi,
e prep prej zallit
ke me pa hanën kah çohet prej malit. –
– Ikën kush’di – përgjegja – sa prendvera
e sa stuhi shpirtin tim ma rrenuen
sa tash s’pertrihen stint, që dikur m’gzuen!
Vegim mërgimesh
N’shpirtin tim
Rreh malli i Shkodrës. Tash, që jam n’mërgim,
Kam et netësh shqiptare.
Pse më përkujtohen mbramjet magjistare
Ku çdo jeh në muzg vdes ashtu mejherë
Në t’amblën heshti?
Ndiej frushullim gjethesh
Kah përkdhel pema pemën me butsi.
Por, kur mbas mali zb’lon ballin e gjanë
Hana fytyrëbardhë,
Zana shpërthejnë.
Tash s’ndiej land’t tue pëshpëritë,
Pse hana qiejt nga gjumi trazon
E njimij’ gojë lehin ashtu papritë.
E vashat ledhatare
Qeshin kah ngrehin shtregullat mijvjeçare.
Përkund djalin e kndon:
“Po ti, hanë pse s’dole mbramë?”
Vasha sheh sytë djalosharë,
Që qeshen n’t’mektën dritë:
“Mbramë, si ti dhe un, o djalë,
Hanën kam pritë”.
Por nuk ngjati shumë vegimi andërrtar.
Zhdukë andrra, n’shpirtin tim
Malli kthen mejherë,
Mbasi kurrkush nuk kndon për mue n’mërgim.
Vjeshtë
Qiella u turbullue
Si syni i vash’s që qan dashtnin ma t’parë.
E retë nisën me u shtue.
At’herë dallndyshet,
Me za plot trishtim,
Njana- tjetrën lajmuen m’u nisë n’mërgim.
Prej çerdheve nën pullaze,
Dallndyshet dolën;
E para sa m’u nisë,
N’qytet anembanë u sullën.
Nga mali, tash sa zbardhë,
Filloi një gjamë me ardhë,
Murlani fryen.
E gjeth’t, s’ka shumë verdhue,
Dridhen, si të vogjlit fmi që n’derë trokllojnë
E për nji koje bukë, shpinë urojnë,
Por era papra,
Filizat tue përshkue
Gjethin prej gjethit don me forcë me e da.
VOREA UJKO (Domeniko Belici) (1918 – 1989)
Jeta ime
Jeta ime një liman
dritash dhe mjegullash
që enden e shenden
në buzë të ditës,
anijesh të shpartalluara në breg
dhe ranishtash margaritare.
Do ta shpie tërë barrën time
derisa do të mund të thërres
për një fat përjashta stuhisë.
Mbrëmja
Suvala te zalli i detit
vjen e leht’ e më puth këmbët,
ashtu vjen mbrëmja
e më puth ëndrrat.
Zemra fluturon e i vete pas:
E ruan kur ulet mbi degat,
kur mbyllin syt’ e shpivet.
Erret jeta!
E derdhet kah hjea’ saj
kënga e qetm’e ylëzvet
mall’ i gjërave që s’janë.
Herëherë
Herëherë trupi im
lëndë e lëshuar
nën qiej të patundur
e të gjitha rrugët e mija
shtiqe të varrosura
ndër paretka akulli
dhe shpirti gjak i piksur
që peshon mbi zëmrën
e të gjithë zogjt
janë kukuvajka.
*
Herëherë nga valë mëndafshi
të pështjellura me qetësi,
dalin me një shtrush flatrash
nota muzikore shpirtrash
e velezojnë për m’u kapë
në një breg visesh të përtejme
e të gjitha llamballat ndizen
për kremten atësore.
Zbath këpucët
për baladën e marrë
në breg të detit
të pasosnís.
Përrallë e vogël
Me një gjilpërë ari
mjegulla t’qep veshjen
e heshtja thrret hijen
për të pështjellë buzën.
Nuk t’shoh as të dëgjoj
e çdo gjë bie në pus.
Edhe gogolat.
Mos hiq tërkuzën
për t’shuash etin:
uji ësht’ i turbullt
nga ëndrra im’ e kalbur.
ARSHI PIPA (1920 – 1997 )
Natë e mbrame
Natë e mbrame, përpëlitje
ma e gjallë, e vonueme.
Natë e mbrame mbi shtrojet e çjerruna.
Kam shkelë skutat e errta,
ku fjalët nuk kanë za, fëtyrat
janë lutje, hijet
familjare mbi perdet e randa.
Më qortojnë për mungesat. Un ulem
te skanji i fundëm e lypi falje.
Vjen nji frymë ere, përdridhet flaka,
shoh veten nji tjetër.
Ktu pashë nji herë nji grue
me thonj t’argjantë si hej,
veten nji lule ndër gishtat e saj
qi m’grisshin ngadalë tue numrue.
Mandej kur t’voktit e prendimit
mbytet te nata,
kur hijet ravguese, hijet e mjerimit
fatin ankojnë t’njeriut, krijesë e gënjimit,
shpesh kam pa tue m’u afrue
nji fëtyrë e njohun, mërtisun
prej zije së lashtë dhe qi më pëshpëritte
diçka me aq mall sa më bante me qa.
Shumë gjana tjera do të dojshme me thanë,
por asht vonë e kam ngut me përshkue
udhën e gjatë.
Përshkoj udhën e gjatë dhe vij e ulem
mbi shtrojet e vjetra.
Nuk më trazon ma kujtesa.
Vërej si dridhet qiriu.
Asht sosë, dylli asht rrëzue përfund,
landë e patrajtë. Nga jashtë
vjen nji hov ere. Por nuk e shuen qiriun,
ai pret frymën time. E atëherë kur,
mbasi kam puthun leckat
e andrravet të herëshme,
kur qerpikët më therin sytë e ma nuk shoh
veç nji shëmbullim të përçudun të vetes,
i fryj qiriut qi tash nuk ndrit ma shumë
se nji zambak mbi ujna t’errta,
i fryj dritës së kaltër varun
n’ajr, i fryj kujtesës
qi don me fjetë nji gjum nëndheu.
E turma e hijeve qi m’bie përsipër
asht lajmi i nji jete së ndryshme,
ku un jam nji i huej,
fëtyrë e shtypun nga landa
e pamasë e s’ardhmes,
trup i verbët qi rrotullon duert e dobta
për me nda errsinat e randa.
ZEF ZORBA (1920 – 1993)
Një çast, poezi: një jetë
Dritë përmes avulli.
Dalloj fytyrën tënde, pluhur bore;
marrshëm për pak më buzëqeshë
si protoplazëm “in vitro“,
por në vorbuj shtojzovallesh kapërdihet
e s’le veçse një zhigë përshtypjeje…
Një gozhdë
Një gozhdë e ngulur t h i k në mur, një gozhdë
e ngulur t h i k në mur, një gozhdë e ngulur…
Një gozhdë e futur t h e l l ë në mur, një gozhdë
e futur t h e l l ë në mur, një gozhdë e futur.
Një gozhdë e mbetur t h a t ë në mur, një gozhdë
e mbetur t h a t ë në mur, një gozhdë e mbetur.
e ngulur thik…
e ngulur thellë…
e mbetur thatë…
Kashta e kumbarës dikur
Mu në male
pikëllimi i kujtimeve tuaja,
o rrugë të errëta.
Mbi avullí të blera përgjatë,
kashta e Kumbarës dikur
si tandë pezullohej e lehtë,
dekor për kremtime entuziaste;
kur njohja kish nisë posa me lindë
e mitet ishin pranë,
të qartë
e qielli desh kapej me dorë.
Nga Fugat e fundit
Lento
(për çdo 10 qershor)
Rrugë e përmbytur në mjegull, ngushtime
rrathësh, kjo amulli e hirtë ku shuhen
hingëllime kuajsh të stërvinuar harrese.
(Oh, kot se i përsëris me mend poetët!
Kurdoherë e më fort ushtojnë fjalët
Që, herët atë mëngjez, të cunguara,
Si lamsh iu lidhën gruas në fyt kur tha;
“o burrë, nuk ke çka ban, nuk ke… na vdiq…
E vështrova atëherë majat e pemëve;
aullonin në qullin e çative
me vorbuj vese.
Stinës i paskeshin mbaruar ditët
ndër labirinte aq të ndërlikuar,
por jo si m’i pati shtruar ajo
kur sytë i bënte mjaltë e më tregonte
detin e horizontin, e kristalet
e praruar që shkumën posa e ciknin
kinse me siguri libimi
ndër brigje…)
S’kam më nevojë me pa. Tash përmbi mjegull
E di se plyma shpendësh të uritur
sulen drejt bregut moçalor të liqenit…
por i kthen veri mbrapa; sikur dhe mua
shortin ma dredh e që s’më shqitet më dot;
të mos e honeps prap tymin
e furrës gëlqerore
n’atë anë të liqenit
që mallit papushim
gjithënjë
i lëvyrët e i lëvyrët…
– Andante mosso –
Se çfarë kumbon, se ku ndriçon s’e dijmë;
vetiu prej dheu buron trishtim e mjegull.
Prej gjumit shekullor, ende të gjalla,
lajthitjet kot se i përpushë; qenkan shfrime
tani të pezmatuara; vetëtima
që flakuruan dikur (ç’përcullonin!).
Div i kërtylur ëndërrimesh, pa drojtje
zhigat kundroje, e syri ferk s’të bënte
pse binin një pas një: e Zot, e trima,
e dituri të lashta. Dhe atëherë me shifra
ujdi sendërgjoje, e vetëm lëndës
ia pate besën, pa e marrë në dorë
tëposhtën
Por gjeometria afshin nuk ta zgjidhi,
madje as vargu, kur e hulumtove
në diafraksion rrezesh iks. Jeremisur
ke mbetë
në mes të askurrgjësë e të pambarimit…
ZEF DEL GAUDIO (1921 – 2011)
Shtrohet nata e zezë
Shtrohet nata e zezë
sipër këtij katundi dalë e dalë;
vjen qetu qetu ka malet
e zgjon errësitë e gjumëme
çë të shehura rrijin te përroi.
Gjumin ka mbjellë brënda shpivet,
ka prishur për qiellin yjtë
çë nani, të bukur, skëlqenjin.
Nëng gjegjet një fjalë,
nëng shihet mosnjë.
Vet lumi gjegjet:
ky lum çë gurgullon
ndërmes gurëvet
ç’i ha kute rrjedhur.
Si ky lum, moti shkon;
e si lumi ha gurët,
ashtu gjithë njerëzit moti,
njer ç’i la pa fuqi
me kujtimesh te zëmra një barrë.
Kur te dimri era sulet
Kur te dimri era sulet
kundër pirgut e me re të zeza
nxihet qiella,
më pëlqen ndanë vatrës të mënoj
e të vërej shkëndijat e shkëlqyema
çë përzëhen, përzëhen e biren.
Ndë mbylli sytë,
nxitu përpara mua
më përhapet moti i trimërisë
e kërkoj të zëj ëndrrat e vjetra
pse i ringjallur ndihem.
Sytë posa hapi,
dukja e bukur më lë…
kundër natës çë vjen e ftohtë, e zezë,
sulet era nani;
dhe te vatra edhe përzëhen, përzëhen
e si ëndrrat, biren nxitu.
MARTIN CAMAJ (1925 – 1992)
MOSPERFILLJE
Mbas mjesnate hana derdhi rrezet
prej majes së shkambit deri në lumë.
Mbasi që u ngi me gjumë
këndon qokthi ndër rreze:
sytë, dy pika uji, ndrisnin dhe kanga
pikon në luginë, në terr.
Dikush buzë lumit n’agim gjeti
sqepin e thyem të qokthit e tha:
dam! Kqyre këtë tingull që ra
e plasi në gurë.
Drekë malsore
Sot ashtë marrë një gjak.
Dy plumba lëshuen përdhe një burrë.
Sot ashtë marrë një gjak.
Nën tunin e spatës
Pëlset rrashta e kaut te prroni.
(Drekë të mëdha po bahen sot!)
Sot ashtë marrë një gjak.
Gjama e burrave tërbueshëm
Përzihet me erën e mishit ndër zjarme.
E gjethi i Vjeshtës bintte i djegun mbi kapuçat e bardhë
Ndë tryeza, jashtë
Tokë e re, hanë e re.
Natë. Në vorrezat mbi kodër
Ujqit janë ulë prej malesh
E pijnë gjak në përrue.
Verë e lumtun
Majes përpjetë ngjitet vetëm
kah bjeshka nji kalë i bardhë.
Prej detit të largë erdh reja
e u ngjit npër qiell mbi kalë
kadalë si plaf i blertë.
Verë, por ndoshta bjen shi pasdite.
Verë, kali i bardhë,
cirkat e shiut mbi krip
e bar në livadhet e bjeshkës.
S’besoj në bimë të helmuese
as në gjarpinj.
Fill i gjetun
Natën që shkoi u fikën dritat e mbeti
qyteti në terr deri n’agim.
Amvisat kërkuen llampat vojguri
e s’i gjetën në terr.
Në nadje ra dielli e zbeu
faqet e rrokaqiellëve.
Në nadje vrejta rrethin e andrrave
në truell
e gjeta fillin e tretun
në pikën e ndaljes së dritës.
Pema nën diell
Pema nën diell maje kodrës, vetëm,
e bardhë, e bardhë e vetëm.
Degët e saja janë dejë,
degët e saja përdhelin qiellin me gishta
e qielli lëshon dritë.
Gjarpri mbi rrasë nxehet
me sy të mbyllun
si t’ishte tue ndëgjue muzikë.
Tash jam i qetë.
Trupi i pemës – kamba e malsorit
në tirq të zez –
ka kapun nji grusht dhé ndër thoj
e s’din se ku me e tretë.
Tash jam i qetë,
por kur t’avytet nata
gjarpri ka me u kapun për degë
e ka me më grishun në mëkat,
ka me më grishun me e prekun
mollën pa e pjekë.
Nga Dranja (madrigale)
Në shtratin e merimangës
Shtegu rranzë malit andej lumit të Kirit zgjatej nga skaji në skaj si rrjedhë gjelbrimi, mbulue me barna e lakna të egra. Ato atë vjetë nuk i kishte shkelë njeri, as prekë një buzë frymori dhe zbathë më mbërrinte bimësia deri në zokthin e kambës.
Në anën e epër të rrugës qiti përjashta laknishtja, që kishte erën e djathit të njomë, një krye gjallnese: ishte fryma e dheut tim në atë dhe një emën grueje, Dranja. Ecte me sy ndër rreze, lanë mbrapa nga dieili që kapej përmbi lisa.
U fik mendimi i ditës punëtore në mue!
Dhe e ndoqa atij shtegu deri në fund ku mori fijet e shtratit të marimangës me krye dhe i përzieu ndër gishta me dijen e grues vektare, tue i endë poshtë e përpjetë nëpër shkorre.
Ndër sy sa grimca në ballin e shemtuem të breshkës Dranje zhbërtheu hareja e një loje të fitueme.
Vjeshta po kalon
Vjeshta po kalon ndërrueshëm me vapë e fortunë, dridhje shtërpie lara-lara nëpër dushk. Thonë: kohën që vjen askush të mos presë një ditë të mirë. Si kështu! Kaq pabesim në jetë?
E njëmend erdhi moti krejt i mirë, lak i gjatë pa nyja. Dranjes iu sqarue drita e synit si me dashë me pa si asnjë breshkë ndojherë kreshtat e maleve larg-larg mbulue me borë të bardhë: vetëm prej atij vezullimi u ndez dheu e uji mori flakë.
Jo, nuk ishin vargmale ato, po fletëza arnëjsh në vërvitje në skajin e pyllit, një flakim peshe larg dhe përpara turra kajzish të vegjël barnash të thata.
Vjeshta po kalonte, por grethi tne za të burrnueshëm si kurrë kërkoi ndër lisa e gjeti çka lypte: pemë të çame përgjysmë me erën e athët në lang. Një lloj bretkose, thithlopa e ngime, i merr amë në hapësi qumështit që shkumbon në vedër mes gjujve të mjeltores, gërmuq në shkam, ende të pashtitëruem mirë për këtë zeje.
Edhe pse tepër ngjyra në këtë vend, koha përputhet për kohë përkueshëm, pa u vra aspak sendi për send.
Pa sythin e dritës së qartë
Udhës për fushë më doli përpara lisi ma i madh i jetës sime rrapi i vetmuem. Poeti në gjuhën time ka shkrue për atë, kangë të gjata me vargje të shkurta sa gjethi i tij.
Në hijen e lisit mes rrajëve pushonte breshka Dranje mbas shtegtimit të gjatë. Qëndroja në kambë tue kqyrë malet përreth rrafshin e gjanë sa ai i Dukagjinit dhe atë send të gjallë përpara pa sytbin e dritës së qartë në kurmin e fshehun në rrashtë.
Dhe ndjeja, si e ndiente ajo valën e erës ndër rremba e peshën e korpit tim mbi tokë. Pa sythin e dritës së qartë përmbrenda i ndriste pullazi i strehës mbi krye si rrasa mozaiku në faqe katedralesh të nalta. Breshka e paza, send i gjallë i pavlerë, zen vendin ma të mirë nën lisin e madh dhe ka pakëz simpati njeriu në kohën e vetmisë dhe emnin e një vajze të bukur nga vendlindja e vet.
Kaq fatlumësi në jetë nuk do nënçmue!
Vetmia nuk e len me marrë frymë kohën
Tisi, breu e pisha janë druj virgjën dhe e lypin vetminë. Por zogjtë nuk i lanë të qetë. Këta dinë mirëfilli si ua merr dielli lulen e vajznisë ndër grykëza, si turpnohen degët kur u shkon e u vjen mushti nën lëvore e si ato i mjekojnë plagët e veta me rrëshinë.
Në vetmi ashtë shumë ma lehtë me njehë në rrashtën e Dranjes, si në varzat e brinit të sqapit, motet.
ENXA SCUTARI (Vincenzina Cetera) (1926 –
S’ka pushim
S’ka pushim
kjo ditë pa kulëndra
çë griset
tue mbjellur
mall e vdekje.
Kjo qeturi
çë më rri rro rro
më ngatërron
me një kamastrëz e arët
e më fryn
me ëndrra kristali
mos të fluturoj
Te voshku
Te qeturi qoshkut
gjesj gaze e fjalë
çe nëng njoh.
Flesan fletat një gjuhë
çë u harrova.
Për trolli s’duken
më gjurma burri.
Vetëm një zog i bjerrë
këndon për mall
ndër drizat t’errëta
si zëmra ime.
Kjo qeturi
Kjo qeturi nder dherat
më mëshon
si një zigua i rëndë.
Te shpia e erem
qëndroj vetem kusija
te kamastra e zezë
e hit t’errëtë
te zjarri i shuatë.
Përpara oborrit
gjelberonjen barëra e ferra.
Mbi manxhiatures
është adhè vjerre
kumbora qevet
çe pa golë e e ruxjastë
më gjimon mbrënda
si nje të fryjtur i rëndë.
NO COMMENT