READING

Një libër me letra dashurie dhe letërsi pasioni

Një libër me letra dashurie dhe letërsi pasioni

Ne foto: Dritero dhe Sadije Agolli ne diten e tyre te dasmes

Sadije Murati dhe Shaban Murati

Dashuri në moshën e Krishtit” përmban letrat intime të Dritëro Agollit shkruar për Sadijen në vitet 1964 – 1965, menjëherë pas njohjes dhe lidhjes së fortë me njëri-tjetrit. Njëri në Tiranë e tjetri në Shkodër, gjatë atyre dy viteve pritjeje për t’u bashkuar për gjithë jetën, ata shkruan shumë letra dashurie. Letra shkroi edhe Sadija për Dritëro Agollin, dhe ato përfshihen në këtë vëllim. Janë 44 letra të shkruara nga Dritëroi dhe 20 nga Sadija. Kanë qenë pa dyshim më shumë, por, në fashikullin “Letërkëmbimi me Sadijen, 1964-1965” që shkrimtari e kishte sistemuar në gjallje të tij si një koleksion i gatshëm për botim, kaq janë ruajtur.

Letërkëmbimi intim i Dritëro Agollit me Sadijen është vetëm një pjesë e epistolarit të tij. Si fashikuj më vete ruhen gjithashtu letrat me njerëz të njohur, letrat me lexuesit dhe letra të ndryshme. Por, pjesa më e madhe e epistolarit të Dritëro Agollit ruhet në arkivat familjarë të miqve të tij.

Epistolari është i pranishëm në trashëgiminë letrare të D. Agollit në të dyja format: si nënlloj letërsie dhe si korrespondencë private. Në romanin “Arka e djallit” në formën e letrës për një mik është shkruar romani “Shakaja e ndaluar” dhe po ashtu edhe 15 letrat që ruhen në sënduk për Hyskë Borobojkën, për t’i lexuar pas vdekjes. Letrat e këmbyera midis Dritëro Agollit dhe Gaqo Veshit  në vitet 1968 – 1969, nënshkruar me heteronimet Bamkë Çomaga dhe Hyskë Borobojka, janë botuar nën titullin “Tre qeshin, një inatoset”. Të shkruarit në formën e korrespondencës vetjake ishte një përpjekje për të krijuar një vetje tjetër, një alter ego në krijimtari, më të shpenguar, më të justifikuar për lirinë e mendimit dhe të shprehjes.

Koleksioni që botohet në këtë libër ka shumë rëndësi jo vetëm për të njohur botën brenda shkrimtarit, por dhe për faktin se tradita e letërkëmbimit intim në Shqipëri është shumëe varfër. Kanë ndikuar shumë faktorë për kufizimet e kësaj forme të shkruari, që nga anafalbetizmi deir tek kontrolli shtetëror mbi korrespondencën.

Letërkëmbimi i Dritëro Agollit, si çdo letërkëmbim, i është adresar një lexuesi të vetëm, së dashurës. Por nuk mund të përjashtohet dhe një lexues i projektuar, lexues i së ardhmes, lexues publik.

Fakti që vetë shkrimtari i kishte sistemuar në një fashikull, duke i lënë të gatshme për atë që do të donte t’i botonte provon se ky letërkëmbim qysh kur u shkrua ka pasur dy regjistra komunikimi; i pari si letra dashurie dhe i dyti si letërsi pasioni. Stilistikisht është shumë e lehtë të dallohet D. Agolli si letërshkrues, si kumtues, prej D. Agollit si shkrimtar brenda të njëjtit koleksion letrash.

Ky letërkëmbim mbi të konsderohet një rezervat burimesh dhe të dhënash për atë që mund të quhej etnografia e shtëpisë. Studiuesi mund të mësojë përmes tij për mënyrën e jetesës në një familje tradicionale myslimane veriore dhe në një familje liberale bektashiane jugore; për dallimet në rite e zakone, për dallimet kulturore dhe krahinore.

Botimi i këtij letërkëmbimi u shërben studiuesve për të ndërmarrë krahasime midis kumteve joletrare të D. Agollit dhe të letërsisë së tij. Këto dy mënyra të shkruari shpesh pajtohen e më shpesh nuk pajtohen. Në njërën, në letërkëmbim, gjenden karaktere që shihen në dritë të virtytit e nën hijen e vesit; në anën tjetër, në letërsi, janë karakteret kryesisht entuziaste, nën optikën e optimizmit revolucionar dhe në sfondin e industrializmit e të emancipimit.

Ky material është marrë nga pasthënia e librit “Dashuri në moshën e Krishtit”, botuar nga botimet Dritëro


Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.