Gazmend KRASNIQI
1.
Si të lexohet “Toka e shkretë”, që t’jua ndryshojë shpirtin më fort se t’jua lodhë kokën – ky është titulli i parathënies së njërit prej botimeve të fundit të kësaj poeme, njërit prej botimeve të bërë në mijëvjeçarin e ri. Padyshim, kemi të bëjmë me një argument shumë tundues për t’iu qasur kësaj vepre në kohën tonë, kur kemi parasysh që postmodernizmi ka kërkuar bashkëjetesë mes kulturës së lartë (e përfaqësuar nga kjo poemë) dhe kulturës së ulët (e përfaqësuar nga prodhimet e kulturës masive të dekadave të fundit), apo kur kujtojmë se ajo që ndodhi në dekadat e para të shekullit XX, ka përcaktuar zhvillimet e mëtejshme të tij, por këto janë përcjellë me kufizime të mëdha në kulturën shqiptare.
Siç pohojnë studiuesit, duhet të thënë që në fillim se për poezinë e gjuhës angleze nuk qe e thjeshtë ndarja ndërmjet vargut të shekullit XX dhe paraardhësit të tij (lëndës së poezisë romantike dhe asaj viktoriane): ajo ndodhi me një të rënë sëpate, tehu i së cilës qe “Toka e shkretë”. Poeti amerikan William Carlos Williams do të thoshte se kjo poemë “e shkretoi botën tonë, si të kishte rënë një bombë atomike mbi të”. Poema, që manifestoi formimin e Eliotit, qe një ndër më të vlerësuarat e shek. XX, por, njëkohësisht, edhe një nga më të diskutuarat, pasi ajo pati mbrojtës të mëdhenj, por edhe kundërshtarë të mëdhenj. Kritikja bashkëkohore amerikane Marjorie Perloff, njëra nga mbrojtëset e vlerave të modernizmit, kur diskuton (në kuptimin e avangardës) për çfarë do të ndodhë në shekullin që kemi hyrë, i referohet kryesisht veprës së Eliotit.
Pra, botimi i kësaj poeme më 1922 (vit kur u botua edhe Ulisi i James Joyce-it) shënon ngritjen e flamurit të modernizmit, nën hijen e të cilit jetojmë ende. Sigurisht, kjo kryevepër e Eliotit nuk është vetëm vepra kyçe e modernizmit, por edhe një nga arritjet më të mëdha poetike të shekullit njëzet. Teknikat (metodat) që mëson kjo poemë, janë referenca dhe ironia, vetëtallja dhe dredhia, të njëjtat që mbrojmë sot në art dhe kulturë në të gjitha nivelet: filma, romane, art fotografik etj. Gjithashtu, kjo poemë është standardi i artë i vështirësisë në poezinë moderne, pika mbi diagramën që specialistët letrarë priren të piketojnë. Ajo është një dokument historik, të cilin poeti Randall Jarrell e përdori për të akuzuar lexuesit (apo jolexuesit) e tij, në fund të vitit 1951:
Kur dikush thotë se nuk mund ta kuptojë Eliotin, ai lë të kuptohet se pjesën më të madhe të orëve të tij të lumtura e ka kaluar te oxhaku, midis librave me veshje të trashë të Agamemnonit, Fedrës dhe veprave simbolike të William Blake…
Vërtet – gjatë gjithë këtyre viteve të botimeve të saj dhe, duket, edhe në vazhdim – e lexuar në mënyrë jo të saktë, “Toka e shkretë” e bën të ndjehet memec lexuesin mesatar. Madje, shpesh, frika e dukjes memec i hedh lexuesit e poemës (kur kemi parasysh se ajo shoqërohet vazhdimisht me shënime të shumta) në pozitën e studimit te referuar, nga i cili nuk kthehen kurrë aty ku duhet.
2.
Në pikëpamja e trajtës poema është një kolazh, gati një montazh kinematografik – kemi të bëjmë me copa të ndryshme të mbledhura për të krijuar te lexuesit dëshpërimin që injektoi në shumicën e Evropës Perëndimore Lufta e Parë Botërore. Sot duhet të kujtojmë se Anglia dhe Amerika, atëbotë, kishin mbledhur turma të rinjsh për këtë konflikt, gjë që më parë s’ishte e zakonshme për një luftë. Betejat ajrore dhe armët kimike e zgjeruan mundësinë e gjakderdhjes. Avionët mund të fluturonin mbi trupat, kudo ku gjendeshin këto, gazi iprit mund të përhapej nëpër fusha, brenda llogoreve, për të përcëlluar indet e mushkërive dhe membrana të tjera të buta. Të tilla masakra mund të kapeshin me anë të filmit (kamera e shpikur së pari nga George Eastman më 1888, në vitin 1914 ekzistonte në një numër shumë të madh), ndërsa komunikimet radiofonike bënë të mundur reportazhe të përpikta të ekspeditave të largëta ushtarake.
Në këtë luftë, lavdia e të rënëve për atdheun (siç qe shprehur Horaci në vargun “Dulce et decorum est pro partia mori”), u bë një nocion thellësisht ironik: poeti britanik Wilfred Owen e përdori sentencën latine si titull për një poezi kundër luftës, pak para se të vritej në aksion. Qe Elioti ai që i dha mundësinë poetit Randall Jarrell të luajë mbi kuptimin e pikëlluar horacian të nderimit të të rënëve në luftë, nëpërmjet interpretimit të gjallë të groteskut të Luftës së Dytë Botërore. Vargu i fundit i poezisë së tij “Vdekja e artilierit” është: “Kur vdiqa, më nxorën prej frëngjisë me zorrë uji.”
Kjo vrasje në masë, e motorizuar, ishte pjesë dhe ndarje e një bote gjithnjë e më të mekanizuar, e cila qe montuar qysh se xhinset dhe fabrikat shënuan revolucionin industrial. Nocioni i progresit teknologjik përmbushi ndryshimet e stileve të jetës në botën perëndimore. Llambat elektrike e shkërmoqën errësirën dhe mjetet e shpejtësisë (vaporët dhe avionët) i ngushtuan distancat e globit. Metroja e parë qe hapur në Londër më 1890. Makinat ia zunë vendin kaloshinave, qytetet s’qenë më të projektuara vetëm për trafikun këmbësor: filluan të ndërtohen makina komode, ndërsa ndërtesat synuan qiejt.
Gjithë kjo atmosferë kushtëzonte një tekst të fragmentuar, i ngjashëm me një udhëtim të potershëm nëpër rrugët e Londrës e New York-ut, si dhe një tekst të paorientuar, i ngjashëm me një betejë moderne në luftën e madhe. Tashti, poezia bëhej prej çikërrimash dhe rreckash, prej fragmentesh të ligjërimit dhe këngëve, prej diksionesh, zhurmash dhe tonesh të ndryshme: ashtu siç ishin qytetet. Elioti është ndër përgjegjësit kryesorë për hapjen e atyre portave. Te “Toka e shkretë” mund të ndeshet një sibilë, duke shqiptuar në greqisht dëshirën për të vdekur, një këngë pijeje australiane, gjuha e Dantes, si dhe një llomotitje në pub. Atje mund të ndeshet shortari i verbër homerik Tirezia, “plaku me gjinj të varur”, si dhe një shortare llafeboshe, me një pako letrash Tarot. Kjo teknikë kolazhi e Eliotit, sot përdoret në artet plastike apo të performancës, në filmat dhe romanet bashkëkohorë, ku karakteret dhe linjat e historisë mund të mbeten plotësisht të palidhura.
3.
“Toka e shkretë” e ngriti lart koeficientin e vështirësisë në tri mënyra të veçanta.
1) Shënimet e autorit, shkruar si diçka e dyshimtë dhe nganjëherë me ton të druajtur, priren të ngatërrojnë më fort se sa të hedhin dritë mbi referencat e poemës, citimeve dhe lojërave të fjalëve. Mitet përzihen me njëri-tjetrin, ku një personazh merret për një tjetër, shpesh duke prodhuar interpretime të ndryshme apo kontradiktore.
2) Gjuhët e papërkthyera kanë kuptim vetëm për një poliglot.
3) Elioti huazoi shumë nga teknikat poetike të simbolistëve francezë, poezitë e të cilëve e vunë në lojë sipërfaqen misterioze dhe simbologjinë private më shumë se sa mitet e trashëguara dhe pozat e njohura retorike që ishin pjesë e normave kulturore të pranuara. Pra, shpesh, në mënyrë të ndërgjegjshme apo të pandërgjegjshme, ai krijon një mitologji vetjake.
Si çdo autor serioz, Elioti nuk është në pritje të një lexuesi të gatshëm, të ndërtuar prej klishesh të njohura e skemash stereotipe, por priret ta krijojë lexuesin e vet: jo një erudit por një lexues poeme.
Qytet i rremë,
Nën mjegull të kaftë të agu dimri,
Një turmë rrëshqiti sipër London Bridge, kaq e madhe,
Sa kurrë s’mendova se kaq shumë zemra zhbëri vdekja
E ndihmon apo e ndryshon kuptimin e këtyre vargjeve dija se “Unreal city” rrjedh nga poezia “Shtatë pleqtë” e Baudelaire? Apo që Ferri i Dantes i pikturon turmat e të vdekurve të cilët shtyhen në të njëjtën mënyrë?
Në fakt, ndërtimi i një aparati të rëndë prej dijetari mbi poemën mund ta errësojë atë, mund ta nxjerrë gjuhën prej drejtpeshimit. Dy referencat e Baudelaire (edhe Hypocrite lecteur) përbëhen prej dy vargjesh në një tekst prej 433 vargjesh. Kërkimi i tepërt mbi kuptimin e tyre, do të thotë çmontim në konstruktin e atypëratyshëm, retorik, që zbuloi Elioti për poemën dhe shekullin tonë.
Sepse muzika është mesazhi. Çfarë duhet ditur është lidhja me meloditë dhe disonancat e poemës: poema e thotë gjithçka që në sipërfaqen e saj. Në vargun Under the brown fog of a winter dawn (Nën mjegull të kaftë të një agu dimri) mund të kapet që shtypja e mjegullës e bën skenën e zymtë edhe më të ftohtë, pa qenë nevoja të thuhet, Mjegulla rrinte mbi njerëzit, aty ku duhet të ishte qielli i parajsës, pasi në ndërrim të shekullit, njerëzit i kishin braktisur nocionet tradicionale të parajsës.
Imazhi i njerëzve që shtyhen mbi urë bëhet sugjestiv prej automatëve pa fytyrë, një hordhi që lëviz kuturu. Kur befas behin të vdekurit (I had not thought death bad undone so many – kurrë s’mendova se kaq shumë zemra zhbëri vdekja), është një çast i veçantë: befas, kuptohet se bota që po vëzhgohej, ishte, në fakt, një iluzion. Vetëpërmbajtja e folësit në përshkrimin e kësaj skene të tmerrshme është ironike prej natyre, kështu që ai shpreh me këtë mënyrë tmerrin e tëhuajësimit. Mirëpo, imazheria rrjedh më shumë nga lufta e fundit botërore, sesa nga Dante, pasi referencat nuk japin më shumë sesa do të merret nga çfarë thjesht është në sipërfaqe.
Megjithëse dëgjimi i poemës nuk mund të jetë analitik, analizat tregojnë se si muzika, pavetëdijshëm, punon për të evokuar një ndjenjë. Pasazhi i mësipërm është i unifikuar prej zukatjes së tingujve m dhe n (uNder, browN, dawN, LoNdoN, MaNy, uNdoNe, Not, MaNy). Zanorja e shkurtër u, e vendosur pranë saj, gjithashtu, jep ndjesinë e lehtë të rënkimit. Disa fjalë rimojnë plotësisht (London, undone), ndërsa të tjerat përgjysmë. Ky lloj i joperfektes, tingulli i mospërputhshëm, shoqëron modernizmin, i cili mbi të gjitha kërkon t’i nxjerrë poetët nga ecja me hap të ndrydhur.
Fragmentimi i poemës tregon shtrirjet ku rrymojnë kaq shumë zëra të ndryshëm. Për të manifestuar larminë e poemës në diksion dhe subjekt, citojmë dy pasazhe.
I pari: një grua neurotike, e ulur në sallon me burrin e vet kokëfortë, i cili është refuzues për të folur, aq agresiv sa ç’është ajo në këmbënguljen e saj rënkuese për të folur ai.
Bisedomë. Përse nuk flet kurrë? Folmë.
Çfarë po mendon? Çfarë mendon? Çfarë?
Kurrë s’e dita çfarë mendon. Mendo.”
Mendoj se sillemi qerthujve të miut
Ku të vdekurit tretën eshtrat e veta.
“Ç’është kjo potere?”
Era nën derë.
Po kjo poterja tjetër? Çfarë po bën era?”
Asgjë, përsëri asgjë.
Steriliteti i skenës është i tmerrshëm: nga dukja e qetë – përsëri ironi (përsëritja tregon që gjithçka përmblidhet në një rreth). Më 1922, ky lloj i përdorimit të gjuhës së përditshme në poezi qe revolucionar.
I dyti: një skenë pub-i, në të cilën një grua rrëfen se si e nxiti një grua tjetër, Lilin, para se burri i saj, Albert, të kthehet nga lufta:
Tashti që kthehet Alberti, bëhu një çikë më e mençur.
Ai do kërkojë të dijë ç’bëre me paratë që të dha
Të vësh dhëmbët. Qeshë aty, kur ndodhi kjo.
S’të mbeti dhëmb në gojë, Lil, tha, merr një protezë të hijshme,
Kështu, betohem, s’të shoh dot.
As unë nuk mundem, i thashë, dhe kujtoj Albertin e gjorë,
Katër vjet ushtar, kërkon jetë më të mirë tashti.
Nëse s’ia jep ti atë, ia japin të tjera, i thashë.
Kjo lloj skene e neveritshme në poezi është një ndarje radikale nga norma – gruaja me dhëmbët e prishur që nuk shqetësohet për t’i rregulluar, tradhtia e sugjeruar që çdo grua tjetër do ta tundonte Albertin, edhe nëse Lili do t’i rregullonte dhëmbët. Një diksion dhe gjendje e tillë qe menduar jopoetike përpara Eliotit, megjithëse neveria është kaq e kudogjendshme, sa nganjëherë të duket banale.
4.
Dimë se leximi i vërtetë i poezisë gjithmonë lidhet me gjuhën e origjinalit dhe kjo poemë nuk mund të bëjë përjashtim. Por dimë, gjithashtu, se ka poezi të papërkthyeshme: ku tradhtia e përkthimit ndaj origjinalit është shumë e lartë, ka poezi që pranon nivele të ndryshme përkthimi: ku tradhtia e përkthimit ndaj origjinalit fillon të zbresë në përqindje. Ndryshe nga pozita e ortodokse e Robert Frost (përcaktuar nga lloji i poezisë që shkruan), i cili thotë se poezia është ajo çfarë humbet gjatë përkthimit, Elioti (edhe ky i përcaktuar nga lloji i poezisë që shkruan) tregohet pak më i lirë: ai njihet si përkthyesi në anglisht i poemës “Anabaza” të francezit S. Xh. Pers.
Që në krye duhet thënë se Elioti është shprehur që “nuk ka varg të lirë në kuptimin e lirë të fjalës”, që përcakton konceptin e tij për këtë formë të të shkruarit të poezisë. Se cili është mendimi i tij më i plotë për këtë fenomen, del nga citimet e mëposhtme, me të cilat është shprehur në intervistën më të rëndësishme që ka dhënë në këtë drejtim:
Sigurisht, poezia ime e hershme në varg të lirë filloi nën përpjekjen për të praktikuar të njëjtën formë si Laforge. Kjo donte të thoshte thjesht të rimoje vargje me gjatësi të parregullt me rima të rregullta.
Nuk e di a kisha në kokë ndonjë lloj modeli apo praktike, kur e praktikova këtë. Ajo thjesht doli.
Njerëzit gjejnë mënyrën për të thënë diçka. “Nuk shprehem dot me këtë mënyrë. Cila mënyrë do të më hynte në punë? As nuk shqetësohesha fare për mënyrat që ekzistonin.
Mësimin e marrë nga Laforge (të rimoje vargje me gjatësi të parregullt me rima të rregullta), Elioti e zbatoi në mënyrë të veçantë te poezia Këngë dashurie e A. PRUFROCKUT . Te “Toka e shkretë” kemi të bëjmë me diçka më komplekse. Këtu ka vend për pyetjen: Cila mënyrë do të më hynte në punë? Rezultati qe një poemë me ndërtim shumë të veçantë: pjesa më e madhe mbahet nga vargje me muzikalitet të brendshëm, ndërsa pjesa tjetër, sidomos pjesa III, përdor mësimin ala Laforge, pasi rimat fundore janë me shumicë.
Këto parime krijuese të Eliotit kanë përcaktuar punën me përkthimin, i cili ka synuar imitimin e origjinalit, me aq mjete sa lejon kalimi i poezisë nga një gjuhë në një tjetër.
TOKA E SHKRETË
1922
PETRONIUS, Satyricon[1]
FOR EZRA POUND
Il miglior fabro[2]
- Varrosja e të vdekurve[3]
Prilli është më mizori muaj[4]: rrit
Lilakë nga dheu i vdekur, përzien
Kujtesën me dëshirën, trazon
Me shi pranvere rrënjë të topitura.
Dimri na mbajti ngrohtë, tokën
Mbështolli me dëborë harraqe, duke ushqyer
Një fill jete nga pipat e tharë.
Vera na çuditi, tek çapitej me rrebesh shiu
Mbi Starnbergersee-n[5]; ndalëm midis kolonadash,
Brodhëm nëpër diell deri në Hofgarten[6].
Dhe pimë kafe, dhe folëm ndonjë orë.
Bin gar keine Russin, stamm’aus Litauen, echt deutsch.[7]
Kur ishim fëmijë e rrinim tek Arqiduka,
Kushëriri, ai më mori në slitë.
Dhe unë frikë pata. Më tha, Marie,
Marie, mbahu mirë! Rrëshqitëm.
Ndjehesh i lirë në male.
Lexoj, pothuaj, gjithë natën, shkoj dimrit në jug.
Ç’të jenë rrënjët që kapërthehen, ç’degë rriten
Nga kjo mbretëri guri? Bir njeriu[8],
S’e thua kurrë, as e merr me mend, sepse njeh vetëm
Një vandak vegimesh të thyera, ku rreh dielli.
Pema e vdekur s’na jep strehë, bulkthi s’na zbut.
Dhe guri i harruar, pa murmur uji. Vetëm
Një hije rri nën këtë gur të kuq,
(Eja nën hijen e këtij guri të kuq),
Dhe diçka tjetërsoj do të tregoj
Nga hija që s’të shqitet në mëngjes
Dhe hija që ngrihet në mbrëmje të të përshëndesë;
Do të tregoj frikën në një grusht pluhuri.
Frisch weht der Wind
Der heimat zu
Mein Irisch kind,
Wo Weilst du?[9]
“U bë viti që kur më dhurove të parat lulekumbona;
E mua më quajtën vajza e lulekumbonave”.
– Ahere, te e vona, kur dolëm nga kopshti,
(Ti duarplot e flokëlagur) nuk arrija
Të flisja, shikimngrirë dhe, as gjallë,
As vdekur, gjë s’kuptoja, tek shihja
Heshtjen në zemrën e dritës.
Oed’ und leer das Meer.[10]
Madamë Sosostris, e famshmja fallxhore,
Pati ftohmë të gjatë, po prapë
Nga një pako letrash djallëzore[11] merret
Si femra më e mençur në Evropë. Ja, tha,
Letra jote, Detari Fenikas i mbytur[12],
(Këto janë perla që ishin sytë e tij. Shiko!)
Kjo është Belladonna, Zonja e Shkëmbinjve,
Zonja e rrethanave.
Ja Njeriu i tre shkopinjve[13], ja Timoni,
Ja tregtari me një sy[14] dhe kjo letër,
Që është e bardhë, diçka që mbi shpinë e mban,
E ta shoh më ndalohet. S’e gjej dot
Njeriun e Varur[15]. Druaju vdekjes nga uji.
Shikoj turma njerëzish, që ngelen në një rreth.
Faleminderit! Nëse e shihni të dashurën Mrs Equitone,
I thoni horoskopin e sjell vetë:
Dikush duhet të jetë i kujdesshëm këto kohë.
Qytet i rremë[16],
Nën mjegull të kaftë të agu dimri,
Një turmë rrëshqiti sipër London Bridge, kaq e madhe,
Sa kurrë s’mendova se kaq shumë zemra zhbëri vdekja[17].
Psherëtima, të shkurtra, të rralla, avullonin herë pas here,
Secili shikimin mbërthente përpara këmbëve të veta.
Merrnin përpjetë kodrës dhe King William Street,
Ku Shën Meri Woolnoth përgjonte orët
Me tingull të vdekur në rrahjen e fundme të nëntës.
Atje pashë dikë që njihja, e ndala dhe thirra: “Stetson!
Që ishe me mua në anije, në Milae![18]
Kufoma që mbolle një kohë në kopsht,
Ka nisur të mbijë? Lulëzoi këtë vit,
Apo ngrica e natës ia prishi shtratin?
Oh, mbaje larg Qenin, këtë mik të njerëzve,
Përndryshe, me thonj, rishtas do t’ju zhvarrosë!
Ty! hypocrite lecteur! – mon semblable, – mon frere!”[19]
- Një lojë shah
Karrigia ku rrinte, si fron i ndritshëm[20],
Shkëlqente mbi mermer dhe pasqyra
E mbajtur mes gdhendjesh me bistakë rrushi,
Nga hidhte vështrimin tinzar Kupid i artë
(Një tjetër e fshihte vështrimin pas flatrash),
Dyfishonte flakët e shandanit shtatkrahësh
Duke hedhur dritën mbi tryezë
Ta bashkonte me vezullimin e brilanteve të saj,
Hapërdarë nga kutiçkat prej sateni;
Në shishëzat e fildishta e qelqet shumëngjyrëshe
Pa tapë rrinin parfumet e saj të çuditshme –
Pomada, të lëngëta a pudra – turbullonin, pështjellonin
E përmbysnin ndijimin e nuhatjes; shtytur prej ajri
Që sillte flladin nga dritarja, lartonin e rrisnin
Flakët e zgjatura prej shandanit,
Dhe tymin ua hidhnin në laquearia,
Duke përhumbur motivin e tavanit:
Një pyll i madh nënujor plot degë
Gjelbër-portokall, brenda kornize prej guri të ngjyrosur,
Ku delfin i gdhendur notonte në dritën e trishtë.
Mbi tymtarin antik, si dritare që hapet
Mbi skenën e pyllit, ishte pikturuar
Metamorfoza e Filomelës[21], dhunuar egër
Nga mbreti barbar, po prapë atje bilbili
Shkretimin e mbushte me zërin e pacënueshëm,
Dhe ende ajo rënkonte, dhe ende e përndjek bota,
Xhak-xhak, në veshë të ndyrë[22].
Dhe cungje të tjerë të tharë prej kohe
Përhapeshin çuditshëm mbi mure; forma të çapëlyera
Nxirrnin kokën, ndereshin, mbillnin me heshtje dhomën e mbyllur.
Hapa të zvargur rrëshqanë nëpër shkallë.
Në dritën e zjarrit, nën furçë, flokët e saj,
Lëshuar deri pranë flakëve,
Shkëlqenin gjatë bisedës, pastaj binin në heshtje sërish.
“I kam nervat keq sonte. Tepër keq. Rri me mua.
Bisedomë. Përse nuk flet kurrë? Folmë.
Çfarë po mendon? Çfarë mendon? Çfarë?
Kurrë s’e dita çfarë mendon. Mendo.”
Mendoj se sillemi qerthujve të miut
Ku të vdekurit tretën eshtrat e veta.
“Ç’është kjo potere?”
Era nën derë.
Po kjo poterja tjetër? Çfarë po bën era?”
Asgjë, përsëri asgjë.
“Nuk
Di asgjë? Nuk sheh asgjë? Nuk kujton
Asgjë?”
E kujtoj
Këto janë perla që qenë sytë e tij.
“Je gjallë, apo jo? Nuk ka gjë brenda koka jote?”
Por
O O O O ky Rag Shakespeherian…[23]
Kaq elegant
Kaq kuptimplotë.
“Çfarë do bëj tashti? Çfarë do bëj?”
“Do ia mbath përjashta, siç jam, e rrugëve do bredh
Me flokët hedhur zverkut. Çfarë do bëjmë nesër?
Çfarë do bëjmë ndonjëherë?”
Uji i ngrohtë – në dhjetë.
Dhe, në bie shi, veturë e mbyllur në katër.
Dhe shah do luajmë,
Duke pulitur sytë dhe duke pritur një trokitje në derë.
Kur la ushtrinë burri i Lilit, i thashë,
Pa bërë dredha, i thashë mu në sy,
NXITONI, JU LUTEM, TANI MBYLLET[24]
Tashti që kthehet Alberti, bëhu një çikë më e mençur.
Ai do kërkojë të dijë ç’bëre me paratë që të dha
Të vësh dhëmbët. Qeshë aty, kur ndodhi kjo.
S’të mbeti dhëmb në gojë, Lil, tha, merr një protezë të hijshme,
Kështu, betohem, s’të shoh dot.
As unë nuk mundem, i thashë, dhe kujtoj Albertin e gjorë,
Katër vjet ushtar, kërkon jetë më të mirë tashti.
Nëse s’ia jep ti atë, ia japin të tjera, i thashë.
Ashtu? ma ktheu. Diçka si kjo, thashë unë.
Ahere do të di kë falënderoj, tha ajo, dhe fort ma nguli shikimin.
NXITONI, JU LUTEM, TANI MBYLLET
Nëse s’të pëlqen kjo gjë, shtyje prapë me të, thashë unë.
Të tjerat rrinë gati e zgjedhin, nëse ti s’mundesh.
Nëse ikën Alberti, kjo s’vjen ngaqë ti s’di asgjë.
Dhe turp të kesh, i thashë, për këtë pamje si mumie.
(Dhe është vetëm tridhjetë e një vjeçe.)
Nuk mund të bëj asgjë, tha, duke rrudhur fytyrën,
Janë pasojat e ilaçeve që mora për abortin.
(Kishte pesë fëmijë dhe gati e pësoi prej Xhorxhit të vogël.)
Doktori tha se s’ka probleme, por unë s‘do jem kurrë ajo që qeshë dikur.
Je e tëra budallaqe, thashë unë.
Edhe nëse Alberti s’të lë,
Pse ju duhet martesa, kur s’doni fëmijë?
NXITONI, JU LUTEM, TANI MBYLLET
Të dielën që erdhi Alberti, patën proshutë derri
E më bënë ftesë për darkë, ta shijoja të ngrohtë.
NXITONI, JU LUTEM, TANI MBYLLET
NXITONI, JU LUTEM, TANI MBYLLET
Natënemirë Bill. Natënemirë Lou. Natënemirë May. Natënemirë.
Hu hu. Natënemirë. Natënemirë.
Natën e mirë, zonja, natën e mirë, zonja të ëmbla, natën e mirë,
natën e mirë.
III. Predikimi i zjarrit
Tenda e lumit është thyer; të fundit gishta të gjethit
Ngërthehen e rrasen mbi bregun e lagësht. Era
Përshkon heshtas tokën brune. Nimfat kanë ikur.
Thamez i shtrenjtë, ëmbël vrapo, derisa këngën ta mbaroj.
Lumi nuk bie shishe të zbrazëta, letra sanduiçesh,
Shami mëndafshi, kuti kartoni, fundçe cigaresh,
Apo dëshmi të tjera netësh vere. Nimfat kanë ikur.
Ia mbathën, pa lënë adresa, dhe shokët e tyre,
Bijtë bredharakë të shefave nga qyteti.
U ula buzë ujërave të Leman dhe qava…
Thamez i shtrenjtë, ëmbël vrapo, derisa ta mbaroj këngën pamort,
Thamez i shtrenjtë, ëmbël vrapo, sepse nuk jam as ai që këndon gjatë,
as ai që këndon fort.
Por pas shpine, në shkulm ere mbaj vesh
Kërkëllitje eshtrash e mbushet universi me ngërdheshje.
Një mi rrëshqiti shtruar përmes gjelbërimit
Me barkun e përbaltur në breg,
Ndërsa hidhja grepin në kanalin e turbullt
Një mbrëmje dimri, prapa gazshpërndarësit,
Duke ndërmendur mbytjen e mbretit, vëllait tim,
Dhe vdekjen, para tij, të mbretit, babait tim.
Trupa të bardhë lakuriqonin mbi dheun e lagësht
Dhe eshtra të hedhura në papafingo të ulët dhe të thatë,
Shkelur nga këmbë minjsh, vit për vit.
Por pas shpine, kohë pas kohe dëgjoj
Çirrjen e borive e motorëve, të cilët përherë
Sjellin Sweeney-n tek Mrs Porter në pranverë.
Oh, hëna ndriti mbi Mrs Porter
Dhe vajzën e saj
Që lajnë këmbët me ujë sode
Et O ces voix d’enfants, shantant dans la coupole![25]
Tuit tuit tuit
Xhak xhak xhak xhak xhak xhak
Kaq tmerrshëm ndëshkuar.
Tereu[26]
Qytet i rremë
Nën mjegull të kaftë të agu dimri
Mr Eugenides, tregtar nga Smirna,
I parruar, me xhepin dëng me stafidhe,
- i. f. London: dokumente në dukje,
Më ftoi me një frëngjishte demotike
Të drekoja te hoteli Cannon Street
Pastaj – një fundjave te Metropol.
Tek ora vjollcë, kur shikimi dhe shpina
Ikin prej skrivanisë, kur motori njerëzor pret,
Si taksi që pulson ndërsa pret.
Unë Tirezia[27], ndonëse i verbër, përpëlitem mes dy jetësh,
Plak njeri, me gjoks prej femre të vyshkur, mund të shoh
Te ora vjollcë[28] orën e mbrëmjes që zvarret
Në kthim, dhe sjell në vatër detarin.
Daktilografja në shtëpi, në vaktin e çajit, pastron mëngjesin,
Ndez shporetin dhe nxjerr ushqimin nga konservat.
Jashtë dritares, gjithë rrezik, shpërndan sutjenet e thara,
Që rrihen nga të fundit rreze diellore,
Mbi divan (natën shtrati i saj) janë bërë mullar
Çorape, pizhame, pantofla, qafore.
Unë, Tirezia, plak me rrudha,
Nuhata dukjen, parathashë kusurin –
Dhe prita mikun e parashikuar.
Ai, një riosh me puçrra, mbërriti dikur,
Agjent i një banke të vogël, shikimvëngër.
Një i rëndomtë, siguria e të cilit lëkundet
Si kapë mëndafshi pasunarësh të pagdhendur.
Tash është koha, shpalli ai, fill në thela,
Ushqimi mbaroi; ajo u mërzit dhe u lodh.
Përpjekje për ta fituar me dhela
Të padëshirueshme, e prapë të holla.
I vendosur dhe i ndezur, ai iu vërsul atje vonë;
Nuk hasën mbrojtje duart kërkimtare;
Kotësia e tij, për të përgjigje s’donte
I bëri pritje indiferente fare.
(I kam paravuajtur të gjitha, unë Tirezia,
Vendosur në të njëjtin divan apo krevat;
Unë që jam ulur poshtë mureve të Tebës
Dhe brodha mes më të përvuajturve prej fatit.)
Të mbramen puthje ia dha të zbutur, efemere,
Dhe doli si i verbër, duke kërkuar shkallët në terr…
Ajo u kthye dhe u pa në pasqyrë një grimë,
Krejt e vetëdijshme se ia mbathi dashnori;
Truri i skicoi një gjysmë mendimi:
“As që do ta kujtoj. Fund gjithçka mori.”
Kur gruan e ëmbël marrëzia e kapi,
I ra cep më cep dhomës,
U dha fort flokëve, pa vetëdije, lart
Dhe vuri pllakën në gramafon.
“Kjo muzikë e ëmbël që vjen drejt meje sipër ujërash.”
Dhe përgjatë Strand-it, nga Queen Victoria Street.
O qytet, qytet, shpeshherë mund të mbaj vesh
Brenda një Bar-i në Lower Thamez Street
Ankimin e ëmbël të një mandoline
Dhe çdo potere dhe çdo llomotitje që ngrihet
Ku peshkatarët pushojnë në mesditë: ku muret
E Magnus Martyr mbajnë shkëlqime enigmatike
Të së bardhës e së artës jonike.
Lumi djersin
Vaj dhe katran
Barkat lëshohen
Me zbaticën
Vela të kuqe hapen
Nën erë, koloviten mbi direkun e fortë.
Trapet shtyjnë
Trarë mbi rrjedhë
Drejt Greewich-it
Tej ishullit të qenve.
Ueialala leia
Uallala leialala
Elizabeth dhe Leicester
U japin rremave
Është bërë pupa
Prej guaske të praruar
I artë dhe i kuq
Grafullim i paqetë
Llokoçitej mbi dy brigjet
Era e jugperëndimit
Çonte përgjatë rrjedhës
Kumbime kambanash
Kulla të bardha
Ueialala lala
Uallala leialala
“Tramvaje dhe drurë të pluhurt.
Highbury më trishtoi. Richmond dhe Kew
Më zhbënë. Në Richmond ngrita gjunjët
E mpirë në shtrojën e kanoes së ngushtë.”
“Janë në Moorgate këmbët e mia, vetë zemra rri
Poshtë hapave. Lotoi, pas ndarjes.
Më premtoi “një fillim të ri”.
Unë heshta. Përse duhet të qahem?”
“Mbi Rërën e Margate-s
Mundem me lidhë
Hiçin me hiçin.
Thonjtë e thyer të duarve të pista.
Të mitë, njerëz modestë që asgjë më
Nuk presin.”
la la
Në Kartagjenë pastaj erdha[29]
Duke djegur duke djegur duke djegur duke djegur[30]
O Zot, Ti, më merr prej këtej,[31]
O Zot, Ti, merrmë
Në zjarrin tënd.
- Vdekja nga uji
Fenikasi Flebas, që prej dy javësh vdekur[32],
S’i ka në kujtesë klithmat e pulëbardhave dhe grafullimin e thellë të detit.
Dhe lavdinë dhe dështimin.
Një rrymë poshtë detit
Me pëshpërima ia mblodhi eshtrat. Ndërsa ngrihej dhe binte
Përshkoi moshat e burrnimit e të rinisë
Derisa e gëlltiti vorbulla.
Pagan apo Hebre
Ti që rrok timonin dhe drejtimin e erës ndjek
Kujtoje Flebasin, që dikur ishte i pashëm dhe shtatlartë si ti.
- Kumti i bubullimës
Pas flakës së pishtarit mbi fytyra të djersira
Pas heshtjes prej ngrice në kopshte
Pas agonisë në gurishta
Gjëmës dhe vajit
Burgut, pallatit dhe gjëmimit
Të bubullimës pranverore sipër malesh të largët
Kush po rronte, ka vdekur tashmë
Dhe ne që rrojmë, tashmë po vdesim
Me një fill durimi ndër dhëmbë
Këtu nuk duket ujë por vetëm gur
Gur pa ujë dhe shtigje rëre
Qerthuj rruge deri lart në male
Që janë shkrepa pa ujë
Sikur të kish ujë, do ndaleshim dhe do pinim
Mes gurëve askush nuk mund të ngulet për mendime
Djersë e përtharë dhe këmbë në rërë
Sikur të kish ujë te gjiri i shkëmbit
Gojë e vdekur mali me dhëmbë të kalbur, që dot s’pështyn
Këtu askush s’mundet të ulet, të shtrihet, të rrijë
Madje ndër male nuk ka qetësi
Por vetëm gjëmime shterpe, pa shi,
Madje ndër male nuk ka vetmi –
Fytyra të përskuqura hakërrehen e zgërdhihen
Nga porta me baltë të tharë, gjithë plasa
Sikur të kish ujë
Jo gur
Sikur të kish gur
Dhe ujë gjithashtu
Dhe ujë
Një burim
Një pus midis gurësh
Sikur të kish jetuar murmur uji
As këngë gjinkalle
A bari të përtharë
Por një murmur uji përmbi gur
Ku zogu Eremit[33] këndon nëpër pisha
Drip drop drip drop drop drop drip
Po ujë nuk ka asnjë pikë
Kush është i treti që ec pranë teje?[34]
Më dalin dy vetë kur numëroj – unë dhe ti
Por kur hedh shikimin te rruga e bardhë
Krah teje përherë ec një tjetër,
Çapet rrasur në pallton e kaftë, kokëmbuluar
Nuk e di është burrë, apo grua
– Kush është ai tjetër krah teje?
Ç’është ai tingull lart në ajër
Murmur e vajës amnore
Kush janë ato hordhi hijesh me kapuça që shkasin
Mbi rrafshina pambarim, kalamendur mbi dheun plasa-plasa
Kumbojnë vetëm nga horizonti i rrafshët
Ç’qytet është lart mbi male
Çahet dhe ribëhet dhe shpërthen në ajrin vjollcë
Duke rrëzuar kulla dhe kolona
Jerusalemi Athina Aleksandria
Vjena Londra
Vegime
Një grua zgjati flokët e vet të zinj
Dhe luajti melodi pëshpërimash në ato tela[35]
Dhe lakuriqë nate me fytyra fëmijësh në dritën e venitur
Këlthasin, rrahin krahët
Dhe kredhin kokën përfund një muri të murrët
Të përmbysura në ajër shfaqen kullat
Duke të kujtuar kambanat që shënjuan orët
Dhe zërat këngëtarë përtej cisternave të zbrazura dhe burimeve të shterrë
Te kjo e çarë e kalbur përgjatë malesh
Tatëpjetë dritëhënës së ligur, bari mërmërin
Sipër varresh të përmbysur, sipër kishës[36],
Ka një kishë të braktisur, vetëm banesë e erës.
S’ka dritare dhe çirret dera,
Eshtrat e përthara nuk mërzisin njeri.
Vetëm një kokosh qëndron mbi traun e çatisë
Kiki riki kiki riki
Nën një shkrepje rrufeje. Pastaj një bashkë reje
Tek sjell shi
Gangu[37] po thahej dhe gjethet e molisura
Prisnin shiun, ndërsa retë e zeza
U shfaqën së largu, sipër Hamavantit[38].
Xhungla u pulit kruspull në heshtje.
E ja, foli bubullima
DA
Datta:[39] ç’kemi dhënë?
O mik, gjaku që zemrën më shkumon
Çarja e tmerrshme e nënshtrimit të çastit
Që s’mund të zhbëhet as në moshë urtie
Nga kjo, dhe vetëm nga kjo, kemi mbijetuar
Kjo nuk është gjetur në nekrologjitë tona
A mbi kujtimet e pikuara prej merimangës mirëdashëse
A mbi vulat e thyera nga avokati hollak
Në dhomat tona boshe
DA
Dayadhvam:[40] e kam dëgjuar çelësin
Në derë rrotulluar vetëm një herë
Mendojmë për çelësin, secili në burgun e tij
Kur mendon për çelësin, secili pohon një burg
Vetëm nëse shembet nata, murmurima të eterta
Risjellin një çast Koriolanin e mundur[41]
DA
Damyata:[42] barka u përgjigj
Gëzueshëm, nën dorën e mësuar me vela e rrema
Deti ishte i qetë, gëzueshëm duhet të jetë përgjigjur
Edhe zemra jote, kur barka u lëkund, duke dhënë goditje të lehta
Te muskujt e tendosur
Unë qëndrova në mol
Duke peshkuar, me djerrinat përvëluese pas shpine[43]
A mundem së fundi të vë rregull në tokat e mia?
London Bridge po bie, po bie, po bie
Poi sáscose nel foco che gli affina[44]
Quando fiam uti chelidon[45] – o dallandyshe dallandyshe
Le Prince d’Aquitaine a la tour abolie[46]
Këto copëra i kam shpëtuar nga rrënojat e mia
Atëherë ju jap çfarë meritoni. Jeronimi sërish u marros.[47]
Data. Daydhvam. Damyata.
Shantih Shantih Shantih[48]
Sipas shënimit të Eliotit, jo vetëm titulli, por edhe plani i gjerë, së bashku me një pjesë të simbolikës, janë marrë nga libri mbi Gralin e Shenjtë i Miss Jessie L. Weston: From Ritual to Romance (Nga riti te romanca). Ai e këshillon lexuesin se ky libër do të shërbente më shumë se çdo shënim që mund të bënte ai vetë. Këtij i shtohet edhe një tjetër libër nga fusha e antropologjisë i Sir James Fraser, i cili titullohet: Golden Bough (Dega e artë). Weston, në librin e saj, ka analizuar mitet e parakrishtera, kështu që ka përmendur edhe mitet e Evropës Veriore që përkonin me mitin e Mbretit Peshkatar, i cili për shkak të fatkeqësisë, sëmundjes dhe moshës bëhet impotent, kurse infertiliteti i tij bëhet shkak i jo plleshmërisë së vendit që sundonte. Mbreti dhe vendi presin shpëtimin nga ardhja e kalorësit me virtyte të përsosura i cili do t’u përgjigjet disa pyetjeve dhe kështu do t’ia kthejë vendit përsëri pjellorinë dhe besimin. Eliot ka ndërthurur në poemën e vet tema të ndërlikuara për pjellorinë, shterpësinë dhe humbjen e besimit me të gjitha ndikimet që ato kanë në jetën e individit dhe shoqërisë, por edhe në gjurmimin e amshueshëm para dhe pas ringjalljes. Këto tema Elioti i kishte marrë në mitet e vjetra si edhe në religjionet e mëdha të botës.
1 “Sepse Sibilën e kam parë me sytë e mi në Cumis, pezull mbi ampullë, e nëse e pyetnin fëmijët: Sibila çfarë dëshiron? Ajo do t’u përgjigjej: Dua të vdes. PETRONIOS, Satyricon. Sibila e Kumesë (Sibila Kumana), priftëreshë virgjinë me dhunti profetike, të frymëzuara nga Apoloni. Apoloni i kishte dhënë pavdekësinë, por ajo harroi t’i kërkonte rininë e përjetshme, kështu që u plak dhe e humbi famën.
[2] Për Ezra Pound-in, mjeshtrin më të mirë
[3] Varrimi i të vdekurve evokon ritin e lashtë të lindjes nëpërmjet vdekjes (ringjalljes) dhe përkon edhe me “Urdhrin për varrimin e të vdekurve”, shërbimit funeral në Kishën e Anglisë
[4] Sipas Përrallave të Kanterbërit të Chauser, prilli është muaji që nxit pelegrinazhin shpirtëror
[5] Liqen afër Mynihut
[6] Park në Mynih
[7] Nuk jam aspak ruse, lituane me origjinë, gjermane e vërtetë. (Shënimet e konteshës Marie Larisch)
[8] Referuar te vizioni i profetit Ezekiel në luginën e skeleteve, ku ai po mediton për “Varrimin e të vdekurve” – “Bir njeriu, a mund të jetojnë këto kocka? Dhe unë iu përgjigja: O Zot, ti e di.”
[9] E freskët fryn era/ drejt atdheut/ Vajza ime irlandeze/ Ku je? (Nga “Tristan und Isolde” e Wagner)
[10] I shkretë dhe i zbrazët është deti. (“Tristan und Izolde”)
[11] Letrat Tarot janë njohur në Evropë nga fundi i shekullit XIV (Francë, Itali). Thuhet se e kanë origjinën nga mbishkrimet e lashta të Egjiptit. Figurat e tyre lidhen me ritet e pjellorisë.
[12] Pjesëtar i letrave Tarot, një tip i zotit të pjellorisë, imazhi i të cilit zhytet në det çdo vit si simbol i vdekjes së verës.
[13] Pjesëtar i letrave Tarot. Sipas shënimit të Eliotit, ai e lidh atë, krejt arbitrarisht, me Mbretin Peshkatar.
[14] Pjesëtar i letrave Tarot. Do të shfaqet përsëri në pjesën III.
[15] Sipas shënimit të Eliotit, i cili pranon që nuk është shumë i njohur me letrat Tarot, Njeriu i Varur, një pjesëtar i këtyre letrave, i ka shërbyer në dy mënyra: lidhet me Zotin e Varur të librit të Sir James Fraser dhe, gjithashtu, me njeriun kokëmbuluar në pasazhin e pjesës V.
[16] Një përfytyrim metropolitan i Bodlerit për Parisin
[17] Nga kënga III e Ferrit të Dantes.
[18] Emri i një beteje ndërmjet romakëve e kartagjenasve në Luftërat Punike. Luftërat Punike ishin luftëra tregtare dhe kjo përmendje mund të shihet si një paralele me luftën e fundit botërore, duke u parë të gjitha luftërat si një përvojë e vetme.
[19] Ti, lexues hipokrit – i ngjashmi im, vëllai im. (“Lulet e së keqes”, Baudelaire)
[20] Referenca te Antoni dhe Kleopatra (Anija ku ajo po rrinte, si fron mes flakësh, digjej mbi ujëra…) sjell ndërmend një dashuri të palumtur.
[21] V. Ovid, Metamorfozat, VI, Filomela. Filomela u përdhunua nga burri i motrës së saj, mbreti Tereu, i cila i preu gjuhën që të mos tregonte. Pas kësaj, Filomela u shndërrua në bilbil. Në kuptimin e figurshëm Filomela do të thotë bilbil. Edhe Mbreti Peshkatar, gjithashtu, në një kuptim të figurshëm do të thotë bilbil.
[22] Në epokën Elizabetiane, kënga e bilbilit, përveç kuptimit të vet të parë, mbarte ngjyresën e së shëmtuarës dhe vulgares.
[23] Hit i njohur muzikor amerikan në fillim të shekullit XX
[24] Është koha të mbyllet lokali
[25] O dhe këto zëra fëminorë që kumbojnë në kupolë. (“Parsifal”, Verlaine)
[26] Prokna, gruaja e Tereut, e gjen Filomelën, motrën e dhunuar dhe gjuhëprerë, e të dyja së bashku vrasin fëmijën dhe me mishin e tij gostitin Tereun. Kur e kupton, Tereu lëshohet në ndjekje të tyre, por perënditë e shndërrojnë në zog (Pupëz), ashtu siç i shndërrojnë edhe dy gratë.
[27] Sipas shënimit të Eliotit, Tiresia, sado që një spektator i thjeshtë dhe jo një personazh i vërtetë, është prapë personazhi më i rëndësishëm i poemës. Ashtu si tregtari me një sy dhe shitësi i stafidheve shkrihen në Marinarin Fenikas, edhe ky i fundit nuk mund të dallohet nga Ferdiandi, Princ i Napolit, kështu gjithë gratë janë një grua dhe dy sekset bashkohen te Tiresia. Ajo që shikon Tirezia, në fakt, është thelbi i poemës.
[28] Ora vjollcë shkon përtej domethënies fizike. Ajo është një përshkrim i orës së muzgut. Këtu tregon muzgun e qytetërimit, apo ndoshta është diçka më tepër. Vjollca nga ana tjetër është një nga ngjyrat liturgjike të kishës. Gjithashtu, ajo simbolizon pendesën dhe është ngjyra e pagëzimit.
[29] Shën Agustini: Rrëfime. Në Kartagjenë pastaj erdha, ku një kazan dashurish tokësore më gumëzhinin në veshë.
[30] Në predikimin e zjarrit Buda u tregon ndjekësve të tij që çdo gjë është në zjarr
[31] “Shën Agustini: Rrëfime. Sipas shënimit të Eliotit: Më qenë lidhur këmbët në ato bukuri tokësore, por më merr ti, O Zot, më merr Ti.
[32] Fenikasi Flebas, që prej dy javësh vdekur (Ripërtëritja përmes ritualit dështon, sepse ringjallja duhet të ndodhte pas një jave)
[33] Sipas shënimit të Eliotit, një zog i Amerikës Veriore, kënga e të cilit i ngjet “pikimit të ujit”
[34] Sipas shënimit të Eliotit, origjina e vargjeve vjen prej një ekspedisti te Arktikut, i cili, prej lodhjes së skajshme, thoshte se shihte një person më shumë te anëtarët e ekspeditës
[35] Flokët kanë qenë përherë simbol i pjellorisë. Weston dhe Fraser përmendin sakrificat e flokëve për të ndihmuar zotin e pjellorisë.
[36] Sipas Weston, kishëza, pjesë e ritualit për shpëtimin e Mbretit Peshkatar, ishte e mbushur me tmerre për të vënë në provë guximin e kandidatit
[37] Lumë i Shenjtë në Indi
[38] Mal i Shenjtë në Himalaje
[39] Datta – jep (Domethënia e bubullimës është gjetur në Brihadaranyaka – Upanishad)
[40] Dayadhvam – admiro
[41] Luftëtar legjendar romak, i mundur dhe i mërguar për shkak të krenarisë. Shembulli i njeriut të mbyllur në burgun e unit të vet
[42] Damyata – kontrollo
[43] J. Weston, Nga riti te Romanca; kapitulli mbi Mbretin Peshkatar
[44] Purgatori, XXVI, 148 Pastaj fshihet në zjarrin shërues
[45] Pervigilius veneris: Kur do të bëhem unë dallëndyshe. Në këtë variant, Filomela është shndërruar në dallandyshe.
[46] Princi i Aquitanës në kullën e rrënuar (El Desdichado, Gerard de Nerval)
[47] Citim nga vepra “Tragjedi spanjolle” (nëntitulli: Jeronimi u çmend përsëri) e Kid. Jeronimi, ashtu si edhe Hamleti, është “çmendur” në sajë të një qëllimi të caktuar. Jeronimit, që i duhet të marrë hakun e djalit të vrarë, i kërkohet të shkruajë një dramë. Ai e ndërton pjesën të tillë, ku duhet të vriten vrasësit e djalit. Fjalët që thotë, kanë kuptime të fshehura.
[48] Kështu e përsëritur kjo fjalë është mbyllja e një riti të një Upanishade. Përafërsisht, mund ta shqiptojmë atë si “paqe e parrëfyeshme”.
Përktheu e përgatiti shënimet: Gazmend Krasniqi
NO COMMENT