Një letër për Borges-in

Shkrimtarja Suzan Sontag

 

Suzan SONTAG

13 qershor 1996

New York

I dashur Borges,

Qysh se krijimtaria juaj ka zënë vend në shenjën e përjetësisë, nuk më duket e tepërt t’ju drejtohem me një letër. (Borges, kanë kaluar dhjetë vjet, tashmë!)[1].

Nëse do të ketë ndonjëherë diçka bashkëkohore, e cila ka për të pasur fatin e pavdekësisë letrare, ajo padyshim do të jetë vepra juaj. Ju jeni prodhim i kohës dhe kulturës tuaj e, megjithatë, keni ditur si t’i tejkaloni ato, në mënyrë që të ngjajnë të magjishme. Kjo, siç duket, ka të bëjë më shumë me sinqeritetin dhe fisnikërinë e mendjes suaj. Ju keni qenë më pak egocentriku, më transparenti e më finoku ndër shkrimtarët. (Doemos edhe kjo lidhet me pastërtinë natyrale të shpirtit tuaj.)

Megjithëse jetuat mes nesh për një kohë të gjatë, ju përsosët praktikat e sqimtarisë dhe pavarësisë, që ju bënë një udhëtar të zot të mendimit edhe për epokat e tjera. Sensin e kohës ju e patët të ndryshëm nga të tjerët. Prandaj, ju pëlqente të thoshit se çdo moment i kohës përfshin të shkuarën dhe të ardhmen, duke cituar (siç më kujtohet) poetin anglez Browning, i cili pat shkruar diku, diçka të tillë: “E tashmja është çasti kur e ardhmja shkrihet në të shkuarën”. Kjo, sigurisht, ishte pjesë e thjeshtësisë suaj: shija juaj për të nxjerrë ide nga idetë e shkrimtarëve të tjerë.

Thjeshtësia që shfaqnit, qe pjesë e sigurisë së pamjes suaj. Ju ishit zbuluesi i hareve të reja. Edhe atëherë kur botën tuaj e përshkonte një pesimizëm i thellë dhe i qartë, ai më tepër lidhej me një prirje të brendshme tuajën për të shpikur – ju ishit, mbi të gjitha, shpikës. Qartësia dhe transhendenca që gjenit te vetja, janë shembull për mua. Ju treguat se nuk është e nevojshme të jesh fatkeq për të parë se sa e tmerrshme është gjithçka. Diku, keni thënë se: një shkrimtar – pastaj keni shtuar hijshëm – të gjithë njerëzit, duhet të mendojnë se çfarëdo që të ndodhë tek ata, është një pasuri. (Ndërkohë që kishit parasysh verbërinë tuaj.)

Ju keni qenë një thesar i madh për të gjithë shkrimtarët. Në 1982, d.m.th katër vjet përpara se të vdisnit, unë kam thënë në një intervistë se “nuk gjendet një shkrimtar i gjallë që të jetë aq frymëzues për shkrimtarët e tjerë sa Borges-i. Shumë njerëz do të thoshin se ai është shkrimtari më i madh i gjallë…

Të paktë janë ato shkrimtarë të sotëm që nuk kanë mësuar prej tij apo që nuk e kanë imituar atë”. Kjo është krejt e vërtetë. Ne vazhdojmë të mësojmë nga ju. Vazhdojmë t’ju imitojmë. Ju u mësuat njerëzve mënyra të reja të të imagjinuarit, ndërsa zbulonit veçse borxhin tonë ndaj së shkuarës e, mbi të gjitha, ndaj letërsisë. Ju thoshit se ne i detyrojmë letërsisë pothuajse gjithçka jemi dhe kemi qenë.

Nëse do të zhduken librat, atëherë do të zhduket historia e, bashkë me të, qenia njerëzore. Unë jam e sigurt që keni të drejtë. Librat janë vetëm një sasi arbitrare e ëndrrave dhe e kujtesës sonë. Ato, gjithashtu, na japin modelin e transhendencës. Ka njerëz që mendojnë se leximi është vetëm një lloj ikjeje: ikje nga bota e përditshme “reale” te një botë imagjinare; bota e librave. Librat janë më shumë se kaq. Ato janë një mënyrë e të qenit tërësisht njerëzor.

Më vjen keq që më duhet t’ju them se tani librat konsiderohen si një specie e rrezikuar. Prej librave, unë, gjithashtu, kuptoj kushtet që e bëjnë  të mundur letërsinë dhe efektet e saj shpirtërore.

Kur librat do të bëhen tekste, me të cilët  të bashkëveprojmë vetëm sipas kriterit të dobisë, atëherë fjala e shkruar do të jetë bërë thjesht aspekti tjetër i realitetit të reklamave…

Kjo është e ardhmja e lavdishme e qenies së krijuar dhe premtuar tek ne si diçka më demokratike. Sigurisht, ajo nuk kupton më pak se sa vdekja e  qenies dhe e librit.

Kjo kohë sillet. Nuk do të ketë më nevojë për një zjarr të madh. Barbarëve nuk do t’u duhet t’i djegin librat. Tigri është në bibliotekë!

I dashur Borges, ju lutem, më kuptoni se kjo nuk më jep kënaqësinë e të ankuarit. Por, te cili mund të qahem për fatin e librit – të leximit vetë – më parë sesa te ju? (Borges, kanë kaluar dhjetë vjet tashmë!). Gjithçka që mund të  them, është se na mungoni. Më mungoni mua. Ju vazhdoni të përbëni një dallim. Epoka ku po hyjmë, ky shekulli XXI, do ta provojë shpirtin në rrugë të reja. Por, të jeni i sigurt, shumë prej nesh nuk do ta braktisin Bibliotekën e Madhe. Dhe ju do të mbeteni mbrojtësi dhe heroi ynë.

Suzan

[1] Letra është shkruar dhjetë vjet pas vdekjes së Borges-it

Përktheu: Vjollca Osja


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.