Një Babel i leximit …- Brikena Smajli

Foto ilustruese

 

Dr. Brikena Smajli

Letërsia shqipe dhe lexuesi i saj

Metroja e Milanos është e tejmbushur me njerëz dhe kjo ta përthyen e shpërbën disa herë përcaktimin e së përgjithshmes, tek duhet të përshkohesh prej gjuhësh, aksentesh, e fytyrash antropologjikisht të ndryshme; vetë milanezët janë zhytur në këtë shumësi gjuhësh e kulturash me shekuj tashmë, për të ofruar një shembull të spikatur e domethënës të globales, mbledhur dendësisht në një pikë dhe të populluar edhe përsipër me të tjera dëshmi shumëkulturore në ansamblin e ndërtesave që përbrihen njëra-tjetrës.

Kur studiuesi Arshi Pipa në botimin e vitit 1993 të The New Princeton Encyclopedia of Poetry and Poetics, në prezantimin e tij për letërsinë shqipe, vinte në dukje se “…letërsia shqipe është një përngjitje e papajtueshme poetikash,” një qasje kulturore e poetikës perëndimore dhe lindore, “të zhvilluara veç nga krahina të ndryshme. Ajo që mungon është vetëdija kombëtare e cila mund t’i bënte bashkënuk e kishte sigurisht fjalën për dendësinë e këtij melting-pot-i të sotëm. Aq më pak, e kish përcaktuar letërsinë e poezinë shqipe të një vetëdijeje të tillë shumëkulturore; përkundrazi, duke mos qenë as indiferent e i pavëmendshëm, as entuziast deri në fund ndaj qasjeve kulturore që autorët shqiptarë patën, pasojë edhe e edukimit të tyre, ai vinte në dukje një rrezik…lipset pra të shohim në këtë përkufizim të tij edhe këtë rrezik të globales, në të cilën një kulturë shkrimore e madhe e përthith dhe e shuan një kulturë shkrimore të vogël, pa një fizionomi të përvijuar qartë dhe pa një vetëdije në cilësitë e njëmendëta të saj. Atëherë kuptohet që Arshi Pipa nuk e ka fjalën thjesht tek roli i shkrimtarit, arti dhe vërtetësia e tij, por tek lexuesi, kritiku dhe studiuesi.

Letërsia shqipe, ekziston edhe përtej një figure të mirënjohur si Kadare. Qoftë edhe si impresion nga leximet më të freskëta të vitit që lamë pas, të vijnë ndër mend autorë e vepra, që ia vlen në thellohesh, edhe përtej kënaqësisë së pa interes të leximit, apo për shkak të saj: Primo Shllaku, Rudi Erebara, Ridvan Dibra, Ardian – Christian Kycyku, Romeo Çollaku, Agron Tufa, Gazmend Krasniqi, Stefan. Çapaliku, Klara Buda, …pa u përmbyllur këtu.

Shkruhet vërtetë sot një letërsi e mirë, një prozë që ngazëllen me variacionet e teknikat narrative të vëna në punë nga autori, në mos vetëm këtë të fundit, të paktën një grusht miqsh dashamirës, që më shumë ëmbëltojnë se sa përthithin cilësitë apo mangësitë e shkruesit. Megjithëse është kurdoherë e shëndetshme e shpresëdhënëse thirrja për një kritikë letrare, apo shqetësimi për mungesën e saj, Lexuesi, në termin aktiv e ndikues mungon. Në këtë pikë lipset folur për letërsinë shqipe dhe lexuesit e saj të njëmendët. Sepse, siç shkruan T. S. Elioti, me të njëjtin shqetësim për letërsinë angleze, në esenë e tij të mirënjohur “Religjion dhe letërsi” (1935) “ … në n epokë si ton edhe ndikimi i shkrimtarëve më të mirë, mund të degradojë për disa lexues; prandaj duhet të kujtojmë se ajo që një shkrimtar bën për popullin, nuk është përfundimisht, çfarë ai ka ndër mend, por vetëm ajo njerëzit janë të zotë të marrin prej tij. Në këtë ndikim populli ushtron një përzgjedhje të pandërgjegjshme.”

5 janar 2018, Milano, sheshi i Duomos, bri saj, e mirënjohura libraria Mondadori. Një lexues zëmadh e i njëmendët i këtij metropoli, Milanos, është padyshim Umberto Eco. Mjeshtëri ka më shumë se një vit që ka vdekur, por pasuesi i tij, profesori i semiotikës në Universitetin e Bolonjës, Claudio Paolucci sapo ka botuar një libër për Umberto Econ. (tek i hedh një sy librit të sapoblerë, rastësisht të bie ndër mend sot është ditëlindja e Ecos… ashtu si 4 janari është ditëvdekja e Kamysë dhe e T. S. Eliotit) Për sa kohë që vepra letrare është e hapur, edhe vetë datat e mësipërme veprojnë si struktura të ngulitura të një shumësie leximesh dhe interpretimesh. Ne lexojmë autorët dhe ditë përditë përkapim pak nga pak nga universi në të cilin jetuan shkruesit…

Umberto Eco

“Ishte ai që përzieu të hierarkitë dhe i ktheu kartat në kulturën botërore, kur nga akademia shpjegoi Supermanin, Kikirikët, Mike Buongiorno-n dhe Rita Pavone-n. Ishte ai që qeshi me Kantin, Manzonin, Cervantesin, Nabokovin dhe fort të pëlqyerin Jorge Luis Borges. Ishte ai që qeshi me të vërtetën, e bëri të qeshur të vërtetën. ” dialogon me mendimet, pa fshehur admirimin për Umberto Econ, Claudio Paolucci. Eco duket se ish përpjekur ta bënte të pranueshme vdekjen, si të vërtetën, të butë, të natyrshme, të jetueshme…edhe për më të afërmit me të.

Vetë detyra e kritikut në një treg global është, në radhë të parë, të drejtpeshojë, të shijojë e kuptojë njëherësh për të sugjeruar prej një vetëdijeje të gjerë një lexim të veprës, autorit, kohës… dhe në këtë mes atij, le ta quajmë lexuesi ideal, shtyhet pandërmjetëm, i duhet të përthithet në një univers dijesh të përbotshme, prej të cilës mund të ofrojë lexime e rilexime të reja, vërejtje, sugjerime, të sferës së shkrimit…Roland Barthes, Harold Bloom, Umberto Eco, janë Lexues, që i janë bindur “përulësisht” kësaj thirrjeje.

Vetë Arshi Pipa si studiues edhe shkrues i përket këtij lloj Lexuesi gjithashtu.

Shqetësimi i tij, që në shekullin e kaluar se “Letërsia si një profesion që karakterizon një tip të veçantë, të shkolluarin, nuk ka ekzistuar kurrë në Shqipëri dhe etnocentrizmi nënvizon edhe ato shkrime që duket se janë larg së qeni politike.[…] nëse kriteri i kënaqësisë pa interes do të ishte përkufizues dhe i domosdoshëm për letërsinë, letërsive të tipit shqiptare do t’u ishte mohuar anëtarësia.” në Letërsi Shqipe: Perspektiva sociale, (1978; 195) vë theksin, jo në shkruesit e letësisë, por më së pari në Lexuesit e saj.

Arshi Pipa

Vetë termi “letterato”, i përdorur këtu nga studiuesi, nënkupton një koncept më të gjerë se ai që rëndom quajmë “letërsi”. Ai përfshin shkrimtarinë, si profesion dhe jo vetëm shkrimtarin, hartuesin e një vepre letrare, por edhe të asaj studimore, lexuesin e kultivuar dhe kritikun, njeriun erudit që merret në mënyrë të përditshme dhe të gjithmonshme me shkrimin.

Akti i të lexuarit është gjendje ashtu si edhe të shkruarit, prej të cilit njeriu eksploron qenësinë e tij, duke fituar tjetër përmasë të njerëzores.

Në metronë e Milanos dhe më pas në trenin për Novara…në shumësinë e pasagjerëve, ndesh natyrshëm të tillë, që lexojnë, në këmbë, ndenjur, në pritje të trenit të rradhës…Dinamikës dhe shumësisë së kulturave, ata duket se i përgjigjen me këtë zhytje të mirëfilltë në individualen, në eksplorimin e njëmendët të thellësisë mendore të njeriut…

….Ishte ai që qeshi me të vërtetën, e bëri të qeshur të vërtetën…

Autorja është lektore në UET


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.