GAZMEND KRASNIQI
1.
Disa historianë të sotëm (mos janë vetë ata të tillë) e kanë quajtur “dritëshkurtër” Konstandinin e Madh, perandorin romak nga Iliria, kur vendosi të ndërmarrë një luftë në shkallë të gjerë kundër persëve, në një kohë që kufijtë veriorë të perandorisë qenë pothuajse të pambrojtur: gjithë të dhënat historike janë në një mendje se nuk shteronin energjitë e fiseve gjermanike, pasi përtëriheshin pas çdo disfate, megjithëse disa perandorë e gjeneralë mbanin epitete (qysh nga perandori Klaudi II Gotiku, që Konstandini e mbante për gjysh, apo dhe Belisari, gjenerali i tmerrshëm po nga Iliria) për të treguar mundësit e barbarëve. Mirëpo, siç mund të kuptohet, dikush si Konstandini i Madh mund të udhëhiqej vetëm prej arsyesh madhore, të cilat s’është e lehtë të gjykohen prej njerëzish të zakonshëm, siç jemi ne sot në rutinën e kohëve moderne, të shtypur nga frika e eprorit më të rëndomtë. Sidoqoftë, koha jonë i ka dhënë secilit mundësinë që të ketë të drejtën e tij.
Atëherë të hyjmë në temë drejtpërdrejt: duhet thënë se Konstandini ia kishte mbushur mendjen vetes të bëhej si Aleksandri i Madh, bindje që, ndërkohë, e kishte përhapur e përjetësuar në monedhat e prera ku shkruhej ”RECTOR TOTIVS URBIS” (Prijës i gjithë botës). Ndryshe nga paraardhësi, Konstandini nuk mëtonte origjinë hyjnore, veçse qenien bartës vegimesh, por nga ato vegime që mund t’ia kthenin drejtimin historisë – sot për këtë nuk ka asnjë dyshim. Ndoshta këto vegime i kanë parë dhe shumë të tjerë, para e pas tij, por ne i përmendim se ato i pa Konstandini i Madh (prandaj u pikturuan edhe nga Piero dela Franceska). Nuk mund të bënte më tepër, sepse në epokën e tij u deshën disa Këshillë për të mundur Ariusin, kundërshtarin e madh, si dhe për të arritur në këtë deklaratë të Këshillit të Nikeas: Ne besojmë në një Perëndi, në Atin e Plotfuqishëm, krijuesin e të gjitha gjërave të dukshme e të padukshme: dhe në një Hyjni, Jezu Krishtin, Birin e Perëndisë, ngjizur prej atit, dhe, meqenëse është i vetëmlindur, ai është në thelb i njëjtë me të Atin, pra Perëndia ka rrjedhur prej Perëndisë, Drita prej Dritës, Perëndia e Vërtetë prej Perëndisë së Vërtetë.
Kjo donte të thoshte shkishërim i Ariusit. Sidoqoftë, dihet se Konstandini, mbështetësi dhe organizatori i këtyre Këshillëve, pas këtij debati teologjik që s’dukej se e merrte vesh edhe aq mirë (s’e dinte sa duhet as greqishten), po bënte çmos t’u shtohej dymbëdhjetë apostujve, pra të bëhej i trembëdhjeti. Do të donte ta vlerësonin si Shën Pjetrin (guri mbi të cilin ngrihet kisha), por e vlerësuan si Shën Pali (themelues i kishës). Kur vdiq, siç e kishte rregulluar vetë, e futën në një mauzole ku rrethohej prej përmendoreve të apostujve, çka tregon qartë se çfarë mendonte për veten sa qe gjallë. Për ne, në këtë rast, ka rëndësi të dimë se çfarë mendonte për veten, sepse fakti që pak më vonë sarkofagu i tij do të nxirrej nga Kisha e Apostujve është një çështje tjetër.
Historia thotë se Konstandini vdiq pa filluar mësymjen e sipërpërmendur ndaj Persisë, duke vdekur me të edhe ëndrra aleksandriane, ndoshta për të treguar se gjërat nuk përsëriten dy herë njëlloj. Kjo dhe, sidomos, andrallat pa fund që u la në këtë rast pasardhësve, janë çështje tjetër. Çështja që paraqet interes për ne është: duhet të kthehemi edhe një herë në të gjallë të këtyre dy të mëdhenjve për të parë se çfarë mund të bëjnë dy gra, të fyera nga burra që i lanë ato për gra të tjera, për të përmbushur ambiciet për pushtet. Dy nëna që bënë të pamundurën kur erdhi çasti i bijve, një e pamundur me përmasat e botës, sepse si rezultat i kësaj, edhe pse për njerëzimin kishin ardhur kohët historike, epirotja Olimpia, nëna e Aleksandrit, për të fituar një perandor të madh, këmbëngulte se kishte hyrë në shtratin e një hyjnie; ndërsa Helena, nëna e Konstandinit, vendosi të kthente besimin në ato që ktheheshin për Tokën e Shenjtë, duke u bërë, për disa, një nga arkeologet më të rëndësishme të botës. Thuhet se ajo vendosi në heshtën e të birit një gozhdë me të cilën qe kryqëzuar Biri i Zotit, që është vetë Zot. Përmendet të jetë thënë “Unë kam për ta ndalur hapin vetëm atëherë kur ta ndalë Ai që ecën para meje”. Shprehja i takon Konstandinit, por askush nuk mund ta vërë në dyshim se atë mund ta ketë thënë edhe Aleksandri, i cili nuk iu tremb as të panjohurave të Indisë dhe u kërkoi të vetëve ta adhuronin si perëndi. Ndryshe nga princesha epirote, Helena, shenjtja e ardhshme, një stabularia (zonjë e një taverne a pronare e një bujtine), nuk u tërhoq nga fakti se kishin mbetur pas kohët mitike, pasi u përpoq të ndërlidhte dy epokat, duke sjellë në tryezën e njerëzimit disa gjëra që diskutohen sot e kësaj dite, herë-herë me të njëjtin zjarr. I bëri të gjitha: u besoi vegimeve të veta, besoi se kryqi ku qe kryqëzuar Krishti mund të shëronte një të sëmurë, si edhe që i biri, me një gozhdë të tillë në heshtë përcillte vullnetin e Perëndisë vetë. I biri, që sipas historianëve nuk pagëzohej se nuk kishte besim te vetja, prandaj do ta bënte këtë vetëm në orët e fundit të jetës, u përul me respekt para punës së saj, duke premtuar se do të pagëzohej te lumi Jordan, veçse e lanë fuqitë përpara se të merrte një udhëtim në ato vise. Më e rëndësishmja nga të gjitha është përshtypja e jashtëzakonshme që lanë këto gjëra në mendjet e publikut të gjerë të perandorisë (në atë kohë bisedat teologjike zinin vend të veçantë në bisedat e njerëzve, qoftë edhe takimet më të rëndomta të ditës, si, bie fjala, në treg).
Këto të dhëna të historisë janë besuar dhe vazhdojnë të besohen, pavarësisht nga hamendësimet e herëpashershme, që, në një farë mënyre, do të thotë se historia është bërë. Megjithatë, do të kishte vlerë të na thoshte dikush pengun e Aleksandrit që vdiste në moshë tridhjetë e dy vjeçare, larg së ëmës, duke e mbajtur lavdinë vetëm për vete, ndryshe nga Konstandini, i cili i fali së ëmës mauzoleun dhe sarkofagun e bërë për vete.
Shumë historianë e nxjerrin Olimpian si grua mizore, por të tjerë e justifikojnë: bëri gjithçka vetëm e vetëm që qytetërimi antik, i përhapur nëpër botë nga i biri, të kishte trashëgimtar të ligjshëm, gjak aleksandri, qytetërim që do të pasohej nga ai me nënë Helenën – kristianizmi perëndimor: përfytyroni rrugën e heshtës me gozhdën e kryqëzimit, nga Kostandinopoja te Karli i Madh dhe pasuesit e tij, nga Perandoria e Shenjtë Romake deri te Rajhu i Tretë.
E ndjej se këtu nxjerr krye mundësia e kufizuar e një tregimtari të kohës sonë: ndoshta duhet kohë që të kuptohet se sa u detyrohet bota këtyre nënave, të cilat punonin pa pushim që edhe bindjeve të thjeshta t’u jepnin ngarkesa emocionale të mbinatyrshme, ngjyrime të bazuara në faktin se me disa Perëndia mban lidhje me mënyrë të veçantë, për t’i mundur kundërshtarët “me anë të Frymës së Shenjtë” (divino monitus instinctu).
2.
Ndërsa po mendoja se duhej të kisha gabuar dy herë te ky tregim (e para, kur zgjodha dy nga më të mëdhenjtë, e dyta, se të dy qenë të shtyrë thellë në histori), më erdhi ndërmend Frederiku. Nuk është fjala as për Frederikun e Madh të Prusisë, as për Frederik Barbarosën, as për kushedi sa Frederikë të tjerë, por për poetin, jo për atë të Spanjës, për atë të Shkodrës. E pra, për nënën e tij nuk di asgjë, ndërsa ai vetë nuk njihet si i Madh, veçse disa të paktë, mendojnë se mund të quhet i tillë (këto janë vështirësitë dhe kontradiktat e njohura të historisë së afërt).
Verdiktin e munguar të historisë nuk e shoh si pengesë për t’u marrë me një personazh si Frederiku. Është vepra që ka lënë, e cila do të përcaktojë apo jo madhështinë e tij, një grusht lirikash do t’i nënshtrohet shoshitjes nëse janë punë e një dembeli apo një talenti te rrallë: unë e kam shprehur publikisht se jam për këtë të dytën. Vepra është nëpër biblioteka dhe pret mendjet e kthjellëta, në pritje të aprovimit apo të hedhjes poshtë, porse jeta e autorit të tyre do të humbasë me kujtimet e atyre që e njohën, prandaj vendos të nxjerr në dritë dëshminë time. Nuk do të përmend data: vitet nëntëdhjetë te unë janë përjetuar si te Stendali, i cili s’mbante mend takimin me Napoleonin, por mund të të fliste me detaje të holla për lëvizjen e krahut të një gruaje (zëvendësoje punën e femrës me zhvillimet dinamike të shoqërisë shqiptare të asaj kohe).
Për të qenë i vërtetë deri në fund, duhet ta them jetën e tij ashtu si e lexoja: si e lexoja në veprën e Fan Nolit “Bethoveni dhe revolucioni francez”, jo për t’u fshehur pas një libri të vlerësuar lart nga G. B. Show e T. Mann, por duke menduar se kjo duhet për t’u larguar sa më pak nga e vërteta. Pas çdo takimi me Frederikun, ia lexoja jetën në këtë mënyrë, me ndonjë lëvizje të vogël fjalësh (si mund të merret me mend, aty ku gjendet emri i tij ka qenë më parë ai i Bethovenit):
Për historianin është një punë e lehtë të provojë se njerëzit e mëdhenj janë si e gjithë bota; po adhuruesi i heronjve është e pamundur ta besojë. Kjo është arsyeja që legjendat për njerëzit e mëdhenj jetojnë edhe pasi i vret e i varros historiani. Ata janë si kuçedrat me shtatë kokë. Kur u pritet një kokë, u dalin menjëherë dy të tjera. Detyra e historianit, pra, është si ajo e Herkulit. Ai jo vetëm që duhet t’i presë të gjitha kokat e kuçedrës, por duhet edhe ta ndalojë, që të mos i dalin kokë të tjera.
Legjenda tjetër që duhet rrëzuar është ajo që i bën të gjithë heronjtë si vëllezër të Herkulit. Në përgjithësi ata nuk janë të tillë. Frederiku, p.sh. kishte një trup të shkatërruar e të gjymtuar. Ai na thotë vetë se ka vuajtur gjithë jetën nga sëmundjet. …sëmundjet, nga të cilat vuante Frederiku, ishin të mjafta për t’ia bërë jetën një mynxyrë. I duhej një orë për të folur për sëmundjet e tij, por në çastin që ti doje ta mëshiroje, me një oratori tjetër vihej në kundërshtim me fjalët e para.
Sipas legjendës, heroi është një “chevalier sans peur et sans reproche (kalorës i pafajshëm dhe i patrembur). Në qoftë se faktet e kundërshtojnë këtë pikë të Kredos së adhuruesve të heroit, aq më keq për faktet. Disa fakte të shëmtuara në lidhje me sjelljen e Frederikut kundrejt miqve duhet të hidheshin në shportë, sepse ato as nuk mund të zvogëloheshin, as nuk mund të shpjegoheshin.
Sipas legjendës, heroi nuk vete në shkollë. Në këtë drejtim Frederiku ka qenë një hero ideal dhe nuk u nxori ndonjë telash adhuruesve të heronjve: ai nuk shkeli kurrë në universitet, ashtu si Anton Pashku, talenti i madh i prozës, një nga më brilantët që kanë pasur letrat shqipe. Në vitet e fundit të jetës fotografitë e të dyve ngjajnë shumë: pamja thellësisht skeptike, duket sikur u thotë atyre që po i fotografojnë se “për nga rëndësia kjo (pamja) vjen e fundit”. Si çdo poet, nuk kishte fushë që e njihte me themel, megjithëse i pëlqente të fliste më fort për kiminë dhe pikturën, por që nga fëmijëria qe përpjekur të rrokte çfarë kishte më të mirë e më të mençur çdo epokë. Ka pasur të drejtë ai që ka bërë këtë vërejtje: “Kushdo që do ta quajë Frederikun pa kulturë, nuk e kupton kulturën ashtu si duhet”.
GOETTERN SCHADET NICHTS (Perënditë nuk duan t’ia dinë për asgjë)
Siç e thashë edhe në fillim, nuk e di se çfarë bëri e ëma për të, por mund të them se si ia ktheu Frederiku, me mundësitë e veta prej poeti. Përveç disa poezive që ia ka kushtuar (këto kushdo mund t’i gjejë nëpër librat e tij), do të numëroj dy gjëra:
– në moshën mbi gjashtëdhjetëvjeçare, sa herë e përmendte, shkrehej në vaj
– në shumë intervista që ka dhënë, apo biseda që ka bërë, në vitet e fundit të jetës, ka folur për një gjyshe të bukur, e cila thirrej në Vatikan për të pozuar për madonat, por të gjithë këtë ai bënte për të ëmën (s’e justifikonte ndryshe kohën e socializmit, kur femra shqiptare nuk mund të shkonte në Vatikan)
NO COMMENT