Në Lezhë

Ne fioto: Kisha e Shen Kollit ne Lezhe, ku mendohet se u varros fillimisht Gjergj Kastrioti

Zef Skiro Di Maxho
Si vura këmbë në Lezhë ngë di t’e thom: te qëronj potereje ngatërrohen edhe udhët, por ndëvonë kur ke fat të mirë, thuajse për mrakull udhën e drejtë e gjen.
Të mos përpiqja padashur turqit e pararojës, kisha jecur më shumë glatë brigjevet të Adriatikut lindor, herë të sheshuar herë shkëmborë, pa bërë pyetje.
Në Durrës, kisha zbjerrë të parin rast të hipesha te një varkë venecjane, të më qillëj pa rrëzik drejt Italisë, e, ngase ngë mënd bëja kunt te Lindja, e pushtuar nga kënkat e fitores e nga flamuret e myslimanëvet, hipesha me ngutësi drejt voresë, me shpresë të shkoja te dherat e perandorisë gjermane, o edhe më mirë, te territori i Republikës venedikase.
Kisha arrënë pra në Lezhë.
Nata ish e zezë mbi qytetin e zi: ngë dukej edhe një fitil të dhezur të kallëzoj se atje ndodheshin njerëz të gjallë; kush ngë kish jikur, fshihej mirë e do të dilëj jashtë pra, kur shërbesi do t’ ish bërë e sosur, sa të shihëj me buzëqeshje të përulur, edhe se me zëmrën e thyer, fytyrën e pushtuesvet.
I duheshin thomse pak orë; poterja shumëngjyrash turkomane do të hij në qytet tuke zënë fill valljet e mundësorëvet, nanì pa nderuar të krështerë e shërbise të të krështerëvet, pra tuke mohuar maqilinë e orgjinë sa të fitojën simpatinë o të paktën pëlqimin e pushtuesvet o ndëse jo, lik për kë ngë dej të nënstrohej.
Ngë dukej njerì; por këtu e këtje ndihej një rrëmujë e ndëlgueshme gjindesh çë ngë mend t’ bëj gjë tjetër se të fshihej tuke pritur të shkoj sulmi i parë i shtrëngatës.
Gjithegjithë ish mirë të mos diljën jashtë gratë e reja, të pamartuame o të martuame, por edhe djemtë hiridhonë për të çilat e për të çilët do të shfryheshin argjërimet e luftës të turmavet turkomane.
Lezha, qyteti i Skënderbeut, se atje vdiq e u varrëzua, ish e zezë prej të ziut të lipit e të natës. Në dukje errësia e plotë mund t’ish shenjë ëndrrash, megjithëse plot me ankthe; por se mosnjeri flëj nuhatej te ajri. Thomse të pagjumët sythojën nga hepet e kanatevet të përforcuara me hunj e hekure; e mua më shihjën patjetër edhe në errësirë kur kapërceja hapësirat ndër katrorët e shtëpivet.
Ndëvonë, tuke çapitur si të verbrit, gjeta gërmadhat romake, ndanëz katedrales së Shën Kollit. Klisha ish e zbrazët: mosnjeri thërrisëj më mbrojtjen e perëndishme, si ditën me parë kisha gjegjur te klishet e vogla në të çilat kisha qëndruar sa të ngjepsja humorin e gjindes. Ndihej te ajri se Perëndia osmane kish mundur në mënyrë përfundimtare Perëndinë e të krështerëvet.
Klisha ish martum i zi, i mbyllur në vetëhenë e zezë. Edhe pak e ajo do të bëhej xhami e do të mbaj si rojë një minaret. Varri i Skënderbeut, i armikut të përsonifikuar, do të qëndrojë te duart e tyre! Eh, varri!
Dy mund t’ ishën rrugët. Thomse osmanët do të nderojën atë varr me të pamenduarshme kaloresi a thomse do t’e prishjën me hovin e parë.
Gjithnjiherje m’ u çel ashtu në tru si një dritë e dukshme edhe te fytyra: mund të hiqja kufomën e Heroit të Kombit tënë të zi e të mbuloja harrimin e kujt përgatitej të ikëj pa i shkuar në mendje të qillëj me vete kurmin e Skënderbeut,farë e atdheut të ardhshëm. Luftëtarët tanë, emra të njohur e të bujshëm, po shkojën matanë Adriatikut, pa menduar fatin e eshtravet të shejta të të Parit të tyre o ata, kushedi, vonojën të kishën atë mendim shpëtimi.
Me kërcime, tuke ngarë si orientim mbeturinat romake, u qasa përfillit të zi të klishës. Pra barkeza kërkova derën e madhe tuke ndajtur me sytë hjetë e hirta nga ato tërësisht të zeza sa të gjeja drejtimin. Dera bëj kurm të njëjtë me ballinën. Shumë e rëndë. E pamundshme të provosh t’e zbyllësh. Tuke menduar dështimin, bëra t’e shtyja e pashë me pabesëri se masa e zeshkët lëvizëj një thrrime. U vura me fuqi të shtyja. Një cijatje, si një njeri çë flë e i mërijtur ngë do t’i ketë besë zgjimit, shoqëroi të shtyjturit tim. Më sulmoi një pëlhurë e tejdukshme dritje shumë të dobët e fluturake: fitili i llëmbës vaji të varur mbi alltarin thomse mbytej arrënë te të sosurit të dritës së tij: me fitilin gjithqish kish arrënë te të sosurit.
M’u duk se edhe sytë vallëzojën. Të paktën dija ku të vëja këmbët me atë dritë të tundshme! Me zëmrën çë më ikëj nga krahërori rrodha te varrri. Kurmi i shprehjes më të madhe të mburrjes tënë ë këtu, mendova, tuke u vënë më glunj. Na të gjithë, të ikur o të qëndruar, me të drejtë krenarë për gjithë shkekujt e shekujvet të ardhshëm: aty ë varrëzuar Skënderbeu!
Pa ndonjë vegël ngë mund të zëja fill veprën e shpëtimit të estravet të Tënit, vje’ më thënë veprën e të ngrëjturit të rrasës guri çë rrij si mbulesë mbi varrin e shejtë; as edhe me ndihmën e thikës çë mbaja si armë mbrojtëse në rast se përpiqja ndonjë osman; dhe ngë shihja përreth ndonjë gjë çë mund të më shërbej si levë, çë di, një shkop, një copë dru, një copë hekur më të glatë se thika çë kisha u: rreth e rrotull mosgjë çë mund të më jipëj ndihmë!
Zgardhullova bebëzat e syrit të mirrja sa me dritë mundja. Një dërrasë, edhe një dërrasë! Rrëmbeva një vunk të klishës e e shkunda. Dërrasat kërcejnë nga plakja. Ngrëjta vunkun e e lëshova kundra murit. Gjerësia e poteres u vërsul te gjithësia e errët dhe ngë pushoj së përdredhuri e së trazuari çdo angonë të natës. Edhe fitili dha një shërtimë e për një çast klisha u bë natë e zezë si pisa e botës jashtë. Prita sa qetësia të qipëj shqjerrjen ç’ ju i bë e kërkova te vunku i çarë një dërrasë të tërë e të fortë. Do të ngrëja gurin e varrit. Do të nderoja për një çast kurmin e vdekur e më të madhit luftëtar tënë. Do të mblidhja eshtrat e tij te manteli jim. Do të vëja te vendi i tij gurin e varrit. Do të jikja me farën e së ardhsmes tënë. Te një çast kisha përfytyruar gjithë rrjedhjen e shërbisevet. Por ngë munda të kryeja mosnjerën.
Ndërsa isha atje të matja fortësinë e dërrasës nxjerrë nga vunku çë kisha çarë kundër murit të klishës e ndërsa shihja gjithë zgledhjen e shërbisevet çë kisha të bëja, u duk nga pisa, shumë më parë se sa mendoja, armiku i pritur! Dera e klishës pati të zgjuar të keq, regëtoi goditur rëndë, u zgardhullua tue vrapuar kundër murit të brëndshëm, u drodh në gjithë glatësinë e saj e vdiq pa tundur: vravashka me zjarr të furishëm, puplaja çë dhizjën ngjyra turbantësh e një pyll hekuri të shkëlqyer këllëçe kordha shtiza thika rrymë dejti të stuhishëm jo më mbajtur u vërsul brënda klishës çë te gjiri i saj mbroj kurmin e Skënderbeut tënë. M’ erth një tronditje si ajo e derës e u strehova prapa njëi barku muri anësor. Ngë më panë, aqë ish furia e etja e gjakmarrjes së armikut në kërkim të varrit të Skëndebeut!
Një thirrmë e pagjegjur kurrë mbuloi gjithësinë! E gjetën! E ng’ ish vështirë t’ e gjejën! Gjithë hekuri i shkëlqyer nga vdekja çë ngë mundi t’ i bëj gjë Tënit kur ish i gjallë, nani i vdekur e therëj nga rrasa guri, e hollë mbulesë për mbrojtje. Guri u përmbys e u copëtua, thërrime ranë te eshtrat e shejta të Tënit, zëmra e mburrjes së Arbërisë pushoi së rrahuri thomse përgjthmonë! Armiku sulmoi varrin e hapur, hidhej në vala e dilëj me një pre cohje o me një asht të zhveshur. M’ u hip hidhërimi në tru, ng’ i pashë më nga sytë e u turra kundra tyre dhe i sulmova me armën çë kisha te duart: me derrasën! Gjëra te çuditshme ndodhen te kjo botë!
Megjithëse ngë isha veshur si ata menduan se isha një nga ata në kërkim të një terrimëzje amuleti, nuskje, hajmalije. E për çdo goditje me dërrasën mbi kokat e tyre të grumbulluara o në kurrizet në lëvizje spasmodike, me përgjegjeshin tuke zbuluar dhëmbët e egër në buzëqeshje sikurse ngë ndiejën goditjet, tuke ndërruar hidherimin tim me zilinë ndaj kujt kish pushtuar një copëz ashti o një rreçkë të veshjes së përmotshme. Mosgjë qëndroi te varri. Trajta drejtkëndore e mosgjëjës.
I velur hodha n’ ajër dërrasën e u mblodha lëmsh tuke vajtuar. Mosnjeri me bëri pyetje; mendojën se vajtoja ngase ngë kisha plaçkitur gjë.
Hordhia osmane mori vend te ndërtesa e u fushua. I shihja te përqëndruar të ndërtojën amulete me eshtrat o rreçkat prej stofje të përmotshme; ndonjë me mimikë tregoj gjestet e fuqisë çë kuptoja menjeherë: imitojën si majmunë fuqinë e Skënderbeut çë tani ata zoterojën edhe vetëm me anë të amuletevet të eshtravet të tij! Të Skënderbeut çë kle mundur vetëm nga ethet, si të thuash se vetëm një ngjarje natyrore e kish mundur, tuke e kthyer si njeri te natyra njërezore kalimtare. Më 17 janar 1468.
(pjesë e një romani ende të pashkruar)


Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.