READING

Në kërkim të thelbit të artit (5)

Në kërkim të thelbit të artit (5)

Ujëvara, R. Mutt, Marcel Duschamp, 1917

Laurie Schneider Adams

Arti dhe teoria

Zhvillimet e shekullit të XX-të i hapën rrugën përkufizimeve të reja të artit. Në vitin 1964-të filozofi amerikan Arthur C. Danto (b.1924) pa veprën e titulluar ‘Kutitë Brillo’ nga artisti i pop-it amerikan Andy Warhol në një galeri në Nju Jork dhe pyeti se cili ishte dallimi për syrin ndërmjet kutive të Warhol-it dhe atyre që ndodhen në një raft supermarketi. Cili është dallimi, le të themi, ndërmjet një vepre arti dhe një objekti të vërtetë? Sipas Dandot-s, ajo nuk është diçka të cilën ne mund ta shikojmë; Dallimi qëndron tek sfondet e teorisë së artit brenda së cilës një objekt përcaktohet si art apo jo. Danto besonte se një vepër nuk është art sipas cilësive universale të tilla si bukuria, forma e rëndësishme, fuqia imagjinative, apo vërtetësia e saj: Në vend të këtyre, një vepër kthehet në vepër arti kur ajo përshtatet brenda teorisë së artit.

Ai besonte se arti pop i Andy Warhol-it shënjoi fundin e një narracioni historik të artit tradicional: Ajo që dikur quhej art, tani mund të ishte çdo gjë.

Megjithatë, nëse e shikojmë këndvështrimin e Danto-s, mbi artin historikisht, ato janë më shumë në përputhje me zhvillime të tjera të cilat kanë ndodhur përpara Warhol-it, atëherë kur filluan të zgjeroheshin kufinjtë e artit në fillim të shekullit të XX-të.

Nga shkatërrimet e Luftës së Parë Botërore dhe fragmentarizimet e shoqërisë, lindi lëvizja Dada. Dada u kthye në një lëvizje ndërkombëtare në Kabarenë e Volterit në Zyrih, dhe përfshinte forma arti si filmin, performancën, “objektet e gjetura”, dhe recitimet poetike.

Shembull i nocionit të Danto-s se çfarë e bën diçka art është puna e artistit novator të Dada-s, Marcel Duchamp. Ai shpiku “objektet e gatshme” – një objekt i prodhuar që u kthye në art thjesht duke u deklaruar si e tillë nga vet artisti.

Duchamp lindi në Francë në vitin 1887 dhe emigroi në Shtetet e Bashkuara herët, në shekullin e XX-të. Objekti i tij i parë i gatshëm u krijua në vitin 1915-të kur ai bleu një lopatë në një dyqan dhe e titulloi atë “Përpara një krahu të thyer”. Lopata u kthye në art sepse artisti tha që ajo ishte art, si edhe duke i dhënë asaj një titull, duke reflektuar këndvështrimin e Danto-s që nuk është thelbi i diçkaje që e bën atë art, por thjesht ajo që i shtohet asaj. Megjithatë, një vepër në përgjithësi nuk konsiderohet art, argumenton Danto, deri në momentin që asaj t’i jetë dhënë anëtarësia në ‘klubin’ ndërkombëtar të artit botëror. Objektet e gatshme të Duschamp-it nuk u pranuan të gjitha menjëherë nga klubi: “Ujëvara” e tij, e cila ishte në të vërtetë një pishuar që ai e ktheu me kokë poshtë, e datoi atë me vitin 1917-të, dhe e nënshkroi me inicialet R. Mutt, u refuzua kur ai e dorëzoi atë në një ekspozitë në Nju Jork në vitin 1917-të.

Siç ndodh shpesh, botës së artit iu desh kohë, ndërsa publikut të përgjithshëm edhe më gjatë, për ta konsideruar veprën e Duschamp-it një vepër arti.

Arti si përgjigjje

Në një simpozium të vitit 1963 mbi artin pop, kritiku amerikan dhe historiani i artit Leo Steinberg (1920-2011), shtroi çështjen nëse arti pop është art sipas një perspektive të ndryshme. Steinberg-u vuri në dukje se pyetja ‘A është kjo art? që bëhet shpesh për artin pop, është një nga gjërat më të mira për të, pikërisht sepse provokon një pyetje të tillë”.

Ai vuri në dukje se një dekadë më parë e njëjta pyetje mund të ishte bërë për Ekspresionizmin Abstrakt, e cila në atë kohë ishte diçka e re dhe e panjohur, dhe kështu “provokoi dyshime serioze se çfarë ishte ajo”.

Steinberg pyeti nëse ne e përkufizojmë artin sipas “karakteristikave të përgjithshme” ose sipas reagimit tonë ndaj tij. Ai u përgjigj duke iu referuar përgjigjes së Viktor Hygosë ndaj volumit të poezive të Bodlerit të titulluara “Lulet e së keqes” (Les Fleurs du Mal) – “Ti ke krijuar një dridhje të re”.

Në këtë përgjigje, sipas Steinberg-ut, Hygo “përmblodhi një sistem estetike”. “Artisti, – konkludoi Steinberg, – nuk krijon thjesht një objekt – apo një poet një poemë, por “një provokim, një lidhje të veçantë, unike, dhe ndoshta të re me lexuesin ose shikuesin e saj”.

Arti si aktivitet njerëzor

Më vonë, në shekullin e XXI-të, filozofi britanik Denis Dutton (1944-2010), ashtu si Steinberg-u, iu qas natyrës së artit ndryshe nga Danto. Për Dutton-in, arti është një fenomen universal njerëzor që ndihmon për të përkufizuar se çfarë është njeriu. Duke qenë se njerëzit e vlerësojnë të bukurën në mënyrë natyrore, arti kontribuon në vet mbijetesën e qenieve njerëzore. Dutton e refuzoi idenë e Danto-s që arti është një konstrukt social. Në vend të kësaj, ai besonte në vlerën e lindur njerëzore të artit. Në librin e tij “Instikti i artit”, Dutton e përkufizon artin sipas një këndvështrimi evolucionar, si pjesë përbërëse e të qenit njerëzor; dhe, në fakt, nuk ka asnjë të dhënë që të ketë pasur art përpara ekzistencës së species tonë (Homo Sapiens), pasi edhe neandertalët nuk duket që të kenë prodhuar vepra arti. “Qeniet njerëzore, – ka deklaruar Dutton, – janë lindur si imazhbërës dhe imazhshijues”. Në vend të prodhimit të një përkufizimi të vetëm për artin, Dutton bënte thirrje për një filozofi arti që e trajton artin “si një fushe aktivitetesh, objektesh, dhe përvojash që shfaqet natyrshëm në jetën njerëzore”. Për këtë, qëllim Dutton-i identifikoi disa tipare karakteristike të gjetura ndërkulturalisht në art”. Në çdo kulturë dhe në çdo kontekst, Dutton gjeti se arti prodhon kënaqësi dhe se ai është një sfidë intelektuale. Arti nxit imagjinatën, kërkon zhvillimin e afësive teknike dhe zhvillon fuqinë e përqëndrimit dhe të fokusit.

Titulli është redaksional

*Përzgjodhi dhe përktheu nga anglishtja Enkeleda Suti. Marrë nga libri “Arti, një udhëzues për fillestarët, i Laurie Schneider Adams (Mbretëria e Bashkuar -2011).

 


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.