READING

Ndryshimi i qasjeve ndaj artit në shekullin e XX-t...

Ndryshimi i qasjeve ndaj artit në shekullin e XX-të (4)

Salla e ekspozimi të veprave të Jackson Pollock në MOMA (Muzeu i Artit Modern) Nju Jork

Laurie Schneider Adams*

Vazhdimi

Me zhvillimet e fundshekullit të XIX-të dhe fillimshekullit të XX-të në qasjen ndaj sipërfaqes së një pikture, kritikët dhe filozofët filluan t’i drejtoheshin abstraksionit; fillimisht në Evropën Perëndimore dhe më pas në Shtetet e Bashkuara.

Piktori postimpresionist francez Paul Cezanne ishte figura më e rëndësishme në këtë qasje të re ndaj sipërfaqes së pikturës. Dy kritikët bashkëkohorë, më shumë të bindur ndaj rëndësisë evolucionare të Cezanne, ishin amerikani Roger Fry (1866-1934), i cili ka shpikur termin ‘Post-impresionist’, dhe Clive Bell (1881-1964), anëtar i Grupit Bloomsbury në Angli.

Të dy, Fry dhe Bell, e konsideronin Cezanne si piktorin më të përsosur, i cili i dha shtysë një epoke të re artistike. Fry ishte mjaft i dobishëm në promovimin e artistëve postimpresionistë, duke mundësuar ekspozimin dhe pranimin e tyre në Londër; ndërsa Bell ka shpikur frazën “formë e rëndësishme” për të shprehur nocionin e tij mbi cilësinë përcaktuese të artit. Sipas këndvështrimit të Bell, subjekti i pikturës zë vend të dytë pas fromës, dhe forma, nëse është e rëndësishme, është vetë përmbajtja e artit.

Ideja e formës si përmbajtje, u kthye në një tipar të spikatur të kritikës dhe filozofisë së artit në shekullin e XX-të, duke qenë konsistente me tendencën drejt abstraksionit jo-figurativ. Kampioni amerikan i abstraksionit (veçanërisht i Ekspresionizmit Abstrakt), i cili u zhvillua në Nju Jork nga vitet 1940-të e tutje), ishte kritiku i artit Clement Greenberg (1909-94), i cili kundërshtoi idenë e Platonit për artin si ‘mimesis’ (si imitacion). Për Greenberg-un, arti abstrakt modern kishte arritur një pastërti të re: Ajo nuk kishte të bënte më me krijimin e imazheve të njohura, të identifikueshme të tilla si llulla e Magritte, por rreth hapësirës aktuale të një pikture. Kjo përfshinte sipërfaqen e saj (përshembull, kanavacë, letër, apo mur) dhe materialin e saj (përshembull, bojë pikture, bojë shkrimi, apo shkumës). Subjekti narrativ i kishte hapur rrugë formës dhe proceseve të artit. Sipërfaqja e pikturës, nuk konsiderohej më si muri i kaltër i një skene apo i një dritareje, nëpërmjet së cilës ne shikojmë botën, por u kthye në ekuivalenten e perdes që bie mbi skenë.

Me fjalë të tjera, siç shkruante Greenberg-u në vitin 1961, hapësira e pikturës e ka humbur ‘brendinë’ e saj dhe është kthyer e gjitha në “jashtësi”.

Artisti themelor amerikan i Ekspresionizmit Abstrakt është Jackson Pollock, i cili është më shumë i njohur për pikturat e tij dinamike të pikturimit nëpërmjet pikimit të bojës – nga ku rrjedh edhe nofka e tij, “Jack kulluesi”. Tipikisht, Pollock vendoste një kanavacë në tokë dhe pikonte mbi të bojë për lyerje shtëpie në një lëvizje qarkore nga një shkop, duke krijuar kështu imazhe të gjalla lëvizjesh energjike dhe ritmike. Pollock nuk përdorte sistemet tradicionale të perspektivës për të krijuar iluzionin e thellësisë: Në vend të kësaj, ai e përqendronte vëmendjen e shikuesit tek aktiviteti i bojës mbi sipërfaqen e pikturës. Lëvizjet e dukshëm mbi  procesin e krijimit të artistit gjatë prodhimit të një vepre arti.

Me evoluimin e stileve përtej Ekspresionizmit Abstrakt, ndodhën edhe ndryshime radikale me një shpejtësi marramendëse. Artistët “pop” sfiduan këndvështrimet e Greenberg-ut rreth asaj se në çfarë ishte kthyer arti: Në fund të viteve 1950-të dhe në fillim të viteve 1960-të ata rifilluan të paraqisnin objekte dhe figura të identifikueshme, duke marrë tani për subjekt të tyre artikuj nga jeta e përditshme dhe produktet e konsumit në masë.

Konceptualistët, në këmbim, reaguan ndaj artit pop duke vlerësuar konceptin ose idetë e tyre mbi artin sesa mbi vet veprën e përfunduar. Sipas Konceptualizmit, siç shprehet dukshëm në shkrimet e artistit amerikan Sol LeWitt, ekzekutimi i një vepre arti mund të kryhej nga kushdo, duke ndjekur udhëzimet me shkrim nga artisti.

Kështu, një vepër arti mund të realizohej më shumë sesa një herë, në varësi të pronarit të këtyre udhëzimeve. Rrjedhimisht, LeWitt shpesh (megjithëse, jo gjithmonë) shiste udhëzime për realizimin e një vepre arti, në vend që të punonte vet mbi të. Minimalistët, u nisën nga fokusi i tyre tek natyra, nga penelata dinamike e Ekspresionizmit Abstrakt, dhe nga paraqitja që arti pop i bënte objekteve të jetës së përditshme, duke krijuar forma gjeometrike dhe duke përdorur materiale të gatshme, të tilla si xham dhe çelik në vend të mjeteve të artit tradicional. Dan Flavin, realizonte skulptura duke përdorur poça dritash floureshente, ndërsa Donald Judd merrej me organizimin e vendosjes së kutive të metalit mbi dysheme ose në mur.

Vijon publikimi edhe në ditët në vazhdim

*Përzgjodhi dhe përktheu nga anglishtja – Enkeleda Suti. Marrë nga libri “Arti, – një udhëzues për fillestarët” nga Laurie Schneider Adams, Mbretëria e Bashkuar, 2011.


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.