“Dhe Zoti e bëri të vdiste për njëqind vjet
E më vonë i dha frymë e i tha:
-Sa kohë ke qenë këtu?
-Një ditë ose gati një ditë, u përgjigj.
Kurani, II, 261.”
Jorge Luis BORGES
Natën e katërmbëdhjetë marsit të 1939-s, në një apartament të Zeltnergasse-s, në Pragë, Jaromir Hladik, autor i tragjedisë së papërfunduar “Armiqtë”, të një “Rivendikimi të përjetësisë” dhe të një shqyrtimi të burimeve të tërthorta hebreje të Jakob Boehme-s, ëndërroi një shah gjigant. Nuk e luanin dy individë, por dy familje të shquara; loja kishte nisur qysh para shumë shekujsh; askush nuk ishte i aftë të përmendte çmimin e harruar tashmë, por pëshpëritej se ishte jashtëzakonisht i madh e ndoshta i pambarimtë; gurët dhe fusha ndodheshin në një kullë sekrete; Jaromiri (në ëndërr) ishte djali i njërës prej familjeve armike; në akrepat e orëve jehonte çasti i lëvizjes së pashmangshme; ëndërruesi vraponte nëpër rërën e një shkretëtire me shi dhe nuk arrinte t’i kujtonte figurat dhe as rregullat e shahut. Një zhurmë ritmike dhe e njëtrajtshme, e prerë nga disa zëra urdhërues, po ngjitej që nga Zeltnergasse-ja. Ishte agim, blindat e pararojës së Rajhut të Tretë po hynin në Pragë.
Në datën nëntëmbëdhjetë, autoritetet morën një kallëzim; pasditen e po asaj date, Jaromir Hladik-u u arrestua. E drejtuan në një kazermë sterile dhe të bardhë, në bregun e kundërt të Moldau-t. Nuk mundi të kundërshtonte asnjë prej akuzave të Gestapos: mbiemri i tij nga nëna ishte Jaroslavski, gjaku i tij ishte hebre, studimi i tij për Boehme-n ishte i hebretizuar, firma e tij kallëzonte listën e fundit të një proteste kundër Anschluss-it. Në 1928-n, kishte përkthyer veprën “Sepher Yezirah” për shtëpinë botuese Hermann Barsdorf; katalogu i përzemërt i së cilës e kishte ekzagjeruar emrin e përkthyesit për efekte tregtare; ky katalog u shfletua nga Julius Rothe, një prej shefave, në duart e të cilit gjendej fati i Hladik-ut. Nuk ka njeri që, përveçse në specialitetin e vet, të mos jetë naiv; dy a tre mbiemra me shkronja gotike mjaftuan që Julius Rothe të dallonte mbizotërimin e Hladik-ut dhe të vendoste që të dënohej me vdekje, “pour encourager les autres”. U caktua data nëntëmbëdhjetë mars, në orën nëntë të mëngjesit. Kjo vonesë (rëndësinë e së cilës do ta vlerësojë më vonë, lexuesi) i detyrohej dëshirës administrative për të vepruar në mënyrë të pandjeshme dhe të ngadaltë, si bimët dhe planetët.
Ndjenja e parë e Hladik-ut qe thjesht tmerr. Mendoi se nuk do ta kishte trandur litari, kokëprerja apo fytëprerja, por të vdiste i pushkatuar ishte e papranueshme. Më kot i përsëriti vetes se akti i pastër dhe i thjeshtë i vdekjes ishte i frikshëm dhe jo rrethanat konkrete. Nuk reshtte së imagjinuari ato rrethana: në mënyrë absurde, bënte çmos që t’i shteronte gjithë variantet. Paraprinte pafundësisht procesin, që nga agimi i pagjumë deri tek shkrepja e mistershme. Përpara se të mbërrinte dita e përcaktuar nga Julius Rothe, Hladik-u, vdiq më shumë se njëqind vdekje, në oborre, format dhe këndet e shumta të të cilëve e rraskapitnin gjeometrinë, i breshëruar nga ushtarë të ndryshëm, në numër të ndryshueshëm, që nganjëherë e qëllonin prej së largu; të tjera, prej shumë pranë. I përballte me frikë të vërtetë (ndoshta me kurajë të vërtetë) ato ekzekutime imagjinare; çdo përfytyrim zgjaste vetëm disa çaste; pasi mbyllej qarku, Jaromiri, pambarimisht, kthehej tek drithërimat e pragvdekjes së tij. Më vonë mendoi se realiteti, zakonisht, nuk përputhet me parashikimet; me një logjikë të mbrapshtë, arsyetoi se të parashikosh një shenjë rrethanore, do të thotë të mos lejosh që kjo të realizohet. Besnik i kësaj magjie të plogët, shpikte, “që të mos ndodhnin”, shenja mizore; natyrisht, përfundoi duke u frikësuar, se këto shenja mund të ishin profetike. Mjeran i natës, mundohej ta afirmonte veten në njëfarë mënyre në substancën kalimtare të kohës. E dinte se kjo turrej drejt mëngjesit të datës njëzet e nëntë; arsyetonte me zë të lartë: “Tani jam në natën e njëzetedyshit; për sa kohë të zgjasë kjo natë (dhe gjashtë net të tjera) jam i paprekshëm, i pavdekshëm”. Mendonte se netët prej ëndrre ishin pishina të thella dhe të errëta tek të cilat mund të zhytej. Ndonjëherë e dëshironte ethshëm dhe me padurim, shkrepjen, që do ta çlironte, keq a mirë, nga imagjinata e tij e kotë. Në datën njëzet e tetë, kur perëndimi i fundit shëmbëllente në kangjellat e gjata të hekurta, imazhi i dramës së tij “Armiqtë”, e devijoi nga ato mendime të ulëta.
Hladik-u, i kishte kaluar të dyzetat. Përveç disa miqësive dhe shumë zakoneve, ushtrimi problematik i letërsisë përbënte jetën e tij; si çdo shkrimtar, i vlerësonte virtytet e të tjerëve sipas akteve të tyre dhe kërkonte që të tjerët ta vlerësonin për atë që ai ndjente apo mendonte të bënte. Tërë librat që i kishte dhënë shtypit e mbushnin me një pendim të ndërlikuar. Në shqyrtimet e tij mbi veprën e Boehme-s, të Abnesra-s dhe Flood-it, thjesht kishin ndërhyrë njohuritë e tij; në përkthimin e tij, të veprës “Sepher Yezirah”, neglizhenca, lodhja dhe hamendësimi. E gjykonte, ndoshta, më pak të mangët, “Rivendikimin e përjetësisë”: vëllimi i parë është një histori e përjetësive të ndryshme që kanë menduar njerëzit, që nga Të Qenit i palëvizshëm të Parmenidesit deri tek e shkuara e ndryshueshme e Hintonit; vëllimi i dytë mohon (me Francis Bradley-n) se gjithë ngjarjet e universit përbëjnë një zinxhir kohor. Argumenton, se shifra e përvojave të mundshme të njeriut nuk është e pambarimtë dhe se mjafton një “përsëritje” e vetme për të vërtetuar se koha është një mashtrim… Fatkeqësisht, nuk janë më pak të gënjeshtërta argumentet që e vërtetojnë këtë mashtrim; Hladik-u, zakonisht, i ndiqte ato me njëfarë mëdyshje shpërfillëse. Gjithashtu, kishte redaktuar një seri poezish ekspresioniste; këto, për habinë e poetit, u shfaqën në një antologji të 1924-s dhe nuk pati antologji të mëvonshme që të mos i trashëgonte. Hladik-u donte të çlirohej, prej gjithë kësaj të shkuare të pasigurt dhe të plogësht, me anë të dramës në vargje “Armiqtë” (Hladik-u e lavdëronte vargun, sepse ai nuk lejon që spektatorët ta harrojnë realitetin, që është kusht i artit).
Kjo dramë ruante njësitë e kohës, të hapësirës dhe aktit; ndodhte në Hradcany, në bibliotekën e baronit Roemerstadt, në një prej buzëmbrëmjeve të fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Në skenën e parë të aktit të parë, një i panjohur viziton Roemerstadt-in. (Një orë shënon shtatë, një përflakje e diellit në perëndim përskuq qelqnajat, era sjell një copë melodie të njohur hungareze.) Këtë vizitë e ndjekin të tjera; Roemerstadt-i nuk i njeh personat që e bezdisin, por ka ndjesinë e parehatshme se i ka parë dikur, ndoshta në një ëndërr. Të gjithë e lavdërojnë në mënyrë të ekzagjeruar, por është e qartë – e para, për spektatorët e dramës, dhe më pas për vetë baronin – se janë armiq të fshehtë, të përbetuar për ta zhdukur. Roemerstadt-i arrin t’i ndaloj apo t’ua hedh intrigave të tyre të ndërlikuara; në dialog përmendet e fejuara e tij, Julia de Ëeidenau, dhe njëfarë Jaroslav Kubin, që dikur e pat bezdisur me dashurinë e tij. Ky, tani është çmendur dhe beson se është Roemerstadt-i… Rreziqet shtohen; Roemerstadt-i, në fund të aktit të dytë, gjendet i detyruar ta vras një nga të përbetuarit. Nis akti i tretë dhe i fundit. Shtohen dalëngadalë absurditetet: rishfaqen aktorë që dukeshin të përjashtuar nga intriga; rishfaqet, për një çast, njeriu i vrarë nga Roemerstadt-i. Dikush vë në dukje se ende nuk ka perënduar: ora shënon shtatë, në kristalet e larta shëmbëllen dielli perëndimor, era sjell një copë melodie hungareze. Shfaqet biseduesi i parë dhe përsërit fjalët që shqiptoi në skenën e parë të aktit të parë. Roemerstadt-i i flet pa habi; spektatori e kupton se Roemerstadt-i është mjerani Jaroslav Kubin. Drama nuk ka ndodhur: është deliri qarkor që jeton e përjeton, pambarimisht, Kubin-i.
Kurrë s’e kishte pyetur veten Hladik-u nëse kjo tragjikomedi gabimesh ishte e rëndomtë apo e admirueshme, e përpiktë apo rastësore. Në argumentin që kishte projektuar, nuhaste krijimin më të përshtatshëm për të fshehur defektet dhe për të ushtruar gëzimet e tij, mundësinë që të shpëtonte (në mënyrë simbolike) atë çka ishte thelbësore në jetën e tij. E kishte përfunduar aktin e parë dhe ndonjë skenë të aktit të tretë; karakteri metrik i veprës i lejonte ta shqyrtonte vazhdimisht, duke korrigjuar gjashtërrokëshat, pa e pasur përpara dorëshkrimin. Mendoi se ende i mungonin dy akte dhe se së shpejti do të vdiste. Foli me Zotin, në errësirë. “Nëse ekzistoj në ndonjë farë mënyre, nëse nuk jam një nga përsëritjet e tua të gabuara, atëherë ekzistoj si autori i dramës ‘Armiqtë’. Për ta përfunduar këtë dramë, që mund të më përligjë dhe të të përligjë, më duhet edhe një vit më shumë. M’i fal këto ditë, Ti të Cilit i përkasin shekujt dhe koha”. Ishte nata e fundit, më e llahtarshmja, por disa minuta më vonë e fundosi gjumi, si një lumë i errët.
Në të gdhirë, ëndërroi se ishte fshehur në një nga sallat e bibliotekës Clementinum. Një bibliotekar me syze të errëta e pyeti: “Çfarë kërkon?” Hladik-u iu përgjigj: “Kërkoj Zotin”. Bibliotekari i tha: “Zoti gjendet në një prej shkronjave të një faqeje të një prej katërqind mijë vëllimeve të Clementinum-it. Prindërit e mi dhe prindërit e prindërve të mi, e kanë kërkuar atë shkronjë; unë jam verbuar, duke e kërkuar.” Hoqi syzet dhe Hladik-u i pa sytë e vdekur. Një lexues hyri të kthente një atlas. “Ky atlas është i kotë”, tha, dhe ia dha Hladik-ut. Ky e hapi pa e menduar. Pa hartën e Indisë, marramendëse. Brutalisht i sigurt, preku një prej shkronjave të vogla. Një zë i kudogjendshëm, i tha: “Koha e veprës tënde u dha.” Këtu Hladik-u u zgjua.
Kujtoi që ëndrrat e njerëzve i përkasin Zotit dhe që Maimonides-i ka shkruar se fjalët e ëndrrës janë hyjnore, kur janë të veçanta dhe të qarta dhe s’mund të shihet kush i shqipton. U vesh; dy ushtarë hynë në qeli dhe e urdhëruan që t’i ndiqte.
Në anën tjetër të portës, Hladik-u kishte përfytyruar një labirint korridoresh, shkallësh dhe pavijonesh. Realiteti qe më i varfër: zbritën në një oborr mbrapa, nëpërmjet një shkalle të vetme prej hekuri. Disa ushtarë – ca me uniformën zbërthyer – po kontrollonin një motoçikletë dhe diskutonin. Rreshteri këqyri orën: ishte tetë e dyzet e katër minuta. Duhej pritur të shkonte nëntë. Hladik-u, më i papërfillshëm sesa fatkeq, u ul mbi një turrë drush. Vuri re se sytë e ushtarëve iu shmangeshin të tijve. Për ta lehtësuar pritjen, rreshteri i afroi një cigare. Hladik-u nuk tymoste; e pranoi për mirësjellje apo për përulësi. Kur e ndezi, vuri re se i dridheshin duart. Dita u vrenjt; ushtarët flisnin me zë të ulët sikur ai të qe i vdekur tashmë. Kotësisht, u përpoq të kujtonte gruan, simboli i të cilës qe Julia de Ëeidenau…
Toga u formua, u vu në rresht. Hladik-u, në këmbë pas murit të kazermës, priti shkrepjen. Dikush u shqetësua se muri do të njollosej me gjak; atëherë e urdhëruan të burgosurin, të avanconte disa hapa. Hladik-u, në mënyrë absurde, kujtoi hezitimet e parapërgatitjes së fotografëve. Një pikë e rëndë shiu fshiku tëmthat e Hladik-ut dhe u rrokullis ngadalë nëpër faqe; rreshteri dha urdhrin e zjarrit.
Universi ndaloi.
Armët drejtoheshin kundër Hladik-ut, por njerëzit që do ta vrisnin ishin të palëvizshëm. Krahu i rreshterit përjetësonte një fat të papërfunduar. Mbi një pllakë të oborrit një bletë projektonte një hije të fiksuar. Era kishte pushuar, si në një pikturë. Hladik-u provoi një klithmë, një rrokje, përthyerjen e një dore. E kuptoi se ishte i paralizuar. Nuk i mbërrinte as zhurma më e imët e botës së ndalur. Mendoi, “jam në ferr, jam i vdekur”. Mendoi, “jam çmendur”. Mendoi, “koha ka ndaluar”. Pastaj mendoi se në një rast të tillë, do të kishte ndaluar, po ashtu, edhe mendimi. Deshi ta vinte në provë këtë gjë: përsëriti (pa i lëvizur buzët) eglogën e katërt misterioze të Virgjilit. Imagjinoi se ushtarët e largët tashmë, përjetonin ankthin e tij: ethshëm dëshiroi të komunikonte me ta. U habit që nuk ndiente fare lodhje, as marramendjen e palëvizshmërisë së tij të pambarimtë. Fjeti, pas një kohe të papërcaktueshme. Kur u zgjua, bota vazhdonte e palëvizshme dhe e shurdhët. Në faqen e tij vazhdonte pika e ujit; në oborr, hija e bletës; shtëllunga e tymit të cigares, që kishte nxjerrë, nuk tretej kurrë. Kaloi tjetër “ditë”, para se Hladik-u ta kuptonte.
Një vit të tërë i kishte kërkuar Zotit, për të përfunduar veprën e tij: një vit po i falte plotfuqia e tij. Zoti po bënte një mrekulli të fshehtë për të: plumbat gjerman do ta vrisnin, në orën e përcaktuar, por në mendjen e tij po kalonte një vit mes urdhrit të zjarrit dhe ekzekutimit të këtij urdhri. Nga mosbesimi kaloi në shtangie, nga shtangia në pranim dhe nga pranimi në mirënjohje të menjëhershme.
Nuk kishte dokument tjetër veç kujtesës; mësimi i çdo gjashtërrokëshi që shtonte i imponoi një saktësi fatlume, që nuk u shkon nëpër mend atyre që mësojnë dhe harrojnë paragrafë të përkohshëm dhe të kotë. Nuk punoi për të nesërmen e aq më pak për Zotin, shijet letrare të të cilit as që i dinte. Me imtësi, pa lëvizur, me fshehtësi, thuri në kohë labirintin e tij të thellë, të padukshëm. E ribëri, dy herë, aktin e tretë. Fshiu ndonjë simbol mjaft të dallueshëm: tringëllimat e përsëritura, muzikën. Asnjë rrethanë nuk e bezdiste. Hoqi, shkurtoi, zgjeroi; në ndonjë rast, zgjodhi versionin e parë. Arriti ta donte oborrin, kazermën; një nga fytyrat që e përballnin ndryshoi mendimin e tij për karakterin e Roemerstadt-it. Zbuloi se kakofonitë e zjarrta që e alarmuan aq shumë Flaubert-in, janë thjesht besëtytni vizuale: dobësi dhe shqetësime të fjalës së shkruar, jo të fjalës së shqiptuar… E përfundoi dramën e tij: i kishte ngelur të gjente, veç një epitet. E gjeti; pika e ujit rrëshqiti mbi faqe. Nisi një klithmë të çmendur, shmangu fytyrën, shkrepja e katërfishtë e shembi.
Jaromir Hladik-u, vdiq më njëzetenëntë mars, në nëntë e dy minuta të mëngjesit.
Përktheu nga origjinali Erion Karabolli
NO COMMENT