MIKPRITJA

Gazmend Krasniqi

MIKPRITJA

Komedi e zezë/ absurd

Dramatis personae

DREJTORI I BANKËS

GRUAJA E BURRIT

BURRI I GRUAS

KONTI KRIPA

ROBINSONI

DREJTORI I BANKËS – ROBINSONI

DREJTORI I BANKËS – Të nderuar zonja dhe zotërinj, të dashur simpatizante dhe simpatizantë, tashti, nga goja ime, do të mësoni arsyen se pse e gjetët derën mbyllur. Ju e dini, është e vështirë të gjesh drejtor banke aktor, por ja që nuk është e pamundur. Për më tepër, një drejtor banke, aktor dhe politikan, apo, thënë shkurt, kryetar opozite. Fillimisht, nuk qenë këto parësore: po mendoja që gjithçka të niste nga krisja e Robinsonadës, se prej kohësh po ia merrte frymën qytetit tonë. E ndjeja si detyrë të jepja shembullin tim. Ta dini, kur ra zilja e telefonit, kisha kohë që nuk po flisja me Robinsonin. Ai mori telefonin, pa folur, dhe ma afroi, mirëpo unë i ktheva shpinën telefonit dhe Robinsonit. Foli i pari, sepse ishte nga ata nuk i rrihej pa folur.

ROBINSONI – Ej, ti… politikan… që i thua vetes politikan…

DREJTORI I BANKËS – Nëse do të thuash se më mbeti ky çelës në dorë, e ke gabim. Të njëjtin çelës e ka në dorë edhe Konti… Kripa. Ai do të vijë dhe ta hapë këtë derë… në mënyrë triumfatore.

ROBINSONI – Nga na mbiu ky? Ky vend është bërë si Kopsht Zoologjik.

DREJTORI I BANKËS – A nuk të thashë se Konti Kripa ka ardhur në qytet dhe unë ia nisa çelësin e bankës me njerëz të besueshëm? Dikur familja e tij ka qenë e varfër, por në perëndim janë bërë miliarderë… Sapo ka zbritur nga treni…

ROBINSONI – Mos the: çelësin e Bankës?

DREJTORI I BANKËS – A nuk të thashë se bankës i mbaruan rezervat e fundit? Tashti këtu mund të hyjnë derri e dosa.

ROBINSONI – Nuk ma the.

DREJTORI I BANKËS – Edhe kaq sa di dhe bëhesh mjaftueshëm i padurueshëm.

ROBINSONI – Po ta fal, se më dukesh në rol.

DREJTORI I BANKËS – Gabim. Unë jam në pritje, siç të thashë. Në pritje: në shkallën më të lartë të realitetit.

ROBINSONI – Realitetit? Pa shih pak se mos është telefonata shpëtimtare. Po të isha si ti, do ta vija fatin në provë.

DREJTORI I BANKËS – Do t’i kenë rënë gabim.

ROBINSONI – Po ai… Konti…?

DREJTORI I BANKËS – Konti…? Ai duhej të vinte drejt e këtu. Alo!

DREJTORI I BANKËS – BURRI I GRUAS

BURRI I GRUAS – Alo! Shikoni, unë jam një njeri karizmatik dhe juve do t’ju pëlqejë shoqëria me mua. Kuptoni?

DREJTORI I BANKËS – Konti…?

BURRI I GRUAS – Jeni me fat. Hapa numëratorin dhe i rashë numrit të parë që pashë.

DREJTORI I BANKËS – Jam me fat?

BURRI I GRUAS – Ja pra, është numri juaj ai që pashë.

DREJTORI I BANKËS – Nuk keni jetuar gjithmonë në qytet apo jo?

BURRI I GRUAS – Për hir të së vërtetës, kam munguar ca kohë. Gruaja ime është një tip i vetmuar dhe, mendoj, do t’i pëlqente mjaft një miqësi e re.       

DREJTORI I BANKËS – A duhet të flas tashti me gruan tuaj?

BURRI I GRUAS – Një grua e bukur gjithmonë gjen punë. Sapo të vijë, unë do ta bind që të nisemi tek ju… Kuptoni, do ta bind. Sepse sot nuk është e lehtë të bindësh njeri. Siç e dini, askush nuk bëhet profet në vendin e vet… Kam dëgjuar se ju pëlqen që, në zgjedhjet e ardhshme, të hidhni kandidaturën për kryetar bashkie…

DREJTORI I BANKËS – Jeni i saktë… Me ndihmën tuaj…

BURRI I GRUAS – Mirë e thatë. Me ndihmën time.

DREJTORI I BANKËS – Mezi po ju presim… Çelësin e keni.

BURRI I GRUAS – Nuk do të prisni sa keni pritur. Qielli është me ju. Kam edhe çelësin e tij. Po nisem.

DREJTORI I BANKËS – Mir… u… pafshim!

DREJTORI I BANKËS – GRUAJA E BURRIT

GRUAJA E BURRIT – Nuk duket njeri. Mos është fjala prapë për fantazma?

DREJTORI I BANKËS – Po dhe në qoftë fantazmë! Ne e kemi parë tashmë, se jeta me to është një komoditet. Të duhen, i thërret, s’të duhen, i nis… Por këtë herë është një kont prej të vërteti.

GRUAJA E BURRIT – Si ia del ti kështu?!

DREJTORI I BANKËS – Me lehtësi. Këtë vuan ti?

GRUAJA E BURRIT – Të thashë njëherë, e lëmë këtë bisedë… Unë po mendoja se kishe diçka tjetër për të më thënë… Vërtet s’e mban mend, apo tallesh?…

DREJTORI I BANKËS – Vishesh bukur.

GRUAJA E BURRIT – Gjithçka e kam blerë me të lirë.

DREJTORI I BANKËS – Nuk thashë vishesh shtrenjtë, thashë vishesh bukur. Sa vjet martesë ke?

GRUAJA E BURRIT – Përse më more në punë këtu? Sepse… e mban mend, apo jo?

DREJTORI I BANKËS – Më thanë se je pa punë prej kohësh.

GRUAJA E BURRIT – O Zot, ty mos të duket gjë vetja viktimë?… Përse më more në punë këtu? Me ç’të drejtë më nxore nga bota ime? Përse? Qysh se fillova punë, përnatë shoh ëndërr sikur bie në ujë e fundosem vazhdimisht.

DREJTORI I BANKËS – Po të më kërkonin një emër për ty, do ta gjeja menjëherë.

GRUAJA E BURRIT – Po. Po. Edhe për sot po ia hedhim.

DREJTORI I BANKËS – Ti pret të ndodhë diçka?

GRUAJA E BURRIT – As pasqyra nuk ka më nevojë për mua. Sot po, sot kam bërë tualet. E përse?… Kur gjithçka më mungon, sigurisht më mbetet historia ime. Gjithçka ndodh vetëm në kokën time… Mbrëmë gjithë natën ndieja një dorë që bridhte nëpër trupin tim… Më përkëdhelte ijët, kofshët, barkun, gjoksin… Në agim e mora vesh se ka qenë dora ime… E di, nuk duhet kaluar masa. Gjithçka ndodh vetëm në kokën time. Pra, fantazma, po deshët ta dini.

DREJTORI I BANKËS – Më mirë fantazma… sesa… ajo… që kërkon ti… Mund të na zhgënjejë…

GRUAJA E BURRIT – Çfarë mendon se ke më shumë se një fantazmë?… Faktin që ushqehesh?

DREJTORI I BANKËS – Ju e dini se që prej kaq vitesh ky është rasti i parë që ndalet treni dhe zbret një i huaj.

GRUAJA E BURRIT – Ne jemi Lindje apo Perëndim?

DREJTORI I BANKËS – Përderisa ai Orient-Ekspres nuk ndalet te ne, kam frikë se nuk jemi asgjë. Para se të ndërtohej hekurudha, atëherë kur lëviznin vetëm karvanët, qyteti ynë ka qenë i begatë. Ai ka prerë monedhat e veta tre shekuj para Krishtit, shkonte me karvane në Stamboll për dy javë, ndërsa tashti ka një bankë të zbrazët.

GRUAJA E BURRIT – Të zbrazët?

DREJTORI I BANKËS – Nuk ka asnjë aktivitet tregtar dhe askush nuk derdh taksa.

GRUAJA E BURRIT – Në shkollë na thoshin se këtej ka kaluar njëra nga kryqëzatat.

DREJTORI I BANKËS – Në këtë qytet, madje në këtë dhomë, ka fjetur një natë Hrushovi. Duan të thonë, edhe Che Guevara…

GRUAJA E BURRIT – Ju mendoni… se Konti Kripa do ta begenisë dhomën e pritjes?… Një bankë e zbrazët mund të bëjë edhe pa zyrën e drejtorit… Nga ballkoni i flitet popullit.

DREJTORI I BANKËS – Popullit?

GRUAJA E BURRIT – Gjithë qyteti do të mblidhet për të.

DREJTORI I BANKËS – Çfarë do t’i them unë popullit për këtë njeri?

GRUAJA E BURRIT – Kujt ia keni dhënë deri më sot emrin qytetar nderi?… Qysh sot edhe sheshi merr emrin Konti Kripa Junior.

DREJTORI I BANKËS – Mendje femër.

GRUAJA E BURRIT – Tashti, të gjejmë kontin. Dhe sa më shpejt, sa s’e kanë gjetur të tjerët para nesh…

DREJTORI I BANKËS – Më tha në telefon që është nisur për të ardhur…

GRUAJA E BURRIT – Konti?

DREJTORI I BANKËS – Po? Pse dyshon? Po vij me çelësat e qiellit, më tha.

GRUAJA E BURRIT – Konti?

DREJTORI I BANKËS – Ç’janë gjithë këto pyetje pa vend?

GRUAJA E BURRIT – Mos më lër vetëm për momentin. Kam nevojë të rrish këtu me mua.

DREJTORI I BANKËS – Është shfaqur një shans i madh për qytetin: mos duhet të vazhdojmë të flasim për gjëra që kanë ndodhur njëzet vjet më parë?

GRUAJA E BURRIT – Më fal se të mërzita.

DREJTORI I BANKËS – As u mërzita, as pata ndonjë kënaqësi… Megjithatë, prania jote më pastron nga mëdyshja.

GRUAJA E BURRIT – Mos i shtrembëro gjërat!

DREJTORI I BANKËS – Sa grindemi kot, më mirë të mendojmë për shansin që ka ardhur në derë.

GRUAJA E BURRIT – Kësaj i thonë të fshehësh të vërtetën.

DREJTORI I BANKËS – E vërteta është si puna e asaj kurvës që të gjithë e njohin mirë, por askujt nuk i pëlqen ta shohin me të në rrugë.

GRUAJA E BURRIT – Kujtoja se e kisha… të marrin… vetëm në shtëpi… Kujtova se shpëtova që fillova punë.

DREJTORI I BANKËS – Thuaji punëtorit të shërbimit ta zbojë atë këlyshin e zgjebosur, që po më çmend. Do të marrim një tjetër. Më të fuqishëm.

GRUAJA E BURRIT – Edhe me qentë duhet të merrem unë!

DREJTORI I BANKËS – S’tha njeri të merresh ti. Vetëm transmetoje këtë porosi… Ai këlysh i zgjebosur do të na shqetësonte edhe kontin… Dëgjove? Dhe shiko se sikur po vjen dikush. Duhet të tregojmë mikpritjen që na karakterizon si qytet.

GRUAJA E BURRIT – Unë po shkoj te qeni, por ta dish se ai që po vjen, nuk është konti, po burri im.

DREJTORI I BANKËS – BURRI I GRUAS

BURRI I GRUAS – Kush humb besimin, i ka humbur të gjitha. Nuk ka bij të përbuzur, e aq më pak të mallkuar. Nëpërmjet të keqes gjithçka drejtohet nga e mira. Kjo është e vërteta.

DREJTORI I BANKËS – Si e dalloni të vërtetën nga jo e vërteta?

BURRI I GRUAS – Kjo është shenjë e inteligjencës.

DREJTORI I BANKËS – Prova?

BURRI I GRUAS – Nuk ka prova të tilla. Njerëzit e zakonshëm janë të kufizuar nga ndjenjat. Ai që s’i ndriçon fytyra, s’do të bëhet kurrë një yll.

DREJTORI I BANKËS – Ju duhet të ishit bërë poet. Apo jeni poet?

BURRI I GRUAS – Mos të merremi me cilësitë e mia…

DREJTORI I BANKËS – Me një fjalë, ju më morët në telefon pak më parë.

BURRI I GRUAS – Ju kishit nevojë për ndihmë, apo jo?

DREJTORI I BANKËS – Qyteti… Çfarë profesioni keni?

BURRI I GRUAS – Do t’jua tregojë gruaja ime, e cila ja ku erdhi. Faleminderit, e dashur! E dashur, e kuptova burimin e krizave të tua. Kjo ka ndodhur në emër të një gjëje më të madhe. Në fillim këto duken një grumbull fjalësh qesharake: askush nuk di të thotë nëse janë vetëm një thes marrëzish, apo një dhuratë e perëndisë. Vetëm kur ky dru të rritet mbi të tjerët për të mbijetuar vetë, vetëm kur të japë dërrasën për një shtëpi, nga e cila kushdo nxjerr diçka të mirë, vetëm atëherë do t’i gjejnë një emër të vërtetë.

DREJTORI I BANKËS – GRUAJA E BURRIT

DREJTORI I BANKËS – Burri juaj po më thoshte diçka.

GRUAJA E BURRIT – Për kontin?

DREJTORI I BANKËS – Jo, jo, për veten. Për kontin askush s’di gjë të saktë. Dikush thotë e kanë parë andej, dikush thotë e kanë parë këndej.

GRUAJA E BURRIT – E kanë parë?

DREJTORI I BANKËS – Kështu thonë.

GRUAJA E BURRIT – Si është?

DREJTORI I BANKËS – Kush?

GRUAJA E BURRIT – Konti.

DREJTORI I BANKËS – Burrë i shëmtuar, thonë. Me një fytyrë të lodhur nga jeta. Desh harrova diçka! Është rum. Është për kontin… Ruaje nga yt shoq.

GRUAJA E BURRIT – S’e vë në gojë prej shumë kohësh.

DREJTORI I BANKËS – Pija duhet ta bëjë simpatik. Por nuk ma tregoi profesionin.

GRUAJA E BURRIT – S’do të keni fatin ta shihni… simpatik.

DREJTORI I BANKËS – Gjynah. Nejse. Dola!

GRUAJA E BURRIT – Veterineri po i bën një gjilpërën qenit… I çova fjalë me tim shoq, i cili ja ku mbërriti.

DREJTORI I BANKËS – GRUAJA E BURRIT- BURRI I GRUAS

BURRI I GRUAS – Dremita ca dhe pashë në ëndërr sikur mbaja në dorë kokën time. Ajo më thoshte vazhdimisht: ti nuk ke bërë asgjë, ti nuk ke bërë asgjë! Ky është sinjal qiellor, grua: pamja ime ishte pamja e Gjon Pagëzorit. Prandaj hiqeni atë shishe nga dora.

GRUAJA E BURRIT – Shëndeti i grave të braktisura!

BURRI I GRUAS – Të braktisura?… Është pak e fortë.

GRUAJA E BURRIT – Të flakura, të hedhura tej.

BURRI I GRUAS – Ka pasur një shkallë reciprociteti mes nesh.

GRUAJA E BURRIT – Nuk ka qenë më e lumtura e martesave në përgjithësi… Pi edhe ti.

BURRI I GRUAS – Ti e di se unë nuk pi.

GRUAJA E BURRIT – Pi!

BURRI I GRUAS – Nuk mundem!

GRUAJA E BURRIT – Unë e di ç’po bën: po kundron rrënojat.

BURRI I GRUAS – Ti dukesh shumë mirë, përgjithësisht.

GRUAJA E BURRIT – Pi për shëndetin e të vdekurve!

BURRI I GRUAS – Të vdekurve?

GRUAJA E BURRIT – Të vdekurve të shenjtë! Fort të dashurit, fort të respektuarit, fort të kujtuarit, fort të freskuarit!

BURRI I GRUAS – Hiqe atë armë.

GRUAJA E BURRIT – Ke të drejtë! Duhet të kem kujdes shishen. Është amanet.

BURRI I GRUAS – Armët më bezdisin. Më krijojnë kruajtje…

GRUAJA E BURRIT – Shëndetin e kujt kemi tashti?

BURRI I GRUAS – Më duket se mbaruam.

GRUAJA E BURRIT – Jo, kemi të gjallët.

BURRI I GRUAS – Kam këtë kukull për ty. Foshnja jonë! Është ngjizje pa mëkat. Për foshnjën tonë, do të pi.

GRUAJA E BURRIT – Për foshnjën tonë!… Në cilën pjesë të xhunglës do të flirtosh me mua?

BURRI I GRUAS – Ne jemi çift me kurorë!

GRUAJA E BURRIT – Mirë atëherë, unë do të jem kanibali.

BURRI I GRUAS – Po unë?

GRUAJA E BURRIT – Ti do të jesh një kafshatë e shijshme misionari. Të pëlqen?

BURRI I GRUAS – Nëse do të jem misionari, do të bëj shndërrimin tënd.

DREJTORI I BANKËS – KONTI KRIPA

KONTI KRIPA – Jam Konti Kripa.

DREJTORI I BANKËS – Hajdeni, i dashur. Hajdeni! Po ju prisnim.

KONTI KRIPA – Këtu po më pëlqen me të vërtetë. Më ofruan ca vende të tjera, por as nuk i afroheshin këtij vendi.

DREJTORI I BANKËS – E dinim se ju si poet i madh do të preferonit pikërisht një dhomë të tillë, nga shihet gjithë bota e mrekullueshme e fëminisë suaj të shkëlqyer. E lëmë mënjanë modestinë. Prej kohësh kemi menduar t’ju fusim në librat e shkollës, që t’ju studiojnë fëmijët tanë… Tashti – në ballkon: populli po iu pret. Domethënë, populli do të mblidhet për pak sekonda. Një dalje e thjeshtë në publik, shkëlqesia juaj… Dukeni i lodhur nga udhëtimi. Populli le të presë: merreni veten më parë. Të lajmërojmë një mjek? Jo?… Qyteti nuk ua harron kurrë nderin që i keni bërë atij me emrin tuaj.

KONTI KRIPA – Zotëri, kam ardhur nga ana e anës, pikërisht për t’i shpëtuar publikut.

DREJTORI I BANKËS – Ky është një publik i thjeshtë, të thuash me dashuri primitive. Mezi presin ta shfaqin mikpritjen që i karakterizon.

KONTI KRIPA – Gjeni mënyrën që ta shpërndani e jo ta mblidhni.

DREJTORI I BANKËS – Është e pamundur. Do të doja t’jua plotësoja çdo dëshirë, por kjo është e pamundur. Më kërkoni çfarë të doni tjetër.

KONTI KRIPA – Largojeni publikun. Mbajeni sa më larg.

DREJTORI I BANKËS – Është e pamundur. Ata ju duan shumë. Kërkoni çfarë të doni tjetër. Kështu do t’i fyeni në çfarë kanë më të shtrenjtë: mikpritjen e tyre.

KONTI KRIPA – Largojeni publikun.

DREJTORI I BANKËS – Ju thashë është e pamundur. Kërkoni çfarë të doni tjetër.

KONTI KRIPA – Atëherë, unë po iki prej këtu.

DREJTORI I BANKËS – Me sa duket, poezia ju ka bërë njeri të druajtur. Do të përpiqemi që populli t’i marrë parasysh emocionet tuaja.

KONTI KRIPA – Ku janë tubacionet e gazit?

DREJTORI I BANKËS – Nuk punojnë. Po s’ka nevojë: s’është ftohtë fare.

KONTI KRIPA – I dua në punë.

DREJTORI I BANKËS – E rregullojmë për ju. Vetëm ju të ndiheni mirë. Mikpritja jonë është proverbiale.

KONTI KRIPA – Qysh sot.

DREJTORI I BANKËS – Qysh sot.

KONTI KRIPA – Më bëni menjëherë llogarinë e dhomës.

DREJTORI I BANKËS – Mos e vrisni mendjen për vogëlsira. E keni harruar se çfarë do të thotë mikpritja për këta njerëz.

KONTI KRIPA – Unë dua të parapaguaj.

DREJTORI I BANKËS – Mos e vrisni mendjen për vogëlsira. Mezi e kemi pritur këtë ditë për t’ju shërbyer ju… Flini i qetë!

KONTI KRIPA – Unë dua të parapaguaj.

DREJTORI I BANKËS – Mos e vrisni mendjen për vogëlsira. Mezi e kemi pritur këtë ditë për t’ju shërbyer ju… Flini i qetë!

KONTI KRIPA – Unë dua të parapaguaj.

DREJTORI I BANKËS – Dhoma është gati, shkëlqesia juaj… A doni t’ju bëj më parë një kafe? Edhe mua më pihet një.

KONTI KRIPA – Jam shumë i lodhur. Desha të flija.

DREJTORI I BANKËS – Diçka për t’u freskuar?

KONTI KRIPA – Jo, më flihet.

DREJTORI I BANKËS – Diçka për të ngrënë?

KONTI KRIPA – Jo, më flihet.

DREJTORI I BANKËS – Kam frikë për ju.

KONTI KRIPA – Pse?

DREJTORI I BANKËS – Që doni… të flini kaq shpejt.

KONTI KRIPA – Frika është irracionale. Mposhtet me arsye.

DREJTORI I BANKËS – A keni nevojë për vetmi, apo për shoqëri?

KONTI KRIPA – As për njërën, as për tjetrën. Të jetuarit është gjë anormale.

DREJTORI I BANKËS – Ah, jo! S’ka gjë më të natyrshme. Ja prova: edhe te ne jetohet.

KONTI KRIPA – Të vdekurit janë më shumë.

DREJTORI I BANKËS – Të vdekurit nuk ekzistojnë.

KONTI KRIPA – Pyes veten nëse ekzistoj unë vetë.

DREJTORI I BANKËS – Shumë e thjeshtë: mendoni dhe keni për të ekzistuar. Unë kështu bëj gjithmonë… Vërtet, nuk doni një kafe?

KONTI KRIPA – Jo.

DREJTORI I BANKËS – As të freskoheni?

KONTI KRIPA – Jo.

DREJTORI I BANKËS – Si të doni. Sidoqoftë, mbetem në dispozicionin tuaj… A doni t’ju thërras një mjek?

KONTI KRIPA – Jo. Ata shpikin sëmundje që nuk ekzistojnë.

DREJTORI I BANKËS – Si të doni. Mbetem në dispozicionin tuaj… Sidoqoftë, është bukur të takohesh me ju. Është një mrekulli… Po ju paraqes punonjësen e bankës që do të kujdeset për ju.

KONTI KRIPA – Gëzohem!

BURRI I GRUAS – KONTI KRIPA

BURRI I GRUAS – Faleminderit që erdhët, shenjtëri! Bashkë do të bëjmë gjëra të mëdha.

KONTI KRIPA – Dukeni shenjt i vërtetë. Faleminderit që ma dhatë mundësinë të shoh një shenjt të gjallë.

BURRI I GRUAS – Po më gëzoni shumë.

KONTI KRIPA – Jam unë ai që duhet të bjerë te këmbët e tua. Vetëm ashtu do të lehtësohej jeta ime mëkatare.

BURRI I GRUAS – Bashkë do ta kemi më të lehtë me njerëzit. Kur jam vetëm, më shohin me dyshim. Bashkë do të bëjmë gjëra të mëdha.

KONTI KRIPA – A jeni i lumtur?

BURRI I GRUAS – Vuaj shumë, por shpesh jam i lumtur.

KONTI KRIPA – Si lum ju!

BURRI I GRUAS – Ju nuk jeni i lumtur? Mirë atëherë, paratë do t’ua japim të varfërve.

KONTI KRIPA – Ju do të më ndihmoni që të shpëtoj shpirtin?

BURRI I GRUAS – Mos e vini në dyshim.

KONTI KRIPA – Mirëpo, ata, të varfrit, i harxhojnë paratë shumë shpejt.

BURRI I GRUAS – Ndërkohë, ne i mësojmë si të shpëtojnë shpirtin.

KONTI KRIPA – Gjeniale! Fat i madh që u takova me ju! Jam shërbëtori yt.

BURRI I GRUAS – Ta flini mendjen! Kujdesem unë për gjithçka.

KONTI KRIPA – Faleminderit! Në dorën tuaj.

BURRI I GRUAS – Thashë: ta flini mendjen!

KONTI KRIPA – Në rregull, i dashur!

DREJTORI I BANKËS – KONTI KRIPA

KONTI KRIPA – Ju lutem, drejtor, ju s’po bëni asgjë për porosinë time.

DREJTORI I BANKËS – Ka ca vështirësi të vogla teknike, shkëlqesia juaj.

KONTI KRIPA – Atëherë unë po iki prej këtu.

DREJTORI I BANKËS – Do të gjejmë një mënyrë tjetër për ngrohje.

KONTI KRIPA – Mua më thanë se ju po vriteni e po priteni me njëri-tjetrin: ç’është kjo mungesë rehatie për të vdekur?!

DREJTORI I BANKËS – Për të vdekur?

KONTI KRIPA – Tubacionet e gazit nuk i dua për ngrohje, por për një vdekje sa më komode.

DREJTORI I BANKËS – Vdekje komode?

KONTI KRIPA – Dua një vdekje të pastër. Duhet ta dini se mënyra të tjera vetëvrasjeje mund të mos jenë efikase dhe lënë pasoja për tërë jetën. Më premtoni ndihmë?… Unë lëshoj një deklaratë që ju largon nga çdo përgjegjësi ju dhe gjithë qytetin.

DREJTORI I BANKËS – Po sikur të ndërroni mendje: qyteti do t`ju ndihmojë që të nxisni fort disa shprehi dhe shumë shpejt do të keni mendimin se gjithçka shkon për së mbari.

KONTI KRIPA – Zotëri, më premtoni, apo jo?

DREJTORI I BANKËS – Kjo lloj ndihme u bie ndesh parimeve tona qytetare. Janë kaq shumë njerëz që e duan jetën tuaj.

KONTI KRIPA – Jeta ime është vetëm pronë e imja… Më premtoni, apo jo?… Mirë atëherë, unë po pres sa të mendoheni ca…

DREJTORI I BANKËS – Por…

KONTI KRIPA – Këto janë fjalët e mia të fundit. Nëse nuk më ndihmoni, atëherë unë largohem prej këtu. Do të gjendet dikush që do të më ndihmojë.

DREJTORI I BANKËS – Unë kam shumë dëshirë t’ju ndihmoj, por…

KONTI KRIPA – Zotëri, shoshiteni mirë dhe më thoni mendimin tuaj njëherë e mirë.

DREJTORI I BANKËS – Por…

KONTI KRIPA – Flas për herë të fundit.

DREJTORI I BANKËS – Atëherë, më lini dhe pak kohë të mendohem. Kuptoni apo jo: çështje durimi!

.

GRUAJA E BURRIT – KONTI KRIPA

GRUAJA E BURRIT – Po ju dukeni mirë. Po ta dija, do t’ju sillja një vazo me lule të freskëta. Jashtë ka shpërthyer pranvera.

KONTI KRIPA – Çfarë lulesh kanë çelur?

GRUAJA E BURRIT – Trëndafilat, për shembull. Të kuq, të bardhë, të verdhë.

KONTI KRIPA – Po kumbullat e Stambollit a janë bërë?

GRUAJA E BURRIT – Sa kanë nisur.

KONTI KRIPA – Po manat a janë më?

GRUAJA E BURRIT – Ka mbetur ndonjë.

KONTI KRIPA – Puset a vazhdojnë të kenë ujë të ftohtë?

GRUAJA E BURRIT – Rrallë ndonjë përdoret.

KONTI KRIPA – Edhe zogjtë këndojnë. Edhe trupi ndjehet më ndryshe. Po, po. Kjo është pranvera. Kam një si lodhje trupi, ndoshta më duhet të shtrihem pak!

GRUAJA E BURRIT – Shtrihuni, atëherë. Ndërkohë, unë do t’ju sjell lulet.

KONTI KRIPA – Trëndafila?

GRUAJA E BURRIT – Të kuq, të bardhë, të verdhë.

KONTI KRIPA – Faleminderit! Jeni shumë bujare.

GRUAJA E BURRIT – Oh, asgjë!

KONTI KRIPA – Mos keni një armë në atë çantë?

GRUAJA E BURRIT – Mos u shqetësoni, i dashur. Është armë – lodër. Unë e im shoq presim të kem një fëmijë – çun.

KONTI KRIPA – Ç’mendim keni për vetëvrasjen?

GRUAJA E BURRIT – E pse duhet menduar për vetëvrasjen?

KONTI KRIPA – Nëse dikush mendon për të, ju a do ta ndihmonit?

GRUAJA E BURRIT – Besoj se vetëm në dorën e dikujt mund të lëshohet vetja.

KONTI KRIPA – Kush është ky?

GRUAJA E BURRIT – Njeriu që… dashuron… Nëse vdekja vjen, ajo duhet të vijë e ëmbël.

KONTI KRIPA – E keni njohur këtë njeri?

GRUAJA E BURRIT – Më duket se jo.

KONTI KRIPA – A besoni te dashuria?

GRUAJA E BURRIT – Mendoj se njeriu jeton vetëm për të.

KONTI KRIPA – Atëherë, ju qenkeni një grua që e nënçmon veten.

GRUAJA E BURRIT – Nuk kam njohur ndonjë burrë që e njeh psikologjinë e femrës kështu si ju… Ju dini ta çmoni jetën… Është kënaqësi të bisedosh me ju.

KONTI KRIPA – Kurrë mos e nënçmoni veten… Simpatike jeni. Mbaheni mirë. Shumëkush do të binte në dashuri me ju.

GRUAJA E BURRIT – Shumëkush?

KONTI KRIPA – Pse jo?

GRUAJA E BURRIT – Nuk kam njohur ndonjë burrë që ta njohë psikologjinë e femrës si ju… Dini ta çmoni jetën. Po shkoj të marr trëndafilat. Kurse ju, pushoni ca gjatë kësaj kohe.

DREJTORI I BANKËS – KONTI KRIPA

DREJTORI I BANKËS – Shkëlqesi, njerëzit s’po ma lëshojnë derën. Ka shumë njerëz atje përjashta.

KONTI KRIPA – Njerëzit?

DREJTORI I BANKËS – Bashkia mori vendimin e mbylljes së tregut.

KONTI KRIPA – Shumë e drejtë. E pashë. Ai vend është kthyer në vatër sëmundjesh.

DREJTORI I BANKËS – Po ku do të hanë ata që shesin aty?

KONTI KRIPA – Të ndërtohet një merkato.

DREJTORI I BANKËS – Me çfarë? Dhe gjithë puna është se tashmë unë u kam premtuar atyre.

KONTI KRIPA – Ti je gati të shkelësh mbi kufomën e një njeriu për hir të ambicieve të tua për t’u bërë kryetar bashkie?

DREJTORI I BANKËS – Pyetja nuk është e shtruar drejt. Më thoni ju: mos duhet pritur që ky qytet të ngordhë urie?

KONTI KRIPA – Po dinjiteti?

DREJTORI I BANKËS – Cili?

KONTI KRIPA – Në emër të…traditave… të…

DREJTORI I BANKËS – Politika…

KONTI KRIPA – Po, kur përleshen dy elefantë, e pëson bari.

DREJTORI I BANKËS – Oho! Kjo histori po më rrit shumë. S’e përballoj dot as adrenalinën time. Prisni sa të vijnë lulet. Janë të bukura. Të bukura. Kot nuk na thonë qyteti i luleve!

BURRI I GRUAS – KONTI KRIPA

BURRI I GRUAS – Ç’hyjnë lulet këtu!? Pa shikoni pak: unë kam një shkop si të Moisiut, shenjtëri. Desha t’jua tregoja.

KONTI KRIPA – S’ka nevojë. Më mjafton shpirti juaj i madh.

BURRI I GRUAS – Është i bukur. E kam punuar me duart e mia.

KONTI KRIPA – Nuk ka nevojë. Nuk ka nevojë. Edhe shpirti juaj është i bukur.

BURRI I GRUAS – Si ju duken mjekra dhe flokët e mi?

KONTI KRIPA – I vënë vulën pamjes suaj karizmatike.

BURRI I GRUAS – Pamja e jashtme ka shumë rëndësi.

KONTI KRIPA – Çfarë keni lexuar që dini kaq shumë?

BURRI I GRUAS –  Nuk është dije leximesh. Është dije e dhënë.

KONTI KRIPA – Gjithë jeta ime do të jetë përpjekja për të të ngjarë ty.

BURRI I GRUAS – E kemi për detyrë të jemi të lumtur. Edhe unë kam fat me ju: nuk e përballoja dot vetminë.

KONTI KRIPA – Vërtet? Më çmoni sadopak?

BURRI I GRUAS – Mua s’më kanë kuptuar kurrë.

KONTI KRIPA – Kështu ndodh gjithmonë me të zgjedhurit. Mos qani!

BURRI I GRUAS – Qaj për kohën e humbur.

KONTI KRIPA – Për këtë ia vlen të qash. Kjo është hyjnore!

BURRI I GRUAS – Edhe ne të zgjedhurve na falet ndonjë çast dobësie.

KONTI KRIPA – Padyshim. Ndëshkojini njerëzit me bamirësitë tuaja.

BURRI I GRUAS – Keni të drejtë. Ashtu do të bëj. Ju lexoni drejt e në zemrën time.

DREJTORI I BANKËS – KONTI KRIPA

DREJTORI I BANKËS – Shkëlqesia juaj, te ky libër është historia e babait tuaj. Ja si shkruhet… Rruga e perëndimit.

KONTI KRIPA – Nuk po kuptoj asgjë. Tjera gjëra folëm, tjera gjëra më tregoni.

DREJTORI I BANKËS – Ndiqmëni me vëmendje:

Qyteti, që kishte jetuar në qetësi, brenda normave të veta, u gdhi me një ngjarje. Më tepër se prej faktit që dikush ishte nisur në rrugën e ndaluar, u habitën se ky njeri qe djali i thjeshtë i njërit prej kasapëve më fisnikë të qytetit: askush s’e kishte çuar ndërmend se një njeri i tillë, pa emër e lavdi, do të përdhoste tabutë e vjetra. Bestyt ndaj zakoneve të trashëguara, qyteti mendoi ta vendoste ndëshkimin sipas rasteve analoge të historisë.

KONTI KRIPA – Gjyshi im s’ka qenë kurrë kasap. Ai ka qenë lëkurëregjës. Prandaj na mbeti mbiemri Kripa: për të regjur lëkurët, ne harxhonim kripë pa hesap. Gati sa harxhonte një qytet.

DREJTORI I BANKËS – E njëjta gjë është… Pothuajse.

KONTI KRIPA – S’mund të jetë e njëjta gjë.

DREJTORI I BANKËS – Është një lajthitje që s’vihet re. Mund të jetë gabim shtypi.

KONTI KRIPA – Të thashë mjaft me këto gjëra! Ju lutem…

DREJTORI I BANKËS – Më ndiqni deri në fund…

KONTI KRIPA – Sa herë duhet t’ua them se gjyshi im s’ka qenë kasap. Ai ishte lëkurëregjës.

DREJTORI I BANKËS – T’ia lëmë shtypit atë lajthitje.

KONTI KRIPA – Më keni bërë një premtim.

DREJTORI I BANKËS – Më lini të lexoj deri në fund.

KONTI KRIPA – Gjyshi im s’ka qenë kasap. Ai ka qenë lëkurëregjës.

DREJTORI I BANKËS – Ta quajmë lajthitje shtypi.

KONTI KRIPA – Do ta mbani premtimin, apo të largohem?

DREJTORI I BANKËS – A jeni bërë… tamam… gati?

KONTI KRIPA – Jemi marrë vesh një herë… Ju lutem, mos e zvarrisni më!

DREJTORI I BANKËS – Më lini t’jua lexoj këtë një herë.

KONTI KRIPA – S’dua të dëgjoj asgjë tjetër, përveç asaj që ju thashë.

DREJTORI I BANKËS – Mirë pra, më lër të mendohem edhe njëherë.

KONTI KRIPA – Veçse, sa më shpejt.

DREJTORI I BANKËS – Ju premtoj se po!

KONTI KRIPA – Po pres në dhomën që keni bërë gati për mua.

DREJTORI I BANKËS – Në rregull.

BURRI I GRUAS – DREJTORI I BANKËS

BURRI I GRUAS – Ku shkoi konti? Nëse po fle, ta zgjojmë. Të ngjallësh të vdekurin është gabim, por jo të zgjosh të fjeturin.

DREJTORI I BANKËS – Të ngjallësh të vdekurin?

BURRI I GRUAS – Po. Krishti aty ka gabuar. Ti do që ai të vdesë, sepse nuk e do misionin tim!… Të dy ju. Por nuk i keni bërë hesapet mirë. Kuptoni? Nuk i ka bërë hesapet mirë.

DREJTORI I BANKËS – Mos u shqetësoni! S’kam pse t’ju mashtroj.

BURRI I GRUAS – Ku është konti?

DREJTORI I BANKËS – S’ka asnjë kont.

BURRI I GRUAS – Ti na mashtron ne! Nuk ju ecin mashtrimet me mua!

DREJTORI I BANKËS -Tashmë të gjithë e dinë për vetëmashtrimet tona të zakonshme dhe vështirë të na besojnë.

BURRI I GRUAS – Unë nuk e besoj një mashtrues si ti!

DREJTORI I BANKËS – Më lini rehat, se kam punë!

BURRI I GRUAS – Ah, jo! Nuk mund ta hedhësh kaq lehtë! Pas meje do të vijë një tjetër, më i fuqishëm se unë. Unë nuk jam i denjë as për t’ia lidhur lidhëzat e këpucëve. Kur të vijë ai, vendet e shkreta do të gazmohen. Kur të vijë ai, fëmija i sapolindur do të futë duart në strofkën e dragoit dhe do të tërheqë luanët nga krifa. Ku është ai që me një veshje të artë do të vdesë një ditë para syve të të gjithë njerëzve? I thoni të afrohet dhe të dëgjojë zërin e atij që ka thirrur në shkretëtira dhe në pallatet e mbretërve. Vendet e shkreta do të gazmohen si zambaku. Sytë e të verbërve do të shohin dhe veshët e shurdhëve do të dëgjojnë. Atë ditë dielli do të nxihet si rrobat e zisë, hëna do të skuqet si gjaku, yjet e qiellit do bien përtokë si fiqtë e pjekur dhe mbretëritë e tokës do të pakësohen.

BURRI I GRUAS – DREJTORI I BANKËS – GRUAJA E BURRIT

Dëgjohet një krismë e thatë. Kur kthejnë kokën, drejtori i bankës dhe burri shikojnë si bie përtokë trupi i gruas, shoqëruar me angullimën e fortë të qenit.

Burri i afrohet trupit të gruas. Përkulet mbi të dhe duket sikur po puth, derisa shikon revolen.

BURRI I GRUAS – Ia ka hequr vetes…

DREJTORI I BANKËS – Ashtu duket.

BURRI I GRUAS – Mos është shija e dashurisë kjo që kam në buzë? Ia putha buzët fort dhe tashti ndjej një shije të hidhur… Ç’nur bukurie i kishte rënë!… Mos rashë sot në dashuri me gruan time?… Pas kaq vjet martese?… Ç’nur bukurie i kishte rënë!… Thua të kem rënë në dashuri me të?…

DREJTORI I BANKËS – Ndoshta… Ajo dinte të jepte dashuri… Për më tepër… jeni burri i saj… Ishit…

BURRI I GRUAS – Ndoshta?! Isha?! Gjithë këtë e ke gatura ti. Ti ke fshehur kontin, dhe do të na largosh ne të tjerëve. Ti kujton se do të vras veten unë?!… Nuk i dua mashtruesit unë!… Ajo që dua unë, është goja e asaj gruaje… Ajo është si një shegë e prerë më dysh… Trëndafilat e kësaj vere nuk janë më të kuq. Goja e saj është si korali në fund të detit… Jo, asgjë në këtë botë nuk është aq e kuqe sa buzët e saj! Buzët e saj, goja e saj janë deti ku unë…

BURRI I GRUAS – ROBINSONI

ROBINSONI – Mos më thoni se kjo është shkalla më e lartë e reales!

BURRI I GRUAS – Erdhe në kohë.

ROBINSONI – Pse?

BURRI I GRUAS – Që të të vras.

ROBINSONI – Mua?

BURRI I GRUAS – Nuk frikësohesh?… Nuk frikësohesh?

ROBINSONI – Siç e sheh!

BURRI I GRUAS – Nuk frikësohesh nga plumbat e mi!

ROBINSONI – Unë nuk pyes për plumbat e tu.

BURRI I GRUAS – S’ka mundësi.

ROBINSONI – Ka mundësi. Sepse unë jam vetëm një fantazmë.

BURRI I GRUAS – Desha të bëj diçka fisnike, por tashmë… të gjitha veprat heroike janë kryer… Ç’është kjo dritë? Kjo është shenja se jam shpirt i pastër. Unë jam bjerrjendërgjegja juaj… Jam thjesht një përshtypja juaj. Dhe ju… nuk e mbani dot këtë ëndërr… Është shumë e rëndë për ju. O Zot, çliroi këto shpirtra!… O Zot, prehe… O  Zot, prehe…

ROBINSONI – DREJTORI I BANKËS – GRUAJA E BURRIT

Shfaqet gruaja.

GRUAJA E BURRIT – U bëra xheloze. Thashë, pse të iki unë dhe t’i lë këta budallenjtë prapa! Dramaturgu ma dha këtë shans.

ROBINSONI – Sidoqoftë, keni lindur për të vdekur. Keni lindur të vdekur. Vetëm ai që ka fatin të lindë personazh i gjallë mund të qeshë edhe vdekjen. Se ai vetë nuk vdes më. Daniel Defoe vdiq, por unë, që rashë në prehrin pjellor të fantazisë së tij, jetoj… U desh një ftesë prej jush dhe ja ku jam, pa iu frikësuar ndonjëherë vdekjes. – Do të desha që të takohem ballazi me natyrën, që t’ia fal trupin tim me vetëdije të plotë. Do të desha të shijoj tokën, ujin, ajrin, zjarrin. Do të desha të kem eshtrat e mia plot palcë, gjakun që qarkullon pa pushim. Do të desha të kem pesë shqisat e mia të hareshme. Në fund të fundit, do të desha të kem edhe unë një grua… Megjithatë, unë i jam përgjigjur thirrjes suaj, duke duruar gjithë këto mundime. E kuptove tashti se për kë është fjala i pasjellshëm? Prandaj na lini rehat ne fantazmave. Na lini rehat! Na lini në botën tonë!

DREJTORI I BANKËS – A s’është ngushëllim të gjesh një fjalë që vërtet s’thotë asgjë, por ama qetëson?

ROBINSONI – Unë vetëm do shikoj e dëgjoj. As s’do të bëj pyetje, as s’do të jap përgjigje. Me keqardhje ju them se tashti jam krejt i pavarur nga ju, sepse unë mund të mendoj për vdekjen tënde, kurse ti nuk mund të mendosh për timen.

DREJTORI I BANKËS – Nuk keni të drejtë të flisni kështu.

ROBINSONI – Me keqardhje.

DREJTORI I BANKËS – Po sikur të bëjmë pak pushim?

ROBINSONI – Si të jetë fati!

DREJTORI I BANKËS – Mendoj të bëjmë pak pushim.

ROBINSONI – Si të jetë fati!

DREJTORI I BANKËS – Po bie dera? Po kush e mbylli derën? Era?

ROBINSONI – Rasti.

DREJTORI I BANKËS – Rasti im nuk ka ardhur akoma. Jam në pritje. Do të ketë trokitje. Meriton ky qytet. Meriton… diçka.

ROBINSONI – Mos u nxehni, sepse kështu nuk do t’i dalloni dot atributet e mia nga atributet e tua.

DREJTORI I BANKËS – Shikoni këtë grykë revoleje në trupin tim: a nuk është një goditje e përsosur?!

ROBINSONI – Po. Është një goditje e përsosur. Për herë të parë nuk kam ndërmend t’ju kundërshtoj.

          DREJTORI I BANKËS – Ku shkon, o grua?

          GRUAJA E BURRIT – Po bie dera.

          DREJTORI I BANKËS – Kush e mbylli derën?

          GRUAJA E BURRIT – Tashti do të shtrohet pyetja: kush e hapi derën?

          DREJTORI I BANKËS – Mos e hap!…

          GRUAJA E BURRIT – Po ti, a nuk ke vdekur?

          DREJTORI I BANKËS – Jo, do ta kem edhe unë një shans nga drmaturgu. Ku shkon?

          GRUAJA E BURRIT – Po bie dera.

          DREJTORI I BANKËS – Mos e hap!

GRUAJA E BURRIT – Kush do të vendosë për këtë?

DREJTORI I BANKËS – Jo. Tashti po ia jap unë vetes një shans: ajo derë nuk do të hapet.

GRUAJA E BURRIT – Unë nuk kam më pyetje. Po e liroj vendin për ata që kanë.

ROBINSONI – Po Konti ç’mendon? Cila është pyetja e tij?

DREJTORI I BANKËS – Meqë burri nuk paska ndonjë ide, ja ku e kam unë një: Hapeni derën! E kam një fjalë për turmën. Do të them: Njerëz, po jua jap të gjithëve edhe një shans: Konti po fle. Fitore! Dy gishtat e mi janë shenja e fitores. (Solemn) Të nderuar zonja dhe zotërinj, të dashur simpatizante dhe simpatizantë, ja dy gishtat e mi: shenja e fitores.

          ROBINSONI – DREJTORI I BANKËS – GRUAJA E BURRIT – BURRI I GRUAS

Ndizet një dritë dhe projektohet silueta e një trupi të varur, po askush nuk e sheh.

          ROBINSONI – Po Konti ç’mendon? Cila është pyetja e tij?

          DREJTORI I BANKËS – Konti është një zotni burrë!

          GRUAJA E BURRIT – Zotni burrë!

          BURRI I GRUAS – Me ndihmën time!

          DREJTORI I BANKËS – Jam unë ai që zgjoi zotnillëkun e tij.

          GRUAJA E BURRIT – Kush po flet!

          BURRI I GRUAS – E shoh se e harruat praninë time.

          DREJTORI I BANKËS – Këtij qyteti i duhen paratë.

          GRUAJA E BURRIT – Këtij qyteti i duhet dashuria.

          BURRI I GRUAS – Këtij qyteti i duhet një si unë. Por kjo është çështje besimi. Zemra ka arsyet e veta që arsyeja nuk i njeh.

          DREJTORI I BANKËS – Sikur të kishim fjalë më pak dhe vepra më shumë.

          BURRI I GRUAS – Ju nuk shihni vepra te unë?! Ju nuk shihni vepra te unë?!

          ROBINSONI – DREJTORI I BANKËS – GRUAJA E BURRIT – BURRI I GRUAS

          ROBINSONI – (Duke parë siluetën e projektuar) Shikoni atje! Me sa duket, po bëhem me shok.

          Kthejnë kokën të tre.

          DREJTORI I BANKËS – (Burrit) Ja dhe vepra jote!

          GRUAJA E BURRIT – Në fakt, ajo është vepra jote.

          Drejtori i bankës zë kokën me duar një copë herë.

          DREJTORI I BANKËS – Maskarai!

          GRUAJA E BURRIT – Maskarai!

          BURRI I GRUAS – Maskarai!

          DREJTORI I BANKËS – Mashtruesi!

          GRUAJA E BURRIT – Sapo fillova të ndjeja për të!

          BURRI I GRUAS – Ma hoqi shansin e lavdishëm!

          DREJTORI I BANKËS – Kush merret me policinë tani?!

          DREJTORI I BANKËS – GRUAJA E BURRIT – BURRI I GRUAS

          Gruaja fshin lotët, hap perden dhe afrohet të shohë.

          Dy të tjerëve nuk u ka ikur zemërimi.

          GRUAJA E BURRIT – Është thes.

          DREJTORI I BANKËS – Çfarë po thua?

          GRUAJA E BURRIT – Nuk është njeri.

          DREJTORI I BANKËS – Çfarë flet, moj grua! Mblidhe mendjen!

          BURRI I GRUAS – Më iku gruaja!

          Gruaja nuk do t’ia dijë për fjalët e tyre.

          GRUAJA E BURRIT – Është thes. Nuk është njeri. (Shikon anash.) Më ndihmoni të çliroj litarin.

          Burri nuk lëviz nga vendi, por drejtorit të bankës nuk i pritet. Ai afrohet dhe e ndihmon gruan. Thesi zë vend në tokë.

          DREJTORI I BANKËS – (E hap thesin me ngut, rrëmben kartëmonedhat që ndodhen aty dhe i shtrëngon fort) Ai na do! (Godet thesin në pjesën e poshtme, që të sigurohet se është me kartëmonedha) Ai na do! Dëgjoni: ai na do!

          GRUAJA E BURRIT – (Shikon rrotull) Po ku ka shkuar?

          DREJTORI I BANKËS – (Që po feston si futbollistët kur shënojnë gol) Fillimisht, të sigurojmë paratë. (Gruas) Shiko nëse ka lënë ndonjë letër për ne.

          GRUAJA E BURRIT – (Pasi kontrollon) Nuk shoh gjë.

          BURRI I GRUAS – Shiko mirë. Fjalët dhe gjestet e mia e kanë magjepsur.

          DREJTORI I BANKËS – A di çfarë? Porosit kafe për të gjithë. Ta marrim veten njëherë. (Shikon gruan që nuk lëviz) Merr një nga kartëmonedhat.

          Gruaja merr një kartëmonedhë dhe del.

          DREJTORI I BANKËS – BURRI I GRUAS

          BURRI I GRUAS – E them për ata që nuk kanë besuar deri tani: ky qytet do ta shkruajë emrin tim me germa të arta.

          DREJTORI I BANKËS – Ke grua të papërtuar. Ta kam zili.

          BURRI I GRUAS – Ky është fati i grave: janë krijuar për të shërbyer.

          DREJTORI I BANKËS – Ndoshta ajo nuk të… meriton.

          BURRI I GRUAS – Ndoshta? Është e qartë se ajo nuk më meriton.

          DREJTORI I BANKËS – Kështu mendoj edhe unë.

          BURRI I GRUAS – Ja që edhe ne mund të merremi vesh. Kjo është shenjë se gjerat po shkojnë si duhet. Do ta ruajmë këtë pamje edhe para turmës. Turma vdes pas njerëzve të bukur. Njerëzit…

          Dëgjohet zhurma e një xhami që thyhet dhe të dy duken të ngrirë nga kjo.

          DREJTORI I BANKËS – Duhet t’i flasim turmës për… thesin.

          BURRI I GRUAS – Jam unë ai që duhet t’i flasë.

          DREJTORI I BANKËS – Ju do të flisni për pjesën me të cilin ngopin shpirtin.

          BURRI I GRUAS – Ti po bëhesh uzurpues meritash.

          Dëgjohet prapë zhurma e një xhami që thyhet.

          DREJTORI I BANKËS – (Shikon gruan që po afrohet) Më në fund!

          DREJTORI I BANKËS – GRUAJA E BURRIT – BURRI I GRUAS

          GRUAJA E BURRIT – Gati më ra tabakaja nëpër shkallë.

          DREJTORI I BANKËS – Asnjë kaq punë nuk mund të të besohet?

          GRUAJA E BURRIT – (Vë kusurin mbi tavolinë) U tremba nga thyerja e xhamave.

          DREJTORI I BANKËS – A mund të shikosh se çfarë po ndodh? Kam frikë se turma mund të irritohet po t’ju shfaqet një burrë.

          BURRI I GRUAS – Shkoj unë.

          DREJTORI I BANKËS – Nuk je burrë ti!?

          GRUAJA E BURRIT – Kjo është punë për mua. Mos ma pini kafenë!

          Gruaja del.

          BURRI I GRUAS – Ti po bëhesh uzurpues meritash. Prandaj nuk shkojnë punët mirë në këtë qytet. Duhet t’u vëmë gjërave emrin e vet.

          Drejtori bën ecejake nëpër skenë.

          Duhet t’u vëmë gjërave emrin e vet.

          Kur drejtori ndalon, merr kusurin e kafeve dhe merr t’i fusë në xhep.

          Ti po bëhesh uzurpues meritash.

          ROBINSONI – DREJTORI I BANKËS – GRUAJA E BURRIT – BURRI I GRUAS

          Hyn gruaja e shqetësuar dhe drejtohet nga tavolina.

          GRUAJA E BURRIT – Ku shkuan paratë?

          DREJTORI I BANKËS – I kam unë.

          GRUAJA E BURRIT – M’i jep shpejt!

          DREJTORI I BANKËS – Qetësohu njëherë.

          Dëgjohet prapë zhurma e një xhami që thyhet.

          GRUAJA E BURRIT – Është kamerieri.

          DREJTORI I BANKËS – Ai që gjuan xhamat?

          GRUAJA E BURRIT – Është shumë i zemëruar. Thotë se kartëmonedha ishte false. Duhet t’ia çoj kusurin menjëherë.

          DREJTORI I BANKËS – Kërko për kartëmonedha të rregullta, sepse përndryshe nuk na mbeti xham në këmbë.

          Gruaja kontrollon një copë herë kartëmonedhat një nga një. I sheh kundërdritë apo i kafshon.

          GRUAJA E BURRIT – Asnjë për be.

          DREJTORI I BANKËS – (Pasi shikon një kartëmonedhë) Çoja menjëherë. Kush e kalon dimrin me gjithë këta xhama të thyer!?

          GRUAJA E BURRIT – Mos ma pini kafenë.

          Gruaja merr kusurin dhe del.

          BURRI I GRUAS – Na kanë bërë magji! Më prit! E gjej unë atë që na ka bërë magji.

          Burri niset pas gruas.

          ROBINSONI – Me këta xhama të thyer do ta kalojmë dimrin? Këtu bën shumë ftohtë.

          Robinsoni niset për të dalë.

          DREJTORI I BANKËS – Jo andej. Andej është turma. Ata nuk marrin vesh nga… mikpritja. Eja me mua!

          Robinsoni bindet dhe i shkon pas.

          Dalin.


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.