Roman Jakobson
Më është kërkuar të bëj në mënyrë të përmbledhur vërejtje (shënime) rreth marrëdhënieve të poetikës me gjuhësisë. Poetika merret pikë së pari me çështjen “Çfarë e bën një mesazh verbal vepër arti?” Sepse çështja kryesore e poetikës është differentia specifica e artit verbal në lidhje me artet e tjera dhe në lidhje me llojet e tjera të sjelljes verbale, ndaj poetikës i është lënë vendi kryesor në studimet letrare.
Poetika merret me probleme të strukturës verbale ashtu si analiza e pikturës është e përqendruar në strukturën pikturale. Meqenëse gjuhësia është shkencë globale e strukturës verbale, atëherë poetika mund të konsiderohet si pjesë integrale e gjuhësisë…
Studimet letrare, me poetikën si pjesë kryesore të tyren, konsistojnë, sikurse edhe gjuhësia, në dy lloje grupimesh: Në ato sinkronike dhe ato diakronike. Lloji sinkronik merr parasysh jo vetëm produktin letrar të çdo faze të caktuar, por edhe atë pjesë të traditës letrare që ka mbetur e gjallë ose është rigjallëruar. Kështu, përshembull, Shakespeare nga njëra anë dhe Donne, Marvell, Keats, dhe Emily Dickinson nga ana tjetër vazhdojnë të përjetohen nga bota poetike e sotme angleze, ndërsa James Thomson dhe Longfellow, për momentin nuk i përkasin vlerave artistike të pranuara përgjithësisht.
Përzgjedhja e klasikëve dhe rinterpretimi i tyre me një frymë të re është një problem thelbësor i studimeve letrare sinkronike. Poetika sinkronike, sikurse gjuhësia sinkronike, nuk duhet të ngatërrohet me gjendjet statike: Çdo fazë bën dallimin midis formave që janë më konservative dhe atyre që janë më inovative. Çdo fazë përjetohet në dinamikën e saj kohore dhe, nga ana tjetër, qasja historike, si në poetikë ashtu edhe në gjuhësi është e interesuar jo vetëm tek ndryshimet, por edhe te vazhdimësitë, qëndrueshmëritë dhe te faktorët statikë. Një poetikë historike e plotë ose një histori e gjuhës është një superstrukturë që ndërtohet mbi një varg përshkrimesh sinkronike të njëpasnjëshme….
Gjuha mund të hetohet në të gjitha variacionet e funksioneve të saj. Përpara se të diskutojmë për funksionin poetik ne duhet të përcaktojmë vendin e tij në mes funksioneve të tjera të gjuhës. Një përvijim i këtyre funksioneve kërkon një studim konciz të faktorëve përbërës në çdo akt të komunikimit verbal. DËRGUESI i çon një MESAZH MARRËSIT. Për të luajtur rolin e tij mesazhit i duhet një KONTEKST i referueshëm që të kapet nga marrësi, diçka verbale ose e aftë për t’u verbalizuar; një KOD i plotë ose i pjesshëm, por që njihet njëherazi si nga dërguesi ashtu edhe nga marrësi (ose, me fjalë të tjera, për koduesin dhe dekoduesin e mesazhit); dhe në fund një KONTAKT, një kanal fizik dhe një lidhje psikologjike në mes dërguesit (dhënësit) dhe marrësit që u mundëson të dyve të qenurit në komunikim. Të gjithë këto faktorë të përfshirë në komunikimin verbal mund të paraqiten sipas skemës:
KONTEKSTI
DËRGUESI MESAZHI MARRËSI
KONTAKTI
KODI
Secili prej këtyre gjashtë faktorëve lidhet me një funksion të caktuar të gjuhës. Megjithëse dallojmë gjashtë aspekte themelore të gjuhës, vështirë se mund të gjejmë mesazhe verbale që të përmbushin vetëm një funksion. Diversiteti nuk qëndron në monopolin e ndonjërit prej këtyre funksioneve, por në renditjen e ndryshme hierarkike të funksioneve. Struktura verbale e një mesazhi varet kryesisht prej funksionit mbizotërues. Por edhe pse prirja ndaj referentit, orientimi ndaj kontekstit, – me një fjalë, i ashtuquajturi funksioni REFERENCIAL, “denotativ”, “njohës”, – është filli drejtues e një numri jo të vogël mesazhesh, çdo pjesëmarrje shtesë e funksioneve të tjera në mesazhe të tilla duhet të merret në konsideratë nga gjuhëtari i vëmendshëm.
I ashtuquajturi funksion EMOTIV ose “shprehës” përqendrohet mbi DËRGUESIN dhe synon të shprehë një qëndrim të drejtpërdrejtë të folësit në lidhje me atë që po flet. Ai priret të prodhojë përshtypjen e një emocioni të caktuar, qoftë i vërtetë apo i sajuar; ndaj termi “emotiv”, i futur dhe i mbështetur nga Marty, ka rezultuar të jetë më i pëlqyer se termi “emocional”.
Formacioni emotiv në gjuhë përfaqësohet nga pasthirrmat. Ato ndryshojnë nga mjetet e gjuhës referenciale si nga modeli i tyre tingullor (kanë një rend të veçantë tingullor apo tinguj që në një organizim tjetër janë të pazakontë) po ashtu edhe nga roli i tyre sintaksor (ato nuk janë komponente, por ekuivalente të fjalive). “Pf!, Pf!”, tha McGinty: shprehja e plotë e personazhit të Conan Doyle-s, përbëhet nga dy shfrime goditëse. Funksioni emotiv zbulohet nëpërmjet pasthirrmave, ato i japin atmosferë deri në një farë mase gjithë shprehjes tonë, në të gjitha nivelet: fonike, gramatikore dhe leksikore. Nëse ne analizojmë gjuhën nga këndvështrimi i informacionit që mbart, ne nuk mund ta kufizojmë nocionin informacionit vetëm në aspektin njohës të gjuhës…
Orientimi drejt MARRËSIT, dhe funksioni KONOTATIV gjejnë shprehjen e tyre më të pastër gramatikore në mënyrat thirrore dhe urdhërore, që sintaksërisht, morfologjikisht, por shpesh edhe fonematikisht, largohen nga kategoritë e tjera nominale dhe verbale. Fjalitë thirrmore ndryshojnë thellësisht nga fjalitë deklarative; këto të fundit, por jo të parat, mund t’i nënshtrohen një prove të së vërtetës. Kur në dramën “Burimi” të O”Neil –it, Nano (me një ton të fortë komandues) thotë “Pi!” forma urdhërore nuk mund t’i nënshtrohet pyetjes “është apo jo e vërtetë?” gjë që mund të bëhej fare mirë në formulime të tilla “piu”, “do të pijë” “do të pinte”. Sepse në ndryshim nga fjalitë urdhërore, fjalitë deklarative mund të shndërrohen në fjali pyetëse, “Piu?”, “Do të pijë?”, “Do të pinte?”.
Modeli tradicional i gjuhës, siç është sqaruar veçanërisht nga Buhler, është i kufizuar te këto tri funksione: emotiv, konotativ dhe referencial dhe te tre skajet e këtij modeli – veta e parë, ajo e dërguesit; veta e dytë, ajo e marrësit; veta e tretë që i korrespondon atij ose asaj gjëje për të cilën flitet. Sidoqoftë kemi vërejtur tre faktorët më themelorë të komunikimit verbal dhe tre funksionet përkatëse të tyre.
Ka mesazhe që shërbejnë, kryesisht, për të vendosur, zgjatur apo ndërprerë komunikimin, për të siguruar që kanali i komunikimit funksionon, për të tërhequr vëmendjen e bashkëbiseduesit (“Përshëndetje, a më dëgjoni?”) ose për të konfirmuar se ai po e ndjek (“Po më dëgjoni?” ose nëse flasim me diksionin e Shakespeare-it “Më jepni veshët tuaj!” dhe në anën tjetër të fillit “hëm-hëm!”). Ky orientim drejt KONTAKTIT, ose sipas termave të Malinowski-t, drejt funksionit FATIK, mund të shpaloset përmes një shkëmbimi të pasur të formulave të ritualizuara, në të gjitha dialogët, me qëllimin e thjeshtë të zgjatjes së komunikimit. Dorothy Parker mori shembuj domethënës si ky:
“Mirë”- tha djaloshi.
“Mirë”- tha ajo.
“Mirë, ja ku jemi”- tha ai
“Ja ku jemi”, – tha ajo.
“A nuk jemi?”, “Do të thoja që jemi”- tha ai.
“Hajde, pra, ja ku jemi”, “Mirë”- tha ajo
“Mirë” – tha ai – “Mirë”.
Interesi për të nisë dhe mbështetë komunikimin është tipik si ai i ligjërimit të zogjve; funksioni fatik i gjuhës është i vetmi që ata ndajnë me njerëzit. Ai është gjithashtu funksioni i parë verbal që fitojnë fëmijët. Ata janë të prirë për të komunikuar edhe para se të jenë në gjendje për të dërguar apo marrë informacion.
Logjika moderne ka bërë një ndarje mes dy nivele të gjuhës: gjuhës së objektit që flet për objektet dhe “metagjuhës” që flet për gjuhën vetë. Por metagjuha nuk është vetëm një instrument i nevojshëm shkencor i përdorur nga logjicienët dhe gjuhëtarët; ajo, gjithashtu, luan një rol të rëndësishëm në gjuhën e përditshme. Sa herë që dërguesit dhe/ose marrësit i duhet të kontrollojë nëse përdorin të njëjtin kod, pra ligjërimi përqendrohet mbi KODIN, kemi të bëjmë me aktivizimin e funksionit metaliguistik…
Kemi sjellë tashmë gjashtë faktorët e përfshirë në komunikimin verbal, përveç mesazhit vetë. Orientimi drejt mesazhit si i tillë, përqendrimi te mesazhi për hir të mesazhit, është funksioni poetik i gjuhës. Ky funksion nuk mund të studiohet në mënyrë efikase jashtë problemeve të përgjithshme të gjuhës dhe nga ana tjetër studimi i gjuhës kërkon një shqyrtim të plotë të funksionit të tij poetik. Çdo përpjekje për ta zvogëluar sferën e funksionit poetik në poezi ose për ta kufizuar poezinë te funksioni estetik i saj do të ishte një thjeshtëzim jashtëzakonisht i gabuar. Funksioni poetik nuk është i vetmi funksion i artit verbal, por vetëm ai përcaktuesi, dominanti i tij, ndërsa në të gjitha aktivitetet e tjera verbale vepron si element shtesë. Ky funksion thellon dikotominë themelore të shenjave dhe objekteve. Ndaj kur merret me funksionin poetik, gjuhësia nuk mund të kufizohet në fushën e poezisë.
Pse thoni gjithmonë Ana e Maria dhe asnjëherë Maria e Ana? Ndoshta sepse doni më shumë Anën se motrën e saj binjake? “Jo, por vetëm se tingëllon më mirë”. Në një njësi ligjërimi me emrave të bashkërenditur, për sa kohë që nuk ka probleme me çështjen e renditjes, përdorimi i emrit më të shkurtër është prioritet për folësin, sado që e pashpjegueshme për të, si një formë e mirorganizuar e mesazhit. Një vajzë fliste për “Fredin e frikshëm”. Po, pse i frikshëm”, “Sepse e urrej” “Po, pse nuk e quan, i urryeshëm,i tmerrshëm, i pakëndshëm” Nuk e di, por fjala i frikshëm i përshtatet mjaft mirë atij. Pa e kuptuar ajo kishte përdorur figurën poetike të paronomazisë.
Slogani politik I like Ik (/aj lajk ajk/) ka një strukturë skematike që mbështetët në tri fjalë njërrokëshe dhe tre diftongë, çdo njëri prej të cilëve ndiqet në mënyrë simetrike nga një bashkëtingëllore /..l..k..k/. Struktura e tri fjalëve paraqet një variacion të tillë: fjala e parë është dhënë pa fonemë bashkëtingëllore, ndërkohë që te fjala e dytë janë dy bashkëtingëllore që rrethojnë diftongun, ndërsa fjala e tretë mbyllet me një bashkëtingëllore fundore. Hymes ka vërë re praninë e një bërthame të njëjtë /aj/, që mbizotëron në disa sonete të Keats-it. Dy njësitë e formulës trirrokjesore I Like/ Ike rimojnë me njëra tjetrën dhe njësia e dytë rimuese është e përfshirë tërësisht te njësia e parë /ajk/ te /lajk/, duke krijuar imazhin paranomastik të një ndjenje që mbulon tërësisht objektin e vet.Të dy njësitë aliterojnë me njëra tjetrën dhe e para nga dy njësitë e aliteruara është e përfshirë te e dyta /aj/ te /ajk/, duke dhënë imazhin paranomastik të subjektit pëlqyes i rrethuar nga objekti i pëlqyer. Funksioni i dytë, ai poetik, i këtij slogani politik përforcon fuqinë dhe efikasitetin e saj.
Siç e pohuam tashmë, studimi gjuhësor i funksionit poetik mund t’i kalojë kufijtë e poezisë dhe nga ana tjetër shqyrtimi i poezisë nuk mund të kufizohet vetëm në funksionin poetik. Veçoritë e llojeve të ndryshme poetike nënkuptojnë një radhitje të ndryshme të funksioneve të tjera verbale bashkë me funksionin poetik dominant. Kështu, poezia epike, e shprehur gramatikisht në veten e tretë, zotëron funksionin referencial të gjuhës; lirika, e orientuar drejt vetës së parë, është ngushtësisht e lidhur me funksionin emotiv; poezia e vetës së dytë ka të ngulitur funksionin konotativ dhe shprehet me tekst ose lutës ose nxitës, në varësi të faktit nëse personi i parë është i varur nga i dyti apo anasjelltas.
Tani që përshkrimi i përciptë i gjashtë funksioneve bazë të komunikimit verbal është pak a shumë i plotësuar, ne mund ta plotësojmë me një skemë ku faktorët bazë u korrespondojnë funksionet përkatëse:
Referencial
Emotiv Poetik Konotativ
Fatik
Metalingual
Cili është kriteri empirik gjuhësor i funksionit poetik? Ose më specifikisht, cili është tipari i brendshëm i domosdoshëm i çdo teksti poezie? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje na duhet të kujtojmë dy mënyrat bazë të organizimit që përdoren në sjelljen verbale: përzgjedhjen dhe kombinimin. Supozojmë se tema e mesazhit është “fëmija”, atëherë folësi zgjedh një ndër emrat ekzistues, pak a shumë të ngjashëm, si: fëmijë, vogëlush, kalama, çunak, të gjitha të barazvlefshëm deri në një farë mase me njëra tjetrën, dhe pastaj për të thënë diçka më tepër në lidhje me këtë temë, folësi mund të zgjedhë një prej foljeve kuptimisht të përafërta, si: fle, përgjumet, dremit, kotet. Kështu, dy fjalët e përzgjedhura kombinohen në zinxhirin e ligjërimit. Përzgjedhja bëhet mbi bazën e barazisë, ngjashmërisë dhe ndryshimit, mbi bazën e sinonimisë dhe antonimisë, ndërsa kombinimi, ndërtimi i sekuencës, bëhet mbi bazën e afërsisë. Funksioni poetik projekton parimin e ekuivalencës (barazvlerës) nga aksi i përzgjedhjes te aksi i kombinimit.Ekuivalenca bëhet burimi themelor i sekuencës. Në poezi një rrokje është e barabartë me çdo rrokje tjetër të së njëjtës sekuencë, çdo theks i fjalës supozohet të jetë i barabartë theksin e fjalës tjetër, ashtu si çdo mungesë theksi i barabartë me mungesën e theksit në fjalën tjetër; gjatësia prozodike përputhet me gjatësinë e kohës dhe shkurtësia me shkurtësinë; kufiri i fjalëve është i barabartë me kufirin e fjalëve; pauza sintaktike e barabartë me pauzën sintaktike; mungesa e pauzës me mungesën e saj. Rrokjet shndërrohen në njësi matëse e po kështu edhe morat dhe thekset.
Pohimi se edhe metagjuha bën gjithashtu përdorimin sekuencial të njësive të barabarta kur kombinon shprehjet sinonime në fjali (shprehje)ekuacioni A=A (Pela është femra e kalit), nuk mund pranohet pasi poezia dhe metagjuha janë në pozicione diametralisht të kundërta; në metagjuhë sekuenca përdoret për të ndërtuar një ekuacion, ndërsa në poezi ekuacioni përdoret për të ndërtuar një sekuencë.
Në poezi, dhe deri në një farë mase edhe në manifestimet e tjera,jo të dukshme të funksionit poetik, sekuencat, të kufizuara brenda kufijve verbalë, bëhen të krahasueshme vetëm nëse perceptohen si izokronike ose klasifikohen si të tilla. Ana Maria na zbuloi parimin poetik të klasifikimit rrokjesor, i njëjti parim që në kadencat e epikës popullore serbe është ngritur në rangun e një ligji të detyrueshëm.
Nëse dy fjalët nuk do ishin daktilike, do të ishte shumë e vështirë që kombinimi ‘innocent bystander’ (spektatori i pafajshëm) të kthehej në një frazë aq të përdorur. Simetria e tri foljeve dyrrokëshe me një bashkëtingëllore nistore të njëjtë dhe një zanore fundore të njëjtë ia shtoi bukurinë shprehjes lakonike të fitores së Çezarit: ‘veni, vidi,vici’.
Matja e sekuencës është një mënyrë që, përtej funksionit poetik, nuk gjen aplikim në gjuhë. Vetëm në poezi, me përsëritjen e rregullt të njësive të barabarta, përjetojmë kohën e rrjedhshmërisë së të folurit, siç ndodh- po të citojmë një model tjetër semiotik- me kohën muzikore. Gerald Manley Hopkins, një hulumtues i shquar në fushën e gjuhës poetike, e përkufizonte vargun si një “diskurs që pjesërisht apo plotësisht përsëritë të njëjtën figurë të tingullit”. Pyetja që më vonë bëhet nga Hopkins, “a është i gjithë vargu poezi?” merr përgjigje sapo funksioni poetik pushon së qeni arbitrarisht i mbyllur për domenin e poezisë. Vargjet mnemonike të cituara nga Hopkins, si “tridhjetë ditë ka shtatori”, tringëllimat e propagandës moderne, ligjet e shprehura në mënyrë të vargëzuar të mesjetës, të përmendura nga Lotz, ose në fund, traktatet shkencore sanskrite në vargje që në traditën Indiane dallohen qartësisht nga poezia e vërtetë (kavya)- të gjithë këto tekste metrike e përdorin funksionin poetik pa i caktuar këtij funksionit rolin detyrues, përcaktues që ushtron në poezi. Kështu vargu, në të vërtetë, tejkalon kufijtë e poezisë, por në të njëjtën kohë vargu nënkupton gjithmonë funksionin poetik…
Për ta përmbledhur, analiza e vargut është tërësisht brenda fushës së poetikës dhe mund të përcaktohet si pjesë e gjuhësisë që trajton funksionin poetik në marrëdhënie me funksionet e tjera të gjuhës. Poetika, në kuptimin më të gjerë të fjalës, merret me funksionin poetik jo vetëm në poezi, në të cilën funksioni i mbivendoset funksioneve të tjera të gjuhës, por edhe jashtë poezisë kur disa funksione të tjera i mbivendosen funksionit poetik.
Ensayos de linguistika gjeneral, biblioteca breve, editorial seix barra, S.A, Barcelona, pg 348
Përktheu: Vjollca Osja
Materiali u botua në numrin e dytë të revistës kulturore – letrare Palimpsest të cilin e gjeni tek linku KETU
NO COMMENT