
Foto ilustruese
Donald BARTHELME
Gjëja e parë që bëra ishte një gabim. Mendoja se e kisha kuptuar kapitalizmin, por në të vërtetë qëndrimi im ndaj tij ishte melankolik. Nuk është i saktë ky qëndrim. Fatmirësisht letra jote erdhi në atë çast. “I dashur Rupert, të dua, në çdo çast të ndiej pranë meje. Je gjithçka për mua, je vetë jeta ime. Të dua, të adhuroj, jam e çmendur pas teje…… Me dashuri, Marta.”
Duke lexuar letrën në brendësi, e kuptova kritikën e saj për qëndrimin tim ndaj kapitalizmit. Kritikën e kuptova duke pasur parasysh se gjithmonë një tekst duhet “ta studiojmë me vëmendje nga pikëpamja formale dhe semantike, si dhe në raportin ndërmjet gjuhës së një teksti dhe kodifikimit të tij.” Por thundra e kapitalizmit është aq e madhe, ajo thundër nën të cilën të gjithë jetojmë, saqë ma errësoi tekstin. Errësira më rri para sysh. Fqinji im vazhdon tentativat për vetëvrasje një herë në çdo dy javë. Këto tentativa vetëvrasjeje janë bërë pjesë e programit tim, sepse roli im është që ta shpëtoj. Në një rast isha tepër vonë dhe ai qëndroi dy ditë i pavetëdijshëm, i shtrirë në dysheme. Por tani që e zbulova se nuk e paskam kuptuar kapitalizmin, ndoshta mund të gjendet një qëndrim më i dykuptimshëm. Vajza më kërkon më tepër shampo “Mr. Bubble”. Varkat me karkaleca i ulin rrjetat. Libri “Humoristët e shekullit XVIII” u botua.
***
Kapitalizmi e vendos çdo njeri në garë me miqtë e tij, se kush të marrë më tepër nga pasuria e disponueshme. Një pakicë grumbullon pasuri të mëdha, kurse shumica ka fare pak. Sensi i komunitetit bie viktimë e kësaj përpjekjeje. Shtimi i pasurisë dhe prosperiteti janë të lidhura me rritjen e produktivitetit. Funksionon një hierarki e vendosur ndërmjet shoqërisë dhe pushtetarëve. Interesi i shoqërive aksionere private qëndron përpara interesit publik. Sistemi i tregut botëror favorizon kontrollin e tregjeve në vendet kapitaliste dhe terrorizon botën e tretë. Të gjitha gjërat janë manipuluar për këtë qëllim. Mbreti i Jordanisë qëndron i ulur në studion e tij radiofonike amatore, duke i ftuar të huajt në pallat. Unë i bëj një vizitë asistentes time, zonjës Azalea. “Jeni mirë, Azalea? Çfarë keni bërë që nga vizita ime e fundit?” – i them duke zënë vend në karrige. Azalea fillon të më tregojë gjithçka çfarë ka ndodhur gjatë kësaj kohe. Ajo ka blerë një mbulesë për divanin dhe ka shkruar një tregim. Jack-u është sjellë shumë keq. Roger-i ka humbur punën (është zëvendësuar nga një aparaturë elektrike). Tre fëmijët e Gig-it janë në spital për t’u shëruar nga helmimi. Ndërsa vetë Azalea është duke vdekur nga mungesa e dashurisë. Unë u bie mollaqeve të saj, të cilat janë përsosje, nëse mund të ketë përsosmëri nën sistemin kapitalist. “Është më mirë të martohesh sesa të digjesh”, – thoshte i shenjti Pal, por kjo thënie është zhvlerësuar tani, sepse ashpërsia e pikëpamjeve të tij nuk pajtohet me përvojën e shoqërive të përparuara industriale. Unë pi një cigare puro, për t’i rezistuar gjendjes së kësaj gruaje.
***
Marta nervozohet. “Rupert”, – thotë ajo, – “nuk je më i mirë sesa një afro-amerikan i mallkuar! Por një afro-amerikan i thjeshtë është më i ndjeshëm se ti kur bëhet fjalë për zemrën e një gruaje!”
Unë përpiqem që t’i shpjegoj se nuk është faji im, por i kapitalizmit. Por ajo nuk e pranon mendimin tim. “Unë e mbështes sistemin kapitalist”, – thotë Marta. “Na ka dhënë gjithçka, rrugët, parqet, shëtitoret, bulevardet, qendrat tregtare dhe gjëra të tjera që nuk po më kujtohen për momentin.” Po në bursë çfarë ka ngjarë? Unë u hedh një sy të shpejtë pesëmbëdhjetë aksioneve më të shitura:
Occident Pet 983,100 28 5/8 + 3 3/4
Natomas 912,300 58 3/8 + 1/2
Çfarë zhgënjimi!
Përse nuk bëj pjesë në Natomas, që të më shërbente si një petk i bukur për të fituar një status social, kur ta vesh atë në një mbrëmje vallëzimi? Përsëri nuk jam i pasur këtë mëngjes! Për të fshehur turpin tim, e vendos kokën ndërmjet gjinjve të Martës.
***
Honore de Balzac shkoi në kinema. Së bashku me Simone Simon-in dhe Raymond Radiguet-në, ndoqi filmin e tij të preferuar “Lindja e kapitalizmit”. Kur doli nga kinemaja, bleu një shtypshkronjë për pesëdhjetëmijë franga. “Tani e tutje”, – tha, – “do të publikoj botime të shtrenjta dhe të bukura, apo edhe të lira, botime të huaja me dymbëdhjetë, gjashtëmbëdhjetë apo tetëmbëdhjetë palosje. Gjithashtu do të publikoj atlase, pulla albumi, predikime të mbledhura, vëllime të edukimit seksual, shënime, kujtime, ditarë, orarin e lëvizjes së trenave, gazetat e përditshme, libër telefonash, libër shënimesh rreth garave të kuajve, librete, abetare, vepra mbi akupunkturën dhe librat e gatimit.”
Pastaj Honore doli jashtë, u deh, vizitoi shtëpinë e dashnores dhe, duke ulëritur dhe përplasur këmbët nëpër shkallë, e frikësoi bashkëshortin e saj për vdekje. Pastaj bashkëshorti u varros dhe secili qëndroi i heshtur përreth varrit, duke menduar se ku kanë qenë dhe ku do të shkojnë, si dhe duke hedhur mbi varr grushtet e fundit të një dheu të lagësht. Honore po ndihej me të vërtetë keq.
***
Arritjet e kapitalizmit:
- Muri ndarës
- Shiu artificial
- Qendra Rockefeller
- Kanalet
- Mistifikimi
***
Ndërsa po ecja në rrugët e Laredo-s, një i papunë, me profesion ndërtues veglash, po thërriste me zë të lartë: “Kapitalizmi është me të vërtetë i gëzueshëm, nuk është për ne asgjë prej atij mjerimi dërrmues të Evropës Qendrore.” Laredo po shkon shumë mirë tani, falë zbatimit të parimeve të shkëlqyeshme të kapitalizmit të ri. Dhe, me të vërtetë, çdo gjë që shikoj, duket sikur e mbështet mendimin tim. Produkti bruto i Laredo-s është në rritje, ndërsa mospajtimet e brendshme janë në rënie. Fermat me rrush mustak, një ndërmarrje e re në sektorin e biznesit agrar, kanë bërë mrekullira. Shtëpia ime e ëndrrave është prej 19 katesh, por ç’e do se ajo ekziston vetëm në letër, i them Azaleas. “S’ka rëndësi”, – thotë ajo. “Përsëri ke mbetur si një afro-amerikan i mallkuar në mentalitetin tuaj, edhe pse e keni zbuluar ekzistencën e kapitalizmit.” Në klubin e Laredo-s burra dhe gra po diskutojnë për katedralet e Francës, ku ata kanë qenë që të gjithë. Disa kanë pëlqyer Tours-in, disa Lyon-in dhe disa të tjerë Clermont-in. Kjo bën që në këtë vend të ndjehet një frikë e sinqertë ndaj Zotit.
***
Kapitalizmi është shfaqur dhe tashmë e ka çjerrë maskën e tij. Një ditë tjetër, një dollar tjetër. Secili njeri vlerësohet me atë që sjell në treg. Puna tani vlerësohet vetëm për pagesën. Moszhvillimi kulturor i punonjësit si një teknikë e sundimit është gjendur kudo në kapitalizmin e vonë. Është ndaluar sundimi i vërtetë i vetes nga individët. Ndërgjegjja false, e krijuar dhe e furnizuar nga një kulturë masash, përjetëson padituri dhe pafuqi. Llumrat dhe mbeturinat lloj-lloj qëndrojnë pezull në sipërfaqen e Ganges-it. Përse nuk mund ta pastrojnë Ganges-in? Kjo gjë nuk do të ndodhte nëse kapitalistët e pasur, që drejtojnë fabrikat në Ganges, do të detyroheshin që të mos i derdhnin mbeturinat e tyre në lumë, sepse përndryshe Ganges-it të shenjtë do t’i zihej fryma nga llumrat dhe lumi nuk do të dijë se ku të derdhet. Edhe drita e hënës mbi Ganges është gëlltitur nga plehrat dhe uji është bërë i errët. Betohem në Vishnu! Kjo është një situatë e patolerueshme! A nuk duhet të bëhet diçka për të?
***
Miq për darkë! Sallatat franceze, jeshile dhe të freskëta, janë bërë gati. Pecetat e mira prej letre rrinë mbi tavolinë. Secili bën biseda rreth kapitalizmit, megjithëse disa po bisedojnë rreth psikologjisë së moshës, disa rreth përdorimit njerëzor të qenieve njerëzore dhe disa të tjerë rreth përvojave politike. Ndërkohë Azalea dhe Marta po debatojnë me zë të lartë. “Si mund ta thoni atë? Çfarë mund të thoni rreth ajrit?” Ndërsa një lule shkon tek lulerritësi, gratë u ofrohen meshkujve që nuk janë të mirë për to. Prania dhe shfaqja e potencialeve të vetes nuk mund të arrihet kur je në lidhje me një tjetër person, kur nuk e di kur fillon një gjë e tillë. Mohimi i gjithçkaje bazohet në një lexim të vazhdueshëm të librave të gabuar. Mbarimi i pashmangshëm i universit nuk është një gjë e keqe, sepse do shumë kohë për të ndodhur. Rrëmuja është një pozicion, por i dobët, në lidhje me “mospërqendrimin” për të cilin kam harruar të flas. Dhe tani të shenjtit vijnë duke marshuar, shenjt pas shenjti, për të përcjellë mesazhin e tyre! Ja ku janë i shenjti Albert (që ka mësuar Thomas Aquinas-in), i shenjti Almachius (i martirizuar në përpjekjen për t’i dhënë fund garave të gladiatorëve), i shenjti Amadour (vetmitari), i shenjti Andrea i Kretës (kanoni i shkëlqyer i të cilit kishte 250 versete lirike), i shenjti Anthony, Kolona dhe shumë të tjerë. “Dëgjoni!” – thonë të shenjtit. “Ai që dëshiron qetësi dhe lumturi të vërtetë duhet t’i largojë shpresat nga gjërat që zhduken dhe vdesin dhe t’i vendosë ato në fjalën e Zotit, kështu që, duke u kapur pas asaj që jeton përgjithmonë, ai mundet, së bashku me të, të jetojë përjetë.” Ububu! Është i njëjti mesazh i vjetër. “Rupert,” – thotë Marta, “borgjezia e të gjitha klasave të njerëzve ka arritur shkallën më të ulët të neverisë në rastin tënd. Një i babëzitur ka më tepër arsye sesa ti. Të paktën një i babëzitur i mallkuar nuk të afrohet me plumba të mbuluar me sheqer, siç thonë kinezët.” Ajo ka të drejtë.
***
Tym duhani, shi, apati. Çfarë mund të bëjë qytetari i shqetësuar për të luftuar lindjen e kapitalizmit në komunitetin e tij? Studimi i valëve të konfliktit dhe pushtetit në një sistem në të cilin ka një pabarazi strukturale është një detyrë e rëndësishme. Dija mbi historinë intelektuale evropiane që nga viti 1789 na jep një të kaluar të dobishme. Teoritë e informacionit na ofrojnë mundësi të reja interesante. Pasioni është i dobishëm, veçanërisht ato lloje pasioni që nuk janë të rregullta. Dyshimi është një parakusht për një veprim të plotkuptimshëm. Në fund të fundit frika është lëvizësi më i madh.
Përktheu: Agim Alia
NO COMMENT