Gazmend KRASNIQI
Kur shkrova Biblioteka e Babelit (atëherë isha një nga punonjësit e shumtë të një biblioteke të rëndomtë bashkiake të Buenos Airesit), aty kam përmendur edhe kërkimin e Librit të Librave: mbi ndonjë raft, mendohej se duhej të ekzistonte një libër që është çelësi dhe përmbledhja e përkryer e të gjithë librave: është një bibliotekar që e ka lexuar këtë libër dhe ai ngjan si perëndi. Qe propozuar një metodë prapavajtëse: për të lokalizuar librin A, shihej më parë libri B, që do të tregonte vendin e A-së; për të lokalizuar librin B, shihej më parë libri C dhe kështu me radhë deri në pafundësi.
Kur u bëra drejtor i Bibliotekës Kombëtare, i dhashë vetes të drejtë ta ripërtërija këtë ide para nëndrejtorit: sikur ta gjenim, në mënyrë që, kur ta kishim atë, të mos i trembeshim asgjëje për punën tonë në bibliotekë?
As që shikohej më si kërkesë: situata qe nën kontroll të plotë. Nëndrejtori (të cilin, kur punonim bashkë te biblioteka e vjetër, e mbaja mend për dy gjëra: për përfshirjen në përdhunimin e një lexueseje në banjat e bibliotekës dhe që më pat tundur para syve një enciklopedi, duke më thënë: ky këtu jo vetëm e paska emrin si ti, por edhe të njëjtën datë lindjeje), për të më bindur një herë e mirë se ndryshe nga unë (që isha emëruar dikur në sektorin e pulave e vezëve), nuk qe shkëputur nga biblioteka, një ditë më pas, me një zë të sigurt, më paraqiti relacionin çfarë e dëmton librin dhe masat e marra. Pasi më kujtoi se dëmtuesit e letrës janë biologjikë, fizikë, kimikë, më shpjegoi:
Bakteret janë mikroorganizma elementarë, në shumicën e rasteve njëqelizorë, me forma të ndryshme, me përmasa shumë të vogla dhe që shumëzohen shpejt. Gjenden në ujë, në tokë, në ajër dhe zhvillohen shumë në lagështirë. Bakteret kanë formë: sferike, shkopthore, të përdredhura, të lakuara. Në varësi se ku jetojnë, i kemi: 1. aerobe (jetojnë në prani të oksigjenit). 2. anaerobe (që jetojnë pa praninë e oksigjenit). 3. anaerobe facultative (që jetojnë me dhe pa praninë e oksigjenit). Dëmtimi i letrës nga bakteret dallohet nga krijimi i njollave të rrumbullakëta.
Kërpudhat kanë madhësi mikrometrike dhe rriten në ujë, në tokë apo në ajër. Zhvillohen për 4-7 ditë, kur kushtet janë të volitshme. Që të zhvillohen, u duhen: karboni, hidrogjeni, magnezi e rrallëherë gjurmë të zinkut e të bakrit. Kërpudhat zhvillohen në varësi të temperaturës (5-30 grade C), lagështisë (75%) dhe ph-it (4-9.5). Ato zhvillohen si në mjedise bazike ashtu dhe në ato acide. Dëmtimi nga kërpudhat paraqitet në formë të njollave me ngjyrë të zezë të mbyllur dhe ngjyrë të gjelbër të mbyllur.
Insektet janë organizma shumëqelizorë, të cilët jetojnë në vise të nxehta e me lagështi. Ato e dëmtojnë letrën në shumë pjesë si në sipërfaqe, në kopertinë apo në gjithë materialin. Për ta mbrojtur materialin nga insektet, duhet të njihen ato si për nga ndërtimi trupor, zhvillimi, mënyra e jetesës dhe ushqyerja. Temperatura optimale për zhvillimin e tyre është 25-30 gradë C. Insektet ushqehen me material organike, si celulozë, amido, albumina, sheqerna. Mund të numërojmë mbi 70 lloje insektesh.
Llojet e insekteve qe mund të dëmtojnë librin janë:
Troctes divinatoria mull, F. Psocidae (morri i librave) – insekt më i vogël se 1 milimetër, me ngjyrë të zbehtë, i cili lëviz shpejt dhe ngjason me morrin. Zhvillohet në vende të lagështa dhe të nxehta, por shpesh edhe në vende të ndriçuara dhe të ajrosura.
Lipisma saccharina (tenja e argjendtë) – insekt i vogël me gjatësi 8mm dhe ngjyrë të zbehtë. Ushqehet me ushqim me natyrë bimore dhe shtazore. Në atë mjedis ku zhvillohet, jeton gjatë gjithë jetës. Zhvillohet në kohë të nxehtë dhe drita nuk i pëlqen.
Lasioderma serricorne (krimbi i librave) – ushqimi i të cilit janë materialet organike si lëkura, ngjitësi, mielli, albuminat. Ai i vendos vezët afër lidhjes së librit ose në vijat e tij.
Blatta germanica – e vogël, me ngjyrë të murrme të zbehtë dhe dy vija në kraharor, zhvillohet në vende me lagështi dhe të nxehta.
Blatta orientalis – ka ngjyrë të murrme të mbylltë, ka krahë të ngushtë kraharor me ngjyrë të zbehtë me një njollë të mbylltë.
Periplaneta Americana – insekt i madh, me krahë të mëdhenj me ngjyrë të kuqërremtë në të mbylltë, me kraharorin me ngjyrë të zbehtë me një njollë të errët në qendër.
Termitet – insekte mjaft të rrezikshme, që zhvillohen në viset tropikale, por edhe në vendet me klimë të mesme. Ato jetojnë në bashkësi. Mbreti është vetëm një, kurse mbretëresha mund të ketë disa, që zëvendësojnë njëra-tjetrën. Ushqimi i tyre është celuloza dhe të gjitha prodhimet drunore.
Dermester lardarius – në pamje të parë, i vogël me ngjyrë të mbylltë me vijë të verdhë të zbehtë përgjatë gjysmës së sipërme të krahëve, meqë ushqehet me material me prejardhje shtazore, dëmton shumë kopertinat prej lëkure.
Brejtësit – ushqehen jo vetëm me ushqimet që përdorin njerëzit por edhe me letër, lëkurë, dru etj. Shumohen shpejt. Ato i dëmtojnë materialet, duke i brejtur qoftë për ushqim edhe për të përgatitur çerdhet.
Në prani të ndotësve atmosferikë, drita bën dobësimin e celulozës, të ngjitësve dhe materialeve prej lëkure. Drita shkatërron lidhjen e librit, ngjyrën, dobëson fijet e celulozës si dhe oksidimin e letrës. Në biblioteka ndriçimi është i pashmangshëm, ndaj duhet të përdoret ai ndriçim që është më pak i dëmshëm. Rekomandohet që në biblioteka të përdoret jo drita natyrale, por ajo artificiale. Hapësira ideale për ruajtjen e librave është ajo pa dritare ku ndriçimi është artificial. Në rastin kur hapësirat kanë shumë dritë, bëhet eliminimi i saj nëpërmjet: vendosjes së xhamave që i absorbojnë rrezet UV; ngjyrosjes së dritareve me ngjyra që janë absorbuese të rrezeve UV; vendosjes së roletave. Ekzistojnë disa lloje të ndriçimit artificial: llambat inkandeshente (lirojnë shumë më pak rrezatim UV, sesa ndriçimi floureshent, por prodhojnë më shumë nxehtësi përmes rrezeve infra të kuqe); llambat fluoreshente (prodhojnë rrezatim UV, por përdoren se lirojnë më pak nxehtësi dhe janë më ekonomike); llambat tungsten-halogjen.
Temperaturat e larta e bëjnë letrën të fortë dhe e vjetrojnë atë, prandaj temperatura optimale për ruajtjen më të mirë të materialeve bibliotekare është 14-20 gradë C. Matja bëhet me termometër.
Meqë lagështia nxit agjentët biologjikë, luhatjet e mëdha të saj sjellin deformime të letrës. Lagështia relative duhet të jetë 50-60%. Në rastet kur rritet lagështia e ajrit, ajrosja duhet të bëhet me ajër të thatë, ndërsa kur është i thatë, duhet të lahen dyshemetë.
Lagështia dhe temperatura mund të kontrollohen me ndihmën e pajisjeve për klimatizim. Në vendet pa klimatizim ajrosja duhet të bëhet përmes dritareve për 10-15 minuta, ndërsa në ato vende ku ka shumë lagështi të përdoren dehidrate (komponime kimike që thithin lagështinë si klorur kalciumi – CaCl2 – dhe silikageli).
Lagështia mund të matet me higrometër ose me termohigrograf.
Ajri duhet të qarkullojë normalisht në tërë sipërfaqen e librave dhe të mos përmbajë substance të dëmshme kimike dhe përzierje mekanike. Dioksidi i karbonit, dioksidi i squfurit, sulfuri i hidrogjenit, dioksidi i azotit dhe ozoni janë komponentë qe absorbohen lehtë nga letra. Duhet të tregohet kujdes nga pluhurat, sepse ato janë baza të zhvillimit të baktereve dhe mikroorganizmave, të cilët dëmtojnë letrën, prandaj, nëse ka mundësi, pluhuri duhet të shikohet në mikroskop, që të bëhet i mundur identifikimi i llojeve të tij dhe pastaj të bëhet shkatërrimi me dezinfektues.
Ndryshimet kimike në brendësi të letrës janë rezultat i shpërbërjes së komponentëve përbërës të letrës, të cilët janë të lidhur me procesin e prodhimit teknologjik dhe përbërjes së saj. Ky ndryshim quhet vjetrim i materialeve. Sulfati i aluminit Al2(SO2)3, i cili përdoret gjatë procesit teknologjik në prani të ujit, ku formohet acid sulfurik (H2SO4), i jep letrës karakter acidik dhe është një nga faktorët që kushtëzon qëndrueshmërinë e letrës. Klori (Cl2) që mbetet në letër nga procesi i zbardhjes kontribuon në forcimin e veprimit të degradimit të sulfatit të aluminit, i cili formon klorur aluminin (AlCl3). Ky i fundit, në prani të ujit dhe nxehtësisë, shndërrohet në acid klorhidrik HCl, i cili e dëmton letrën. Oksigjeni është tregues i mirë i pastërtisë nëpër biblioteka, kurse dioksidi i karbonit(CO2), dioksidi i squfurit (SO2) dhe ozoni (O3) e dëmtojnë shumë letrën.
Pastërtia luan një rol të rëndësishëm për ruajtjen. Duhet të pastrohen si dyert, dritaret, muret, poçet elektrike, radiatorët, pra gjithçka që ndodhet brenda hapësirave bibliotekare. Pastrimet bëhet me makina thithëse elektrike. Njihet edhe metoda e pastrimit me vakuum…
Këtu zëri i tij u ndërpre nga sirena e alarmit dhe dera pak e hapur e sillte atë në mënyrë irrituese: kaq e fortë qe.
Nëndrejtori e mbylli derën dhe u kthye të vazhdonte leximin.
Ishte e kotë: kishte rënë zjarr në fond dhe duhej t’ua lironim vendin zjarrfikësve. Në fakt, kishte kohë që tubat e ngrohjes e kishin sjellë erën e rëndë deri në zyrën time.
***
Djegia kishte ardhur nga kabllot elektrikë. Kishin pasur kohë të përzhiteshin, derisa sensorët e alarmit kapën tymin. Për shumë kohë qemë pre e medieve, të cilat donin të na kryqëzonin, megjithëse u përpoqëm ta bindnim se biblioteka është aq e madhe sa çdo gjymtim me origjinë njerëzore nuk mund të jetë veçse i papërfillshëm.
Po gjithë kjo e keqe për mua pati një të mirë: tashti, nëndrejtori nuk më bënte zë edhe kur kërkoja Librin e Librave në raftet më të parëndësishme. Edhe kur më ndiqte nga pas, nuk e hapte gojën. Fati i tij, apo fati im, qe se nuk më kishte lexuar ndonjë nga librat.
Siç kisha thënë më parë: po të kishte një udhëtar të përjetshëm që do ta përshkonte shekujt në një drejtim të çfarëdoshëm, më në fund, do t’i mësonin se të njëjtat vëllime përsëriten gjithmonë në të njëjtin çrregullim që, i përsëritur, do të bëhej një rregull: Rregulli. Mbase atje duhet filluar kërkimi i vërtetë.
Vetmia ime ngushëllohej me këtë shpresë të hijshme.
NO COMMENT