LETËR

Poetry day vector greeting banner. Paper texture

LETËR

Me rastin e 21 Marsit, shpallur si Dita e Poezisë nga UNESCO, po bëj publike një letër të poetit laureat RUDOLF MARKU, për vëllimin tim të ri poetik Antipoezi, e cili do ta shohë ditën e botimit së afërmi.

I jam mirënjohës që e shfletoi këtë libër me shumë sqimë, kompetencë dhe sy të rreptë kritik.

GAZMEND KRASNIQI

I dashur Gazmend,

Le ta themi që në fillim, sa kohë që fillimi ynë është fundi ynë (në stilin Eliotian): libri yt është nga ata që provon fund e krye shkëputjen e poezisë shqipe nga amatorizmi zyrtar, nga mykja tradicionaliste folklorizante, nga euforizmi mendjelehtë provincial dhe nga vetëkënaqësia mediatike e hosanave.

Kam lexuar një libër që sjell seriozitetin hijerëndë të poezisë, Poezinë si një sublimim të shpirtit, të mendimit metafizik, bashkuar me dijen, vuajtjen dhe pasiguritë ekzistenciale, përmes preokupimit te madh për Poezinë dhe Shkrimësinë, por dhe për përditshmërinë që është një grimcë neutrone e përjetësisë.

Strukturim i librit është bërë me përpikëri: ndarë në gjashtë cikle të hapura – aq sa të lejojnë poezitë e një cikli të komunikojnë me poezitë e cikleve të mëparshme apo me poezitë që do të vijnë më pas. Ndarë në cikle, Libri është gjithashtu një Unitet estetik dhe formal.

Te  cikli Cantikum që përmban, për mendimin tim, dhe peshën kryesore të librit – do të përfshija si poezitë më te mira të gjitha poezitë që janë aty.

Do të shënoja si poezi që më kanë dhënë kënaqësi dhe trazim gjatë leximit: S’isha shembulli më i mirë, Masa e poetit (kanë hapur një gropë melankonie të heshtur), Shkruar në të ardhmen – poezi që ka një sintaksë dhe intonacion thellësisht modern – Tashti që barbarët nuk erdhën, Gjuha e Zotit, Nuk kam qenë i çmendur, Vdekja në verë dhe Odisea, XXV.

Shkruar në një sintaksë dhe intonacion thellësisht modern janë, për mendimin tim, poezitë: Nëse dimë çdo gjë; Thua se di se çfarë po bën me fatin; Lëvdatë për milingonën dhe, sidomos, Gjuha e Zotit.

Mund të ndodhë që mendimi e ngjesh frymën poetike aq fort, sa ta shndërrojë poezinë në një masë të ngurtë, dhe atëherë humbet shkriftësia poetike (humbasin  spontaniteti dhe ndjeshmëria). Poezia e mendimit, ajo që është quajtur që në fillimet e shekullit të shkuar Poezi metafizike, rrezikon përherë t’ia hajë hakun ndjeshmërisë dhe spontanitetit poetik, duke e kthyer poezinë në një si traktat estetik. Ke qenë vazhdimisht nën këtë rrezik të mundshëm, mirëpo te poezia Natë ngjeshja me shkriftësimin balancohen në një ekuilibër të admirueshëm. Po ky ekuilibrim gjendet te poezitë Po unë? – një poezi ekzistencialiste, shkruar si monolog dramatik – të cilën e ka shpëtuar sinqeriteti që shkon deri tek fijet e padukshme të saj, si dhe te Filmi ynë apo Kur vjen mbrëmja.

Te cikli Ars Poetica do të veçoja poezinë Në vdekjen e një poeti. Aty më pëlqejnë shumë poezitë Një gjeth në bibliotekë dhe (Prapë) Ars Poetica, po aq sa më pëlqejnë te cikli Anno Domini poezitë Breaking News, Pas shiut, Kuadër dimri  dhe te cikli Ars Amatoria, veçanërisht, të dyja poezitë e para Ars amatoria, (Prapë) Ars amatoria, si dhe Lifestyle. Ndërsa te cikli Genesis më kanë prekur shumë poezitë për Shkodrën, sidomos Murimi dhe Gjërat siç janë. Për një asosacion të largët, ato më kujtuan disa poezi të hershme të mikut tim, Frederik Reshpjes, tek libri i tij i parë, Rapsodi shqiptare, por të shkruara me një bindje më të thellë të shprehjes së poezisë moderne.

Te poezitë për Shkodrën do të veçoja: janë shkruar mbështjellë me një gegnishte te përpunuar dhe të zotëruar bindshëm, duke i shpëtuar asaj që jo rrallë përdoret si një mënyrë arrogante imponimi, si dekoracion etnografik dhe jo si pjesë organike e shprehjes së frymës poetike.

Cikli Poesia et narratus është origjinal.

I gjithë libri yt rreshtohet në ata pak libra poetikë që dëshmojnë evoluimin e Poezisë së sotme shqipe në përpjekjen e suksesshme të afrimit të kësaj poezie më poezinë më të mirë botërore që shkruhet sot (edhe kjo vetë e paktë, siç dhe i shkon qoftë dhe vetë poezisë së mirë botërore të jetë). Këtë libër do ta mbaja në bibliotekën time, krahas me ato pak libra poetikë të cilët i lexoj sa herë që të ndjej mall të lexoj libra të mirë.

Të uroj në mënyrën më të sinqertë për këtë libër që flet me autoritetin e një poeti erudit dhe origjinal!

Përgëzime!

Rudolf Marku


Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.