READING

Letër elefantit

Letër elefantit

Foto ilustruese

Romain GARY

Mars 1968

Zoti dhe i shtrenjti elefant,

Do pyesni veten, pa dyshim, duke lexuar këtë letër, se ç`e ka ngucur atë që ka mundur t`i shkruaj një specimeni zoologjik thellësisht i shqetësuar për të ardhmen e llojit të tij. Instinkti i mbrojtjes, i tillë është, sigurisht ky motiv. Qysh prej fort kohësh tashmë, kam ndjesinë se fatet tona janë të lidhura. Në këto ditë të rrezikshme “të ekuilibrit ndaj terrorit”, masakrash e përllogaritjesh dijetarësh për numrin e njerëzve që do t`i mbijetojnë një holokausti bërthamor, a nuk është më se e natyrshme që mendimet e mia të vërtiten rreth jush.

Në sytë e mi, zoti dhe i shtrenjti elefant, shpaloni në përsosmëri gjithçka sot është e kërcënuar nga zhdukja në emër të progresit, të dobisë, të materializmit të plotë, të një ideologjie ose madje një shkaku se një farë përdorimi abstrakt e jo njerëzor i arsyes dhe logjikës po bëhet përherë e më shumë bashkëpunëtor i çmendurisë sonë vrastare. Duket sheshit sot që jemi sjellë kaq thjeshtë kundrejt llojeve të tjera, dhe suajës në veçanti, sa jemi në pikën e të bërit të njëjtën gjë vetes. Në dhomën e një fëmije, ka afro një gjysmë shekulli, që jemi takuar për herë të parë. Kemi ndarë gjatë disa viteve të njëjtin shtrat dhe nuk flija kurrë pa puthur noçkën tënde, përsëri pa ju shtrënguar fort në krahët e mi gjersa një ditë nëna ime të mori duke thënë, jo pa njëfarë mungese logjike, që tani e tutje isha një djalë shumë i madh për të luajtur me një elefant. Do gjente pa dyshim psikologë për të pretenduar që « fiksimi » për elefantët po shkonte më larg me këtë ndarje të mundimshme, dhe që dëshira ime për të ndarë shoqërinë tuaj është në fakt një formë nostalgjie për fëmijërinë dhe pafajësinë time të humbura. Dhe është shumë e vërtetë që në sytë e mi jeni simbol pastërtie dhe ëndrre naive, ai i një bote ku njeriu dhe kafsha do të jetonin paqësisht bashkë.

Disa vite më vonë, diku në Sudan, jemi takuar rishtë. Po kthehesha nga një mision bombardues sipër Etiopisë dhe ula avionin në gjendje të mjerueshme në jug të Khartumit, në bregun perëndimor të Nilit. Kam ecur tri ditë para se të gjej ujë për të pirë, çka e pagova me një tifo që desh më kushtoi jetën. Ju m`u shfaqët përmes disa çiçibanozësh të hollë dhe e kam besuar veten viktimë të një haluçinacioni. Ngaqë ishit i kuq, një e kuqe e errët, nga noçka tek bishti, dhe pamja e një elefanti të kuq duke gërhirë i ulur në të pasmet e tij, bënë të më kreshpërohen leshrat e kokës. Ej po ! ju gërhisnit, kam mësuar qysh atëherë që kjo gjëmimë e thellë është tek ju shenjë kënaqësie, çka më la të hamendësoj që lëkura e pemës që po hanit ishte veçanërisht e shijshme.

M`u desh pak kohë të kuptoj se nëse ishit i kuq, kjo ngaqë ishit zhgërryer në baltë, çka do të thoshte që afër kishte ujë. Përparoja ngadalë dhe atë çast vutë re praninë time. Ngritët veshët dhe koka juaj u shfaq atëherë e trefishtë nga vëllimi, ndërsa trupi juaj, i ngjashëm me një mal zhdukej prapa këtij veli të ngritur papritur. Mes jush dhe meje, largësia nuk i kalonte njëzet metrat, dhe jo vetëm munda t`i shoh sytë e tu, por qeshë dhe shumë i ndjeshëm ndaj shikimit tuaj që më shkoi nëse mund ta them, si drejt e në stomak. Ishte vonë tashmë për t`ia mbathur. E mandej, në gjendjen e rraskapitjes ku gjendesha, temperatura dhe etja fituan mbi mua. Hoqa dorë nga lufta. Kjo më kishte ndodhur shpesh herë gjatë luftës : mbyllja sytë, duke pritur vdekjen, çka më ka vlejtur çdo herë një dekoratë dhe një zulmë trimërie.

Kur hapa përsëri sytë, ju flinit. Mendoja që nuk më kishit parë ose më keq më kishit dhënë një goditje me shikim para se t`ju kishte zënë gjumi. Çfarëdo që të jetë, ju ishit aty; noçkën të plogësht, veshët të shembur në tokë, qepallat të ulura dhe, mbaj mend, sytë e mi u mbushën me lot. Qeshë i pushtuar nga dëshira pothuaj e parezistueshme për t`ju afruar, për të shtypur noçkën tënde për trupit tim, për të më shtrënguar për lëkurës tuaj dhe mandej aty, mirë në strehë, të dremisja qetë. Një ndjesi nga më të çuditshmet më pushton. Ishte nëna ime, e dija, që ajo ju kishte dërguar. Ishte lodhur më në fund së mallëngjyeri dhe ju më ishit kthyer.

Bëra një hap në drejtimin tuaj, mandej një tjetër… Për një njeri kaq thellësisht të rraskapitur siç isha unë atë çast, dilte nga masa juaj e madhërishme, e ngjashme me një shkëmb, diçka çuditërisht qetësuese. Isha i bindur që po t`ia dilja t`ju prekja, t`ju përkëdhelja, të mbështetesha tek ju, do të më përçonit pak nga forca juaj jetësore. Ishte njëra nga ato orët ku një njeri ka nevojë për kaq shumë energji, kaq shumë forcë sa i ndodh t`i kërkojë ndihmë Zotit. Nuk kam qenë kurrë i aftë ta çoj shikimin tim aq larg, jam ndalur gjithmonë tek elefantët.

Isha shumë afër jush kur bëra një hap dhe rashë. Atëherë toka u drodh nën këmbët e mia dhe gurgulja më e frikshme se do ta bënin njëmijë gomerë duke pëllitur njëherësh mpaku zemrën time në gjendjen e karkalecit rob. Në fakt, ulurija, unë gjithashtu dhe në vrumbullimat e mia ishte krejt forca e tmerrshme e një foshnje dymuajshe. Me të shpejtë më pas, m`u desh të luftoj pa reshtur me hungurima tmerri, të gjitha rekordet e lepujve të vrapit. Dukej mirë e bukur që një pjesë e fuqisë tuaj ishte futur në gjakun tim, ngaqë kurrë njeri gjysmë i vdekur nuk është kthyer kaq shpejt në jetë për t`ua krisur këmbëve kaq shpejt. Në fakt, ia mbathnim të dy por në drejtime të kundërta.

Largoheshim njëri-tjetrit, ju duke lëshuar britma elefanti, unë duke hungëruar, dhe meqë kisha nevojë për të gjithë energjinë time, nuk ishte puna të kontrolloja të gjithë muskujt, por kalojmë më sipër, po të doni. E mandej, çfarë, një akt trimërie ka ngandonjëherë nga këto pasojat psikologjike. Mbi të gjitha, a nuk ia kisha kallur frikën një elefanti?

Nuk jemi takuar kurrë më dhe megjithatë në ekzistencën tonë të gënjeshtërt, të kufizuar, të kontrolluar, të listuar, të shtypur, jehona e hapit tënd të parezistueshëm, të rrufeshëm, përmes hapësirave të pamata të Afrikës, nuk resht së më mbrrituri dhe zgjuar brenda meje një nevojë pështjellimi. Kumbon triumfalisht si fundi i nënshtrimit dhe skllavërimit, si jehonë e kësaj lirisë së pafundme që nuk i ndahet shpirtit tonë qyshkur ai qe shtypur për herë të parë.

Shpresoj që të mos shihnit mungesë respekti nëse ju pohoj që shtati juaj, forca juaj dhe frymëmarrja juaj e zjarrtë për një ekzistencë pa pengojcë ju bëjnë plotësisht anakronik. Gjithashtu ju shohim si të papajtueshëm me epokën e sotme. Por për të gjithë ata mes nesh që u kallet krupa nga qytetet tona të ndotura dhe mendimet tona më të ndotura ende, prania juaj kolosale, mbijetesa juaj, duke kapërcyer të gjitha vështirësitë, veprojnë si një mesazh ngushëllues. Ende nuk ka humbur gjithçka, shpresa e fundit për liri nuk është zhdukur ende plotësisht nga kjo tokë, dhe kushedi ? nëse ndalemi së shkatërruari elefantët dhe i ndalojmë të zhduken, mbase do ia dalim njëlloj të mbrojmë llojin tonë të vërtetë kundër ndërmarrjeve të shfarosjes.

Nëse njeriu tregohet i aftë për respekt ndaj jetës në formën më të mrekullueshme dhe më të mërzitshme – mos u trishtoni, mos u trishtoni, mos i tundni veshët e mos e ngrini noçkën me zemërim, nuk kisha qëllim t`ju lëndoja – atëherë mbetet një mundësi që Kina të mos jetë në dijeni të së ardhmes që na pret, por që individi, ky përbindëshi tjetër parahistorik i mërzitshëm dhe i padrejtë, t`ia dalë në një formë a një tjetër të mbijetojë.

Ka disa vite, kam takuar një Francez që ishte i përkushtuar, kokë e këmbë, mbrojtjes së elefantit të Afrikës. Diku, në detin e blertë, me dallgë, të asaj tokës që mbante atëherë emrin e vendit Çad, nën yjet që duken gjithmonë se shkëlqejnë me më shumë xixëllim kur zëri i njeriut arrin të shkojë më lart se vetmia e tij, më thotë: “Qentë, nuk janë të mjaftueshëm. Njerëzit nuk janë ndjerë kurrë më të humbur, më të vetmuar se sot, ju duhet shoqëri, një miqësi më e fuqishme, më e sigurt se të gjitha këto që kemi njohur.

Diçka që të mundë realisht të rezistojë. Qentë, nuk janë më të mjaftueshëm. Ata që na duhen, janë elefantët”. Dhe kushedi ? Do të na duhet mbase të kërkojmë një shoqëri pafund më të rëndësishme, më të fuqishme ende…

Shoh pothuaj një dritë ironike në sytë tuaj në leximin e letrës time. Dhe pa dyshim tundni veshët me mosbesim të thellë për çdo fjalë që vjen nga njeriu. Nuk jua kanë thënë kurrë që veshi juaj ka pothuaj formën e kontinentit afrikan ? Masa juaj gri e ngjashme me një shkëmb zotëron deri në ngjyrë dhe aspektin e tokës, nënës tonë. Qerpikët tuaj kanë diçka të panjohur që të bën pothuaj të mendosh për ato të një vajze, ndërsa të pasmet tuaja u ngjajnë atyre të një këlyshi qeni të përbindshëm.

Gjatë mijëra viteve, ju kemi vrarë për mishin dhe fildishin tuaj, por është njeriu modern që ka pasur idenë për t`ju vrarë për kënaqësi të tij dhe ju bërë trofe. Gjithçka brenda nesh që është frikë, padrejtësi, dobësi e pasiguri duket se gjen ndonjë ngushëllim neurotik te vrasja e më të fuqishmes së të gjitha krijesave tokësore. Ky akt falas na siguron këtë lloj sigurie « burrërore » që hedh një dritë të çuditshme mbi natyrën e burrërisë tonë.

Ka njerëz që, sigurisht, pohojnë që ju nuk shërbeni për gjë, që ju rrënoni të korrat në një vend ku bën kërdinë uria, që njerëzimi ka tashmë mjaft probleme mbijetese me të cilat duhet të merret pa shkuar e ngarkuar dhe me atë të elefantëve. Në fakt, ata ngulmojnë që ju jeni një luks që nuk mund t`ia lejojmë më vetes.

Ky është pikërisht lloji i argumentit që përdorin regjimet totalitariste, nga Stalini tek Mao, duke kaluar nga Hitleri, për të treguar që një shoqëri vërtet racionale nuk mund t`ia lejojë vetes luksin e lirisë individuale. Të drejtat e njeriut janë, ato gjithashtu, lloje elefantësh. E drejta e të qenit me një mendim kundër, për të menduar lirisht, e drejta për t`i rezistuar pushtetit dhe për ta kundërshtuar, këto të fundit janë vlera që shumë lehtësisht mund t`i ndalosh dhe shtypësh në emër të fitimit, prodhimtarisë, « interesave të larta » dhe racionalizmit integral.

Në një kamp përqendrimi në Gjermani, gjatë luftës së fundit botërore, ju keni luajtur, zoti dhe i shtrenjti elefant, një rol shpëtimtari. Të mbyllur prapa telave me gjemba, miqtë e mi mendonin për tufa elefantësh që përshkonin me një zhurmë bubullime fushat pa fund të Afrikës dhe pamja e kësaj lirie të gjallë dhe të parezistueshme ndihmoi ata të kampit të përqendrimit të mbijetojnë. Nëse bota nuk mund më të ofrojë luksin e kësaj bukurie natyrore, kjo ngaqë nuk do vonojë të vdesë në shëmtinë e vet dhe kjo e fundit do ta shkatërrojë… Për vete, ndjej thellë që fati i njeriut, dhe dinjiteti i tij, janë në lojë çdo herë që mrekullitë tona natyrore, oqeane, pyje apo elefantë, janë të kërcënuar nga shkatërrimi.

Të mbetesh njeri duket ngandonjëherë një punë pothuaj dërrmuese : e megjithatë, na duhet të marrim mbi supe gjatë ecjes tonë rraskapitëse drejt të panjohurës një peshë shtesë : atë të elefantëve. Nuk vihet në dyshim që në emër të një racionalizmi absolut do duhej t`ju zhduknim, me qëllimin për t`i lejuar vetes pushtimin e të gjithë vendit në këtë planet të mbipopulluar. Nuk vihet në dyshim jo më se zhdukja juaj do të shënojë fillimin e një bote të bërë krejtësisht për njeriun. Por më lejoni t`jua them këtë, miku im i vjetër : në një botë të bërë krejtësisht për njeriun, ka shumë mundësi të mos kishte më vend në të për njeriun. E gjitha çfarë do të mbetet nga ne, do të jenë ca robotë. Nuk do t`ia dalim kurrë krejtësisht ta kthejmë veten në veprën tonë. Jemi të dënuar përjetësisht të varemi nga një mister që as logjika as imagjinata nuk mund ta tejshkojnë dhe prania juaj mes nesh ngjall një fuqi krijuese të cilën nuk e kuptojmë me fjalët shkencore apo racionale, por vetëm me fjalët ku futen brendi, shpresë dhe nostalgji. Jeni pafajësia jonë e fundit.

E di shumë mirë që duke mbajtur anën tuaj – po a nuk është krejt thjesht e imja ?- si vdekja do të cilësohem konservator, madje reaksionar, « përbindësh » duke i përkitur një tjetër ndjellje parahistorike : asaj të liberalizmit. E pranoj me dëshirë këtë etiketë në një kohë ku mjeshtri i ri i mendimit të rinisë franceze, filozofi Michel Foucault, lajmëron se nuk është vetëm Zoti që ka vdekur përgjithmonë, por vetë Njeriu, Njeriu dhe Njerëzimi.

Kështu, zoti dhe i shtrenjti elefant, që do ta gjejmë veten, ju dhe unë, mbi të njëjtën anije, të shtyrë drejt harrimit nga e vetmja erë e fuqishme e racionalizmit absolut. Në një shoqëri, vërtet materialiste e realiste, poetët, shkrimtarët, artistët, ëndërruesit dhe elefantët nuk janë tjetër veçse bezdisës.

Më kujtohet një këngë e vjetër që këndonin varkëtarët e lumit Shari në Afrikën qendrore.

Do vrasim elefantin e madh

Do hamë elefantin e madh

Do hyjmë në barkun e tij

T`i hamë zemrën dhe mëlçinë…

[..] Më besoni miku im i denjë.

Solli në shqip: Anila Xhekaliu

 

 

 

 


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.