Lu Xun
Lamtumira e Hijes
Nëse bie në gjumë deri në atë pikë saqë nuk vetëdijësohesh për kalimin e kohës, hija juaj mund të vijë për të të lënë lamtumirën me këto fjalë:
“Ka diçka që nuk më pëlqen në parajsë, nuk dua të shkoj atje. Është diçka që nuk më qetëson as në ferr, nuk dua të shkoj as atje. Është diçka që nuk më pëlqen në botën e ardhshme të artë. Nuk dua të shkoj.
Je pikërisht ti, ai që nuk më pëlqen.
O mik, nuk do të të ndjek më. Unë nuk dua të qëndroj këtu.
Nuk dua!
Ah.. jo, nuk dua, më mirë do të endem pa qëllim.
Unë jam vetëm një hije. Më duhet të të lë dhe të fundosem në errësirë. Edhe pse errësira do të më gëlltisë, drita do të më bëjë të zhdukem.
Sidoqoftë, nuk dua të endem midis dritës dhe errësirës, më mirë të zhytem në errësirë.
Por tekefundit unë shkoj duke u endur pa qëllim midis dritës dhe errësirës, pa e ditur nëse është muzg apo agim.
Do të pretendoj të pi një gotë verë me dorën time gri të errët, do të endem larg i vetëm, deri sa të humb kontrollin e kohës.
Ah! Nëse është muzg, nata e errët do të më gllabërojë ose do të firosem nga dita nëse është agim.
Oh mik, koha po afrohet!
Do të endem pa qëllim në errësirë.
Ju jeni akoma duke pritur një dhuratë nga unë. Çfarë mund t’ju ofroj atëherë? Si gjithmonë, vetëm errësira dhe zbrazëtia janë ato që ngelin.
Por unë uroj që të jetë vetëm errësirë, ndryshe do të anullohesha nga drita e ditës suaj;
Unë uroj që të jetë thjesht bosh dhe mos ta pushtojë zemrën tënde.
Kjo është ajo që shpresoj, mik.
Unë shkoj larg vetëm, jo vetëm pa ty, por edhe pa asnjë hije tjetër në errësirë.
Vetëm unë jam fundosur nga errësira, bota i përket plotësisht vetvetes sime.”
24 Shtator 1924
Përktheu nga gjuha kineze Ardita Osmani
NO COMMENT