Qyteti i engjëve – fragment romani

Ne imazh: Foto ilustruese

Krista VOLF

Fragment nga romani “Qyteti i engjëve”

 

“Kujtimet e vërteta duhet të shërbejnë jo aq
për të kumtuar sesa për të dhënë me saktësi
vendin ku hulumtuesi i ka përftuar.”

Valter Benjamin:

“Të rrëmosh e të kujtosh”

S’mund ta harroj një banket të dhënë në një kolkoz sovjetik për nder të një delegacioni nga RDGJ-ja, kur, në tryezën e shtruar me të gjitha të mirat, ndër dollitë e pasosura që ngriheshin për shëndetin, për lumturinë e për mirëqenien e të gjithëve, nuk liheshin pa u përmendur, por asnjëherë me ton akuzues, djali partizan që ishte pushkatuar nga gjermanët, vëllai që ishte vrarë në luftë, familja fqinjë që ishte shfarosur e tëra. Dhe, kur kryetarin e delegacionit tonë, një komunist i vjetër që e pati përftuar forcën e vet të karakterit në luftën e klasave gjatë viteve njëzet dhe e pati dëshmuar në burg e në ilegalitet, kurse më pas qe bërë funksionar i lartë tmerrësisht mendjeshkurtër, e kapën gulçima të qari në çastin kur deshi t’u përgjigjej dollive të rusëve.
Po ashtu për arsye të kësaj skene e pate vështirë të duroje inatin dhe armiqësinë e tij kur e deshi puna ta kundërshtoje ashpër e në mënyrë parimore. U ngrit e të bërtiti duke thënë se të mbante mbërthyer prejardhja jote mikroborgjeze, se tek ti spitullimet humanitare kishin zënë vendin e qëndrimeve klasore, se ai kishte pësuar një zhgënjim të hidhur prej teje, dhe se nuk duhej të prisje zemërgjerësi prej tij. Atëherë mendove për kohën e tij si luftëtar i rezistencës dhe për kohën tënde në radhët e rinisë hitleriane dhe pate aq shumë dëshirë që pikëpamjet tuaja të kundërta lidhur me atë që ishte e dobishme “për ne” të mos ju largonin akoma më tepër nga njëri-tjetri.
Po i rrije përballë në këmbë te zyra e tij e stërmadhe, ku pate hyrë me një lejekalim dhe pas një kontrolli të imët nga rojat e armatosura, që të kishin ndjekur me sy vigjilues gjer tek ashensori, ndërsa shokë të tyre po ashtu të armatosur po të prisnin tashmë në katin e sipërm, që ta krahasonin edhe një herë letërnjoftimin tënd me lejekalimin e të të tregonin më pas rrugën nëpër korridore të shkreta e të pafund dhe nëpër një sërë paradhomash që s’mund të thuash se nuk të lanë mbresë.

Pse u duheshin tërë këto masa, nga u vinte tërë ajo frikë, tërë ajo paranojë përballë një populli që u kishte sjellë aq shumë telashe, dhe tani sundonin pjesën më të vogël të tij? Ishin të detyruar të sundonin pa u çliruar dot kurrë nga mosbesimi ndaj tij. Të kaploi një frikë e akullt, që s’do të kishe qenë në gjendje ta shprehje me fjalë.
Në atë rast ishte puna për një libër që pate shkruar dhe që ai shoku me pozitë të lartë s’do ta lejonte të botohej, sepse e quante të dëmshëm. E kishe për zemër këtë libër, ai qe prova nëse mund të jetoje ose jo edhe më tej në atë vend. Atëherë shoku me pozitë të lartë nisi të bërtiste.

Që të dy e dinit se bëhej fjalë për çështje parimore. Pastaj ai foli me një ton të ftohtë, kurse ti me një ton që shprehte dëshpërim. U ndatë pa u pajtuar me njëri-tjetrin, dhe, ndërsa po ecje nëpër rrugën e gjatë gjer te dera, u plandose përtokë dhe, kur erdhe në vete, sipër teje kishe fytyrën e tmerruar të tij.

Përktheu: Aristidh RISTANI

(Christa Wolf: “Qyteti i engjëjve”, Titulli i origjinalit: “Stadt der Engel oder The Overcoat of Dr. Freud”, Roman, Botimet “SANTORI”, Tiranë 2014, 450 faqe)

Shënim: Romani i ri madhor dhe njëherazi vepra e fundit e shkrimtares së njohur gjermane Krista Volf me titull “Qyteti i engjëjve ose The Overcoat of Dr. Freud”, libër që autorja i ka kushtuar dhjetë vjet të veprimtarisë së vet letrare, pasqyron jetën e saj lidhur me çaste vendimtare të historisë gjermane. Në këtë roman përshkruhet qëndrimi nëntëmujor i Krista Volfit në Los Anxhelos, me ftesë të Fondacionit Getty (Getty Center), në fillim të viteve nëntëdhjetë.

Qëndrimi disamujor i autores në këtë qytet amerikan përkon me një krizë të thellë në jetën e saj, atëherë kur, si pasojë e hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit (Shtazi) të ish-Gjermanisë Lindore, u zbulua se shkrimtarja, përveç faktit që ishte survejuar e spiunuar prej tij gjatë më se tridhjetë vjetëve, sepse quhej si zë kritik e shqetësues, më përpara, nga viti 1959 gjer në vitin 1962, pati bashkëpunuar me të në mënyrë jozyrtare.

Gjatë qëndrimit në Los Anxhelos, autores i mbërrijnë njoftime rreth fushatës së bujshme që kishte shpërthyer kundër saj në shtypin gjerman, fushatë që pak nga pak ajo s’është në gjendje më ta shpërfillë. Kësisoj, sikurse vë në dukje kritika, libri shndërrohet në një sprovë për të rindërtuar etapat e ngjizjes së një ideje të drejtësisë sociale që vë në qendër të vet qenien njerëzore, dhe në të njëjtën kohë në një përsiatje të kthjellët lidhur me kujtesën e me harresën: “Si munda ta harroja?” është pyetja rreth së cilës vërtitet autoanaliza e tregimtares në vetën e parë, një autoanalizë që shquhet nga një çiltërsi mbresëlënëse, e cila nuk shndërrohet asnjëherë në shfryrje ose në dhënie llogarie.

Romani “Qyteti i engjëjve ose The Overcoat of Dr. Freud” i shkrimtares Krista Volf, qysh nga viti 2010, kur u botua për herë të parë në origjinalin gjermanisht, është përkthyer tashmë në 22 gjuhë të ndryshme të botës.


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.