READING

Kërkime rreth funksionimit të sistemit letrar

Kërkime rreth funksionimit të sistemit letrar

Në foto: Dr. Gazmend Krasniqi

Flet Gazmend Krasniqi, studiues, poet dhe prozator për gazetën MAPO

Cili është për ju romani më i mirë i të gjitha kohërave?

Nuk besoj se ka një roman më të mirë se gjithë të tjerët. Në kohë të ndryshme, kthehesh te disa prej tyre. Faulkner, Rulfo, Flober, Servantes, Prust, Joyce, Anton Pashku… Pastaj, të gjithë këta emra, si dhe disa të tjerë, vendosen në një renditje tjetër. Jam shumë i tërhequr (këtu është një listë tjetër me emra) pas arritjeve më të mira – sipas meje – të prozës postmoderne.

Them, sipas meje, sepse jo çdo libër që merr etiketën postmoderne shkëlqen si letërsi. Këtu fus edhe librin “Emri i trëndafilit”, i shkruar nga një burrë shumë i ditur si Umberto Eco. Me libra të tillë më tepër shfrytëzohet letërsia, për hir të shitjes me çmim më të lirë të disa ideve të caktuara, sesa bëhet letërsi. Gjithsesi, i lexojnë miliona njerëz, dhe mbahet gjallë leximi. Po letërsisë vetë i mbeten ata libra që ia kanë përcaktuar dinamikën e brendshme. Fati i tyre është në dorën e studimeve të holla dhe shijes së orientuar drejt. Kjo është sfida.

Cilat janë për ju tregimet më të parapëlqyera të të gjitha kohërave?

Tregimet me frymë borgesiane. Këto tregime nuk janë shkruar të gjitha pas Borges-it: Borges-i ka edhe paraardhës. Nga vetë Borges-i del një listë e gjatë me tituj. Edhe në letërsinë tonë gjejmë tregime të mira apo tregimtarë tipikë. Ndryshe nga ç’kam bërë me antologjitë e poezisë, më vjen keq që nuk jam marrë me një antologji të tregimit tonë. Të ardhmes nuk i dihet. Më intrigon.

Cilët ndër ata që merren me letërsi artistike, eseistë, kritikë, gazetarë apo poetë, quani si shkrimtarët më të mirë sot për sot?

Letërsia është një zar i hedhur. Në kuptimin, është një zanat që nuk mësohet kurrë. Çdo libër i ri nis ndryshe. Ky është njeriu i letrave që më pëlqen. Kjo që them unë, nuk është gjëja që nxirret sot në vitrinë, por është gjëja e vetme që do të mbetet për një letërsi. Nëse do ta ndihmonim të binte në sy, koha do të na bekonte. Revistat e specializuara këtë qëllim kanë: duhet të ndajmë ç’është tregu nga ç’është arti.

Përcaktimi i shkrimtarëve të mirë vjen ngadalë, duke u zhveshur vazhdimisht nga interesat jashtë-artistike, të cilat janë tundime të mëdha për gjithkënd. Një “boom” në art, thotë Baudelaire-i, përbëhet nga disa “boom-e” më të vogla, të cilat nuk janë vënë re më parë.

Çfarë gjinie letrare ju pëlqen të lexoni? Dhe çfarë nuk lexoni?

Mezi pres të lexoj poezi të mirë. Pastaj, prozë jo shumë të gjatë. Kur kemi të bëjmë me Faulkner, gjithsesi duhet ta çosh deri në fund. Megjithëse vritet përditë nga komercialja, edhe te ne hyn apo prodhohet letërsi e mirë. Përpiqem ta ndjek procesin. Dhe çfarë nuk lexoj? Kam frikë se për mbi 95% të asaj që hyn nga jashtë, ose prodhohet në vend, nuk kam asnjë interes.

Jemi një gjuhë e vogël, nuk kemi pse ta përmbytim kështu. Por botuesit jo vizionarë duan të fitojnë me çdo mënyrë. Politikat kulturore duhet të ndihen më shumë, por shteti nuk ka nge: hëpërhë shkrimtarët nuk i duhen. Nuk i përdor dot. Janë të tjera personazhe që mund të përdoren. Por mos harroni se jemi gjuhë e rrezikuar: sipas atyre që bëjnë statistika, pritet që popullsia që e flet atë të zvogëlohet për ditë, ndërsa mekanizmat shtetërorë shpesh arrijnë të shohin e propagandojnë vetëm pjesën bulevardeske të kulturës.

Çfarë librash mund të na befasojnë po t’i gjejmë në raftet tuaja?

Në raftet e mia ka gjëra që janë futur me vetëdije të plotë. Secili libër e ka kryer një shërbim te unë. Qoftë edhe për mënyrën se si nuk duhet shkruar. Sidomos, se si nuk duhet shkruar. Shumë prej tyre më ndihmojnë për qëllime studimore e referenciale. Do të isha kureshtar ta dija se cilët befasojnë, po të besojmë, siç thuhet, se librat janë vetë njeriu.

Kush është heroi ose heroina juaj imagjinare e parapëlqyer?

Te librat e mi është ai që rropatet për të vënë pak rregull mes historisë dhe fiksionit. Kjo e mban në këmbë një prozë të mbajtur në dorë për vite të tëra, si “Trilogjia e Shkodrës”. Besoj se edhe për shumë kohë, do të mbetet i rëndësishëm për mua. Është tipike e postmodernes, asaj që përcakton epokën tonë.

Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj? Cilët ishin librat dhe autorët tuaj të parapëlqyer?

Në fillime, lexoja çfarë më binte në dorë. Për fat, në kohën time, ende nuk luante rol mbytës përcaktimi “letërsi për fëmijë”. Pjesa më e madhe ishin të ilustruar. Kam ide mbi ato vizatime edhe sot. E kam vështirë të marr në dorë sot një Pinok pa ilustrimet e hershme. Nuk e mbaj mend mirë se për çfarë fliste një libër i quajtur “Burraci i kristaltë”, por ilustrimet e tij mund t’i riprodhoj edhe sot. Të rëndësishme ishin edhe ilustrimet e librit “Tregime të moçme shqiptare”. Gjuha e veçantë ia dilte të ngrihej mbi çdo vizatim: për shembull, forma “shtatë pëllëmbë mjekër, tri pëllëmbë shtat”, e cila më përcjell të njëjtin efekt edhe sot.

Më vonë, lexoja Bildunsgroman, libra që e formojnë njeriun. Më tepër se gjermanë, nga vjen termi, qenë libra francezë, sepse këta i kishim të përkthyer. 13 vjeç, përballesha me çdo libër. Aty u krijua vetëdija se disa libra do të kenë kohën e vet të rileximit, apo se ishte e vështira ta mendoja jetën time pa librin. Në adoleshencë shpesh i nënvizoja, me këmbënguljen për të marrë patjetër atë që fshihnin brenda tyre, duke besuar gjithmonë se formimi im do të plotësohej. Doja ta bindja veten se një libër është shkruar për të gjithë. Edhe sot besoj se, në parim, askush nuk duhet të ndjehet i privuar prej kësaj.

A jeni futur ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër?

Nëse mund të quhet telash kultivimi i vazhdueshëm i shijes për të qenë në të kundërt të asaj që trumbetohet me cektësi, kjo ka ndodhur shumë shpesh. Vetëm se me kalimin e kohës shikon se si duhet respektuar çdo shfaqje e jetës. Ajo është aty për një arsye të caktuar.

Po t’ju duhej të përmendnit një libër që ju ka bërë ky që jeni sot, cili do të ishte ai?

Pa hyrë mirë në adoleshencë lexova disa herë romanin “Lamtumirë armë”. Nuk besoj se më ka bërë ky që jam, por besoj se më ka ruajtur nga diçka që nuk duhej të isha. Faqja me emrin e përkthyesit qe grisur, por mund të lexohej kush kishte bërë parathënien. Ai quhej Ismail Kadare. E mbaj mend si sot se i kishte bërë përshtypje kapitulli ku zhurmonte një polifoni zërash. Ky element mund të gjendet në romanet e atëhershme të Kadaresë. Dekada më vonë ai shprehej se Hemingway i kishte terrorizuar shkrimtarët e Lindjes, që donte të thoshte se dikur qe shkëputur prej tij. Dekada më vonë unë lexova se Hemingway tallej me epizmin në roman. Në fakt, romani kishte aq shumë përshkrime të natyrës së reportazhit, saqë i kaloja pa vrasje ndërgjegjeje. Përshkrimet lirike i kam lexuar mbi njëqind herë. Meqë ra fjala, i dija përmendësh batutat e atyre pjesëve lirike, të cilat ishin vëzhgime të holla. Në moshën 14-vjeçare hyra në një shkollë arti, por atje mbizotëroi leximi i poezisë. Cilës poezi? Ishte trishtim i vërtetë të aspiroje për poezi në Shkodrën e asaj kohe. Sidoqoftë, ai art qe investimi im më i madh. Vazhdoja të lexoja ato pjesët lirike të Hemingway-it, derisa kuptova se qenë tregimet ato që e kishin bërë “Hemingway-in”, e jo romanet, mbi të cilët qenë bërë filma dhe ai kishte fituar ca para (të mira). Nuk kam lexuar më romane? Kam lexuar shumë tregime. Tregimet janë më afër me poezinë sesa me romanet? E vërtetë. Duhet ta pranoj se kishin ndikuar te unë fjalët jo dashamirëse që kishin thënë Paul Valery dhe Borges-i për romanin. Kishte ndodhur vetvetiu. Dikur u shfaqën shkrimtarë si J.Conrad-i dhe H.Hesse. Të bënin t’i pranoje symbyllur. Pastaj, Faulkner-i. Nuk duhet të lë pa thënë se leximi i Koliqit më ktheu besimin te letërsia shqipe. (Ishte fundi i viteve 80). Pastaj, Kuteli. Pashku.

Nga librat që keni shkruar, cilin parapëlqeni më shumë ose është më kuptimplotë për ju?

Unë tentoj një libër. Në poezi kuptimplotë është vëllimi “Antipoezi”, sepse e kam tentuar atë për disa dekada. Në prozë – “Trilogjia e Shkodrës” + tregimet e vëllimit “Nëse një ditë një prelud”. Edhe kjo punë më ka marrë rreth dy dekada. Jam i bindur se do të flas edhe më vonë për këta libra.

Po qe se do t’i kërkonit presidentit të lexonte një libër, cili do të ishte ai?

Nuk besoj se do të kem fatin të flas me një president për letërsinë artistike. Po të kisha mundësi, presidentit do t’i jepja një helikopter, për të shëtitur Shqipërinë. Gjithsesi, nuk përjashtohet mundësia të kemi në krye një njeri që njeh shumë mirë letërsinë. Kemi pasur Nolin, që përkthente rubai gjatë kohës që qeveriste. Por besoj të jetë një gjë shumë e rrallë, te ne dhe te vendet më të kulturuara, kështu që kjo më duket një pyetje e ndërlikuar.

Keni planifikuar një darkë me njerëz të letrave. Cilët janë tre shkrimtarët e ftuar?

A e keni hasur një poezi të Frederik Rreshpjes, të viteve të fundit, të cilën, me siguri, Kavafisi do t’ia kishte përshëndetur:

Barbarët ikën. Po nga vanë? Askush nuk i pa.

Asnjëri nuk e di nga shkuan.

Mirëpo barbarët ishin.

Të vrarët janë aty, por barbarë, thonë, nuk ka pasur kurrë.

Po kuja e atij mëngjesi me të rënët mes xhadesë?

Kur erdhi nata, një hënë e trishtuar

në llambadhen e saj mblidhte shpirtrat në ajër.

Tymi i zi mbi uzinat dhe fshatrat e shkatërruara,

mijëra rrënime barbarësh.

E megjithatë, thonë, barbarë nuk ka pasur kurrë.

Atëherë pamë njëri-tjetrin në sy

dhe e kuptuam që barbarët ishim vetë.

Ah, prandaj asnjëri nuk e diti nga shkuan barbarët?!

Mirëpo barbarët ishin, ose, të paktën duheshin shpikur.

Ai më shprehej: Octavio Paz nuk është poet… Seferis dhe Elitis janë përkthyer keq… Kavafis nuk është ashtu si e bëjnë, e shumë gjëra si këto. Meqë nuk rashë dakord te Kavafis, m’u kundërvu: më tha t’i përmendja një poezi të tij. U vonova pak, jo se nuk po e gjeja atë poezi, por se nuk po i gjeja titullin e saktë. Në fund thashë: Poezia për barbarët. Dukej qartas se, të paktën, një herë të vetme, e zura mat. Megjithëse Frederiku ka shkruar edhe ndonjë poezi tjetër në frymën kavafiane – Dedali, Endemioni – e përfytyroj duke i folur për poezinë tonë popullore. Sidomos duke i deklamuar këto vargje: Mëhallë, moj mëhallë,/më rrahu nusja djalë./ Ç’djalë moj të qëlloftë,/ s’më vuri një herë poshtë. I treti, do të ishte Ungaretti ose Montale. I pari e kishte njohur Kavafis-in në rini, kur nuk dihej se çfarë do të dilte prej tij. I dyti ia vlerësonte tepër lart krijimtarinë. Ose mund të jenë të dy këta, nëse lejohet të jenë katër, sepse nuk besoj se poetët janë hamës të mëdhenj.

Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë: për cilin libër mendoni se duhet t’ju kishte pëlqyer, por nuk e bëtë? A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa mbaruar?

“Unë jam e kuqja” e kam mbyllur nja 10 herë, pa e mbaruar kapitullin e parë. Ende nuk e kam marrë vesh se ku qëndron problemi. Orhan Pamuk thotë diku se lexuesit janë gratë dhe studentët: sipas kësaj, unë jam i anashkaluar, por nuk e di nëse i ka qëndruar kësaj ideje te libri që përmenda. Mendoj se i ka qëndruar te libri “Muzeu i pafajësisë”. Ky është organizimi social në atë vend: edhe të arsimuara mirë, gratë bëjnë një jetë të tërhequr, por duke u eglendisur me shfaqje të ndryshme kulturore.

Nga shkrimtarët turq më pëlqen Enis Batur. Gjithashtu, ai është poet shumë i njohur. Më argëton. Një poet i njohur turk, me banim në Francë, fitues çmimesh ndërkombëtare, sot në moshë të thyer, më tha se “ai shkruan për të huajt”. Me sa duket, duhet të shkruajmë për të huajt, pra të jemi universalë. Leximi rafinohet. Tashti ka mjaft botime enciklopedike për të njohur jetën e një vendi dhe nuk e presim më këtë prej letërsisë. Kjo më ka ndodhur edhe me ndonjë shkrimtar të suksesshëm amerikan apo latinoamerikan, nobelistë apo kandidatë të këtij çmimi.

Gjithsesi, e gjitha kjo për të cilën po flasim, është një krijimtari që e ka marrë patentën e letërsisë së rëndësishme dhe nuk pengohet nga lexime krejt personale, të kujtdo qofshin. Shkrimtari është si ai adoleshenti që rrëzon shumë gjëra, sepse po formon karakterin e vet.

Kë do të donit të shkruante historinë e jetës suaj?

Jam munduar ta jap jetën e Frederik Rreshpjes në disa proza. Proza e fundit është romani “Tiranë – Vjenë – Tiranë”. Përditë bindem se mund ta bëj pak më mirë. Jeta e një shkrimtari nuk është “interesante”. Një shkrimtar është në kërkim të rutinës, sepse ai nuk pasqyron jetën, siç mundohen të na bindin, por të ballafaqohet me të, duke kërkuar unin e vet. Po a është interesante rutina? Kush do të donte të përballej me këtë situatë?

Te cilët libra ktheheni vazhdimisht?

Në kohë të ndryshme, kthehem tek ata libra që kanë ndikuar dhe vazhdojnë të ndikojnë në dinamikën e një sistemi letrar, për të cilët fola më lart. Problemi është se duhen qartësuar idetë. Përpiqem ta bëj përditë.

Për çfarë librash ndiheni keq që nuk i keni lexuar ende?

Në një ese të famshme, Ezra Pound thotë se leximi ka disa kategorizime dhe veçanti. Pra, problemi nuk është sa të lexosh, po si të lexosh. Si të lexosh, do të përcaktojë sa të lexosh. Po t’ia dalësh kësaj, si dhe ta njohësh mënyrën se si funksionon një sistem letrar, pengjet bëhen gjithnjë e më pak vrasëse.

Çfarë keni ndërmend të lexoni tjetër?

Mendoj se më tepër do të jenë rilexime. I kam përmendur disa emra tashmë. Rileximi është edhe një mënyrë për ta korrigjuar veten në vazhdimësi. Kjo ide më ngroh.

Intervista u botua në shtojcën letrare të gazetës MAPO, datë 18 gusht 2018


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.