EDUARDO GALEANO (1940-2015)
(Uruguaj)
KËNGA JONË
(Fragment)
- ENDJET E HAMALLIT
…Kjo është një nga vramendjet e mia, kur zhytem në mendime. Mendoj përherë e më shumë, pasi kam ngelur pa punë, më kupton? Mendoj: po unë, çfarë kam? Çfarë është e imja? Çfarë jam unë? Mish i pagëzuar, vetëm kaq? Zhytem brenda vetes dhe thellohem, thellohem e më shfaqen njerëz që kam dashur, dhe vazhdoj të thellohem, e vazhdoj, e vazhdoj, por më zë frika, pasi unë e di se në fund të atyre humbellave të shpirtit tim nuk ka asgjë dhe se ne ekzistojmë thjesht prej rastësisë. Çfarë do të kishte ndodhur nëse im at dhe ime më nuk do të ishin takuar atë natën e karnavaleve? A do të isha unë këtu? Do të kisha vdekur që pa lindur, të themi? E kush do të ishte në vendin tim? Hë? Sepse, thellë në fund, unë nuk e di as kush jam e as nga jam. Është dikush që e di, por jo unë. Unë e di që s’është e imja kjo jetë që jetoj. Por, cila është imja? Këtë, nuk e di unë. Kjo jetë që jetoj, nuk ka muzikë. Më dhembin brinjët nga gjithë këto brenga.
Një nga mallkimet e mia është që s’kam asgjë. Gjithçka pata, më la. Gruaja që desha më shumë, Pitanga, me të cilën ndihesha si një dijetar atomik, u lodh së ngrëni kocka dhe më la. Sa kohë, pa i parë dy nga fëmijët e mi? Radion e lashë peng, bashkë me Gardelin* brenda, dhe lash peng edhe faturën e pengë-lënies, po ashtu. Dollapin e rrobave, ma morën kur më kishin mbetur edhe pak këste. Unazën e martesës nuk e kam humbur, pasi kurrë nuk kam pasur. Harmonikën, që për mua ishte si duhani apo më shumë, më se e nevojshme për të nisur ditën, e mori vocërrakja ime, më e vogla, ajo që është operuar, dhe i futi një pirun e filloi ta përdridhte brenda vrimave duke ia shtrembëruar gjithë fletët e llamarinta. Bën nja pesë mijë peso harmonika, mos e beso po deshe, moj Marí, është nga kjo puna e dollarit. I sheh si janë katandisur këpucët që kam veshur, Shën Mëri, fantazma këpucësh. Hyra para ca ditësh në kishë me këpucët në dorë dhe prifti më tha: “Nuk mund të hyhet zbathur në kishë”. “Por edhe po t´i vesh, do të jetë gjasme, do të jetë gënjeshtër”, i thashë. “Unë vij t’i kërkoj ndihmë Zotit”, i thashë, “dhe meqenëse ju jeni i dërguari i Tij, kushedi, mbase Ai ju urdhëron të më falni një palë këpucë të reja”. “Sa kohë keni që nuk rrëfeheni, o njëri i mirë?”, më pyeti. “Sa kohë keni që nuk kungoheni?” Dhe unë iu përgjigja: “Njëzet e pesë vjet”. Më dha sheqer. Unë kisha nevojë për këpucë, ai më dha sheqer…
———————————
*Gardel – Këngëtar i famshëm tangoje, argjentinas.
Përktheu nga spanjishtja: Erion Karabolli
NO COMMENT