JULES LAFORGUE
(1860-1887)
DIMRI QË PO VJEN
Bllokadë sentimentale! Kompani postare Levantin!…
Oh, rënia e shiut! Oh, rënia e errësirës!
Oh, era që fryn!…
Dita e gjithë shenjtorëve, e Krishtlindjes, e Vitit të Ri
Oh, gjithë oxhaqet mbi çati,
Oxhaqe uzinash…
Nuk mund të rrimë ulur më, gjithë stolat e parkut janë lagë
Besomë, kështu do jetë der’ në vitin tjetër prapë;
Gjithë stolat janë lagë, druri stolave do jetë kalbë
Dhe brirët do të fryjnë -Ta-ta,ta-ta!…
Ah, retë që vijnë nga Kanali La Mansh,
Na e bëtë këtë ditë të Diel lamsh.
Po pikëlon;
Në pyllin me lagështi, rrjeta e marimangës zgjaton,
Poshtë pikave të shiut dhe këtu jeta e saj mbaron.
Diell i plotfuqishëm, mbi punët e Panaireve në Lumë,
Tek ekspozojnë prodhime Ari dhe agrikulturë,
Në ç’varr ke humbë?
Këtë mbrëmje një diell trajtëshëmtuar qëndron lart mbi kodër
Në pallto veshë
Shtrihet në brinj me fshesë.
Një Diell i bardhë si pështymë e një Taverne
Pështyrë në hedhurinat e një fshese të verdhë
E një fshese vjeshte të verdhë.
Dhe brirët e thërrasin!
Kthehu prapë…
Që tek vetja të vijë!
Talli-hou! Talli- hou
Dhe drejt përtej
O himn i përzieshëm, paske marrë fund ti!…
Dhe shtiren si budallenj!…
Dhe ai shtrihet si një gjëndër e shqyer prej qafës
Duke u dridhur pranë pa –asnjeri!…
Drejt, drejt, në largësi!
Është dimri tek vjen dhe e njohim aq mirë:
O, kthesat e rrugëve të mëdha
Pa Kësulëkuqen e vogël që të ecë në to!…
Oh! Vrrangat e rrugës nga karrocat në muajin e fundit
Duke u ngjitë si Don Kishotër shinave
Drejt reve që patrullojnë në zmbrapsje, në humbje.
Të ngacmuar nga era drejt vathës së transatlantikut!…
Nxito, nxito, është stinë tepër familjare, këtë radhë.
Dhe era natës ka punuar bukur dhe mbarë!
O prishje! O çerdhe zogjsh! O kopështëz modest!
Zemra ime dhe kotja ime në gjumë: O jehona sëpatash!…
Gjithë këto degë prapë gjethe të gjelbërta kanë,
Poshtë dheut s’ka gjë tjetër veç një grumbulli të vdekur gjethesh të tharë.
Gjethe dhe degëza me gjethe të vogla, që era të mund t’ju mbartë
Larg, gjurmëve drejt pellgjesh,
Për t’u përdor nga rojtari i pyjeve që të ndezë zjarre
Ose dhe për të mbushur dyshekët e ambulancave
Për ushtarët larg Francës, larg.
Është stina, është stina, ndryshku sulmon gurëthyeset-varé
Ndryshku gërryen telat telefonike në merzinë e tyre kilometrike
Në rrugën e madhe ku askush nuk kalon për be.
Bri, bri, bri-melankoli!…
Melankoli!…
Briri vazhdon të ndërrojë ton,
Ndërron ton edhe muzikë:
Ta-ta,ta-ra,ra-ta!…
Bri,bri,bri
Që ikën tutje me erën në Veri.
Nuk mund ta lë kët’melodi: Ç’ kumbim!…
Është stina, është stina, lamtumirë prodhim i verës së mirë!…
Ja dhe shirat që me një durim engjëllor po vijnë,
Lamtumirë, verë e mirë, dhe lamtumirë shportë për bukë
Gjithë shportave Watteau të fustanit si me rrethore në fund
Që vallëzojnë poshtë pemëve të gështenjës,
Janë gjithë kollitjet nëpër Fjetore
Të liceve ku kthehet jeta studentore,
Është injeksion pa zjarr,
Ftisis pulmonare që qytezat periferike mundon
Dhe gjithë qyteteve të mëdhenj mjerimin ua shton.
Por, rrobat të leshta, kauçukë, ëndrra, prodhimet të farmacive
Perde të tërhequra pas në ballkonet që qëndrojnë si brigje
Para Oqeanit periferik të çative,
Llamba, printime, çaj, biskota –
A nuk do jeni dashnitë e mia të vetme, të forta?…
(Oh, dhe pastaj, a nuk e njeh, veç pianos,
Misterin e arsyeshëm e vesteral të përjavshëm
Të statistikave sanitare
Nëpër gazeta?)
Jo, jo! Është stina dhe planeti mendjeshterpë! Lër stuhinë, stuhinë
Që t’i zgjidh papuçet që Koha thur vetë
Është stina! Oh, ç’shqyerje! Është stina!
Gjithë viteve, gjithë viteve që vijnë
Do përpiqem t’i jap korit sintonim.
Përktheu dhe pajisi me shënime: Rudolf Marku
JULES LAFORGUE (1860-1887) ka vdekur i ri, por jo përpara se të botonte një numër vëllimesh poetike. Krijon së pari një lloj poezie në dukje inkonsekuente, shkruar me vers libres, ndërthurur me asosacione të lira idesh dhe imazhesh. Gëzoi që në gjallje një popullaritet të madh jashtë Francës, sidomos mes poetëve anglezë dhe amerikanë të cilët çmuan intonacionet e reja poetike dhe ironinë e hollë. Tomas S. Eliot dhe Ezra Pound e vlerësuan së tepërmi poezinë e Laforgue. Librat e tij poetikë janë ‘Ankesa, (1885), ‘Imitimi i Nòtre –Dame, Hëna,- dhe vepra e botuar pas vdekjes’ Vargjet e fundit (1890). Po botojmë poemën ’Dimri që po vjen’, për të parë ndikimin e dukshëm që pati Jules Laforgue tek poezitë e para të T.S.Eliot-it, sidomos tek ’Këngë Dashurie e A.Prufrock,-si dhe për të shijuar poetiken e njërit ndër poetët më originalë të poezisë moderne franceze dhe botërore të shekullit që kaloi. Përkthyer nga origjinali frëngjisht.
NO COMMENT