Jorge Luis BORGES
Nis nga një lloj zbulimi. Po e përdor këtë fjalë në një mënyrë modeste dhe jo në mënyrë ambicioze. Dmth, papritur, unë di se diçka do të ndodhë dhe ajo që do të ndodhë mund të jetë, në rastin e një tregimi, fillimi dhe fundi. Në rastin e një poezie, jo: është një ide më e përgjithshme e nganjëherë ka qenë rreshti i parë. Dmth, diçka më është dhënë dhe pastaj ndërhyj unë, por ndodh që mund të prishet e gjitha.
Për shembull, në rastin e një tregimi unë njoh fillimin, pikën e nisjes, njoh fundin, njoh pikëmbërritjen. Por ama, përmes mjeteve të mia të kufizuara, duhet të zbuloj se çfarë ndodh midis fillimit dhe fundit. Pastaj, ka edhe probleme të tjera për t’u zgjidhur; për shembull, nëse është e përshtatshme që ngjarja të tregohet në vetën e parë apo në vetën e tretë.
Më tej, duhet të përcaktosh kohën e ngjarjes: këtu, sipas meje, “kjo është një zgjidhje imja, personale”, besoj se për mua më komode do të ishte dekada e fundit e shekullit XIX. Zgjedh, “nëse është fjala për një tregim portenj*”, vende periferike, po themi, si Palermo*, Barrakas* apo Turdera*.
Po ashtu zgjedh vitin, për shembull 1899, që është viti i lindjes sime. Sepse, kush mund ta dijë me saktësi se si flisnin banorët e këtyre lagjeve që tani janë të vdekur? Askush.
Kësisoj, unë mund të procedoj më me lehtësi. Përkundrazi, nëse një shkrimtar zgjedh një temë bashkëkohore, atëherë një lexues kthehet në një kritik e thotë: “Jo, në këtë lagje nuk flitet kështu”, apo “Njerëzit e kësaj shtrese nuk do ta përdornin një shprehje të tillë”.
Shkrimtari i parashikon të gjitha këto dhe ndihet duarlidhur. Prandaj unë zgjedh një epokë dhe një vend paksa të largët; kësisoj, ndihem më i lirë dhe mund të fantazoj e madje mund të falsifikoj. Mund të gënjej, pa e marrë vesh kush e, madje, pa e ditur as unë vetë, sepse është e nevojshme që shkrimtari, i cili shkruan një fabul, duhet ta krijojë realitetin e saj në mënyrë që ky realitet “të jetë sa më fantastike”.
———————————-
*portenjo – që i takon qytetit të Buenos Airesit
*Palermo, Barrakas, Turdera – lagje anësore të Buenos Airesit
Përktheu: Bajram Karabolli
NO COMMENT