INTERTEKSTUALITETI

Si ta lexojmë postmodernizmin – Gazmend Krasniqi

gazmend krasniqi

INTERTEKSTUALITETI

Në një dialog rindërtues me të vjetrën dhe të shkuarën, fenomeni i intertekstualitetit mundëson që letërsia të largohet prej formave tanimë të konsumuara dhe të sjellë forma të reja. Kopjet, intertekstet, paroditë – janë tema që kanë sfiduar konceptin mbi origjinalitetin dhe universalitetin.[1]

  • Teoria e interteksualitetit niset nga bindja se teksti është polivalent dhe se, sipas Todorov, çdo vepër letrare krijohet përballë dhe kundrejt ndonjë modeli, çka e kemi parë disa herë në historinë e artit, por edhe nga romantizmi e këtej.
  • Nëpërmjet procedimit të dekonstruksionit[2] apo poststrukturalizmit, shumë tekste të vjetra, që gërshetohen në tekstin e ri postmodern, funksionojnë si tekste të reja, por në çdo vepër të re hetohet zëri i veprave paraprake, sepse veprat postmoderniste janë vepra të koduara[3] dialogjike, ku vërehen gjurmë nga tekste të tjera ose kontekste.[4]
  • Raporti që teksti i ri vendos me tekste të tjera, vë në pikëpyetje autorësinë, duke thyer kështu iluzionin referencial dhe idenë mbi veprën autonome dhe origjinale që kishte trumbetuar me të madhe romantizmi.

            Dimë se pas konceptit të “vdekjes së autorit”, apo “autorit-funksion”, që u bënë të njohura pas studimeve të R. Barthes dhe M. Foucault.[5] lexuesit krijojnë kuptimet e veta nga leximi. Siç thotë Michael Foucault-i, kufijtë e librit nuk mbyllen te titulli, mes pikës së parë dhe asaj të fundit, mes trajtave të jashtme dhe autonome: libri kapërthehet në një sistem referencash me libra dhe tekste të tjera dhe bëhet një nyje brenda rrjetit. Gjë që do ta shpjegonim kështu te romani Tiranë – Vjenë – Tiranë (Trilogjia e Shkodrës):

  • Intertekstualiteti thërret vepra të një trashëgimie të përbashkët, që zgjojnë ndërgjegjen e lexuesit dhe e bëjnë të vetëdijshëm për këtë përmasë. Kujtesa e veçantë bashkohet me kujtesën e përbashkët si shfaqje e gjallërisë dhe e vazhdimësisë së një tradite. Ky intertekst synon të mbajë pezull kuptimin e tekstit, duke shfaqur dykuptimshmërinë e domethënies letrare, që, sipas poststrukturalistëve, kërkon bashkëpunimin e lexuesit.
  • Ndërhyrja e citimeve, aluzioneve dhe referencave e çojnë lexuesin në shtigje të reja, duke e thyer njësinë fillestare, për t’u bërë dominante heterogjenia – larmia e tipave të diskurseve. Huazimet e ligjshme apo të paligjshme duan të provokojnë: fakti që mund të thërrasim në lidhje me një vend a person një shumësi tekstesh, tregon qenësinë e përhershme dhe gjallërinë e letërsisë.
  • Lexuesi kalon nga citueshmëria moderniste e Eliot-it – i cili i shoqëron ato me shënime të shumta – te ironia intertekstuale, sipas Umberto Eco, ku citueshmëria bie, duke parakuptuar një lexues më të kualifikuar.

Kjo metodë, apo formë e mishërimit të tekstit – shkrimi që sjell, në mënyrë të pandërgjegjshme apo jo, tekste apo burime tekstesh të tjera në tekstin e planit të parë – e quajtur sot intertekstualitet, apo hiper-tekstualitet, jep pranëvëniet, ndërfutjet dhe mbivendosjet, të cilat e krijojnë referimin me termat e dy akseve:

  • Aksi horizontal lidh autorin dhe lexuesin e një teksti;
  • Aksi vertikal lidh tekstin me tekstin.

            Duke e parë si strukturë, njësimi i dy akseve nxjerr se çdo tekst dhe çdo lexim lejon futjen e një bote tjetër (e disa botëve të tjera), duke i dhënë hapësirës mundësi paradoksale, ku janë pranëvënë elementet më kontradiktore, për të dhënë efektin e parodisë – lojën me stile të njohura. Duke e parë si kohë, ai i jep mundësi që periudha të ndryshme të futen brenda njëra-tjetrës në të tashmen e thjeshtë. Një organizim i tillë u bën jehonë fjalëve: “…jetojmë në epokën e njëkohësisë, në epokën e mbivendosjes…” dhe leximi zbulon praninë e

  • heterotopisë, koncept që e sheh hapësirën si thelbësisht heterogjene,  ndërtuar nga mbivendosja apo pranëvendosja e hapësirave që u përkasin regjistrave të ndryshëm,
  • heterokronisë, koncept që përmban bashkekzistencën e disa regjimeve të kohës në një hapësirë të vetme, qoftë kjo fizike, utopike apo virtuale. Siç shpjegon Michel Foucault-ja, është tipar thelbësor i epokës sonë të karakterizohet nga ndërveprimi dhe bashkekzistenca e njëkohshme e hapësirave dhe regjistrave kohorë të papërputhshëm me njëri-tjetrin.

Sot dimë se ky është çasti kur merr fuqi të plotë lexuesi (Barthes): konkretisht, lexuesi i nivelit të dytë (Eco), pasi vetëm ky mund të kapë të fshehtën dialogjike. Kjo ironi ndërtekstuale duhet pranuar si provokim dhe ftesë për përfshirje, e cila pak nga pak mund ta shndërrojë edhe lexuesin naiv (të nivelit të parë), atë që kërkon të marrë vesh për fatin e personazheve, në një lexues që fillon të kapë aromën e teksteve të tjera paraprirëse dhe të ndjejë hipertekstin, të cilin  Roland Barthes-i e përcakton

  • si një tekstualitet ideal, i cili, i kompozuar nëpërmjet shumë rrugëve, kanaleve ose nyjave me fund të hapur, zotëron një sistem të tërë domethëniesh dhe kuptimesh.

            Të cilin Michael Foucault-i e përcakton si

  • një lloj fusnote e “pamarkuar”, por që dallon prej saj nga vendi që zë në tekstin e dytë, pasi nuk është marrë nga një tekst, por disa të tillë, duke paraqitur një mundësi për një tregim jolinear që zbut kufijtë mes lexuesit dhe shkrimtarit.

Apo hiper-realitetin, për të cilin Gerard Genette-i thotë se:

  • nënkupton raportin që ofron një tekst B (që do ta quajë hipertekst) me një tekst paraprak A (që do ta quajë hipotekst).
  • raporti i hipertekstualitetit shfaqet kur teksti B vendos çfarëdo lidhje ose mbështetet, në mënyra të ndryshme, në tekstin A.

Për të cilin Jean Baudrillarde-i thotë se

  • paraqet një realitet që duket më real se vetë realiteti.

Në veprat postmoderniste, shpesh, s`ka as fiksion e as realitet, por vetëm hiper-realitet. Paraqitja që nuk e paraqet realitetin, por e modelon atë, çon te estetika e simulakrës, mungesa e realitetit bazë, e teorizuar nga Baudrillarde-i. Ajo gjen mbështetje te marrëdhënia me stilet, diskurset dhe semiotikat e gjuhëve të ndryshme të kulturës.

Ky është simulakrumi, shkatërrimi përfundimtar i kuptimit.[6]

Në këtë mënyrë, krejt pandërgjegjshëm, historia dhe fiksioni ndryshojnë vendet:

  • historia bëhet fiksionale,
  • fiksioni bëhet historia e vërtetë.

Aristoteli (babai i mimesit) e pati kuptuar se forca e artit na mundëson zgjedhjen atje ku jeta na e privon atë. Me një lëvizje si kjo humbet bota reale (Postmodernizmi do të shtonte pyetjen: në raport me çfarë?!), por është e mundshme të fitohet një tekst, i cili në kohën tonë karakterizohet nga forca përmbysëse ndaj klasifikimeve të vjetra. Ai është një proces demonstrimi, i cili flet sipas rregullash të caktuara (ose kundër rregullash të caktuara), si dhe mbahet në gjuhë, vetëm në lëvizjen e një ligjërimi.

Në krahasim me lëndën e planit të dytë (e cila është në kujtesën dhe edukimin e lexuesit) një poet që rropatet për mbijetesë – lënda e planit të parë (histori apokrife, të cilat e shohin përmbajtjen e kujtimit historik duke e riinterpretuar dhe, përgjithësisht, duke e demistifikuar versionin e parë ortodoks) mëton të ngrihet si një seriozitet i ri, si një autenticitet i ri, të cilët zëvendësojnë seriozitetin dhe autenticitetin e prerë mimetik (imitues).

Bashkë me Roland Barthes-in, estetin e mirënjohur francez, por edhe me narratorin, do të thoshim:

Gjuha nuk është ngarkuar të shprehë kohën. Roli i saj është të shpjerë realitetin  në një pikë dhe, nga shumësia e kohëve të jetuara dhe të mbishtresuara, të abstragojë një akt verbal të pastër.

Gjatë këtij procesi, me paaftësinë e afirmimit të ekzistencës së një shembulli narrativ (gjithë ato prerje dhe fshirje), autorit postmodernist i mbetet të ringjallë ironinë romantike ose, siç përdoret më shumë sot, metafiksionin. Ky mjet, i përdorur herë pas here, atij shërben për t’i thënë lexuesit:

Je në një fiksion.[7]


[1] Sipas M. Foucault, përmes sistemit të referencës, libri është thurje me libra të tjerë, në tekste të tjera, në fjali të tjera: ai është nyjë përbrenda rrjetit: materialin e marrë nga veprat paraprake, shkrimtari e aktualizon, e freskon, e risemantizon, e shpreh me zërin e vet.

[2] Dekonstruksioni është mënyra e interpretimi e cila vepron me anë të ndërhyrjes së kujdesshme dhe të matur në labirinthin e çdo teksti… Kritiku dekonstruktiv përpiqet të gjejë, me anë të procesit të rigjurmimit (eishkrimit), elementin në kuadër të sistemit që studiohet, element i cili është alogjik, fillin me tekstin që është në shyrtim, fill i cili pastaj do të zgjidhë tërë lëmshin ose, thënë ndryshe, të gjejë gurin më të dobët nga i cili pastaj të mund të rrëzohet e tërë ndërtesa. Dekonstruksioni më shumë asgjëson themelin ku qëndron ndërtesa, duke treguar se si vetë teksti tashmë e ka asgjësuar atë themel, me ose pa dijen e tij. Dekonstruksioni nuk është shpërbërje e strukturës së tekstit, por demonstrimi se si ai (teksti) tashmë e ka shpërbërë veteveten. (Teori dhe kritikë letrare. Rozafa. Prishtinë 2008, fq. 158-159)

[3] Ndër mjetet më të shpeshta poetike me anë të të cilave mund të arrihen kodime të tilla të shumëfishtta janë aluzioni dhe komenti abuziv, citimi, referencat e shktrembëruara apo të shpikura ashtu për qejf, ripunimi, shndërrimi, anakronizmi i qëllimshëm, përzierja e dy a më shumë modave historike ose stilistike etj. Nëpër këto linja, estetika e postmodernizmit është përshkruar thelbësisht “cituese”, në dallim të hapur me pararojat “minimaliste”… të cilat, në rastin e arkitekturës, e kishin prishur referencën si të papastër. (Calinescu, Matei. Pesë fytyrat e modernitetit. Dituria. Tiranë 2012, fq. 302)

[4] Është kthyer veta e tretë, që qe mënjanuar jo pak nga modernizmi. Rrëfimi mund të jetë herë-herë thjesht faktik, si regjistër, në shërbim të një intertekstualiteti të skajshëm.

[5] Te eseja “Vdekja e autorit” Barthes-i na kujton se tradita e ka parë autorin te personi njerëzor, duke e vënë atë në rolin më të rëndësishëm: personi i autorit ekzistonte në historitë e letërsisë, biografitë e shkrimtarëve, intervistat dhe revistat, kështu imazhi i letërsisë qe përqendruar më tepër te jeta vetjake e autorit, sesa te teksti apo vepra vetë. Barthes-i arrin në përfundimin se një autor nuk është asgjë më shumë sesa një fjali e shkruar: “shkruesi” modern lind në një kohë me tekstin.” Teoria dhe praktika letrare postmoderniste do ta çojnë ne ekstrem çmistifikimin e çshenjtërimin e autorit. (Teori dhe kritikë moderne. Rozafa. Prishtinë 2008, fq. 171-180) Në punimin e Foucault-së, me titull: Çfarë është një autor? gjejmë pyetjen: What matter who is speaking? Kujt i intereson se kush flet? Foucault e shikon këtë fjali të marrë nga një tekst i Becket-it si shprehje e parimeve më kryesore të shkrimit bashkëkohor, apo si e quan ai ecriture. Duke analizuar këtë shprehje, Foucault-i arrin në përfundimin se: shkrimi nuk është makinë me të cilën autori shpreh emocionet apo idetë e veta, meqë shkrimi nuk kupton komunikimin nga autori te lexuesi; shkrimi, më tepër, është një qarkullim i vetë gjuhës, i pavëmendshëm ndaj ekzistencës individuale të autorit dhe lexuesit. Sipas tij, kur diskutojmë mbi emrin e autorit si individ i veçantë historik, nga tingëllimi i veçantë mund të na japë përmendja e këtij emri, kuptojmë diçka më shumë se ky person: – kujtojmë mënyrën e tij të menduarit; – objektet e meditimit; – metodologjinë; – shkrimet apo format e diskursit që shoqërojnë këtë emër. Ai arsyeton se ato dy pamje nuk na thonë të njëjtën gjë, sepse nuk përmbajnë të njëjtin thelb. (Teori dhe kritikë moderne. Rozafa. Prishtinë 2008, fq. 239-272) Nëse themi, siç diskutohet shpesh, se Shakespeare-i nuk është ai që ka shkruar pjesët dramaturgjike, na bëhet më i qartë dallimi midis dy koncepteve.

[6] Hutcheon, Linda. Poetika e postmodernizmit. OM. Prishtinë, fq. 310

[7] Para se të flitej për të si për një element të postmodernizmit, kjo qe parë si zmadhim me qëllim i rolit të autorit. Duke e parë këtë te Sterne-i, Gogoli, Zhide apo Theckerey.  (Uellek, Rene; Uoren, Ostin. Teoria e letërsisë. Shtëpia botuese enciklopedike. Tiranë1993. fq. 211-212)


Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.