Miroslav Micko*
Ndërmjet piktorëve që konsiderohen si baballarët e artit modern, krahas Van Gogh-ut, Gauguin-it, Lautrec-ut, Seurat-së, Cézanne-i zë një vend të rëndësishëm, sepse ky shok dhe bashkudhëtar i impresionistëve, i cili mori pjesë në luftërat e tyre të para, i duroi në kurriz më fort nga të gjithë talljet e filistinëve, u dëbua për shumë vjet nga skena shoqërore dhe u syrgjynos, si të thuash, nga shekulli i tij.
Ky njeri u rrit në mënyrë të padukshme brenda kohës së tij, për të jetuar gjatë përtej saj. Vepra e tij ka zënë vendin e saj në histori dhe sot është shumë vështirë për ta marrë me mend se sa guximtare pat qenë dikur ajo vepër me tiparet e saj origjinale dhe sa fort të nxiste për kundërshti. Ne vërejmë marrëdhëniet e tij të thella dhe të komplikuara ndaj traditës, të cilat, në periudhën e sotme, pa dyshim na duken më të qarta se sa u ishin dukur bashkëkohësve të tij.
Po ta shohësh në përgjithësi, Cézanne-i qëndron në një udhëkryq të zhvillimit historik, ku natyralizmi i prejardhur nga epoka e Renaissance-ës (dhe i zhvilluar nga ana e impresionistëve gjer te konsekuencat më kulmore dhe të njëanshme) ka arritur në fund të rrugës së tij dhe ku tendencat antinaturaliste degëzohen në të gjitha drejtimet.
Vepra e Cézanne-it ka patos barok, por edhe dëshirën për një harmoni klasike, pasi i qëndron afër si rrymës romantike, ashtu dhe asaj realiste në artin e shekullit XIX. Koloristët dhe plastikët, arkitektët dhe dramatikët e formës – Veronese dhe Caravaggio, Rubens dhe Poussin, Le Nain dhe Greco, Delacroix dhe Courbet, po ashtu dhe Daumier – mund të përmenden si paraardhës dhe mësues të tij.
Vetë Cézanne-i ishte ai që e theksonte kontekstin tradicional të synimeve të tij, kur deklaronte p.sh. se “dëshironte ta ringjallte Poussin-in sipas natyrës” ose “donte ta bënte impresionizmin diçka aq të fortë e të qëndrueshme, siç është arti muzeal”; Ose, siç e formuloi një vit përpara vdekjes në një letër drejtuar Roger Marx-it: “Sipas mendimit tim, njeriu nuk mund t’i përshtatet së kaluarës, por mund t’i shtojë asaj vetëm një hallkë të re”. Por ajo që i shtoi ai, është e lidhur në shumë drejtime me të ardhmen. Sepse, pas tij u lidhën ekspresionistët dhe fovistët, kubistët dhe mbrojtësit e abstraksioneve radikale, po ashtu siç u lidhën edhe punonjësit e neorealizmit, pa përmendur këtu masën e epigonëve, që e përmbytën botën me një cézanizëm formal.
“Po të më përgatisin një triumf”, – i shkruante mjeshtri plak, i pa përkëdhelur nga suksesi, Rouault-it të ri, – “ahere mos e beso; po të orvaten që në emrin tim të themelojnë një shkollë të re, ahere u thuaj se nuk e kanë kuptuar kurrë dhe nuk e kanë dashur kurrë atë që kam krijuar unë”. Kështu mbrohej Cézanne-i që në fillim nga epigonët e tij – e njëkohësisht edhe nga ata interpretues të veprës së tij të cilët deshën të ngrinin atë në dogmë.
Megjithëse ai e vriste mendjen dhe fliste shumë mbi mjetet e artit të tij, prapë se prapë nuk donte kurrë që ta konsideronin si shpikës të një mënyre të re pikturimi, por vetëm si krijues veprash individuale dhe origjinale. “Ajo që të tërheq më shumë në art”, – thoshte ai, – “është vetë personaliteti i artistit.”
Piktura e tij e kundërshton çdo interpretim që kërkon ta reduktojë atë në një formulë të thjeshtë. Ajo e mbron origjinalitetin e saj krijues edhe në kulmin e përpjekjeve për një stil mbipersonal. Atë s’duhet ta konsiderojmë vetëm si një ekzemplar metodik, edhe në qoftë se është vijosur së tepërmi me logjikën e parashtrimeve të saj, por aq më pak s’duhet as ta ulim gjer në shkallën e një ilustrimi të thjeshtë të një teorie arti, e cila u çlirua rastësisht nga autori i saj dhe u mor shënim nga shokët e tij.
Shpeshherë, përshembull, citohet ajo thënie e Cézanne-it, e nxjerrë nga një letër që i drejtonte Emile Bernard-it, se “natyra duhet të trajtohet me cilindër dhe me sferë”; thënie kjo e cila përdoret si çelësi më i rëndësishëm për shpjegimin e pikturave të tij. Por, në të vërtetë ajo është më tepër një çelës-kopil, i cili hyn në punë për të hapur shumë brava. Kjo thënie e famshme pa dyshim që e ka prejardhjen tek tendenca gjeometrike, e cila filloi të dallohej në periudhën e pjekurisë së artistit, por në qoftë se atë do ta marrim kallëp më shumë nga ç’duhet, ahere piktori fort kollaj shndërrohet në një gjeometër pak anemik.
Por, në të vërtetë, piktura e Cézanne-it nuk bie kurrë në një skematizëm të tillë; ajo gjithmonë është pikturë – dhe kurrë gjeometri: Ajo kurrë nuk e mohon përvojën konkrete të shqisave dhe asnjëherë nuk e fsheh theksimin e saj themelor të ndjenjave. Edhe në qoftë se vërtetë priret ndaj formave elementare, të ngrira, si të thuash anorganike, prapë se prapë nuk pushon së qeni ripasqyrim dhe shprehje e jetës. Ajo është plot tendosje të brendshme edhe atje ku duket si e rrënjosur fort në palëvizshmërinë e gjërave ose në përsosmërinë e ngurtë të veprës. Bile, as atje ku ajo është e qartë dhe e ftohtë si kristal, nuk e fsheh errësirën dhe prushin nga ka lindur.
Por, në qoftë se do ta ndjekim se si lindi dhe u rrit piktura e Cézanne-it nga jeta e krijuesit, e vendit dhe e kohës së saj, atëherë do ta kuptojmë akoma më shumë kontradiktën e brendshme dhe larminë me të cilat na tërheq si problem estetik dhe fakt artistik, në sajë të të cilave u bë fermenti i një arti të ri.
* * *
Vepra e Cézanne-it është fytyra e vërtetë ose maska ideale e personalitetit të tij. Në krahasim me veprën, fati njerëzor i artistit shtyhet, si të thuash, në plan të dytë, ai fat duket varfanjak, pothuajse tepër i zakonshëm, kur vihet për krah monumentit që ka lënë pas.
Është një jetë pa ngjarje të mëdha dhe tronditëse që mund t’i falnin zbukurimin e jashtëm. Ajo s’përmban asgjë nga fatet dhe jeta e një Van Gogh-u ose Gauguin-i, që i tërheqin aq shumë romancierët: asgjë që mund të krahasohej me Borinage-in, dhe asgjë, që mund të krahasohej me Tahitin.
Ne mund ta quanim jetë e një rentieri[1], i cili i pa cenuar nga hallet materiale, mundi t’i kushtohej pikturës, po të përjashtojmë rininë e tij të shqetësuar prej bohemi dhe pak hardalle, pjesën tjetër të jetës ai e kaloi në mënyrë të ndershme, pa bredhur, duke nderuar Perëndinë dhe duke iu nënshtruar nga jashtë konvencioneve, megjithëse qe edhe pak tip i çuditshëm.
Po ta shohim më me vëmendje, del se ishte jeta e një njeriu i cili mendonte që ekzistenca të kallte tmerrin. “C’est effrayant, la vie”[2]. Ishte jeta tragjike e një të vetmuari, i cili vetminë e tij e mbushte dhe e kompensonte me piktura: Ishte jeta e një burri të turpshëm, tepër të prekshëm, tmerrësisht sensibël dhe, nga ana tjetër, edhe këmbëngulës e të paepur, i cili përpiqej që qenien e tij të thyeshme njerëzore ta armatoste me formën e fortë, t’i bëhej mbështetje dhe të ngrihej mbi të me anë të veprës artistike që synonte tek absolutja.
Është një jetë e dhënë krejtësisht pas artit dhe e shtrydhur nga veprat, por pikërisht për këtë arsye ajo nuk mund të merret e veçuar nga veprat e tij. Ajo përfshihet në to, me gëzimet e saj më të thella dhe me dramat e saj më të vërteta, me përpjekjet dhe luftërat e mëdha për t’ia arritur të paarritshmes dhe me ditët e saj të qeta, të mbushura plot punë, gjërat më të mira të të cilave morën formë me atë shtresë ngjyrash mbi pëlhurën e pikturave të tij – ajo jetë paraqitet në ato vepra, me çastet e saj të dhimbshme e fatlume, që ndjekin njëra-tjetrën në vijat e penelave të tij, dhe mbetet mbi tablotë, të dukshme si vazhda rrugësh.
Më e nevojshmja e datave biografike të Cézanne-it mund të përmblidhet në pak fjalë. Para së gjithash po përmendim disa të dhëna nga periudha para se të hyj në jetën e piktorit.
Ai lindi më 1939 në Aix-En-Provence. Nga ana e babait rridhte prej një fisi italian, i cili e kish degëzimin në Cesena të Piemontit dhe që në shekullin e 17-të zuri vend në Francën e Jugut. E ëma qe me prejardhje kreole.
U lind si bir ilegjitim i një tregtari të zot dhe të shkathët, i cili kish ngritur në Aix një fabrikë kapelash që i sillte fitime dhe i një punëtoreje të po asaj fabrike, me të cilën i ati u martua pesë vjet pas lindjes së fëmijës. Cézanne-i ishte nëntë vjeç, kur Monarkia e Korrikut u shemb nën flakën e barrikadave të Parisit.
N’atë kohë i ati e la tregtinë e kapelave dhe u bë bankier; ai pati sukses dhe filloi të ngrihej gjithnjë e më lart, por shoqëria konservatore e Aix-it e konsideronte si karrierist jovendas dhe nuk e pranoi në rrethin e saj. Kjo hije përbuzjeje ra sigurisht edhe mbi të birin, duke lënë gjurmë të thella mbi të.
Gjatë viteve 1852-1858 Cézanne-i studioi në kolegjin “Bourbon” dhe qe nxënës i shkëlqyer në shkencat humanitare, si doli nga shkolla plot admirim të thellë për Muzat dhe plot antipati për karrierën që e priste. Një fitim i madh i këtyre viteve qe për të miqësia e zjarrtë, që kish lidhur me shokun e tij të shkollës Emile Zola. Prirje ndaj romantikës dhe ëndërrimeve, shëtitje të përbashkëta në natyrë dhe interesa letrare i lidhën që të dy dhe që të dy mundoheshin t’ia kalonin shoqi-shoqit, duke bërë vjersha.
Më 1858 Zolai u nis për në Paris dhe Cézanne-i, duke respektuar dëshirën e të atit, pa pasur ndonjë qejf të madh për atë degë, u regjistrua në fakultetin juridik te Universitetit të Aixit. Kështu u rrit ai në Aix-in pak mesjetar e pak gjumash, provincial e të prapambetur, klerikal dhe tregtar, në atë qytet, i cili – po ashtu si Maria Magdalena, që sipas një legjende, e përfundoi këtu jetën e saj të penduar – rikujtonte me keqardhje shkëlqimin dhe lulëzimin e tij të dikurshëm, sepse pat qenë kryeqyteti i Provence-ës dhe qendra e trubadurëve dhe e dashurive të Oborrit.
Jo shumë larg q’andej ndodhej Marseille-a me limanin e saj, nga ku vinin e iknin anije nga e gjithë bota. Por qyteti i heshtur e hijerëndë Aix jetonte i mbyllur në vetvete dhe i izoluar. I shtrirë në një luginë të gjerë, nën kambanoren e katedrales episkopale, me pallate të ndërtuara në stil barok, të cilët dëshmonin afërsinë e Italisë, me fasada të heshtura që mbulonin shtëpitë borgjeze, me shatërvanë gurgullues nëpër sheshet dhe korson zhurmëmadh nën hijet e lisave, qyteti kalonte pastaj dalëngadalë në natyrën e lirë.
Cézanne-i i ri arratisej me kënaqësi nga rrugët e ngushta për të shëtitur jashtë qytetit. Atje rrethonte Provence-ën me fushat dhe shpatet e saj, me kodrat e valëzuara nën këmbët e malit mbretëror Sainte-Victoire – një panoramë e modeluar në mënyrë plastike nën shkëlqimin e rrezeve të diellit mesjetar, e freskuar nga vesa e lulëzuar në pranverën e hershme e të shkurtër, por edhe të etshme gjatë stinës së prushtë të verës, e lyer me ngjyra të verdha e të kuqërremta, me kuadrate të bardha shtëpiash dhe e mbushur me një skala të tërë bojnash të gjelbërta, duke filluar që nga jeshilja e argjendtë e ullinjve e deri tek jeshilja e errët e pyjeve të pishave.
Lexuesi i pasionuar i Homerit dhe i Virgjilit e kapte shpejt me sy bukurinë antike të kësaj natyre, ai rikujtonte të kaluarën e saj romake dhe ajo ja përfytyronte truallin klasik të Greqisë. Ai u ra kryq e tërthor atyre anëve bashkë me shokët e tij Emile Zola dhe Babtistin Baille; kjo treshe e pandarë ndërmori pikniqe të gjata, e pajisur me grepa e kallama ose me sende gjuetie dhe nëpër xhepa ndonjë vëllim vjershash të Hugo-it ose Musset-së.
Kështu Cézanne-i e jetoi natyrën me të gjitha shqisat e tij, ai u la në ujërat e saj, u shtri mbi bar nën pemët e saj, thithi aromën dehëse të bimëve dhe piu verën e vreshtave të saj. Ai u lidh më tepër me të, kur i ati bleu një shtëpi verore për familjen: ekzistenca e Jas de Bauffan, një shtëpi pranë Aix-it me kopsht dhe godina administrate e cila pat qenë dikur pronë e guvernatorit të Provincës, e ndihmoi shumë në këtë drejtim. Ai kënd i qeshur fshati, ku Cézanne-i ngriti atelierin e tij të parë prej piktori, u bë një vend i preferuar qëndrimi dhe për shumë vjet me radhë luajti një rol të rëndësishëm në artin e tij.
Kështu që natyra, të cilën ai më vonë shpesh herë e mori si model të tij, iu bë e afërt që përpara se të niste ta pikturonte. Ajo ishte për të më tepër se një model, më tepër se një nxitje për të pikturuar, ajo ishte për të një e vërtetë e jetuar së thelli.
Talentin e tij prej piktori Cézanne-i e zbuloi në moshën 20-vjeçare. Ai iu nënshtrua vullnetit të rreptë të të atit dhe filloi të studiojë jurisprudencë, por në të njëjtën kohë merrte pjesë në kurse vizatimi pranë shkollës së artit në Aix, kopjonte piktura të parëndësishme në muzeumin e qytetit, torturohej më vështirësitë e fillestarit dhe ëndërronte heshturazi Parisin.
Zola-i i shkruante q’andej letra për t’ia rritur besimin, letra, në të cilat ia përforconte ambiciet e tij artistike dhe e përkrahte gjithashtu në luftën kundër dyshimeve ndaj vetes si dhe kundër urdhrit të disiplinës familjare, duket se ka qenë meritë e Zola-it, që Cézanne-i hezitues vendosi të hynte në rrugën e piktorit. Kur Cézanne-i i ankohej, p.sh. se e dashuronte pikturën megjithëse nuk po përparonte në atë lëmë, Zola-i i përgjigjej: “Qysh?” Ti – dhe të mos përparosh?” Më duket se po pengohesh vetë. Unë të pata thënë: Tek artisti jetojnë dy njerëz – artisti dhe punëtori. Si artist njeriu lindet, por punëtor duhet të bëhet vetë. Dhe ti, që e ke brenda vetes shkëndijën, ti, që e ke tënden atë që s’mund të arrihet, po më ankohesh kur për suksesin s’të duhet asgjë tjetër veçse të stërvitesh gishtërinjtë e tu e të bëhesh punëtor! “Një herë tjetër ai i jepte kurajë në këtë mënyrë: “Mendo që po vendoset e ardhmja jote dhe që nga ajo varet i gjithë fati yt”.
Dhe përsëri një herë tjetër i përshkroi ëndrrën e tij – se si shkroi një libër të bukur dhe si se Cézanne-i ia ilustroi në mënyrë të mrekullueshme: “Të dy emrat tanë shkëlqejnë mbi kopertinën, për të kaluar pandarë në këtë vëllazërim të gjenisë te brezat pasardhës”. Më së fundi, Cézanne-i arriti t’i kapërcejë dyshimet e tij, ku dukej sikur fshihej frika nga e ardhmja e paevitueshme, dhe me ndihmën e së ëmës – (“Ai quhet Paul, po ashtu si Rubens-i dhe Veronese, me këto fjalë e mbrojti e ëma, dhe s’ka dyshim që është i destinuar për pikturën”) – arriti të thyejë edhe rezistencën këmbëngulëse të babait.
Kështu, në prill të 1861 u nis për në Paris. Atje njohu Louvre-n dhe Musée de Luxembourg-un, pa dhe sallonin, i cili n’atë kohë i pëlqente shumë (duke përfshirë edhe tablotë e Gérome-s dhe Meissonier-it si dhe të piktorëve të ngjashëm), vizatoi Akademinë e lirë “Suisse”, ku mundi të punonte në bazë të modeleve të gjalla, dhe herë pas here takohej me Zola-in.
Nga ana tjetër, jetonte në mënyrë shumë modeste, aq sa e lejonte pensioni i vogël që i dërgonte i ati. Në Paris e ndjente veten të çrrënjosur dhe kishte mall për shtëpinë, ai zhytej në punë, por vështirësitë që haste e mbushnin vetëm me dëshpërim. Nga ajo periudhë rrjedh edhe autoportreti i parë në numrin e madh të autoportreteve të tij. I pikturuar në një mënyrë të ashpër dhe primitive, ai paraqitet interesant para së gjithash nga ana psikologjike, në tiparet e ashpra të fytyrës së zymtë, me sytë që vështrojnë egër, dallohet shqetësimi, trishtimi dhe kundërshtimi. Në letrat e tij drejtuar Baille-s, Zola-i përshkruan kryeneçësinë e jashtëzakonshme dhe prekshmërinë e Cézanne-it, shpërthimit të tij inatçor ose humbjen e besimit në vetvete, gjendjet e tij shpirtërore disfatiste, të cilat më kot mundohej t’ia hiqte nga mendja – dhe së fundi konstatonte: “Paul-i ndoshta e ka gjeninë e një piktori të madh, por kurrë s’do të jetë mjaft gjeni për t’u bërë”. Kështu që ai e dha që ahere gjykimin e tij, të cilin e futi më vonë në romanin e tij “Vepra”. Por shoku i tij iu nënshtrua në fakt aq shumë depresioneve, saqë arriti gjer në dezertim nga rruga e filluar: në shtator të po atij viti u kthye në shtëpi dhe, i pritur nga i ati si bir i humbur, zuri një post në bankën e tij.
Megjithatë kjo krizë ishte e përkohshme, sepse pas një praktike të shkurtër në zyrën e llogarisë, ai u shërua krejtësisht. Kur e konstatoi në mënyrë të mjaftueshme pazotësinë e tij ndaj çdo gjëje që s’ishte art, shkroi në librin e llogarisë këto vargje të çuditshme:
Cézanne, le banquier, ne voit pas sans frémir
Derriére son compotoir naitre un peintre a venir.[3]
* * *
Në fund të vitit 1862 Cézanne-i u ndodh përsëri në Paris, këtë radhë thellësisht i vendosur të duronte çdo gjë. Pas një përpjekje të dështuar për të hyrë në Ecole des Beaux Arts (Shkolla e Arteve të Bukura) ai vazhdoi të punojë më tej në Akademinë “Suisse”, e cila s’ishte shkollë në plot kuptimin e fjalës, por të jepte vetëm rast për studim të pavarur.
Rëndësi pati për të që këtu u njoh me Armand Guillaumin-in dhe Pisarro-n shumë më të vjetër në moshë, i cili vinte herë pas here në atë shkollë, me ndërmjetësinë e atyre të dyve, ai njohu më vonë edhe Monet-në, Renoir-in, Bazille-in dhe Sisley-n.
Këta piktorë që ahere kishin formuar një lloj grupi, i cili s’kishte vetëm tiparet e të njëjtave simpati dhe antipati, por edhe të asaj shijeje të fshehtë që ia afron më pranë njerëzit e rinj akoma të paformuar, për t’i shpënë drejt qëllimeve të tyre akoma të mjegullta. Para së gjithash ata ishin të një mendjeje për sa i përket kundërshtimit të tiranisë së atij arti të paintelekt e të përkrahur nga shteti dhe publiku, i cili mbizotëronte në mënyrë sovrane ndër sallonet, dhe në këtë drejtim Cézanne-i me karakterin e tij të rrëmbyer ua kaloi shumë shpejt shokëve të tij. Ata, pak a shumë ishin të një mendjeje me disa artistë, të cilët i konsideronin si personalitete rruge-tregues. Në më të shumtën e rasteve ata kishin marrë impulse nga Corot-ja, mjeshtrit Barbizon, Jongkind dhe Boudin, pionierët e pikturës-pleinaire (dritë e lirë), metodat e të cilëve Cézanne-i hë për hë nuk i përqafoi. Ata e admironin Delacroix-in, megjithëse romantika e tij ishte e huaj, por Cézanne-i e dashuronte dhe e ngrinte në qiell atë para së gjithash për qëndrimin e tij romantik. Ai e ndjente veten të tërhequr prej Delacroix-it për shkak të prirjes së tij për t’u mbyllur në vetvete, për shkak të kontradiktave të brendshme dhe të sensibilitetit të tij të stuhishëm. Të gjithë atyre (dhe Cézanne-it akoma më tepër) u bënte përshtypje shembulli i Courbet-së, të cilin e nderonin si njeriun e pavarur, luftarak, dhe si piktorin që i qëndronte besnik jetës.
Duke e ngushtuar kuptimin e realizmit të Courbet-së dhe duke e ndjekur vetëm në një drejtim, edhe ata donin të bëheshin piktorë të jetës kontemporane, edhe ata donin ta kapnin të vërtetën e soditur në atë mënyrë, siç ua sillte rasti ta soditnin këtë ose atë çast.
Por paraardhësit e tyre më të afërt ata i gjenin tek një piktor, i cili pas Courbet-së – në sytë e qytetarëve të indinjuar do të lozte së shpejti rolin e realistit të përbuzur, të prishësit të zakoneve të mira dhe të rebelit, megjithëse ai ja hoqi ngrohtësinë realizmit, duke e zhveshur nga nota e tij social-kritike dhe duke zhvilluar kryesisht një aspekt sensual.
Ky piktor ishte Edouard Manet, i cili në vitin 1863 tërhoqi mbi vete vëmendjen e publikut me anë të një sërë tablosh të një forme krejtësisht të re, që i ekspozoi në Galerinë Martinet. Pak kohë më vonë, me veprën e tij “Ngrënia e mëngjesit në natyrë”, ai u bë heroi famëmadh i Sallonit të të Përbuzurve.
Në rrethin e shokëve të tij Cézanne-i futi edhe Zola-in, për ta tërhequr atë në sferën e interesave të tyre dhe për ta përgatitur në këtë mënyrë për rolin e kritikut, i cili pak më vonë do të luftonte me pendën e tij për artin e tij. Dhe prandaj, me plot të drejtë i dedikohet Cézanne-it “Saloni i 1866-tës” i Zola-it, që ishte një seri artikujsh të përmbledhur në një broshurë, të cilat për shkak të sulmit kundër zhurisë së Sallonit dhe kundër të gjithë kritikës artistike zyrtare, si dhe për apologjinë e zjarrtë që i bëhej Manet-së, shkaktuan një shtrëngatë të tërë proteste. Ajo që kishte shkruar në ato artikuj mjeshtri i polemikës gazetare, i përgjigjej kryekëput tonit të rrëmbyer të Cézanne-it.
Cézanne-i vetë në atë kohë sapo i kishte shkruar një letër të guximshme intendentit të administratës artistike de Neuwerke, në të cilën, në emrin e tij dhe të tjerëve e ftonte – natyrisht më kot – që ta hapte përsëri Sallonin e të Përbuzurve: “Edhe sikur të përfaqësohem vetëm unë në të; kam dëshirën e zjarrtë që publiku ta marrë vesh të paktën, se mua s’më shkon aspak ndër mend të kem lidhje me zotërinjtë e zhurisë, po ashtu sikurse edhe ata duket që s’kanë qejf të ngjallin dyshime se kanë lidhje me mua”. Por qëndrimi i Cézanne-it ndaj Manet-së ishte pak i çuditshëm. Ai e nderonte pikturën e Manet-së, por kishte edhe mendimet e tij lidhur me të; piktura e Manet-së s’i dukej mjaft me temperament, dhe vetë Manet, si njeri, nuk i dukej fort simpatik. Vërtet që Cézanne-i bënte pjesë midis vizitorëve të Kafé Guerbois, ku që nga mesi i viteve 16, mblidhej një rreth i vogël artistësh dhe letrarësh rreth Manet-së, por në këto takime Cézanne-i ishte një mik mjaft i rrallë dhe i heshtur.
Mënyra mondane pariziene e Manet-së, cilindri, dorashkat, bastuni i tij, sjelljet e fryra dhe i gjithë qëndrimi i atij njeriu i cili, si të thuash, ishte bërë artist revolucionar kundër vullnetit të tij – të gjitha këto i neveriteshin Cézanne-it dhe shpesh herë kishte qejf të inatoste Manet-në me gjestet dhe fjalët e tij vulgare e të tepruara.
Cézanne-i vetë e paraqiste pothuajse në mënyrë demonstrative mungesën e aftësisë së tij për çdo konvencion dhe e nxirrte më shumë në pah atë me paraqitjen e tij të jashtme, me kostumin e tij të lënë pas dore, me sjelljet prej bohemi, me mjekrën e madhe të pakrehur dhe me gjuhën dhe heshtjen e tij.
Në përgjithësi ai jetonte vetëm me punën e tij dhe nuk kërkonte kontakt me shoqërinë, me përjashtim të disa marrëdhënieve personale, para së gjithash me miqtë e tij të Aix-it, me të cilët takohej tek Zola-i.
Me Parisin ai nuk u mësua kurrë dhe kurrë s’e ndjeu veten mirë në të. Edhe në kryeqytetin zhurmëmadh ai mbeti provincial, i cili nëpër biseda e tradhtonte veten me aksentin e tij jugor. Nuk mohohet që ai mësoi shumë nga galeritë e Parisit, nga atmosfera intelektuale e kryeqytetit dhe nga gjallëria e ethshme e tij. Parisi ishte për të qytet i pagëzimit artistik. Por gjithmonë, kur nisej për në Aix, nisej si për në shtëpinë e tij, edhe pse kjo ishte vetëm një arratisje nga njëra vetmi në tjetrën.
Stuhi dhe sulm: kështu mund ta quanim atë periudhë jete të zhvillimit të Cézanne-it, e cila zgjatet afërsisht prej mesit të viteve gjashtëmbëdhjetë gjer në fillim të viteve shtatëdhjetë. “Ata që e kishin parë në atë kohë”, shkruan më vonë miku i tij Joachin Gasquet-i, “ma përshkruanin si një qenie të tmerrshme, plot me halucinacione dhe që vuante pothuajse si kafshë, si një perëndi e torturuar.
Nga java në javë ndryshonte… Ai vuante nga ajo përzierje e rrëmbimit dhe e ndrojtjes, e përvujtnisë dhe e krenarisë, e dyshimit dhe e argumentimeve dogmatike, në mes të të cilave u lëkund sa andej-këtej edhe gjatë të gjithë jetës së tij të mëvonshme.
“Edhe në krijimet e tij dallohet shqetësimi i tij i brendshëm i stuhishëm. Po ta vërejmë me sytë e kohës së atëhershme do ta dallojmë akoma më shumë karakterin e rrëmbyer të veçantë të atyre krijimeve. Duke u matur në metrin e salloneve të atëhershme; vepra e tij pa dyshim që duhej të vente efektin e një qesëndie dhe talljeje dërrmuese ndaj çdo tradite akademike, duhej të ishte si një atentat kundër shijes dominuese. Vërtet që Cézanne-i dërgonte vazhdimisht vepra në “Sallonin e zotit Bourguereau” – siç e quante në mënyrë ironike – megjithëse e dinte që s’do t’i pranoheshin ai e bënte këtë nga inati dhe ngushëllohej duke menduar, se zotërinjve të Institutit” do t’u vinte shpirti në majë të hundës” nga pikturat e tij.
Por edhe ndërmjet piktorëve të pavarur të gjeneratës së tij, ai të jepte përshtypjen e një të veçanti që qëndronte mënjanë dhe që vërtet nuk i ngjante asnjë tjetri. Në një kohë kur piktura e çelët e Manet-së, të cilën ua kish futur në gjak shokëve të tij, ishte parulla e ditës, Cézanne-i, varrosej brenda romantikës së tij të zymtë.
Dhe, edhe në qoftë se e akceptonte definicionin e Zola-it mbi veprën e artit si një “pjesë natyrore e soditur nëpërmjet të temperamentit” ku theksimi i natyrës u përgjigjej pikëpamjeve të impresionistëve të mëvonshëm, ai vetë prapë se prapë e ngrinte temperamentin në plan të parë. Me të gjithë fuqitë e qenies së tij të rrëmbyer që s’njihte kufij, Cézanne-i zhytej në punë, duke pasur sigurisht edhe dëshirën për të qenë ndryshe, dëshira e cila aty këtu na paraqitet, mund të thuash, me një forcë të çmuar. Gjithmonë i pakënaqur me atë që arrinte, ai vazhdonte të luftonte me këmbëngulje për të zotëruar mjetet e tij.
Krijimet e tij, për sa i përket temës dhe formës, i hodhën rrënjët në shumë drejtime. Me dashuri të madhe ai paraqiste njerëzit e rrethit të tij, pjesëtarë të veçantë të familjes, babanë, motrat, xhaxha Dominique-n, vetveten dhe shokët e tij, ai pikturonte fytyra dhe trupa të tërë, nganjëherë në madhësi që ia kalonte asaj të natyrshmes (Babai duke lexuar “L’evénment-in; Achille Emperaire) por edhe portretin, që kërkonte një masë të veçantë objektiviteti, ai e trajtonte po me aq pasion dhe me këmbëngulje.
“Sa herë që pikturonte ndonjërin nga shokët e tij, duket sikur kërkon të hakmerret për ndonjë fyerje të fshehtë” – thoshte me pak tallje por jo fare pa të drejtë Anthony Valabregue, njëri nga modelet e tij të ahershëm.
Në pikturat e tij, po ashtu si në fillim në natyr-mortet dhe peizazhet mjaft të rralla; të cilat më shpesh i punonte në atelier, Cézanne-i nisej nga soditja e objektit, por gjatë punës më tepër mbështetej mbi parafytyrimin e tij, se sa mbi objektin e vrojtuar.
Të mbështetura më shumë mbi parafytyrimin se sa mbi vrojtimin janë skena të ndryshme të temave pak a shumë të rëndomta të cilat shpesh herë janë trajtuar me një ekspresionizëm grotesk dhe drastik si p.sh. Fjalimi në park, Lexim tek Zola-i ose Ngrënia e mëngjesit në natyrë (një lloj parodie e inatosur për pikturën me të njëjtën emër të Manet-së nganjëherë pjesa vizuale është më e fuqishme dhe tendenca ekspresive arrin pothuajse një efekt fovist, si p.sh. në pikturën Vajza në piano që të kujton Matissenë.
Por veçanërisht dalluese për këtë periudhë janë kompozimet e gjalla të një karakteri romantiko-fantastik, përmbajtja dhe atmosfera e të cilëve të rijep një varg të vjershës së Baudelaire-it “Faret” të nxjerra nga një strofë, që i është kushtuar të madhit dhe të vetmit përfaqësues të barokut francez, Puget-it, një vendaliu të Cézanne-it: “Coleras de bouxeur, impudences se faune…”4) Shfaqjet e tërbimit të një boksieri dhe paturpësitë e një pavode i përshkonin pikturat Vrasja, Rrëmbimi, Bacchanale. Sundimi i Shën Antonit e të tjera, ndër të cilat artisti i vetmuar dhe pa mbështetje projektoi ëndrrat plot zagushi dhe vizionet torturuese të një fantazie shumë të shqetësuar.
Në tërësi krijimet e para të Cézanne-it kanë një karakter dominues patetik, qoftë kur paraqet ato vizione dhe qoftë kur merret me gjëra të tjera për t’ua mishëruar dinamikën e tij të brendshme e personale. Por me kalimin e kohës ne mund të konstatojmë një tendencë për kufizimin e dinamikës së shprehjes dhe ndër portretet, peizazhet, natyr-mortet gjenden fillimet e thjeshtësisë së mëvonshme të krijimeve të tij. Kudo fillon të dallohet kolorizmi i tij i theksuar, para së gjithash në ngjyrat intensive dhe kontrastet e forta, megjithëse akoma ai kolorizim mposhtet prej së zezës dhe ndrydhet prej kontureve. Për sa i përket idesë së ngjyrave, tek Cézanne-i dominon substanca e ngjeshur e pikturimit dhe mjeti i tij më i dashur mbetet për shumë kohë spatola, të cilën e përdor me energji dhe mund të thuash dhe me kryeneçësi të çmendur, prandaj është çudi, kur një akademik thirri i tmerruar kur pa një provë të pikturës së tij: “Kjo qenka pikturuar vetëm me thikë, por edhe me kobure! “Por kjo teknikë e ashpër dalëngadalë i lëshon vendin punës më fine me penela dhe njëkohësisht – sikur po fillonte të dukej influenca e Manet-së – në krijimet e Cézanne-it duken nuanca më të çelëta e të diferencuara si p.sh. në pikturat “Paul Alexis i lexon diçka Zola-it” ose Natyr-mortet me guaskë dhe orë të zezë. Por, ashtu sikurse edhe emrat e tjerë që i sjellim ndër mend duke parë aspektet e ndryshme të krijimeve fillestare të Cézanne-it – emri i Delacroix-it për sa i përket vrullit romantik dhe ndjenjës së ngjyrës të artistit, emri i Courbet-së për sa i përket afinitetit të tij për plastikën dhe prirjes së tij ndaj së përditshmes, emri Damier-së për sa i përket fuqisë së tij shprehëse dramatike – po ashtu edhe emri i Monet-së mund të përmendet vetëm gjer n’atë pikë, sa, ç’e lejon një farë primitiviteti ose një origjinalitet që s’mund të vihet më në dyshim i një piktori, i cili ndodhej akoma në kërkim të mënyrës personale të shprehjes.
Qëndrimi rebel i Cézanne-it kufizohet vetëm në sferën e artit, ku gjer me një farë shkalle ai patjetër kishte edhe kuptimin e një proteste shoqërore. Por në përgjithësi jeta e tij kaloi pak mënjanë historisë. Megjithëse s’mungonin shenjat, që ai në rininë e tij anonte nga rebelizmi dhe në politikë (po ashtu si me shokët e tij të tjerë që ishin kundërshtarë të regjimit të Napolonit të III të cilin ai në vetvete e mallkonte si tiran) prapë se prapë interesi i tij i pakët dhe i herë pas hershëm për çështjet politike nuk shkonte gjer atje, sa që ta angazhonte me ndonjë mënyrë e ta përziente në probleme publike. Këtë e dëshmon qëndrimi i tij në kohën e luftës franko-prusiane. E gjithë ajo periudhë e stuhishme – me invadimin gjerman, shkatërrimin e perandorisë, shpalljen e republikës, rrethimin e Parisit dhe dramën e Komunës – kaloi përmbi të siç kalon shtrëngata mbi një njeri i cili ka një çati mbi kokë. Ai e jetoi atë kohë jo shumë larg nga vendlindja në qytetëzën l’Estaque në bregdet, në gjirin e Marseille-ës, ku i shpëtoi dhe shërbimit ushtarak.
Kur ca kohë më vonë Ambroise Vollard-i e pyeti, se me çfarë ishte marrë atëherë, Cézanne-i iu përgjigj: “Dëgjoni, zotni Vollard! Gjatë luftës unë punova shumë për motivin e l’Estaques. S’mund t’ju tregoj qoftë edhe një ngjarje të vetme të jashtëzakonshme, që të më ketë ndodhur gjatë viteve 1870-1871. Kohën time e kam kaluar pjesërisht në natyrë e pjesërisht në atelier.”
Në atë kohë ai nuk jetonte më vetëm. Rreth asaj periudhe u njoh në Paris me modelen e re Hortense Fiquet, dhe vetmia e shtëpisë së tij prej beqari vate e shkoi. Kjo njohje e rastit e atij burri sensual por të ndrojtur para grave me atë vajzë mori formën e një lidhjeje të vazhdueshme. Në të vërtetë s’ishte ndonjë dashuri e madhe ajo që i lidhte të dy, ata kishin një natyrë tepër të ndryshme nga shoqi dhe Hortensa s’tregonte interesim tjetër për punën e tij, përveç atij që i rrinte model me durim të madh. Pas disa vjet bashkëjetese marrëdhëniet e tyre u ftohën dhe morën vetëm formën e konvencionit, të cilin e legalizuan me martesën e tyre të vonshme në vitin 1886. Por në periudhën e parë të asaj kohe ajo grua ndoshta ka kontribuar me praninë e saj fizike në një farë ndryshimi të klimës së ndjenjave të Cézanne-it; ajo e afroi Cézanne-in për pranë jetës dhe aq më tepër kur i lindi një djalë, të cilit ia vuri emrin Paul. Cézanne-i ishte 33 vjeç kur i njohu gëzimet e prindit dhe mori përsipër përgjegjësinë e kryetarit të familjes.
Por kundrejt babait të tij të rreptë ai vazhdoi të sillej edhe tani si një djalosh i papjekur. Atij ia fshehu të vërtetën, që kishte një shoqe jete dhe një fëmijë dhe për shumë vjet me radhë e mohoi gruan! Edhe në këtë nënshtrim ndaj autoritetit prindëror, kundër të cilit ai s’qe i zoti të ngrinte kryet, tregohet në mënyrë të qartë një dobësi e karakterit të tij, mungesë e guximit dhe pazotësia e tij për veprime praktike. Piktura ishte për të e vetmja mundësi ku ai të dallohej me një vepër burrnore.
Që kur ndodhej në l’Estaque, Cézanne-i u mësua të pikturonte në natyrë, duke qëndruar përpara motivit. Por pikturës plein-aire ai iu kushtua krejtësisht vetëm në vitet 1872-1874, kur qëndroi në Pontoise dhe në Auvere-sur-Oise. Në Pointoise kishte ardhur të banonte edhe Pisarro-ja dhe shokët e tij e ndoqën gjer atje, për të krijuar një koloni të vogël piktorësh, kurse në Auvers jo shumë larg q’andej, banonte doktor Gachet-ja, mjek piktor amator dhe koleksionist pikturash, shtëpia mikpritëse e të cilit qëndronte e hapur për të gjithë ata.
Kontakti me Pisarro-n, me të cilin ai shpesh herë punonte krah për krah, i bëri shumë dobi Cézanne-it. Ai vetë e pohonte gjithmonë atë influencë: “Ndoshta ne të gjithë nisemi nga Pisarro-ja, që më 1865 ai e hoqi nga paleta e tij ngjyrën e zezë, asfaltin, sienan (kafen) dhe ockerin (kafe e verdhë). Ky është një fakt. Ai më thoshte gjithmonë: mos pikturo kurrë me ngjyra të tjera përveç tri ngjyrave bazë dhe derivateve të tyre”. Por nuk ishte çështja vetëm që Cézanne-i merrte mësim nga Pisarro-ja në metodën e vrojtimit të natyrës dhe të pikturimit të dritës e të ajrit, nuk ishte vetëm çështja e teknikës impresioniste të ngjyrave e të njollave të pastra të cilën ai mësoi prej tij. “Modesti dhe madhështori Pisarro” (siç e quante ai) e influenconte edhe si njeri. Sepse ky piktor, që ishte pothuajse dhjetë vjet më i vjetër se ai dhe marrëdhëniet e të cilit me të ishin më tepër të një prindi mbrojtës se sa të një shoku, ky njeri me zemër të thjeshtë e të sinqertë, i cili, si të thuash lulëzoi në mes të natyrës së fshatit, ky socialist dhe mik i njerëzve, artisti pa kompromis, i cili bënte një luftë të vështirë me skamjen e megjithatë s’lëvizte asnjë hap nga qëllimet e tij, ky punëtor i palodhur, që kish humbur në luftë pothuaj të gjitha veprat e tij të deriatëhershme dhe tani i ishte përveshur përsëri punës me optimizëm nga e para – ky njeri pra, ushtroi mbi Cézanne-in një influencë jashtëzakonisht të madhe.
Kështu pra Cézanne-i u fut në rrugën e impresionit duke e ndjekur për një periudhë kohe pak i mënjanuar dhe me ngulm. Për motivet e peizazhet natyr-mortet, trupave dhe fytyrave ai filloi një studim metodik në bazë të natyrës dhe shkallën e këtyre studimeve e dokumentojnë pikturat. Shtëpia e të varurit, Pamja e Anversit. Lulet në vazon Delfter, Portreti i Victor Chocquet-së e të tjera. Ai tani kapej pas gjërave jo për t’i thithur në gjirin e mbrendësive të tij të shkumëzuara, por për ta zbutur shqetësimin e tij në to, për të arritur me to një lloj bashkekzistence? Para së gjithash ai zhvilloi tek ata “sensations colorantes” e tij.
Nën emrin “sensation” – në atë kuptim që i jepte ai me të vërtetë – nuk është fjala për kuptimin pasiv shqisor, por kapja aktive e objektit, ku merrnin pjesë jo vetëm shqisat, por edhe arsyeja dhe ndjenja.
Cézanne-i gjithnjë e pat vlerësuar shumë Manet-në është e njohur shprehja e tij e mëvonshme: “Manet-ja është vetëm sy – por o Zot i madh, çfarë syri!” Por atij vetë – n’atë kohë dhe aq më tepër më vonë – në punimet e tij nuk zuri vend shfaqja e thjeshtë optike e pikturave të Manet-së, që ndiqnin çastin kalimtar. Atij iu bë më e afërt piktura koncize dhe me përmbajtje e Pisarro-s, e cila pa dyshim që edhe në këtë drejtim i qëndroi si shembull dhe e ndihmoi të zhvillonte ndjenjën e tij për formën dhe madhështinë e objekteve si dhe për ndërtimin (kompozicionin) e pikturave. Por edhe nga Pisarro-ja ai dallohej me anën e forcës së ashpër shprehëse dhe të një farë plogështie të penelit, i cili vazhdimisht i drejtohej objektivit.
Në atë periudhë të zhvillimit të Cezanne-it, të cilën ne mund ta quajmë si impresioniste dhe që zgjati afërsisht që nga qëndrimi i tij në Pontoise deri nga fundi i viteve shtatëdhjetë, mënyra e tij e pikturimit pati mjaft lëkundje të konsiderueshme.
Në përgjithësi mund të thuhet që ai i mposhti elementët e pikturimit dhe shprehjen e bazoi mbi ngjyrat e paletës së pastruar. Karakteristike për punimet e tij ishin në atë kohë njollat e vogla, që shpërndaheshin në drejtime të ndryshme duke mbuluar shpesh herë njëra – tjetrën dhe që formonin kore të trasha bojnash.
Në kundërshtim me flokëzat e bojnave, që duken sikur enden nëpër ajër dhe shkrihen në dritë, siç e shohin tek impresionistët e tjerë, para së gjithash tek Manet-ja dhe shpesh herë tek Renoir-i, Cézanne-i e punonte pikturën e tij me copëra të vogla si brumë, të cilat intensivonin lidhjet reciproke të bojnave dhe të dritës dhe njëkohësisht nxirrnin në dukje formën e objekteve. Që në atë kohë ai – qoftë edhe në mënyrë jo konkretisht të ndërgjegjshme – kërkonte me shumë të përhershëm se sa të kalueshëm, ndiqte ndërtimin e formave, kompozimin e madh të ngjeshur. Provat e tij siluetat e grave që lahen – një teme të cilën Cézanne-i e kapi shpesh herë edhe gjatë viteve të ardhshme – kalonin në mënyrë të qartë jashtë sferës së impresionizmit.
Njëkohësisht nga pikturat si Olympia moderne ose Qypi i verës, ku ngjyrat e pastra të paletës impresioniste ndizen nga afshi i nxehtë i ëndërrimit, ndjehet akoma tingulli i jehonës romantike.
Olympia moderne, bashkë me Shtëpinë e të varurit figuronte në ekspozitën e parë të impresionistëve të vitit 1874. Cézanne-i mori pjesë në atë manifestim të dëgjuar në atelierin e Nadar-it në Boulevard des Capucines para së gjithash i shtyrë nga Pisarro-ja, i cili, me gjithë kundërshtimin e disa pjesëmarrësve, arriti prapëseprapë ta futë atje. Gjithsej atje u mblodhën tridhjetë piktorë, midis tyre Degas, Guillaumin, Monet; Berthe, Morisot, Pisarro, Sisley, Renoir, me qëllim që ta zgjonin me forcë interesimin e publikut. Por ata hasën një rezistencë shumë më të fortë nga ç’e kishin parashikuar.
Që nga rënia e Komunës kishin kaluar vetëm tre vjet dhe borgjezisë triumfuese i dukej e dyshimtë çdo gjë që mbante erë rebelimi dhe përpjekjeje për pavarësi. Vetëm fakti që ajo ekspozitë u organizua pa një patronazh zyrtar (gjë që në atë kohë ishte diçka krejt e jashtëzakonshme) i jepte asaj ngjyrën e një rebelimi. Aq më tepër, natyrisht provokonte dhe fryma artistike revolucionare e asaj pikture, e cila ndryshonte aq shumë nga të gjitha ato, që ishin mësuar të shihnin vizitorët e sallonit. Publiku i shushatur u hakmor me të qeshura tallëse dhe një kritikë kokëngjeshur e përkrahu atë, duke dhënë ushtrimin. Atë grup piktorësh filluan ta quanin “të palëkundurit” ose “revoltuesit” para se të dilte e të fitonte popullaritet emri tallës “impresionistët”.
Të gjithë hëngrën, si të thuash, një dru të shëndoshë por objekt i sulmeve më të tërbuara ishte Monet-ja dhe pastaj vinte Cézanne-i. Cézanne-i mori pjesë edhe në një sërë pikturash të tjera në ekspozitën e tretë të përbashkët të vitit 1877 ky ishte një shkak tjetër për të tërhequr mbi vete vëmendjen aspak miqësore.
Nga koleksioni i sharjeve me të cilën e mbuluan Cézanne-in do të përmendim vetëm zërin e një kritiku me influencë të asaj kohe: “Claude Monet-ja dhe Cézanne-i të lumtur që mundën të riprodhonin edhe një herë veten e tyre, kanë ekspozuar tridhjetë, respektivisht katërmbëdhjetë piktura. Njeriu duhet t’i shohë ato një herë, që të jetë i zoti të përfytyrojë se çfarë përmbajnë. Ato janë qesharake dhe të mjerueshme. Ato dëshmojnë paditurinë më të madhe në lëmin e pikturimit, të kompozimit dhe të koloritit. Fëmijët që argëtohen me letër dhe bojna do mund t’i bënin më të mira”.
Ndoshta pat qenë kjo kritikë skandaloze, që e ndaloi Cézanne-in të ekspozonte edhe herë të tjera vepra bashkë me shokët e tij. Por edhe në artin e tij ai filloi të hynte dalëngadalë në rrugë të reja.
(vijon)
Përktheu nga gjermanishtja: Robert Shvarc. Botohet me lejen e familjes së përkthyesit.
*Miroslav Micko (1912-1970) estet, kritik arti dhe profesor në universitetin e Pragës
[1] Rentier (fr.) njeri që jeton me të ardhura (nga qirate, nga pronat ose nga pensioni).
[2] (fr.) E tmerrshme është jeta.
[3] Cézanne bankieri nuk mund të shikonte pa u dridhur
Pas asaj tryeze hesapesh lindjen e një piktori t’ardhshëm.
NO COMMENT