Gazmend KRASNIQI
Rënia e funksionales
1.
Një poet që, në pamje të parë, mund të duket jashtë rrjedhave, është edhe Frederik Rreshpja. Ky mendim krijohet duke parë botimet e dy dekadave të fundit, mirëpo, po t’u hedhësh një sy librave të rinisë së tij, kuptohet se sa e rëndësishme ka qenë për këtë poet krijimtaria poetike e Ismail Kadaresë, edhe pse tregonte një talent të veçantë në shumë drejtime. Duhet thënë se shumë motive dhe qasje ndaj tyre të kujtojnë poezitë dhe qasjet poetike të atij që shihej si poeti më i suksesshëm i kohës. Në mendimin zyrtar të viteve ’60-të, kohë kur u shfaq së pari poeti Rreshpja, suksesi shihej te tematika, diçka që ilustrohet me emrat e Llazar Siliqit, Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, Fatos Arapit etj. Si poet i ri që kërkon suksesin, Rreshpja bëhet pjesë e këtij modeli, duke ia arritur qëllimit që i kishte vënë vetes, sepse poema “Topi fushor” hyn në antologjinë më të rëndësishme zyrtare të kohës, pa botuar më parë ndonjë përmbledhje poezish më vete.
Në përmbledhjen e parë (1968), këtë “haraç” do ta gjejmë te poezitë e poemat për partizanin, heronjtë e punës socialiste, aksionistët, lapidarët, ushtarët e revolucionit, ndërsa në përmbledhjen e dytë (1973) do ta gjejmë te poezitë e poemat për komisarin, hidrocentralet, 8 Nëntorin, 1 Majin etj., gjithmonë duke pasur parasysh se, me anën e realizmit socialist, poezia shqipe po njihte ndikimet futuriste dhe postfuturiste, sidomos nga ndikimi majakovskian. Titujt e përmendur tregojnë se përfaqësojnë tematikën tipike të poezisë së kohës, por, gjithashtu, edhe formën shkrimore.
Megjithatë, edhe kjo periudhë e krijimtarisë, përshkohet nga kontradikta midis talentit të mirëfilltë poetik dhe sloganizmit të diktuar ideologjik. Vetëm kur shmangim shtresat soc-realiste të këtyre dy vëllimeve të para poetike, ndodhemi përpara zbulimit të Reshpjes si poet që u qëndron kohëve. Shohim se në disa fragmente poemash e poezish, ku u ikën temave të imponuara, duke ndërtuar zërin unik të poetit, pamjet e thjeshta të sendeve të ngrihen deri në simbole, prej nga bëjnë të dukshme e të prekshme forma të tjera më të fshehura e më të përkryera: një ndjesi që bëhet mbizotëruese në periudhën e dytë të krijimtarisë, ku duhet të flasim me një gjuhë tjetër, sepse tashmë jemi çliruar nga kompleksi tematik.
Por le të rrimë edhe pak në kohën për të cilën po flisnim. Në një shkrim redaksional të revistës “Nëntori”, të vitit 1973, me titull “Probleme të poezisë sonë” dhe nëntitull “Kundër ndikimeve të huaja në poezi”, ku flitet për një diskutim krijues të marsit të atij viti në Lidhjen e Shkrimtarëve të Shqipërisë, gjejmë edhe këto rreshta – “Rendja pas figurave e ka çuar ndonjë poet gjer atje sa të spostojë mendimin dhe të nxjerrë figurën në plan të parë. Kjo e bën poezinë të tingëllojë krejt formaliste. Ja një shembull i tillë: Mane të varrosën në muzg/ Kali yt që u bë vjeshtë/ Hëngri gjelbërimin e pyllit/ Dhe befas u bë dimër”.
Poezia në fjalë mbyll periudhën e parë të kësaj krijimtarie dhe shërben si hallkë lidhëse për atë që do të ringjallet pas 17 vjetësh, në kohën e quajtur të demokracisë, sepse për gjithë këtë periudhë kohore poetit do t’i privohet liria dhe e drejta e botimit nga regjimi i kohës. Kjo pikë e zgjedhur na shërben për të parë se, paradoksalisht, këto dy periudha krijimtarie do të kenë si dallime, ashtu edhe të përbashkëta po aq të mëdha. Pra, vetëm vitet ‘90-të dhanë atë liri që i shërbeu gjetjes së zërit të mirëfilltë të poetit, krijimtarisë që ngjizet në bazë të ligjësive të brendshme, pa ndikim nga jashtë.
Ndryshe nga krijuesit e tjerë të brezit të vet, Frederik Rreshpjen e karakterizon pakënaqësia nga efektet e lehta e zgjidhjet gjysmake, për hir të një vepre serioze dhe të mundit e të djersës që kërkon ajo. Shohim se, për këtë poet, si për çdo poet të mirë, i vetmi realitet është ligjërimi, ku, ashtu siç do të thoshte Elioti, nuk duhet të kërkojmë personalitetin e poetit-njeri, pasi ligjërimi është vetëdija e tij, por pa të. Në këtë ligjërim që poetit i kushton jetën, fjala gjithnjë e më shumë vjen e vepron si një fuqi e fshehtë, i bën sendet të pranishme jashtë ekzistencës së tyre reale, të njohur. Ligjërimi formëson lojën e vet pa njeriun që e ngriti atë, duke na kujtuar vazhdimisht zbatimin e teorive letrare moderne, sepse një letërsi e tillë, qysh nga përcaktimi i saj, krejt ndryshe nga mendimi kritik zyrtar që ka mbizotëruar shumë dekada në Shqipëri, kërkon një lexues të ri.
Sot njohësi i poezisë ndërgjegjësohet se ligjërimi poetik është strukturë e një kompleksiteti të madh – është gjuhë më e ndërlikuar se ajo natyrale, pasi, nëse mundësia e transmetimit të një informacioni në gjuhën e zakonshme njeh kufij, kjo s’mund të thuhet për ligjërimin artistik rreshpian: aty i njëjti informacion mund të njohë shumë mënyra transmetimi. Gjatë ritregimit të një poezie me gjuhën e zakonshme – siç ka ndodhur përgjithësisht në studimet tona apo në librat që kanë formuar breza të tërë – ne do të kryenim shkatërrimin e strukturës së saj, duke çuar kështu te lexuesi një volum informacioni tërësisht të ndryshëm nga çfarë parakupton vetë kjo poezi, sepse metoda që merret me interpretimin e ide – përmbajtjes së veprës dhe ajo që merret me tiparet artistike të tekstit, këtu ndahen.
Kjo poezi nuk është zbukurim apo përshkrim i thjeshtë i realitetit, por krijim i një qenieje poetike që shkon deri në simulakër, ikje nga çdo mimesis aristotelian. Duke iu bindur disiplinës së thelbit të saj verbal, ajo zotëron një pushtet emërtues, por shenjat e saj mbështjellin me një ndjeshmëri të mistershme. Poezia e Frederikut shpjegohet si vetëdije e shpirtit të fëminisë dhe pasioneve të saj, sepse përcaktimi thelbësor që i bëhet kësaj poezie është: ligjërimi i imazheve të kësaj fëminie. Përmes fjalëve të poezisë ndodh çlirimi i tensionit të organizuar të fjalëve. Poezia vjen nga bashkëshoqërimi i ideve dhe ngjyrimeve që nxisin fjalët përmes kujtimeve, emocioneve dhe dëshirave. Për t’u shprehur, poeti përdor sendet që e rrethojnë, imazhet e ëndrrave dhe objektet e ëndrrave të veta.
Me Frederikun kemi të bëjmë me atë lloj poeti për të cilin poezia është brenda vetes dhe nuk ka nevojë të kërkohet larg. Si poet ai ka në dispozicion fjalët, por i shtyn ato në punë ndryshe nga njerëzit e tjerë, kur kanë nevojë për to. Janë të njëjtat fjalë, por jo të njëjtat mënyra e vlera përdorimi. Kështu poezitë e tij marrin një pafundësi kuptimesh të mundshme, pasi në thelb ato janë një muzikë shenjash të shumëllojta, e cila mund të kundrohet si një kaleidoskop. Në këtë poezi raporti i metrikës tradicionale dhe i përpjekjes për krijimin e formave të reja të studimit të vargut është raporti mes retorikës silabike dhe stilistikës së re, mirëpo teoria e re mbi vargun krijohet në bazë të vjershërimit të vjetër, madje edhe atëherë kur i kundërvihet.
Konstatojmë se Rreshpja mbetet mbase i vetmi poet i brezit të tij që nuk ka tentuar asnjëherë për të ribotuar në vitet ‘90-të pjesën e parë të krijimtarisë së tij, por nga krahasimi i teknikave të realizimit të vargut shihet se ajo periudhë e krijimtarisë i ka shërbyer si “fletore ushtrimesh”, duke çuar përpara cilësitë e veta më të mira në këtë drejtim. Ai të kujton Kavafin, si poet që në një moment pjekurie kap thelbin e asaj që duhet të jetë krijimtaria e tij e ardhme. Më tej, të kujton Malarmenë, si poet që nuk i lejon vetes asgjë të rastësishme, sado e bukur qoftë ajo, sepse çdo gjë duhet të mbizotërohet deri në fund.
Ndryshe nga ç’kishte qenë moda e shekullit XX, ai i përket klasës së poetëve që kërkojnë ta mbyllin jetën e vet në një libër. (Gjatë këtyre viteve i botohen mbi dy – tre vëllime, por ato mund të shihen si variante të të njëjtit libër, të cilat mbartin dhe transmetojnë zejen gjithnjë e më fine të një poeti të karakterizuar nga pakënaqësia e përjetshme për punën e vet.). Nga periudha e parë e krijimtarisë, megjithëse tingëllon cinike, ai mbart vetëm strofën e lartpërmendur, ku u cilësua si “formalist”, e cila nuk qe përfshirë nga dy librat e parë, por qe e botuar në një revistë kulturore të kohës. Këto vargje, që përcaktojnë gjithë kuturisjen e ardhshme poetike, na ndihmojnë të kuptojmë se bërthama e tematikës dhe e teknikës së ardhme i ka rrënjët te periudha e parë, që u ndërpre në mënyrë të dhunshme nga mosnjohja dhe mosdashja e poezisë së vërtetë, duke na dhënë disa ide të qarta për krijimin në liri dhe jo-liri. Nga ana tjetër, këto vargje na kujtojnë se sa e rëndësishme qe për këtë poet krijimtaria popullore. Ato japin disa prej veçorive që ka përdorur ky poet në raport me krijimtarinë e popullit.
Këto veçori mund t’i rendisim në:
- apostrofimet e shpeshta: Mane të varrosën në muzg/ Kali yt që u bë vjeshtë
- rimat s’kanë rëndësi (ato mund të jenë të rastit):
në rastin konkret, duke pasur parasysh një strofë klasike katërshe, nuk rimojnë as muzg me pyllit, as vjeshtë me dimër, megjithatë ne as që ndiejmë ndonjë mungesë
- metrika s’ka shtrëngesë:
vargu i parë ka 9 rrokje, vargu i dytë ka 8 rrokje, vargu i tretë ka 9 rrokje, ndërsa vargu i katërt ka 7 rrokje
- nënlloji i baladës:
poezia ka tipologjinë e këtij nënlloji poetik
- karakteri i gjamës:
poezia përcjell jehonat e largëta, por të përpunuara të kësaj pjese të krijimtarisë popullore, një shembull të së cilës po e citojmë: I mjeri u, mik e ma i miri mik, i mjeri!/ Kur t’nisesh me dalë prej ksaj shpi,/ Lamtumirë thuej, mal e vrri,/ Lamtumirë, shokë e miqsi
- mbështetja në krijimtarinë popullore dhe përpunimi mjeshtëror:
poezia na kujton një krijim popullor, por që tejkalohet në sajë të mjeshtërisë së një poeti modern, i cili e ka vetëm si bazë motivin e caktuar popullor
- shfrytëzimi i elementeve piktorike përpara atyre tingëllore:
duke përdorur gjuhën kritike të Kutelit, do të thoshim se poezia e Rreshpjes është më tepër një poezi e syrit sesa e veshit, një premisë më tepër për të përforcuar idenë e raporteve të saj me folklorin shqiptar.
2.
Mirëpo, nga ana tjetër, poezia e Rreshpjes dominohet nga metafora, e cila, siç thotë Pipa, kur flet për Migjenin, nuk është karakteristikë e poezisë shqipe, sepse në “poezinë shqipe zakonisht është shpjeguese dhe ilustrative, e afërt me krahasimin. Shqiptarët që priren të jenë realistë dhe praktikë, anojnë kah një stil diskursiv, pa kalime të dhunshme apo kontraste të thella…”
Rreshpja pëlqen metaforën paralogjike. Shikon tek ajo fuqinë e njeriut, duke na kujtuar fjalët e Ortega Y Gasset se ajo “afrohet me magjinë dhe, si instrument i krijimit, është harruar prej Zotit në brendësinë e krijesave të veta…”
Pas metaforave që përdor Rreshpja kemi humbjen e botës objektive, por bota e “krijuar” prej tyre tregon fuqinë e fituar, duke marrë kujtimin e një pasqyre vërtet të veçantë të saj. Na vjen ndërmend koncepti bodlerian se e çrregullta, domethënë e papritura, e befta, habia, përbën një element thelbësor të së bukurës.
Duke shkuar përtej poetëve barokë, ku bashkohen më anë të arsyes dy elemente të pavarura, shumë shpesh ai u heq pavarësinë edhe elementeve që bashkon, duke krijuar një element të tretë, diçka që është vetë simulakra bodrilariane. Me anë të një procesi të thjeshtë gjuhësor, metafora ngrihet në nivelin më të lartë të ndërlikueshmërisë poetike. Te Rreshpja ajo na shfaqet si:
- brenda një shoqërimi fjalësh njëra humbet kuptimin e zakonshëm dhe përdorimi i ri fiton një informacion më të madh kulturor, si në format – folklori i zogjve; itakat e legjendave; shtëpia e gjetheve
- animizim i natyrës (metaforë folje), si në format – fshihet era në legjendë; hëna vizaton; shqetësohet zogu i pritjes; flenë stinët;
vallëzon mermeri i legjendave
- krahasim që bëhet në mendjen tonë, përtej krahasimit të zakonshëm, si në format – reja gri si mall i harruar; dëbora si një perëndi ilire
ç) metaforë epitet (epitet metaforik), si në format – druri i trishtuar; dëbora e thinjur; hëna e pikëlluar
- nga kuptimi i ngjashmërisë, si në format – unë kam qenë trishtimi i botës; një mjegull quhet akuarel i lëvizshëm
Kemi edhe disa cilësi të tjera të poetikës manieriste dhe baroke te ky poet, ku rreshtojmë:
- katakrezë – mermeri i thyer i Perëndisë së Humbjes; kënga e artë e lamtumirës
Epitetet i thyer, e artë rigjallërojnë disa forma që po shkojnë drejt gjuhës së folur.
- oksimoron – o e verbra madhështore; o fat budalla; një kalë i vdekur vrapon nëpër shpat; rri sonte te unë/ sa të bëhen trëndafilat e drurëve të vdekur;
Është e qartë për të gjithë se bashkimi i veçantë i fjalëve ka shmangur kuptimin e njohur të dy elementeve që përplasen, pasi logjika nuk e pranon të vrapojë një kalë i vdekur.
- Sinestezia – Megjithatë e di: erdhi një trëndafil me shall/ Dhe ishte një vajzë që çeli gjethe tek porta… Shohim të priten dy rrafshe ndjesore, të cilat e nxjerrin lexuesin nga një ndjeshmëri e zakonshme. Ngatërrimi i sferave të ndijimit bëhet qëllim estetik i poezisë.
Duhet të theksojmë se, edhe pse të kujton poetikat manieriste e baroke, kjo poezi ruan vlerën e modernitetit që në letërsinë perëndimore ka filluar me pohimin e fuqisë interpretuese të gjuhës në poezi (Poe, Hopkins, Mallarmé), kur ajo fiton domethënie e përmasa të reja në shtratin e poezisë bashkëkohore.
Kjo poezi, moderne në tërësinë e saj, e realizon ritmin poetik jo në bazë të elementëve që përsëriten gjatë vjershës, mënyrat më të njohura te poezia tradicionale, por përmes një uniteti brenda shumëllojshmërisë. Në këtë poezi si faktorë të organizimit ritmik janë zgjedhja e fjalëve, rendi i veçantë i tyre, vargjet e mirëkontrolluar: të gjitha këto në unitet me kuptimin e fjalëve, me asociacionin që përçojnë te lexuesi. Raporti i metrikës tradicionale dhe i përpjekjes për krijimin e formave të reja të studimit të vargut është raporti mes retorikës silabike dhe stilistikës së re, mirëpo teoria e re mbi vargun krijohet në bazë të vjershërimit të vjetër, madje edhe atëherë kur i kundërvihet. Rasti i poezisë së Frederik Rreshpjes e ilustron më së miri këtë argument. Për shembull:
Vjeshtë 1990
Qanë dreri në korije dhe lotët bëhen shi.
Trishtohet era mbi shkëmb.
Nuk ka më gjethe të gjelbra. Po bien
Ëndërrat e pyjeve një nga një.
Ikin zogjtë nga shkretimi i drurëve:
Lamtumirë, o pyje të Ballkanit!
Veç nën një ferrë kaltëron ende
Vjollca e fundit e këngës së bilbilit.
Ardhtë një vjeshtë pa shtegëtim zogjsh!
Ardhtë një Zot, vëntë dorë mbi stinët!
Shohim menjëherë se poezia nuk është në rregullat e normat e poezisë klasike, nuk kemi as vargun e matur rrokjesh, as strofat fikse dhe skemat e njohura rimike, pasi ajo është ndërtuar sipas kërkesash që ndryshojnë prej tyre.
Hapi i parë i kuptimit të kësaj poezie është leximi i disahershëm i saj, për të kapur çdo fjalë e referencë. Kërkohet vetëdija e kapjes së kuptimit të dytë të fjalës, ashtu siç duhet për të kuptuar kodin e përdorimit të saj: duhet të përcaktohet qartë ngjyresa e hollë e kuptimit. Është e nevojshme të dihet ngjyresa e zakonshme e fjalës dhe ngjyresa e veçantë në kontekstin e poezisë. Për shembull, fjala vjollcë e përdorur aty, ndryshon shumë nga kuptimi që ka kjo fjalë në një fjalor.
Poezitë, kryesisht, lidhen me emocionin dhe jo me idetë, prandaj këto emocione përçohen përmes ngjyresave të fjalëve dhe asociacioneve midis tyre, duke formuar kështu botën poetike të tekstit. Meqë pjesa më e madhe e intensitetit emocional është krijuar nga tingujt dhe ritmet e kombinimit të fjalëve, kjo poezi duhet lexuar me zë. Ajo duhet lexuar me kujdes, por në mënyrë të natyrshme, duke shqiptuar çdo fjalë, duke ndaluar në çdo shenjë pikësimi dhe duke vëzhguar fundet e vargjeve me ndërprerjen e duhur. Disa vargje duhet të kenë ndalesa të theksuara, ndërsa disa të tjerë duhet të hidhen menjëherë te vargu tjetër, pas një ndalese të lehtë, duke përjashtuar çdo ton monoton, artificial e mekanik, të cilët, shpesh, shihen si poetikë.
Poezia ka një model të veçantë tingujsh, thyerjesh dhe rrjedhe ritmike, dhe lexuesi i mirë përcakton nuancat dhe zhvillimet emocionale, duke i paraqitur ato sa më saktë në leximin e tij. Çdo lexim i një poezie të shkruar mirë duhet të rikrijojë emocionet fillestare që ka pasur poeti në intensitetin e tyre të parë.
Frederik Rreshpja
PËRDITË IKIN STINËT
kopshti
Është kopshti ku kënga ime ka një statujë.
Luanët e thyer të fëminisë
Pinë ujë te pusi i vjetër,
Mbi zjarret e trëndafilave ngroh duart Saadiu
Shpesh nga mitet dalin satirët
Dhe hapin dyert e mbyllura të hijeve
Vështron shtigjet e natës jasemini
Dhe drita e bardhë i rrjedh nga gishtërinjtë.
Narçizi nxjerr supet nga gonxhet,
I pikëlluar nga magjia e vet
Hëna dhe zanat fshihen
Dhe vështrojnë pas gjethesh.
Është kopshti ku kam një statujë
Bërë prej ngjyrash e gjethesh,
Ndiej në ballë daltat e pranverës
Që, nga bari, sytë e mi gdhend.
përditë ikin stinët
Fluturuan tri rosa në qiell,
Shpirtra të pyjeve të harruar,
Tingulli i këmbanës, si gjëmim hane
Këndoj rekuiemin e yjeve të rrëzuar.
Një vetëtimë e plagosur ra diku,
Si shpata e një klithme,
Mbi tokën e lodhur prej qiejve
Verbuar nga bronxi i shirave.
Fluturuan tri rosa në qiell,
Tri re dhe tri erëra.
O ju, shpirtrat e pyjeve,
Mbështjellur me dimrin e dhembjes.
Ç’të bëj në këtë peisazh?
Shpjermëni tek lumi që vdiq,
Në se kufomën e tij s’e kanë shpënë,
Erërat në qiell.
O Zot! Nga ç’qiell ra tërë kjo dhembje,
Që hënëzoi këtë dimër?
Përditë ikin shpirtrat e botës,
Përditë fluturojnë stinët.
vjeshtë 1990
Qan dreri në korie dhe lotët bëhen shi;
Trishtohet era mbi shkëmb
Nuk ka më gjethe të gjelbra. Po bien,
Ëndërrat e pyjeve një nga një.
Ikin zogjtë nga shkretimi i drurëve;,
Lamtumirë, o pyje të Ballkanit!
Veç nën një ferrë kaltëron ende
Vjollca e fundit e këngës së bilbilit.
Ardhtë një vjeshtë pa shtegtim zogjsh!
Ardhtë një Zot, vëntë dorë mbi stinët!
poezia
Në atë shteg ku kaloj unë e ka kasollen vjeshta
Bile të gjitha stinët janë fqinjë.
Një beng, si stradivarius,
Më mëson mua folklorin e zogjve.
Kasolle prej hëne! Nën qiellin tërë shi
Pikë-pikë mbi çatinë e kaltër
Trishtimi i djalërisë…
Mbeti tek xhami i plasur i dritares sate
Vështrimi im i thyer.
Unë vetëm u bëj nga një vizitë stinëve, o njerëz,
Kurse zemrën e kam tek ju.
Vinjetë
Një shelg i vetmuar, mbuluar me dimër
Braktisur nga zogjtë dhe gjethet:
Era, si ketër, kërcen mbi drurin
Me boçen e shiut ndër dhëmbë.
Netët e lumtura, si zilka
Tringëllijnë në degët e kujtesës…
Vizatihen në sfond të vetëtimave
Hënëzat që hëngrën dhentë e vjeshtës.
Rënë nga xhami i thyer i qiellit
Kristal’ i akullt yllëzon netëve
Dhe mbi pastelet e borës mardhet
Shelgu i trishtuar, fatkeq si Serembe.
është një zog…
Është një zog që vajton dit’e natë
Fshehur tek shtëpia e gjetheve.
Si na erdhi kjo stinë me emrin harrim!
Si na erdhi kjo stinë me emrin dimër!
U shuan yjet në pëllëmbët e mia
Dhe sytë e tu u bënë dimër.
E kam ditur ç’braktisje më pret,
Motit ky zog ma ka thënë.
Do të bëhem vjeshtë dhe do të shkoj
Të vdes tek shtëpia e gjetheve.
Shtëpia e gjetheve kyçur me hënë.
O zot! Nuk kam as ku të vdes…
akuarel
Shkallë-shkallë nëpër muzg ylli ngjitet në heshtje
Me sytë plot lotë.
Trëndafili çeli në kopsht, mu si një psherëtimë.
Zëra të largët vijnë e vdesin te kjo erë.
Zemra ime, si më harrove kështu?
rekuiem
Noton në përrua, me gjethe mbështjellë
Një ditë e vdekur vjeshte
Dhe shtergët e fundit kaluan të ngrirë
Me sytë e verdhë, në heshtje.
Rrëzohet nga drurët trishtimi i borës,
Lugina me hënë e lyer
Dhe drerët e erës vënë kujen me dhembje,
Me brirët prej akulli thyer.
Më vdiq dhe kjo vjeshtë, më shkoi dhe kjo ditë
Qefinin me gjethe të tharë…
O dimri i drerëve me brirët në erë,
Kë vjeshtë të qajmë më parë?
ajër
Është një ajër që tingëllin. Këputen telat
Dhe unë akordoj violinat e reja në erë.
Është një ajër plot shtigje që i dinë vetëm zogjtë
Dhe mbi shpinë mban retë, shiun, avionët dhe stinët.
Është një ajër që netëve vë vello të zezë
Dhe përsërit zëra e të vdekurve që mban në kujtesë,
Që nga dita e parë e botës.
Është një ajër ku unë ngjyros ylberë
Që shirat nuk i kanë njohur kurrë.
Kam bredhur kudo nëpër botë,
Po nuk është e njëjta gjë.
trëndafilat e fëminisë
Asokohe dhe ngjyrat ishin shpirtra.
Në fund të kopshtit banonte mitologjia
Në një olimp trëndafilash.
Këndonin këngë dhe tregonin legjenda…
Ah, tërë trëndafilave të botës do t’u bie më gjunj,
Veç ato legjenda s’kam për t’i dëgjuar më kurrë.
Yjet bëheshin trishtila në dritare
Ngjyer me magjinë e pyjeve të largët.
Por tani olimpin e trëndafilave e humba përgjithnjë.
Si perënditë e rrëzuara ilire.
kuajt e marsit
Atje poshtë në luginë më presin kuajt e marsit
Nën një hënë që më do.
Pranvera çdo ditë gdhend në celulozë zërin tim
Mbështjellë egërsisht me thikat e gjetheve.
Isha nisur të vdes për këtë tokë të lashtë
Statujash të gërryera nga uria.
Kuajt e marsit do të hingëllinin mbi mua
Nën hënën e një nate të prerë përgjysmë.
O toka ime, nën një ajër tingëllonjës daullesh!
Në çdo gur është fshehur një statujë nëne.
Anës detit ilir, mitet, çdo natë
Dalin nga amforat me sytë plot lotë.
zog i vogël
Tani ti do të ikësh qiejve.
Por akoma fluturimi yt rri në duart e mia.
Mos i harro duart e mia!
Në një çerdhe të tillë njerëzore s’ke për t’u prehur kurrë më.
Shko, të presin qiejt!
Shumë gjëra i kam lëshuar me duart e mia.
Kam pasur shumë dashuri që ikën një nga një…
Eh, fluturoi dhe ku gëzim i fundit.
Hija e tij u bë hënë dhe ra në det.
ky shi sonte
Qerrja e shiut mbjell pellgje nëpër natë
Dhe ikën pyjeve me vërtik.
Qerrtari i zi nëpër kodra
I bie vjeshtës me kamzhik.
Tërë verës portretet tona vareshin nëpër gjeth.
Edhe zëri im varej.
Tani bromuri i argjendit të diellit
Tretet i zbardhur në shi.
Lëkundet qerrja e pikëlluar e shiut
Te lumi me brigjet e zhveshura
Dhe rrodhën te varreza e detit
Gjethet që harroi vjeshta.
Qerrtari i zi nëpër kodra
Përzë vjeshtën pa mëshirë.
Po vjen perandoria e Ftohtë e dimrit:
Oh! Sa do të ngrijmë, zemra ime!
arlekinët
Ikën arlekinët e trembur nën çatinë e përrallës
Kur putha për herën e parë.
Qau vajza e vogël: por kushedi
Ndoshta qau fëminia. Në kopsht,
Nga dritarja e përrallës, arlekinët
Vështronin të trishtuar, tërë lotë.
Nuk desha t’i tremb arlekinët e mirë,
Nuk desha, por nuk bëhej ndryshe
Se nën çdo mollë, bile nën çdo dru
Kurdoherë një Evë më priste.
vera që shkoi
Vera që shkoi i pikëlloi qiejt
Si pikëllohem unë për ty.
Mbi plazhet e shkreta, tërë dhëmbje
Ulurijnë rrufetë me kuje.
Diku anës qyteteve me mjegull
U shfaqën karvanet e tetorit,
Folklori i harruar i qeraxhinjve
Dhe mushkat ngarkuar me shi.
det
Hëna ikën nëpër mjegulla
Si varka e dhëmbjes ime.
Ëndrra ime për ishujt e kaltër
Nëpër dhëmbje, nëpër hënë!
Gdhenda në breg të detit pikëllimin tim.
Vinë dallgët dhe bëhen lotë
Si lotët e miteve te statuja ime,
Por mua asnjë vdekje nuk më zë.
Perëndimi si vrasë me thika ndër duar
Nëpër dhëmbje, nëpër hënë.
Tërë jeta ime si këto ujra nën thika,
Por mua asnjë vdekje nuk më zë.
zogjtë
Gruri fle nën dëborë.
Fusha tërë dimër nën yjet e ftohtë.
Vetëm zogjtë sillen si aviona të hutuar.
Ku e keni aerodromin, o zogj?
Trokiti në dritare dimri i kontinentit
Dhe ti kujtove se jam unë që po vij.
Jo, dimri e ka shtëpinë në fushë,
Vetëm unë e kam shtëpinë tek ti.
Por, kur vijnë zogjtë mos harro
Të hapësh dritaret tejembanë
Se, sigurisht, zogjtë nuk janë dimër,
As aerodrome nuk kanë.
dëbora e shtatorit
Pranvera shkoi
Hëna s’do t’i vizatojë më drurët
As çerdhet e braktisura netëve.
Dua të bëhem shtator
Të shpërndaj vjeshtën mbi pyje
Por dëbora, si një perëndi ilire,
E ktheu gjithë botën në mermer
Që të gdhend dashurinë time.
O perëndia ilire e dëborës
Bëmë një orakull për dashurinë!
oremus
Një zog i kaltër këndoi mbi drurët
Këngën e artë të lamtumirës.
Vetmia, mbi supin tim,
Rëndon e bëhet dru.
Thuaje lamtumirën e zogut dhe ujit!
Alo, qiell i vjeshtës, alo!
Këndoj për tërë ata që ikin
Dhe s’kthehen kurrë më
Dhe për tërë të braktisurit
Dinjitozë deri në dhembje.

NO COMMENT