GAZMEND KRASNIQI
1.
Personazhi im mund ta ketë emrin Llesh. Mund ta kishte edhe Gegë, Dedë, por për mua kjo nuk ka shumë rëndësi: ajo që do të desha të them unë, është se nuk i duam ëndërrimtarët, sepse me ëndrrat e tyre ata na sfilitin, edhe pse dështimi i tyre i kalon sukseset e të tjerëve. Nga ana tjetër, të vetmuar në lavdinë e tyre të çuditshme, as ata nuk i duan njerëzit, ose, më mirë, i duan në mënyrën e tyre, por ky nuk është problem i tregimit tim – kjo mund të ishte një histori tjetër, me një trajtesë ndryshe.
2.
Le të hyjmë drejtpërdrejt në temë.
Si shumë të tjerë, përpara se të njihem me Lleshin, edhe unë kam pasur mendimin e njohur për zhdukjen e Mujit e Halilit: u zhdukën kur u shpik pushka, sepse heronjtë e mësuar me një tjetër mënyrë luftimi nuk u pajtuan më mënyrat e reja.
Lleshi e hedh tezën e tij të re një ditë të bukur, në të hyrë të verës. Fillimisht, kur sheh çudinë te unë, ndryshe nga ç’e ka zakon, nuk e zgjat, por gati i prekur se po e quajnë fantazist, për të vërtetuar tezën e tij, më fton te të parët e tij, në një vend rrëzë Bjeshkëve të Nemuna, ku ai ka një shtëpi verimi. Ndërkohë, i ka menduar gjërat hollë dhe me shumë durim, sepse nuk e hap më këtë temë, derisa më dërgon te një rapsod i vjetër aty afër, kushëri i tij. Rapsodi, një specie e dalë vetë nga eposi, shtatlartë dhe i drejtë, me mustaqe të mëdha dhe qeleshen e bardhë, sapo është kthyer nga Amerika, ku ka shkuar pas të bijve, që emigruan atje pas viteve nëntëdhjetë. Është aq jetëgjallë dhe pa moshë, saqë kur thotë me çiltërsi se ka ardhur për të vdekur në vendlindje, unë qesh me gjithë shpirt, si nga solemniteti në një bisedë fëmijësh: më duket se ai njeri mund të vdesë, aq sa mund të vdesë eposi. Është krejt e besueshme, siç tregon vetë, se atje në Amerikë i ka mahnitur një grup gjermanësh, kur u flet për vendlindjen, saqë ata mezi ç’presin t’i thonë se përse ndodhet në Amerikë. Përgjigja e tij nuk vonon: e kanë sjellë shtatëqind dreqër. Pyetja se pse nuk kthehet prapë atje, ka përgjigjen: e mbajnë njëmijë të tillë.
Më duhet ta pranoj haptas se, gjithë përshtypje për jetën e tij të gjallë, nuk u tregohem fort i vëmendshëm ndaj asaj që këndon. Aq vëmendje sa tregoj, e kam sa për të mos e prekur Lleshin.
Mandej, tepër vonë për t’u penduar: sado që më duket e pabesueshme, rapsodi vdes vërtet disa ditë pas largimit tim nga ai vend.
Vetëm atëherë e kuptoj se ç’do të thotë mosshkrimi i këngës në kohën e duhur.
3.
Mendohem gjatë, por, gjithsesi, atë që këndon rapsodi, mund ta kujtoj vetëm në prozë. Thelbi i asaj rapsodie është pak a shumë kështu:
Muji e Halili zbresin në një han. Dalin të gjithë t’i shohin dhe i presin me brohoritje e duartrokitje. Ata dy zënë vend në një kthinë të veçantë, sepse s’para i pëlqejnë këto gjëra. Të lodhur nga rruga, hanë shpejt e shpejt dhe shtrihen.
Në një farë ore, Muji ndien se po e prekin në krah dhe zgjohet menjëherë, duke çuar dorën te shpata, po Halili vë gishtin në buzë, si shenjë që të mos bëjë zhurmë. Arsyeja e zgjimit: Halili ka kohë që po dëgjon se çfarë mendojnë njerëzit për ta. Muji s’do t’ia dijë dhe kthehet në krahun tjetër, por disa të qeshura cingëritëse e mbajnë zgjuar për një çast. Kur dëgjon qartë se çfarë po thuhet, edhe ai nuk mund të flejë më.
Çfarë dëgjon, janë gjëra si këto:
Muji e ka hundën me kurriz.
Kur zbret nga kali, i duken këmbët e shtrembra.
Halili e ka bukurinë pak prej femre.
Puna është se këto thuhen mes të qeshurash hokatare dhe nuk hidhen poshtë prej askujt.
Siç mund ta marrim me mend lehtë, kreshnikët befasohen, sepse dinë për veten ato gjëra që shihnin të tjerët ndër ta, ato çfarë dinin rapsodët, dëgjuesit – të cilat, kuptohet, janë aq ndryshe nga çfarë po dëgjojnë.
4.
Kreshnikët zhduken vjedhas, pa bërë zë: nuk ka vlerë se, kur hipin në kuaj, të gjithë i shikojnë me admirim, madje të mahnitur.
Një teori e shekullit XVII i jep të drejtë kësaj race heronjsh për të qenë nëpër disa gjini fisnike (tragjedi, epope), veçse duhet të zhvishen nga e mbinatyrshmja, por te eposi ynë problemi qëndron në zanafillë: Mujit i jepet forca nga zanat.
5.
Mbetur pa rapsodin, që mund të na i këndonte edhe një herë, i kërkoj me këmbëngulje mikut tim të kujtojë vargjet, por as ai nuk ia arrin.
– Kjo nuk ka rëndësi, – thotë, pa ia varur zhgënjimit tim.
Në të vërtetë, as nuk do t’i kujtojë vargjet, sepse e ka mendjen diku tjetër, por këtë gjë e marr vesh më vonë, disa javë më vonë, kur, pasi i ka bluar gjërat mirë e mirë në ëndërrimin e tij të thellë, më thotë:
– Atyre njerëzve ua çoi fati kreshnikët afër, sepse më parë nuk e kishin pasur kurrë këtë mundësi. Ata i vështrojnë poshtë-lart, i kthejnë së prapthi, ua heqin koracën mbrojtëse, i ndajnë, i analizojnë, i zhveshin dhe ua heqin maskën. Ata gjejnë rast për të bërë një kërkim krejtësisht të lirë – të qeshurit është elementi më i rëndësishëm në krijimin e lirisë e të guximit, në zhdukjen e frikës e të druajtjes.
Kur marr të them se kreshnikët mund t’i kapnin ata njerëz me shpulla, Lleshi bën menjëherë një shenjë mohuese: sipas tij, kreshnikët janë njerëz të kryer dhe të pandryshueshëm, njëherë e përgjithmonë – nuk mund të bëjnë kurrë gjëra të tilla. Ata u bënë gjithçka që mundën të jenë dhe mundën të jenë veç ata që u bënë: të përkryer në nivelin më të lartë heroik. Ata nuk mund të provokohen, nuk mund t’u kërkohet diçka. Janë të privuar edhe nga gjuha: kanë një gjuhë të vetme, të veçantë dhe të mbyllur përgjithmonë. As qeniet e mbinatyrshme nuk mund të bëjnë dallim nga kjo.
Që këtej vjen kufizimi i këtyre kreshnikëve dhe apatia në kushtet e reja të ekzistencës së njeriut.
6.
Për shumë kohë, i kapluar nga përditshmëria, i shoh me indiferencë fjalët e tij, por më duhet të pranoj, se dalëngadalë filloj të bëhem edhe unë ithtar i kësaj teorie, edhe pse më bren pengu se mungon mundësia për të dëgjuar mendimin e atij që e këndonte rapsodinë. Megjithatë nuk jam i sigurt se rapsodi do të kishte një mendim ndryshe, jashtë këngës, pasi kjo është punë e ëndërruesve të mëdhenj, si Lleshi, të cilët janë gjithnjë e më të rrallë në kohët tona.
Një gjë është e sigurt për mua: atje rrëzë Bjeshkëve të Nemuna, i ndjeshëm ndaj shpirtvogëlsive që karakterizojnë jetën tonë, Lleshi vuan mungesën e njerëzve si Muji dhe Halili, prandaj zhytet thellë në zonat e pashkelura të ëndrrës dhe imagjinatës, siç bëri dikur, bie fjala, Aleksandri i Madh (për koincidencë, emri Llesh vjen nga Alessio – Aleksandër).
Historia tregon se, në këto raste, ne, kori i njerëzve të zakonshëm, ia nisim avazit tonë:
– Kthehu, Aleksandër! Kthehu, Aleksandër!
Sepse na presin punët, gratë, fëmijët, përditshmëria që na bën për vete.
7.
Këto shënime të hedhura shpejt e shpejt janë mënyra më e mirë për të kërkuar ndjesë: mes njerëzve nuk ka pak virtyte për të zgjedhur.
NO COMMENT