Kapitulli 89
Peshku i lidhur dhe peshku i lëshuar
Fjala që thamë për shtizat e flamurit një kapitull para të fundit, bën të nevojshme të sjellim disa të dhëna për ligjet dhe rregulloret në peshkimin e balenave, për të cilat kopili mund të mendohet si një simbol i madh dhe shenjë dalluese.
Ndodh herë pas here se kur disa anije lundrojnë në shoqërim, një balenë mund të goditet nga njëra prej lundrave, pastaj të ikë dhe më në fund të vritet dhe të kapet nga një anije tjetër; dhe në këtë mënyrë janë përfshirë në formë të tërthortë shumë të papritura të vogla, të gjitha në vetvete duke luajtur pjesën e tyre në ngjarjen e madhe. Për shembull, – pas një ndjekje të lodhshme e të rrezikshme edhe kapjes së një balene, trupi mund të lëshohet e të ikë nga anija për arsye të një stuhie të fortë; dhe duke shkuar me rrymën në drejtim nga shkon era, ndodh të kapet nga një balenierë e dytë, e cila, në qetësi, rehat e lidh në anë, pa rrezikuar as jetë as litarë. Kështu që sherret më të bezdisshme dhe më të dhunshme ndodh shpesh të nisin mes peshkatarëve, kur nuk ka ndonjë ligj universal të padiskutueshëm të shkruar, ose të pashkruar, që të zbatohet në të gjitha rastet.
Ndoshta i vetmi kod zyrtar në gjuetinë e balenave autorizuar prej një akti legjislativ, ishte ai i Hollandës. Ky ishte dekretuar prej States-General në 1695-ën. Por megjithëse asnjë komb tjetër nuk ka pasur kurrë ndonjë ligj të shkruar për gjuetinë e balenave, përsëri peshkatarët amerikanë kanë qenë vetë ligjvënës dhe avokatë në këtë çështje. Ata kanë sjellë një sistem i cili nga zbërthimi i hollësishëm tejkalon përmbledhjen e ligjeve të Justinianit dhe urdhëresat e shoqërisë kineze për përmbajtjen e ngjeshur me punët e njerëzve të tjerë. Po; këto ligje mund të gdhenden mbi një kupë kristali të Mbretëreshës Ana, apo mbi majën e një fuzhnje dhe të mbahen varur në qafë, kaq të vogla janë ato.
- Një peshk i lidhur i përket palës që e lidhi.
- Një peshk i lëshuar është lojë e hapur për atë që e kap i pari.
Por ajo që përbën hilen në këtë kod mjeshtëror është shpejtësia e admirueshme, e cila nxjerr të nevojshme një sasi të madhe komentesh për ta shpjeguar.
E para: Ç’është një peshk i lidhur? I gjallë apo i vdekur një peshk është teknikisht i lidhur, kur është i mbërthyer pas një anije apo barke me njerëz, përmes çdo mjeti gjithfarë të kontrolluar nga një njeri apo disa njerëz, – një direk, një rrem, një kabllo nëntë inçësh i trashë, tel telegrafi, apo një fije merimange, shkon për të gjitha njëlloj. Gjithashtu një peshk është teknikisht i lidhur kur mban një kopil, ose çfarëdo shenje tjetër të njohur të pronësisë; për aq sa pala që po gjuan në mënyrë të dallueshme, shfaq aftësi në çdo kohë për ta tërhequr pas vetes, apo po aq sa edhe pikësynimin për të bërë një gjë të tillë.
Këto janë komente shkencore; por komentet e vetë gjuetarëve të balenave ndonjëherë qëndrojnë te fjalët e rënda dhe goditjet më të forta – Kuku – kundër –Litëlltonit me grushte. E vërtetë, mes gjuetarëve më të shquar e më të ndershëm justifikimet gjithmonë kryhen për raste të veçanta, kur mundet të jetë një padrejtësi e jashtëzakonshme moralisht për njërën palë të pretendojë pronësinë mbi një balenë që është ndjekur dhe vrarë nga një palë tjetër. Por të tjerët thjesht pa fjalë nuk janë kaq të përpiktë.
Diku pesëdhjetë vjet më parë ka qenë një çështje interesante mbi një mosmarrëveshje për një balenë, gjykuar në Angli, ku paditësit deklaruan një ndjekje të rëndë të balenës në detet e veriut; dhe kur në fakt ata (paditësit) ia kishin dalë t’i binin me fuzhnjë peshkut; ata përfundimisht, meqë ishin në rrezik për jetën, u detyruan të braktisin jo vetëm litarët, por edhe vetë barkën. Më në fund të pandehurit (ekuipazhi i një anije tjetër) i doli para balenës, e goditi, e vrau, e lidhi dhe përfundimisht e përvetësoi përpara syve të paditësve. Dhe kur këta të paditur protestuan për këtë, kapiteni i tyre ia nguli gishtin në dhëmbë paditësit dhe i siguroi se ashtu siç shkonte me doksologji për veprimin që ai kishte kryer, tani mundej të mbante fillin, fuzhnjat dhe barkën, të cilat kishin mbetur të lidhura pas balenës në kohën e kapjes. Kështu që paditësi tani i hodhi në gjyq për të marrë mbrapsht vlerën e balenës së tyre, fijes, fuzhnjave dhe barkës.
Zotni Erskini ishte avokati i të paditurve; Lordi Ellenboruh qe gjyqtari. Gjatë mbrotjes, Erskini mendjeprehtë vijoi e ndërtoi pozicionin e tij, duke përmendur tërthorazi crim, faj, çështje, ku një xhentelmen, pasi përpiqej padobi të vinte nën fre ligësinë e të shoqes, më në fund e kishte braktisur atë në detet e jetës; por gjatë viteve, i penduar nga ky hap, u hodh në veprim ta kthejë sërisht te vetja. Erskini qe në anën tjetër; dhe ai pastaj e mbështeti duke thënë, se megjithëse xhentëlmeni në fillim fare e kishte shpuar me fuzhnje zonjën dhe dikur njëherë e kishte lidhur, edhe kjo vetëm për arsye të stresit të madh në të cilin e kishte futur ligësia e saj, më në fund e kishte braktisur; prapëseprapë ngaqë ai e kishte braktisur atë, ajo u bë një peshk i lëshuar; dhe kështu që kur xhentëlmeni i radhës e rishpoi me fuzhnjë, zonja atëherë erdhi dhe u bë pronësi e xhentëlmenit të radhës, bashkë me çfarëdo fuzhnje që ai mund të kishte gjetur të ngulur brenda saj.
Tani me në çështjen në fjalë, Erskini pretendonte se shembujt e balenës dhe zonjës ishin në mënyrë reciproke ilustruese të njëra-tjetrës.
Këto deklarime dhe kundër deklarime, pasi u dëgjuan me vëmendje, i shumëdituri gjykatës në kushtet e caktuara, vendosi, domethënë: se për sa i takon barkës, ai ia dha paditësve, sepse ata thjesht e kishin braktisur për të shpëtuar jetën; por për sa i takon ankimimin për balenën, fuzhnjat dhe fija, ato i përkasin të paditurve; balena, ngaqë ishte një peshk i lëshuar në çastin kur përfundimisht u kap; dhe fuzhnjat e fija, sepse kur peshku iku bashkë me to, ai (peshku) fitoi të drejtën e pronësisë mbi këto artikuj; dhe prandaj kushdo që paskësaj kap peshkun ka të drejtën mbi to. Tani të paditurit më në fund mëtojnë peshkun; prandaj, artikujt e lartpërmendur u takonin atyre.
Një njeri i zakonshëm të shohë këtë vendim të një gjykatësi fort të mësuar, ka mundësi ta kundërshtojë. Por të shkojmë drejt e në thelb të çështjes, dy parimet e larta parashtruar në dy ligjet binjake në gjuetinë e balenave të cilësuara më sipër dhe përdorur e shpjeguar nga lordi Ellenboruh në çështjen e përcaktuar më lart; aty te këto dy ligje të cilat prekin peshkun e lidhur dhe peshkun e lëshuar, them unë, nëse e mendon, do të mund të gjenden themelet e gjithë jurisprudencës njerëzore; sepse pavarësisht që nuk i kanë lajle-lulet e skulpturave të tempullit të ligjit, siç te tempulli i Filistinëve, kanë vetëm dy pika ku mund të qëndrosh.
Nuk është një gjë që e thotë goja e kujtdo, Pronësia është gjysma e ligjit: kjo, pavarësisht se si një send hyri në pronësi? Por shpesh pronësia është i gjithë ligji. Çfarë janë nervat e shpirtrat e bujkrobërve rusë dhe skllevërve republikanë përveçse peshk i lidhur, prej nga ku pronësia është gjithçka prej ligjit? Çfarë është për qiradhënësin dorështrënguar kacidhja e fundit e vejushës përveçse peshk i lidhur? Çfarë është atje e pazbuluar shtëpia e madhe prej mermeri e kopukut me një pllakë te porta për një fëmijë të braktisur në rrugë; çfarë është kjo pos peshk i lidhur? Çfarë është interesi rrënues të cilin Mordekai, komisioneri, i merr atij të varfrit të mbaruar, të falimentuarit, që merr borxh të mbajë familjen e të mbaruarit të mos vdesë nga uria; çfarë është ky interes rrënues përveçse një peshk i lidhur?
Çfarë është rroga e kryepeshkopit shpirtshpëtues, prej 100,000 sterlinash nxjerrë nga buka e djathi i paktë i qindra e mijërave punëtorëve që thyejnë shpinën në punë (të gjithë të bindur për parajsën, pa ndihmën e ndonjë kryepeshkopi) çfarë është kjo gjë e rrumbullakosur 100,000, përveçse një peshk i lidhur? Çfarë është për atë fuzhnjarin e tmerruar, Xhon Bull, Irlanda e tij e varfër, përveçse një peshk i lidhur? Çfarë është për një heshtar apostolik, vëllanë Xhonatan, Teksasi, përveçse një peshk i lidhur? Dhe për sa i përket kësaj, nuk është pronësia i gjithë ligji?
Por nëse doktrina e peshkut të lidhur të jetë e përdorshme fort përgjithësisht, doktrina e afërt me të, e peshkut të lëshuar është akoma edhe më shumë. Kjo është e përdorshme si ndërkombëtarisht ashtu edhe universalisht.
Çfarë qe Amerika në 1492-shin përveçse një peshk i lëshuar, në të cilën Kolombi nguli standardet spanjolle njëlloj si me gjuetinë e balenave për padronin e padronët e vet mbretërorë? Çfarë qe Polonia për carin? Çfarë qe Greqia për turkun? Çfarë qe India për Anglinë? Çfarë qe më në fund Meksika për Shtetet e Bashkuara? Të gjitha peshk i lëshuar.
Çfarë janë të drejtat e njeriut dhe liritë e botës përveçse peshk i lëshuar? Çfarë janë të gjitha mendjet dhe opinionet e njerëzve përveçse peshk i lëshuar? Çfarë është në parim besimi religjioz te ata përveçse një peshk i lëshuar? Çfarë janë për një pedant mburravec dredharak idetë e mendimtarëve përveçse peshk i lëshuar? Çfarë është globi madhështor përveçse një peshk i lëshuar? Dhe çfarë je ti, o lexues, përveç se një peshk i lidhur dhe një peshk i lëshuar, njëherësh?
Përktheu: Rudi EREBARA
NO COMMENT