READING

Herman HESE – “Narcisi dhe Gojarti” (fragmen...

Herman HESE – “Narcisi dhe Gojarti” (fragment)

HERMAN HESE

Laureat i Çmimit Nobel

“Narcisi dhe Gojarti – Histori e një miqësie”

Roman

 

 

– Narcis, – i tha një ditë abati pas një rrëfimi, – po e ndiej veten fajtor që të kam gjykuar me rreptësi. Shpeshherë të kam quajtur mendjemadh dhe ndoshta të kam rënë në qafë kot së koti. Je si tepër i vetmuar, o vëllai im i vogël, ke admirues, por jo miq. Do të doja të më jepej rasti për të të qortuar, por nuk gjej dot asnjë shkas. Do të doja të ishe çamarrok nganjëherë, ashtu siç janë zakonisht djemtë e moshës sate. Por ti s’je kurrë i tillë. Here pas here më merakos një çikë kjo puna jote, Narcis.

Djaloshi ngriti ata sytë zijoshë në drejtim të abatit duke thënë:

– Dëshiroj me gjithë shpirt, i përnderuar at, që të mos ju sjell asnjë shqetësim. Ka shumë mundësi të jem mendjemadh, i përnderuar at. Ju lutem të më ndëshkoni për këtë të metë. Nganjëherë edhe unë ndiej dëshirën për ta ndëshkuar veten time. Shpjermëni në ndonjë vend oshënarie, ose lërmëni të bëj punë të rëndomta.

– Si për njërën ashtu edhe për tjetrën je tepër i ri, vëlla i dashur, – i tha abati. – Përveç kësaj, ke aftësi të shkëlqyera prej gjuhëtari e mendimtari, biri im, dhe do të shkonin dëm këto dhunti hyjnore po t’ju vija të bënit punë të rëndomta. Ka shumë të ngjarë të bëhesh profesor e dijetar. A nuk ke dëshirë edhe ti vetë të bëhesh i tillë?

– Më falni, at, por nuk e di me aq shumë saktësi se çfarë dëshiroj të bëhem. Shkencat do të më japin gjithmonë kënaqësi, e si mund të ndodhë ndryshe? Por nuk besoj që ato të jenë fusha ime e vetme. Fati dhe misioni i njeriut s’mund të vendosen gjithnjë nga dëshirat e tij, por nga diçka tjetër, nga diçka e paracaktuar.

Abati dëgjonte me vëmendje dhe po rrinte ashtu hijerëndë; megjithatë, ajo fytyra e tij e plakur u ndriçua nga një buzëqeshje kur ai nisi të thoshte:

– Me sa kam arritur t’i njoh njerëzit, të gjithë jemi paksa të prirur, sidomos në rini, që ta ngatërrojmë paracaktimin e fatit me dëshirat tona vetjake. Por, meqë ti mendon se e di qysh më pare misionin tënd, a s’më thua një çikë ç’është ky misioni yt i paracaktuar?

Narcisi puliti sytë zijoshë, që u zhdukën poshtë qerpikëve të gjatë e të zinj, dhe ndenji i heshtur.

– Thuaj një fjalë, biri im, – vazhdoi abati pas një pritjeje të gjatë.

Narcisi filloi të fliste me zë të mbytur e me sy të ulur:

– Mbi të gjitha, i përnderuar at, më duket se jam paracaktuar për jetë murgu. Besoj se do të bëhem murg, prift, zëvendësabat, ndoshta edhe abat. Kjo s’do të thotë se këtë e besoj meqë e dëshiroj. Dëshirat e mia s’kanë të bëjnë me poste. Por këto do të m’i ngarkojnë të tjerët.

Të dy mbetën të heshtur për një valë here.

– Pse e ke këtë besim? – pyeti me ngurrim ai burrë i moshuar. – Përveç erudicionit, ke ndonjë aftësi tjetër që ta ushqen këtë besim?

– Kjo aftësi, – u përgjigj ngadalë Narcisi, – është intuita që kam për të kuptuar natyrën dhe fatin e njeriut, jo vetëm për veten time, por edhe për të tjerët. Kjo aftësi më detyron t’u shërbej njerëzve duke i përmbajtur në veprimet e tyre. Po të mos kisha lindur për jetë murgu, do të më duhej të bëhesha gjykatës ose burrë shteti.

– Ndoshta, – pohoi abati duke tundur kokën. – A e ke provuar ndonjëherë këtë aftësinë tënde për të njohur njerëzit dhe fatin e tyre?

– E kam provuar.

– Mund të më japësh ndonjë shembull?

– Po, mund t’ju jap.

– Mirë. Meqë s’do të doja të hyja në të fshehtat e vëllezërve tanë pa dijeninë e tyre, mund të më thuash ç’kujton se di ti për mua, për abatin tënd Daniel?

Narcisi ngriti qepallat dhe e vështroi abatin drejt e në sy.

– Ta marr si urdhër këtë nga ana juaj, i përnderuar at?

– Po, si urdhër.

– E kam vështirë të flas, at.

– Edhe unë e kam vështirë të të detyroj të flasësh, vëllai im i vogël, e megjithatë po e bëj. Fol!

Narcisi uli kokën dhe nisi të fliste duke mërmëritur:

– Ato që kujtoj se di për ju janë pak, i përnderuar at. Di se jeni shërbëtor i Perëndisë, se do t’ju pëlqente më fort të ruanit dhitë ose t’i binit kambanës së ndonjë oshënarie dhe të dëgjonit rrëfimet e fshatarëve sesa të drejtonit një manastir të madh. Di gjithashtu se keni një dashuri të veçantë për Nënën e Shenjtë të Perëndisë dhe asaj ia drejtoni pothuaj tërë lutjet tuaja. Nganjëherë luteni që shkencat greke dhe shkencat e tjera që lëvrohen në këtë manastir të mos çorodisin e të mos rrezikojnë shpirtrat e njerëzve që ju janë besuar. Kohë më kohë luteni që të mos e humbisni durimin me zëvendësabatin Gregor. Herë pas here luteni për një fund të qetë të jetës suaj. Besoj se lutja juaj do të dëgjohet, dhe do të keni një fund të qetë.

Në dhomën e vogël ku abati priste vizitorët, kishte rënë heshtja.

Më së fundi ai burrë i moshuar nisi të fliste:

– Je ëndërrues dhe vegimtar, – i tha me një ton miqësor. – Edhe vegimet e mira fetare mund ta bëjnë njeriun të gabojë; mos u beso vegimeve të tilla, ashtu siç nuk u besoj as unë. A je në gjendje vallë të shohësh se ç’mendoj thellë në zemër për këto gjëra, o vëllai im ëndërrues?

– Po, at, jam në gjendje të shoh se aty thellë në zemër po mendoni me shumë dashamirësi për këto gjëra. Ja çfarë po mendoni: “Këtij nxënësi në moshë fare të re i kanoset njëfarë rreziku, i shfaqen vegime, mbase është dhënë si tepër pas përsiatjeve. Ndoshta mund t’i jap një ndëshkim, që s’do t’i bëjë keq. Por të njëjtin ndëshkim do t’ia jap edhe vetes sime.” Ja, pra, ç’po mendoni në këto çaste.

Abati u ngrit. Duke vënë buzën në gaz, i bëri shenjë me kokë rishtarit për t’i treguar se me kaq biseda mes tyre kishte marrë fund. Pastaj i tha:

– Mirë, por mos i merr tepër seriozisht ato vegimet e tua, o vëlla i vogël. Perëndia kërkon prej nesh më fort gjëra të tjera sesa vegime. Le ta zëmë se e miklove një plak duke i premtuar vdekje të lehtë. Le ta zëmë se për një çast plaku e dëgjoi me kënaqësi këtë premtim. Tani le ta lëmë me kaq. Nesër në mëngjes, pas meshës së parë, duhet të thuash një rruzare, duke u lutur me përulësi e devocion dhe jo sa për të shkuar radhën. Të njëjtën gjë do të bëj edhe unë. Tani mund të ikësh, Narcis, folëm mjaft.

 

Përktheu: Aristidh RISTANI

 

(Hermann Hesse: “Narcisi dhe Gojarti – Histori e një miqësie”,

Titulli i origjinalit: “Narziss und Goldmund – Geschichte

einer Freundschaft”, Roman, Tiranë 2008, 346 faqe.)

 


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.