Gazmend Krasniqi & Vjollca Osja
GRINDJA ESTETIKE SI VLERË (RI)LEXIMI
Në mesin e viteve ’60-të të shekullit të kaluar, në librin “Kritikë dhe e vërtetë”, që lindi si përgjigje ndaj polemikës së ashpër të kritikut akademik Raymond Picar, Roland Barthes tërheq vëmendjen se në luftën që i është shpallur metodës kritike që ai përfaqësonte, nuk duhet nënvijëzuar fakti se ajo kundërvë të vjetrën me të renë, por, se në thelb, prek të ndaluarën: ajo që nuk durohet (kupto, nga kritikët akademikë) – thotë Barthes-i, është fakti se ligjërimi mund të flasë për ligjërimin.[1]
Me këtë logjikë, një shkrim i dytë mbi shkrimin e parë të veprës hap rrugë të paparashikueshme, duke i ikur kështu konformizmit ndaj çdo lloj autoriteti dhe duke bërë atentat në rendin e ligjërimeve.[2]
Kjo grindje metodike – në fund të fundit, një grindje estetike – na shërben për të thirrur në vëmendje, në progresionin e kuptueshëm, një ngjarje kulturore të letrave tona. Në polemikën e Krist Malokit “A asht poet Lasgush Poradeci”?, duket që në titull se kemi të bëjmë me një nga debatet më të ashpra të historisë së këtyre letrave.
Në gjykimin tonë, ashtu si edhe në rastin krahasues, nuk mund të flitet për një përplasje mes dy-tre individëve, por mes estetikave që ata përfaqësojnë. Kështu, nëse do të vazhdonim të flitnim me gjuhën e Barthes-it, për përcaktimin e marrëdhënies së Kutelit me Poradecin mund të themi se në këtë rast shkrimtari dhe kritiku po rindeshen në fatin njësoj të vështirë, përballë të njëjtit objekt: ligjërimit.[3]
Ndërkohë që përcaktimi i marrëdhënies tjetër, asaj të Malokit përballë binomit Kuteli – Poradeci, mund të shënohet si “ikje ndaj këtij objekti”.
Në studimin për poezinë e Lasgush Poradecit, Kuteli shprehet, në mënyrë eksplicite, që në krye për ligjërimin, duke na sinjalizuar njëherazi edhe për preferencat teorike, si rrjedhojë edhe për shijet estetike të tij: Në erarkinë e elementeve që përbëjnë vleftën e një vepre poetike, forma ose trajta zë vendin e parë. Kuptimi ose përmbajtja nuk vinë përveç se në radhën e dytë,[4] dhe e vazhdon atë me studimin dhe analizimin e diksionit poetik, rimës, ritmit dhe fonologjisë së përdorura nga poeti. Ai i rri besnik këtij parimi deri në fund, duke treguar koherencë të plotë, edhe pse qe një qëndrim i panjohur në këto përmasa për stadin e atëhershëm të kulturës shqiptare. E theksojmë këtë që në krye se, kur hyn në polemikën e rreptë me të, Krist Maloki, me dashje apo pa dashje, e sulmon me kode të tjera, duke e zhvendosur debatin që në fillim nga objekti real, pra ligjërimi. Ne gjykojmë se në këtë mënyrë Maloki e fut veten në një qark keqleximesh dhe kundërshtish të cilat e zhvlerësojnë që në nisje sensin e polemikës.
Keqlexime
Në krye të këtyre keqleximeve qëndron ai që sjell zhvendosjen e debatit: është fjala për përcaktimin kutelian se me Poradecin kemi një Poet me P të madhe. Maloki kapet pas tij dhe gjen aty përcaktimin për konceptin gjerman të dichter-it, megjithëse e bëmë të ditur se Kuteli që në krye ishte shprehur për një tjetër lloj poeti, që ka primar ligjërimin dhe nuk ka asnjë lidhje me përcaktimet Prijës, Profet apo Këngëtar i Zotit, të cilat, siç thotë vetë Maloki, janë zhvleftësuar edhe në Gjermani, me hyrjen në letërsinë e këtij vendi, në gjysmën e dytë të shekullit XIX, të poetëve me origjinë hebreje, si Hajne për shembull.
Çfarë mund të themi atëherë për Baudelaire-in (dhe pasardhësit e tij Verlain, Rimbaud dhe Malarme) të cilit nuk i qëndron shprehja “shpirt i kristalizuar i kombit”,[5] po ndërkohë ai u bë fakt europian, gjë që nuk e kishin arritur paraardhësit e tij?! Malokin nuk e mundon kjo pyetje, por debaton gjerë e gjatë me kode përjashtuese me poetin dhe kritikun.
I vlerësojmë keqlexime edhe leximet me ngjyresë kritike negative që ai u bën disa përcaktimeve kuteliane. Citojmë:
- Përmjet fjalorit Lasgushi shquhet haptazi nga të gjithë poetët e tjerë të shqipes.[6]
Maloki nuk bind, kur përpiqet ta shohë si problematike këtë frazë. Ne do të ishim të mendimit se leximi i saktë i Kutelit do ta çonte tek ideja që Poradeci ka një fjalor të dallueshëm nga poetët e tjerë, sepse jep shembuj që e qartësojnë mendimin e shprehur. Ilustrimi na bëhet më i qartë po ta kalojmë krahasimin te bota e piktorëve dhe të themi se njëri punon me ngjyra e gama të kaltra, një tjetër me ngjyra e gama të gjelbra e kështu me radhë. Mirëpo askund nuk është thënë se njëri qëndron mbi tjetrin, sepse përdor këtë apo atë fjalor apo ngjyrë.
- Edhe nga pikëpamja e rimës vepra vjershëtore çquhet haptazi nga e çdo tjatri poet shqiptar.[7]
Edhe në këtë rast, duke anashkaluar faktin që Kuteli, me anë të ilustrimeve, bën me dije se Poradeci është një poet me rimar të dallueshëm nga poetët e tjerë, Maloki, qëllimisht apo jo, sintagmën nga çdo poet tjetër e lexon mbi çdo poet tjetër. Pra, forma veçuese bëhet formë mbiveçuese.
- Lasgushi është poeti shqiptar, i vetmi poet shqiptar, që mendon, flet e shkruan vetëm shqip.[8]
Ky është rasti në të cilin Maloki merret gjatë me spekulimet mes asaj që është lokale dhe asaj që është universale, por pa arritur në ndonjë rezultat bindës, përveçse të ezaurojë ndonjë ide të parafabrikuar. Maloki hidhet në sulm duke e parë poezinë e Poradecit me lupën e patriologut, për të kërkuar në të ide karakteristike shqiptare, apo që ajo të “dritësojë” ndonjë problem shpirtëror shqiptar. Ndërkohë që Kuteli shikon te Lasgushi poetin i cili përpiqet të zhvillojë potencialin shqiptar në art… Sepse Lasgushi – siç konstaton Kuteli – i nxjerr të gjitha metaforat e simbolet vetëm e vetëm prej gjuhës shqipe, prej realiteteve e mundësive shqipëtare, prej ethikës shqipëtare.[9]
Kundërshti
Rendisim:
- Maloki jo rrallë bie në kundërshti brenda një ligjërate. Formulimin: Dhe na sot e kemi detyrën me e shikjue veprën (dhe jo personën) … dhe me e dhanë gjykimin t’onë sa ma fort mbas pikëmpamjeve artistike-esthetike dhe jo edhe aqë mbas atyne historike, personale, psyhologjike etj.,[10] vëmë re se e pasojnë dy kundërshti të njëpasnjëshme:
- a) te kundërshtia e parë:
Nuk mund të qëndrojm edhe pa do vrojtime psyhologjike,[11] kundërarsyetimi ynë do të ngrihej mbi gjykimin e Barthes-it, kur thotë se: Autori dhe vepra janë vetë pikënisja e analizës, horizonti i së cilës është ligjërimi.[12]
Nuk mund të ketë shkencë mbi Poradecin apo çdo krijues tjetër, por vetëm shkencë mbi ligjërimin;
- b) te kundërshtia e dytë: te kombet e vogla, nga poezia kërkohet tendencë edukative kombëtare, në mos edhe dynamisme ideore-patriotike,[13] kundërarsyetimi ynë është se natyra e artit nuk mund të kushtëzohet nga madhësia e kombit. Vlerësojmë se kjo kundërshti sqaron më mirë se çdo tjetër teorinë e tij për artin (kupto, poezinë).
- Kundërshtinë e shohim të shtrihet edhe në rrafshin e kompetencës letrare, konkretisht te njohja zhanrore. Edhe pse e përcakton poezinë e Poradecit si lirike dhe idilike, ai kërkon prej saj të procedojë me tema të tilla si besa, nderi, burrnia, gjaku, grabitja, preja, prita, fisi, bajraku, kanunet, kuvendet, vrasja, ndorja etj., të cilat nuk kanë qenë dhe nuk janë pjesë e formacionit lirik, pasi lirika që nga antikiteti është përkufizuar si formë në të cilën shprehen ndjenjat vetjake të autorit dhe në qendër të ligjërimit introspektiv, kundrues dhe fantastik të saj, mbizotëron përvoja e unit.
Na bëhet e qartë se gjithë keqleximet dhe kundërshtitë vijnë si pasojë e mospajtueshmërisë së kodeve në përdorim për këtë polemikë. Në raste të rralla, tashti më afër kodit kutelian, Maloki merr të shprehet edhe pozitivisht për poetin Poradeci, si te formulimi: Historija s’ka për të ja mohue kurrë forcën, dritën, shkreptësin dhe hirsin poetike do vjershave të tija si: “Zog i Qiejve”, “Kënga Pleqërishte”, “Kroj i fshatit t’onë”, “Ti po vjen që prej së largu”, “Kur të jesh e zemëruar” etj.[14] Mirëpo argumentimi vjen prej fjalësh të përgjithshme, si frynë sadopak flladi i një ere qiellore, dëgjohen marrtas kuponët e një malli të përgjithshëm,[15] fjalë që mund t’i shkonin për shtat edhe ndonjë poeti tjetër. Kujtojmë gjithashtu komentin vlerësues për poezinë “Lundra dhe flamuri”: Lasgushi vetë na ka dhanë një shembull të gjallë të ndijiës së vet të hollë për këto kërkesa formale imperative në vjershën e tij “Gjeniu i anijes”, sepse aty e vetëm aty përdor aj një rythëm anapestik ( _ _ I ) i cili i përgjigjet përmbajtjes së vjershës. Duhet të dihet se metrika anapestike asht një rrjedhje jambike e forcuese dhe e dinamizueme; nëpër atë rrythëm fryn stuhia, shkrepin rrufena, sulmon anmiku anmikun, ushton deti, tunden e tronditen themelet e tokës etj. Kështu pra fillon edhe ajo vepër e Lasgushit:
Vështroni si shket sipër valash
E tundet anija me nge –
…. Me krismë-e me prush prej stërkalash
mi të shkreptin një rrufe!…[16]
Sidoqoftë, në këtë koment, nuk na duket e qartë mënyra se si e lexonte Maloki anapestin.
Theksojmë se në pjesën më të madhe të debatit ai qëndron në pozita plotësisht antikantiane të shijimit (estetik) pa interes, duke u shprehur se arti i fjalëve i drejtohet kryekëput mendes, dijes, kuptimit logjik.[17]
Për të, fjala estheticist është ma fort ulëse se naltësuese. Këtij qëndrimi estetik, tashmë të konsideruar i prapambetur për dekadat e para të modernizmit evropian, i shtohet qëndrimi i vazhdueshëm refraktar, edhe pse e pranon afërsinë e poezisë së Poradecit me poetë si Holderlini, Heine, Lenau, Rilke, poetika e të cilëve, kuptohet, nuk hyn në konsideratën e tij. Në një shkrim të mëvonshëm, të titulluar Poetë dhe detraktorë, Kuteli nuk ngurron të replikojë me konceptet e mësipërme, sepse për të Poezija është intuitë, ndjenjë – jo logjikë. Ajo del nga shpirti dhe i drejtohet shpirtit. Dhe shpirtit i drejtohet jo si mjet tematik, tezal, demonstrativ, po si mjet vehikulimi ndjenjash.[18]
Ose më poshtë: Detraktori i Lasgushit thotë se vjersha e tij – jo e gjitha – ka një muzikalitet të pa-shoq dhe të panjoftun deri më sot në literaturën shqiptare. Verlain-i që e quan poezinë “De la musique avant toute chose” do t’i kesh thënë: mjafton. Kjo është poezia! Po ne nuk e çmojmë poezinë vetëm pas muzikalitetit. Ky është, pa fjalë, një element i saj, por jo i vetmi.[19]
Të krijohet përshtypja se Kuteli ka rënë në kontakt me lëvizjen formaliste ruse, megjithëse kjo nuk thuhet shpesh.[20] Sipas mendimit tonë, Kuteli nuk mund të shkruante më shumë për “literaritetin” e formalistëve rusë, edhe pa e përmendur asnjëherë si term, sesa kur thotë: Sa e sa mundin të kenë mendime të larta e mbase hyjnore, sa e sa mundin të kenë ndjenja të thella e të këthjellta, sa e sa mund të ndjejnë e të shijojnë shpirtërisht bukuritë e jetës dhe të natyrës – gazin e ditës, magjinë e mbrëmjes ose misterin e natës – sa e sa mundin të përmbushin vepra të nalta, po të gjithë këta dyke mos patur mundësinë e brëndëshme t’i shprehin këto ndjenja e mendime të veshura me veshjen e poezisë, pra të formës, nuk janë vjershëtorë. Janë e mbeten – ndofta – mendimtarë, shkencëtarë, shkrimtarë, e mbase heronj, por jo vjershëtarë.[21]
Të mos harrojmë se një formulim i tillë nga ana e Kritikëve të Rinj amerikanë vjen vetëm një dekadë më vonë. Pra, mund të themi se Kuteli kishte sensin e bashkëkohësisë. Duke vlerësuar ndonjë mendim të shprehur se Formulën “A asht poet Lasgush Poradeci?”, nisur nga metoda, Maloki thjesht e kuptonte si “A është ideolog Lasgush Poradeci?”, a ndjehet fryma nacionale në letërsinë e tij dhe, rrjedhimisht, a përfaqësonte ai (krahas vlerave artistike, të cilat Krist Maloki ia njihte) edhe tipin e krijuesit të letërsisë me tezë,[22] ne u përpoqëm të vëmë në dukje problematikat me të cilat u operua nga kritiku. Përcaktimi i grindjeve të vërteta mes sherreve të kota, do të thotë kthim në vështrimin e ligjësive të brendshme të prodhimit letrar shqip, i cili bënte përpara pikërisht prej këtyre përplasjeve, të ndërgjegjshme apo të pandërgjegjshme. Debati në fjalë na ndihmon të arrijmë në përfundimin se edhe në letrat shqipe, nëpërmjet kontradiktash ose jo,[23] po nxitej ideja e kristalizimit të rendeve të ligjërimit, nga i cili, siç thotë Barthes- i, duke cituar G. Genette-in, prej Malarme-së e këndej po ndodh një rirregullim i rëndësishëm i hapësirave të letërsisë: ajo që ndryshon, që përshkohet dhe bashkohet është funksioni i dyfishtë, poetik dhe kritik, i shkrimit…[24]
Në fund të polemikës së Krist Malokit, botuesi Branko Merxhani vendos këtë fragment të marrë nga bisedat e Goethes-s me Eckermann-in, i cili mund të shërbejë edhe si përfundim i këtij diskutimi: Poeti engles Thomson shkroi një poesi shumë të mirë mbi stinat e kohës (Jahreszeiten), veç një shumë të keqe mbi lirinë, edhe jo nga shkaku i mungesës së poesisë tek Poeti, por nga shkaku i mungesës së poesisë tek sendi: – Poeti sapo hyn në politikë… humbet si Poet.[25]
[1] Bart, Roland. Aventura semiologjike. Rilindja, Prishtinë 1987, fq. 190
[2] Po aty, fq. 190
[3] Po aty, fq. 191
[4] Kuteli. Shënime letrare. GrandPrind. Tiranë 2007, fq. 79
[5] Në fakt vetë Gete shprehej: Poeti duhet ta dojë atdheun edhe si njeri, edhe si qytetar, por në poezi atdheu i prodhimtarisë së tij është e mira, fisnikja dhe e bukura, të cilat nuk janë të lidhura me asnjë provincë, me asnjë vend të veçantë. (sipas Yzeiri, Ilir. Poetika, Tiranë 2000, fq. 39)
[6] Maloki, Krist. A asht poet Lasgush Poradeci? Rev. Përpjekja shqiptare, nr 17, Tiranë 1938. Fq. 335
[7] Po aty, fq. 335
[8] Po aty, fq. 335
[9] Kuteli. Shënime letrare. GrandPrind. Tiranë 2007, fq. 87
[10] Po aty, fq. 338
[11] Po aty, fq. 339
[12] Bart, Roland. Aventura semiologjike. Rilindja, Prishtinë 1987, fq. 226
[13] Maloki, Krist. A asht poet Lasgush Poradeci? Rev. Përpjekja shqiptare, nr 17, Tiranë 1938. Fq.342
[14] Maloki, Krist. A asht poet Lasgush Poradeci? Rev. Përpjekja shqiptare, nr 18, Tiranë 1938. Fq. 19-20
[15] Po aty, fq. 20
[16] Po aty, fq. 27
[17] Maloki, Krist. A asht poet Lasgush Poradeci? Rev. Përpjekja shqiptare, nr 17, Tiranë 1938, fq. 343
[18] Jorgaqi, Nasho. Mendimi estetik shqiptar. Dituria.Tiranë 2000, Fq. 289
[19] Po aty. fq. 281
[20] Është përmendur nga kritiku Ramadan Musliu në parathënien që i bën botimit “Kahe dhe premisa…” Të Ibrahim Rugovës. Eurorilindja, Tiranë 1996, fq. I.
[21] Po aty, fq. 79
[22] Miftari, Avni. Modelet e kritikës – Konica, Maloki, Kuteli. Buzuku, Prishtinë 2005, fq. 78
[23] Si shembull pozitiv le të përmendim Qemal Draçinin, kur shkruan: Le të më lejohet të baj krahasimin me valët e detit që bante Mitrush Kuteli tue folë mbi poezinë e Nolit. “Vjersha e Nolit – shkruante M.T. – ka përplasjen (e valëve të detit) anës, me zhurmë të përsëritur.” Poezija e G. Palit i ngjet “ondulacionit të valëve në mezin e detit”, pa u shkapetë në breg, por tue gjimue shurdhtazi përbrenda. (Draçini, Qemal. Era. Muzeu historik i Shkodrës. Shkodër 1995, fq. 77)
[24] Bart, Roland. Aventura semiologjike. Rilindja, Prishtinë 1987, fq. 214
[25]Rev. Përpjekja shqiptare, nr 18, Tiranë 1938, fq. 31
NO COMMENT